Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Kush po nxit konflikt mes civilizimeve?

Autor: Adem Avdiu E premte 9 Korrik 2010 12:08 PM

 

Shekulli 21 filloi dhe po vazhdon me stuhi të furishme propagandistike për ta viktimizuar religjionin islam, duke e akuzuar dhe paraqitur si një fabrikues të problemeve, ekstremizmit, vandalizmit, terrorizmit dhe pengues të rendit të ri botëror, pengues të vlerave demokratike dhe civilizimit perëndimor.

E gjithë kjo ka ndikuar negativisht te mentaliteti i shoqërisë sonë, e cila po shtegton në ardhmëri larg orientimit me një kulturë të avancuar, por në fakt po rrugëton si e robotizuar nga mediat dhe interneti, që po ekspozojnë globalizimin e mbarë rruzullit tokësor. Formimi i kulturës së avancuar është domosdoshmëri dhe këtu kemi për qëllim kulturën që ngërthen ndërgjegjen, vlerat morale, faktet të cilat e pavarësojnë dhe e bëjnë jo të varur individin nga të tjerët. Në realitet, me këtë kulturë personi qëndrimet e tij i paraqet pas hulumtimit dhe meditimit të thellë, me një logjikë të shëndoshë dhe jo si një sfungjer që thith çdo gjë të lëngshme e të qelbur. Politologu amerikan Samuel Hentington hodhi teorinë e konfliktit ndërmjet civilizimeve dhe ky fenomen tashmë ka nisur të formojë e të zhvillojë embrionin e tij. Në një të ardhme të afërt ky demon famëkeq pritet të lindë. Kjo kuptohet nga zhvillimet që po jetësohen në shoqërinë europerëndimore, ku në idetë dhe bindjet e popujve të kontinentit evropian (veçanërisht në BE) ka filluar të zërë vend propaganda skajshmërisht antiislame, për të cilën jemi dëshmitarë. Nëse ky virus nuk parandalohet, gjasat janë shumë të mëdha që kjo epidemi të përhapet në mbarë globin.

Për ta penguar këtë fenomen satanik dhe për t’i shëruar të gjithë ata që janë viktimizuar ideologjikisht prej tij, kërkohet mundi dhe puna e ndërtuar mbi sinqeritetin, ndërgjegjen, drejtësinë, kulturën e mirëfilltë të të debatuarit dhe dialoguarit, opinionet e faktuara shkencërisht dhe bërjen e kritikave në frymën e metodologjisë akademike mbi gjitha ato ide që shkaktojnë armiqësi djallëzore mes individëve dhe shoqërive që po shtegtojnë të shoqëruara nga qytetërime të ndryshme drejt një ardhmërie ku do të gjykohen me drejtësinë absolute të Mbretit të gjithësisë dhe mbarë krijesave. Sulmet terroriste të realizuara nga kamikazët dhe nga grupe terroriste si Al Kaida lindën debate të furishme, emisione dokumentare, kritika të ashpra të adresuara gabimisht e aspak me ndërgjegje në portat e Islamit. Për këto veprime djallëzore, Islami u akuzua padrejtësisht nga armiqtë e tij dhe ky është një gabim fatal që ende po vazhdon, duke mos bërë dallime mes konceptit fe islame dhe konceptit muslimanë. Feja islame është ajo që bazohet në shpalljen qiellore (Kur’anin dhe Sunnetin), ndërsa musliman është personi që e pason këtë fe, por ndodh që pasimi i tij të jetë i gabuar nga ajo që kërkon feja dhe për gabimet e ndonjë muslimani nuk duhet akuzuar Islami, por kuptimi i gabuar i personit në fjalë. Fraksionet e shumta janë të pranishme edhe te religjionet e tjera, disa prej të cilave ndjekin vijën e ekstremitetit dhe më pas kalohet në veprime të çoroditura terroriste, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën edhe sot. Fraksioni i parë i devijuar i dalë në mesin e kombit musliman janë havarixhët, të cilët bëjnë çrregullime në tokë dhe sot jemi dëshmitarë që ky grupim (prej këtij grupimi është Al Kaida) me veprimet e tij të shejtanizuara ka realizuar thënien e urtë të popullit, “qeni i keq e sjell ujkun në torishtë”. Dijetari dhe eksperti i rrallë i çështjeve juridiko-islame, prof. Dr. Sulejman Ruhejli, në një ligjëratë akademike të mbajtur në Medinë të Arabisë Saudite me rastin e karikaturave të iniciuara nga danezët ekstremistë dhe që nxitin konflikte mes civilizimeve, karikatura me të cilat fyejnë personalitetin e ndritshëm e madhështor të Pejgamberit Muhamed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pati deklaruar se një pjesë të përgjegjësisë së këtij veprimi djallëzor në Ditën e Gjykimit do ta kenë edhe ata që po bëjnë sulme terroriste. Fraksioni havarixh në mediat mbarëshqiptare na shfaqet me emrin vehabizëm. Sipas këtyre mediave, themelues i këtij fraksioni është Muhammed Abdulvehabi, por në realitet fraksion me termin vehabizëm nuk ekziston, sepse dijetari i madh Muhammed ibën Abdulvehabi, mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka takuar rrugës që reflekton Islamin autentik, ashtu siç kanë qenë edhe dijetarët e tjerë, si imamët Ebu Hanife, Maliku,Shafiu, Ahmedi, Ibn Tejmije, Zoti i mëshiroftë të gjithë. Imam Muhamed ibën Abdulvehabi dhe nxënësit e tij kanë qenë larg fraksionit terroristo-havarixh. Për ta ndihmuar këtë mendim skajshmërisht të gabuar u bashkuan në këtë naivitet edhe sufitë dhe batinitë bekteshi, por për të mbrojtur rrugën e tyre devijonte, e cila e kundërshton Islamin autentik. Ky fenomen u kuptua qartë me librin “Islami tjetër”, i botuar nga botimet KOHA. Për të debatuar mbi atë që autori i “Islami tjetër” ka elaboruar dhe shfaqur, nuk ka dyshim se kërkohet kohë dhe mund, pasi duhen sqaruar të pavërtetat, akuzimet, devijimet dhe arroganca e tij. E gjithë kjo nuk mund të përmblidhet në një vend dhe nuk i mjafton një vëllim.

Të them të drejtën, që në fillim titulli i librit më pëlqeu së tepërmi, shumë bukur tingëllonte, “Islami tjetër”. Me këtë autori ka goditur në shenjë dhe pajtohem plotësisht me titullimin e tij, sepse libri nuk thërret në Islamin autentik, në të cilin ka thirrur i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, por në një Islam tjetër. Paganizmin e këtij fraksioni e ka ekspozuar dhe sqaruar për mrekulli Mr. Exhlale Dobruna-Salihu në simpoziumin ndërkombëtar të mbajtur në Prishtinë në tetor të vitit 1992 dhe i botuar me 1995 me titull “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, me temën: “Disa elemente të besimit pagan në kulturën Islame ndër shqiptarët”. Sa për sqarim, në lidhje me titullin, sikur të ishte në vend të shprehjes kulturës islame - kulturës muslimane, kjo do të ishte e drejtë, ngase Islami reflekton monoteizmin e kristalizuar dhe nuk posedon asnjë element paganizmi. Në vazhdim do të citojmë disa fragmente nga tema që shtjelloi Exhlale Dobruna Salihu.

“Mbështetur në të dhënat arkeologjike, mund të konstatohet mbijetesa e disa elementeve të kulteve dhe religjionit pagan ilir dhe të popujve të lashtë në fenë dhe kulturën islame, të cilat ndër shqiptarët paraqesin njëkohësisht edhe një mbeturinë të besimit pagan të paraardhësve të tyre. Kulti i Dionisit-perëndisë së vegjetacionit....Të theksojmë me këtë rast vetëm një veçori të këtij kulti. Fjala është për ritualin kryesor që quhet ditiramb (dithyrambos) himni për nder të Dionisit... Ky ceremonial, që është ndër elementet kryesore të këtij kulti, bëhej natën dhe paraqiste një kor në formë rrethi, që këndonte dhe vallëzonte një valle duke u rrotulluar... Përcillej me një zhurmë të vazhdueshme dhe me muzikë të sajuar nga vegla të ndryshme muzikore... derisa pjesëmarrësit e tij të binin në ekstazë. Rënia në ekstazë është veçoria kryesore e këtij kulti... Studiuesi frëng H. Jenmaire, duke folur për origjinën rituale të ditirambit në kuadër të studimit të kultit të Dionisit... gjen lidhshmërinë e tij me një ritual që është i pranishëm në botën islame. Sipas tij, këtë lloj rituali e përvetësoi islamizmi shi’it mistik dhe e kultivoi në ceremonialin fetar, në dhikër, i cili po ashtu mbaron me ekstazë, që është edhe qëllimi i vetë ritualit. Elementi tjetër ka të bëjë me kultin e herosit (heroit)..., i cili paraqitet që në epokën parahistorike, që vazhdoi edhe gjatë kohës antike dhe ishte shumë i përhapur në Ballkan.

Fjala është për persona të cilët gjatë jetës kanë luajtur një rol me rëndësi në shoqëri dhe i njëjti rol u është rezervuar edhe në jetën e amshueshme. Natyrisht, këta nuk konsideroheshin as si perëndi dhe as si gjysmë perëndi, por me aftësitë e tyre të posaçme mund t’u afroheshin atyre, prandaj edhe ushtronin një respekt të veçantë si gjatë jetës ashtu edhe pas vdekjes. Në mesin e këtyre personave kishte edhe themelues të drejtimeve fetare. Mu për këtë arsye varret e tyre kishin një trajtim të posaçëm, mbi të cilat bënin viktima (kurbane) dhe gjëra të tjera, jo vetëm në shenjë nderimi ndaj të ndjerit, por edhe për arsye të besimit se ai në një farë mënyre do t’i ndihmojë ata ose një rreth më të gjerë në rast rreziku nga armiku ose nga ndonjë sëmundje. Në këtë mënyrë ndaj të ndjerit të heroizuar silleshin si ndaj ndërmjetësuesit në mes të vdekshmëve (njerëzve) dhe të pavdekshmëve (perëndive). Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se një kult i tillë ka qenë mjaft i përhapur tek ilirët dhe gjurmët e këtij kulti mbijetuan edhe në kulturën islame të rendit shi’it.

Dëshmi për këtë janë teqetë dhe tyrbet, në të cilat qëndrojnë varret e shehlerëve dhe të baballarëve, të cilët kishin kryer veprime fetare në to. Varreve të tyre, të cilat në shumicën e rasteve kanë kubure, u bëhet nderim dhe nga këta të ndjerë kërkohet ndihmë e ngjashme si në paganizëm. Këto vende kulti vizitohen edhe nga nevojtarët e krishterë”.

Problematikë tjetër me të cilën po ballafaqohet popullata shqipfolëse është mungesa e ndërgjegjes, sinqeritetit dhe drejtësisë në mediat tona dhe në institucione të ndryshme kur është fjala për Islamin dhe personalitetet e tij. Në realitet, drejtësia tani është bërë një mysafir i rrallë në mesin e të tillëve apo një e kaluar e harruar kur flitet për Islamin.

Kjo u kuptua shumë qartë me rastin e deklaratës nga një hoxhë në lidhje me Gonxhe Bojaxhiun (e njohur si “nënë” Te reza). Aq u përfol dhe u kundërshtua i nderuari Krasniqi, saqë lexuesve iu paraqit si një armik i vendit, tamam një gjykim siç bënin enveristët, se kush nuk është me Enverin është tradhtar që meriton dënimin e popullit. Kjo është padrejtësi dhe diktaturë, ngase me çdo kusht mundohen që bindjet e tyre të na i imponojnë deri në atë masë ku kërkohet të kundërshtohen parimet fondamentale të fesë. Ky fenomen është një sinjal se po u arrit pushteti nga persona të tillë, do të kërkohet edhe ndalimi i librit të Zotit, Kur’anit Famëlartë, dhe se kush nuk zbaton urdhra të tilla përfundon me inkuizicion apo flakje në turrën e druve. Ndërsa deklarata shoviniste, hitleriane dhe kanibaliste e don Anton Kçirës nuk u gjykua siç kërkohet, përkundrazi, disa edhe u munduan ta arsyetonin dhe ta pengonin publikimin, por jo për të ndihmuar tolerancën ndërfetare, por për të mbrojtur e mbuluar padrejtësinë, ngase sikur të deklaronte ndonjë hoxhë gjëra të tilla të shëmtuara, do të alarmohej e përhapej në mbarë trojet ku qielli mbulon shqiptarët si edhe në diasporë dhe njëkohësisht do të shfrytëzohej që të sulmohej feja islame. Me këtë deklaratë don Anton Kçira njollosi nderin, gjakun, personalitetin e shumë viktimave të të gjitha moshave, të cilat u terrorizuan e u viktimizuan tmerrësisht nga gjakpirësit e udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviç.

Me këtë nuk kemi për qëllim që të nxisim urrejtje ndërfetare sepse jo të gjithë priftërinjtë mendojnë siç ka deklaruar prifti Anton Kçira, por të kritikohen, qortohen dhe t’u jepet vendi i merituar personave të tillë të çfarëdo krahu qofshin si dhe të pengohen dhe injorohen çdo herë ata që nxisin konflikte mes kulturave dhe civilizimeve.

Me këtë kishim për synim të tregojmë se sa janë të drejta disa media dhe personalitete ndaj fesë islame.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve