1. Agresioni i Izraelit dhe intervenimi anglo-francez (29 tetor 1956)
Kanali i Suezit kishte rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike për Egjiptin. Në vitin 1956 është bërë nacionalizimi i Kompanisë së Kanalit të Suezit. Shteti egjiptian ka marrë të gjitha fondet, të drejtat dhe detyrimet e kompanisë dhe administrimin dhe operimin (funksionimin) e kanalit.[1] Nga aspekti politik, nacionalizimi i tij do të thoshte largim i bazave të huaja sunduese. Prandaj, dominimi i Kanalit nga ana e Egjiptit në mënyrë të njëanshme, e vendoste Britaninë dhe vendet Perëndimore nën mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme.[2]
Kjo gjë sipas Britanisë paraqiste një kërcënim të rrezikshëm për të gjitha rrugët lidhëse mes Evropës dhe Azisë. Edhe për Francën, Kanali i Suezit nënkuptonte rrugët detare për transportimin e naftës. Për SHBA, Kanali i Suezit kishte rëndësi të veçantë sepse ai përfaqësonte hallkën lidhëse kryesore mes kontinenteve të Evropës, Azisë dhe Afrikës për sigurinë e paktit të NATO-s, si dhe për mirëqenien ekonomike për vendet Perëndimore.
Mirëpo për interesat amerikane, Kanali i Suezit nuk paraqiste, sikurse shprehet ministri i jashtëm amerikan John Foster Dulles më datë 28 gusht të vitit 1956, të njëjtin rrezik ashtu sikurse për vendet Perëndimore. Edhe për Bashkimin Sovjetik, Kanali i Suezit paraqiste një pikë të rëndësishme lidhëse për sistemin e tregtisë botërore, në mënyrë të veçantë për shtetet e Evropës dhe të Lindje së Mesme, si dhe për shtetet e juglindjes së Azisë, prandaj ata insistuan që lundrimi nëpër Kanalin e Suezit të zhvillohej në mënyrë të lirë dhe pa kurrfarë pengesash.[3] Pas vendimit të marrë nga Naseri, sipas planit të gatuar nga Franca, Izraeli do të sulmonte Egjiptin dhe do të avanconte drejt Kanalit të Suezit, ndërsa Britania e Madhe dhe Franca, në emër të lirisë së lundrimit, do të kërkonin që Egjipti dhe Izraeli të tërhiqeshin në një distancë prej dhjetë miljesh nga Kanali. Në rast se Egjipti do të refuzonte, gjë që pritej plotësisht, Britania e Madhe dhe Franca do ta pushtonin zonën e Kanalit.[4]
Anthoni Eden, kryeministri britanik dhe udhëheqësi i partisë konservatore, Guy Molleta, udhëheqësi i partisë socialiste franceze dhe Ben Gurion, kryeministri i Izraelit, kishin rënë në ujdi për zbatimin e planit për të cilin ishin marrë vesh në një takim të fshehtë të tyre, në Sevres të Francës. Doktor Mahmud Fevzi, ministri i punëve të jashtme të Egjiptit, ishte marrë vesh me kolegët e tij britanikë dhe francezë që të takohej më 29 tetor 1956, me qëllim që të gjenin zgjidhje paqësore. Por atë ditë, kur u mor vesh se OKB do të tentonte të gjente zgjidhe paqësore, Izraeli e sulmoi Sinain.[5]
Naseri e kuptoi fillimin e tradhtisë, sepse Britania dhe Franca sulmuan befas. Ai dha urdhër që forcat egjiptiane të tërhiqeshin nga Sinai, në mënyrë që të mos binin në grackë, sepse izraelitët sulmonin pjesën e përparme, kurse britanikët dhe francezët pjesën e pasme.. Më 30 tetor britanikët dhe francezët i dhanë një ultimatum Egjiptit, që duhej të përmbushej brenda 12 orëve, dhe kërkuan që pala egjiptiane dhe izraelite të tërhiqeshin nga Kanali, të cilin trupat izraelite ende nuk e kishin pushtuar. Naseri e hodhi poshtë ultimatumin. Më 31 dhjetor Britania e Madhe dhe Franca njoftuan se do të ndërhynin nga toka. Naseri e ftoi ambasadorin amerikan Z. Raymond Herrin për t’i kumtuar kërkesën e tij për presidentin Ajzenhauer: “Ju lutem a do t’i nxisni aleatët tuaj – Britaninë dhe Francën, në mënyrë që ne ta zgjidhim konfliktin vetëm për vetëm me Izraelin?” Ajzenhaueri iu përgjigj se do të bënte çdo gjë që mundej.[6] Shtetet e Bashkuara, 24 orë mbas sulmit fillestar të Izraelit, i paraqitën një rezolutë të ashpër Këshillit të Sigurimit, më 30 tetor ku kërkonin që forcat e armatosura të Izraelit “të tërhiqeshin menjëherë... përtej vijave të përcaktuara të armëpushimit”. Kur Britania e Madhe dhe Franca hynë në konflikt më (31 dhjetor), Ajzenhaueri iu kthye atyre në një mesazh televiziv po atë ditë: “Ne nuk e pranojmë përdorimin e forcës, si një mjet të arsyeshëm e të përshtatshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare”.
Më 2 nëntor Asambleja e Përgjithshme, me një shumicë dërmuese prej 64 votash me 5 vota kundër, kërkoi t’u jepeshin fund luftimeve. Pas mesnatës së 3-4 nëntorit, Asambleja e Përgjithshme kaloi gjatë një seance një rezolutë edhe më të ashpër dhe filloi të diskutonte për një forcë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara për Kanalin, që do të ishte një lëvizje formale për të lehtësuar tërheqjen e forcave britanike e franceze. Nën presionin e Amerikës dhe BRSS, Franca dhe Britania u detyruan që të tërhiqen. Të njëjtën gjë bëri edhe Izraeli. Kjo gjë, sipas analistit të njohur arab Muhammed Hejkel, tregon se SHBA kishte ndikim të fuqishëm tek Izraeli, meqë ajo e përkrahte atë me pasuri dhe armatim. Prandaj edhe sot Amerika sipas tij, mund ta detyroj Izraelin që të tërhiqet nga territoret e pushtuara arabe në vitin 1967.[7]
Sadati shkruante se, edhe pse ishte Ajzenhauer që e kishte shpëtuar situatën, Naseri, për shkak të bindjeve të tij ideologjike, mossuksesin e Francës, Britanisë dhe Izraelit ia përshkroi “paralajmërimit rus” dhe lavdëroi rolin e Bashkimit Sovjetik, duke i mohuar plotësisht përpjekjet e Ajzenhauerit dhe urdhrin e tij drejtuar direkt Britanisë dhe Francës që të tërhiqeshin prej Egjiptit. Ishte ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara që e shndërroi disfatën e Egjiptit në fitore.[8] Më 5 nëntor u krijua forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara. Po atë ditë, Britania e Madhe dhe Franca njoftuan se trupat e tyre do të tërhiqeshin menjëherë, sa të mbërrinin në vend forcat e Kombeve të Bashkuara. Britania e Madhe dhe Franca u ndien të poshtëruara nga Amerika.[9]
Sipas Brzezinskit, për dekada me radhë, që nga aventura e dështuar francezo-britanike e Suezit më 1956, zona që nga Suezi deri në Gjirin Persik, në fakt, është një protektorat amerikan. Në mënyrë graduale, protektori kaloi nga parapëlqimi pro-arab në pro-izraelit dhe eliminoi me sukses çfarëdo ndikimi politik të rëndësishëm evropian dhe më vonë edhe sovjetik në rajon. Fitoret bindëse ushtarake në fushatat e vitit 1991 dhe 2003 kundër Irakut e vendosën bindshëm Amerikën si arbitrin e vetëm të jashtëm në rajon.[10]
Dështimi i sulmit dhe ndërprerja e luftimeve bëri që SHBA të trashëgonte pozitat strategjike që la Britania e Madhe, prandaj edhe zemërimi i arabëve, në të ardhmen, do të drejtohej kundër Amerikës. Ky sulm dhe fitoret e njëpasnjëshme izraelite kishin ndikuar që izraelitët ta ekzagjeronin fuqinë e tyre ushtarake duke pretenduar se janë më superiorë ndaj arabëve. Kjo do të bënte që çdo luftë që do të pasonte të ishte më e madhe dhe më e ashpër se sa lufta e mëparshme. Izraelitët, të bindur në superioritetin e tyre ushtarak, zhvilluan edhe luftën e vitit 1967.[11]
2. Themelimi i lëvizjes Fatah
Fatah (Lëvizja Nacional Çlirimtare palestineze), është krijuar në vitin 1957-58 dhe është udhëhequr nga Jaser Arafati.[12]
Ajo konsiderohet një lëvizje socialiste nacionale që ka filluar të afirmohet sidomos më 1 janar të vitit 1965, ditën kur shpërtheu “revolucioni palestinez”. Jaser Arafati ka qenë udhëheqës i saj deri në vdekjen e tij më 2004. Ajo mbështetët në parimin se Palestina është tokë e të gjithë palestinezeve, se është tokë arabe dhe se të gjithë arabët duhet të marrin pjesë në çlirimin e saj.[13] Fatah përshkruhet si një organizatë politike, me krahun e saj ushtarak El-Asife (Stuhija). Emri i saj: “Fatah” filloi të përmendet pas luftës së qershorit 1967. Me dështimin e unionit mes Sirisë dhe Egjiptit (1958-1961), Jaser Arafati e kuptoi se pritja e palestinezëve për formimin e një unioni arab nuk çonte veçse në humbje kohe.
Rezistenca, që nga formimi i saj, u ballafaqua me probleme të shumta që ndikuan në veprimtarinë e saj si pasojë e faktit se brenda saj u shfaqën organizata të shumta që patën emra dhe qëllime të ndryshme, të cilat shpeshherë ishin lojale ndaj qeverive që përkrahnin. [14]
El Fatah, organizata më e fuqishme brenda OÇP, proklamoi se qëllimet e saj ishin: lufta për krijimin e shtetit të Palestinës ku çdo individ dhe çdo grup do të gëzonte të drejta dhe obligime të njëjta, pa kurrfarë diskriminimi. Fatah nuk do të përzihej në politikën e brendshme të shteteve arabe. Njëkohësisht, ai nuk pranonte kurrfarë ndërhyrjeje në lidhje me qëndrimet e tij dhe e konsideronte pavarësinë si kushtin bazë për sukses. Në atë kohë, brenda Fatah-ut ishin futur personalitete me bindje të ndryshme, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte formimi i Palestinës. Si organizata më reprezentative, Fatah u shndërrua në shtyllën bazë të lëvizjes.[15] Ai ka udhëhequr bisedimet e paqes në Oslo dhe Uashington. Prej saj ka dalë Autoriteti Palestinez.
3. Themelimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (1964)
Operacionet e ndërrimit të rrjedhës së lumit Jordan në vitin 1963 dhe paaftësia e shteteve arabe për të zbatuar në praktikë rezolutën e Samitit të Parë Arab në vitin 1964 ndikuan në marrjen e vendimit, në Samitin e Dytë në fund të vitit 1964, për themelimin e OÇP-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare palestineze, me qëllim që gjërat të ktheheshin në duart e palestinezëve. Qëllimi primar i këtij vendimi ishte që të fshihej paaftësia e vendeve arabe përballë kërcënimeve izraelite në konfliktin e tyre rreth ndërrimit të rrjedhës së lumit Jordan.[16]
OÇP-ja (Munadhamat Et-Tahrir El-Filastinijeh) u themelua nga Liga Arabe më 28 maj në vitin 1964 me propozimin e presidentit të Egjiptit Naser-it (Xhemal Abd En-Naser). Nën flamurin e saj ajo ka përfshirë një numër lëvizjesh dhe partish palestineze. Kryetari i saj është konsideruar si kryetarë i Palestinës dhe popullit palestinez. Kryetari i saj i parë ka qenë Ahmed El Kushejri (1964-1967). Synimi i OÇP-së ishte shkatërrimi i shtetit të Izraelit nëpërmjet luftës së armatosur. Fillimisht OÇP-ja u kontrollua në pjesën më të madhe nga qeveria egjiptiane. Kushtetuta fillestare e OÇP-së theksonte asgjësimin e Izraelit si edhe të drejtën e kthimit dhe të vetëvendosjes për arabët palestinezë.[17] Nën udhëheqjen e lëvizjes Fatah, organizatat komando në vitin 1968 arritën të kishin në dorë udhëheqjen e OÇP-së dhe bënë thirrje për luftë të armatosur.
Strategjia e OÇP-së
Qëllimet politike të kryengritjes palestineze që ishin proklamuar në emrin e forcave El Asife (Stuhia) ishin:
1. Çlirimi i Palestinës nga pushtimi izraelit dhe formimi i shtetit palestinez që do t’i përfshinte të gjitha fetë;
2. Fuqia e armës ishte rruga e vetme për realizimin e qëllimit;
3. Nisja e luftës çlirimtare popullore në bazë të një strategjie afatgjatë;
4. Mbështetja në elementet palestineze brenda tokës së pushtuar dhe jashtë saj; dhe
5. Marrja e kryengritjes algjeriane si shembull për çlirim.
Sipas këtyre pikave, qëllimi i kësaj kryengritjeje palestineze ishte formimi i shtetit të Palestinës në tokën e Palestinës duke përfshirë edhe pjesët e rrëmbyera në vitin 1948. Lufta popullore çlirimtare dhe forcat e armatosura do të ishin mjet për realizimin dhe arritjen e këtij qëllimi.[18]
Mbreti Husein i Jordanisë kishte frikën se mos krijimi i OÇP-së nënkuptonte një “entitet palestinez”. Bregu Perëndimor ishte tokë e Palestinës, që gjyshi i tij Emiri Abdullah e kishte aneksuar në vitin 1948 pas luftës së parë arabo-izraelite. Prandaj fjala “entitet” nuk u përdor në kushtetutën e OÇP-së, po në vend të saj u përdor termi “çlirimi i Palestinës”.
Nga viti 1967-1969 kryetari i saj ka qenë Jahja Hammuda. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Palestinez, në vitin 1969 Jaser Arafati u zgjodh kryetar i komitetit ekzekutiv të këtij këshilli (1969-2004). Që atëherë, OÇP- ja tërhoqi në drejtim të saj shumë organizata të fedainëve, udhëheqësit e të cilave u emëruan nga Komiteti Ekzekutiv dhe strategjia e OÇP- së u bë ajo e “luftës së armatosur”.[19] Parashikohej se OÇP-ja do të luante një rol të rëndësishëm për çlirimin e Palestinës, por qeveritë arabe dhe sidomos presidenti Naser donte që organizata ta drejtonte popullin palestinez sa më larg përdorimit të pavarur të mjeteve të dhunshme. Ekzistonte frika se mos veprimtaria guerile e palestinezëve kundër Izraelit, që filloi të shfaqej në fund të viteve 1950, mund të bëhej shkas për kundërpërgjigje nga ana e Izraelit kundër vendeve arabe dhe mund t’i tërhiqte ato në një luftë.
Ideologjia e OÇP-së ishte shekullare, ngase shumë nga udhëheqësit e saj palestinezë ishin të krishterë. Konflikti u lejua të acarohet dhe kështu, në të dy anët, konflikti u bë i shenjtë, prandaj edhe shumë më i vështirë për t’u zgjidhur.[20] OÇP, si lëvizje rezistuese e formuar nga disa grupe të bashkuara, e forcoi aktivitetin e vet veçmas në periudhën nga vitet 1970 deri në 1980, kohë gjatë së cilës ajo luajti rolin kryesor në luftën e popullit palestinez.[21]
---------------------------------------------------------------------
[1] Zejnullah, Gruda, op. cit., f. 189.
[2] Më 26 korrik 1956, Naseri mbajti një fjalim të tij në Aleksandri ku deklaroi se kompania e kanalit të Suezit ishte nacionalizuar si hakmarrje ndaj ministrit të punëve të jashtme të SHBA, John Foster Dulles, për shkak të tërheqjes së tyre për financimin e digës së madhe. Vendimi për nacionalizimin pati pasoja të mëdha brenda dhe jashtë Egjiptit. Gati pas një shekulli të tërë pushtimi dhe shtypjeje nga kolonialistët britanikë, populli i Egjiptit e mirëpriti një vendim të tillë me një entuziazëm të paparë dhe Naseri u prit si një hero i vërtetë nga populli. Shih: Anvar El- Sadat, op. cit., f. 129.
[3] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu op. cit., f. 95-96.
[4] Henry Kissinger, Diplomacia, op. cit., f. 540.
[5] Anvar El- Sadat, op. cit., f. 127.
[6] Anvar El- Sadat, op. cit., f. 129-130.
[7] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 109.
[8] Në kulmin e luftimeve mes 29 tetorit dhe 2 nëntorit, kryetari i Sirisë Shukri El Kuvatli ndodhej për vizitë zyrtare në Bashkimin Sovjetik. Ai kishte biseduar me udhëheqësit sovjetikë për luftën në Kanalin e Suezit dhe i kishte lutur ata që ta ndihmonin Egjiptin. Por ata e kishin refuzuar një gjë të tillë në mënyrë të hapur. Më 5 nëntor, Ajzenhauer intervenoi dhe i kërkoi Britanisë dhe Francës që të tërhiqen menjëherë. Bashkimi Sovjetik kur e kuptoi se Britania dhe Franca iu përgjigjën kërkesës së presidentit amerikan, i drejtoi një paralajmërim Britanisë dhe Francës, që njihet si ultimatumi i Hrushov- Bulganijn,. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë e Bashkimit Sovjetik që të linte përshtypjen se ishte Bashkimi Sovjetik ai që e kishte shpëtuar situatën. Shih: Anvar El- Sadat, op. cit., f. 129-130.
[9] Henry Kissinger, Diplomacia, op. cit., f. 541- 42.
[10] Zbigniew Brzezinski, Zgjedhja dominim global apo udhëheqje globale, op. cit., f. 87.
[11] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 110.
[12] Në kongresin e OÇP-së, të mbajtur në maj të vitit 1964, Fatah u shpreh për domosdoshmërinë e luftës së armatosur për rimarrjen e Palestinës. Me shtimin e radhëve të fedainëve, rreth vitit 1968, ata arritën të siguronin pozita sunduese në OÇP, duke patur 51 % të votave. Shih: Iain McLean, op. cit., f . 392
[13] Zëvendës i tij u zgjodh Faruk El Kavmi. Gjatë zgjedhjeve të 2004 për postin e presidentit të Autoritetit Palestinez, lëvizja politike palestineze me shumë influencë ‘Fatah’ ka zgjedhur politikanin Mahmund Abas si kandidatin e saj të vetëm për të pasuar Jaser Arafatin në postin e presidentit të Autoritetit Palestinez. Shih: http://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%AD%D8%B1%D9%83%D8%A9_%D9%81%D8%AA%D8%AD (me datë 28. 06. 2008.)
[14] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 129-131.
[15] http://en.wikipedia.org/wiki/Fatah (me datë 20. 07. 2008.)
[16] Mounir Chafiq, op. cit., f. 139-40.
[17] http://en.wikipedia.org/wiki/Palestine_Liberation_Organization (me datë 12. 07. 2008.)
[18] Më 12-21 mars të vitit 1977, në një takim të mbajtur në Kajro, OÇP e përcaktoi qëllimin e saj strategjik si vijon: “Qëllimi ynë është çlirimi i Palestinës nga pushtimi sionist racist, që ajo të kthehet ashtu si e ka krijuar Allahu, atdhe për popullin e Palestinës, në të cilën do të jetojnë bijtë e saj çifutë, krishterë dhe muslimanë në demokraci dhe të barabartë, në një ambient ku do të dominojë paqja, toleranca dhe vëllazërimi pa kurrfarë diferencimi në bazë të fesë ose të ngjyrës, gjinisë dhe që Palestina të kthehet sikurse ka qenë qysh prej kur e ka krijuar Allahu: atdhe shpirtëror për të gjithë besimtarët në të gjitha anët e botës.” Shih: Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 134-135.
[19] Iain McLean, op. cit., f . 392.
[20] Karen Armfong … Shih:
http://www.zeriislam.com/2008/Feja-nuk-eshte-shkak-i-percarjeve-ne-bote.html (me datë 15. 07. 2008.)
[21] Harun Yahya, op. cit., f. 141.