Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
Maqedonia, ky shtet multidiskriminues

Maqedonia, ky shtet multidiskriminues

Autor: Sali Shasivari E premte 10 Shkurt 2012 04:36 AM

 

Mirë se vini në Maqedoni, në vendin e ‘çudirave’!

Nuk besoj të ketë vend tjetër në botë në të cilin në njëzet vitet e fundit janë konsumuar fjalët ‘shoqëri multietnike, multifetare dhe multikulturore’ më shumë se në vendin tonë të brishtë, Maqedoni. Madje, konsideroj se, në qoftë se dikush ka arrit që fjalëve të lartëpërmendura t’ua ndryshojë strukturën dhe kuptimin, kjo ‘meritë’ padyshim ju takon krerëve të institucioneve maqedonase, qofshin ato politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, arsimore, etj., të cilët, fjalët dhe termet e lartëpërmendura vazhdojnë ti përdorin si ‘fjalë të mira përmes të cilave nënkuptojnë diç të keqe’!

Së këndejmi, ‘multietniciteti’, ‘multikonfesionaliteti’ dhe ‘multikulturalizmi’ në Maqedoni ka vetëm një emër, e ai është multidiskriminim, term ky relativisht i ri (i njohur si ‘multiple discrimination’ - ‘diskriminim i shumëfishtë’), mirëpo që, në rastin e Maqedonisë, apose, më mirë thënë, në rastin e palës maqedonase rezulton të jetë traditë shumëvjeçare, simptomat e së cilës janë: ‘Paradite urrejsh të tjerët, ndërsa pasdite urrejsh edhe vetveten’!

I këtillë është rasti me Maqedoninë e para disa viteve dhe asaj të ditëve të sotme; vend në të cilin asgjë nuk është konstante përveç situatës së mjeruar në të; vend i cili vazhdimisht ia bën sherrin vetvetes, ndërsa fajin për një gjë të tillë ua hedh të tjerëve, bile, hisja e mallkimit të saj bie më shumë mbi ata që nuk i kan kurrfarë faji; si dhe, vend i cili, përpos që ec në anën e kundërt të akrepave të orës, ajo, në vazhdimsi, mban rritmin e të ecurit një hap para dhe dy mbrapa!

Kjo është Maqedonia, vendi i ‘çudirave’; vend, ku, e shëmtuara konsiderohet kulturë dhe art, sharjet dhe fyerjet konsiderohen sport, urrejtja konsiderohet patriotizëm, ndërsa blasfemia besim!

Ky vend i ‘çudirave’ nuk mjaftoi së shpalluri ‘luftë’ tërë botës, por tash ka filluar t’i shpall ‘luftë’ edhe Zotit! E kushedi se çfarë ‘marifeti’ tjetër do të shohim në ditët në vijim.

Ruana Zot beterit!

Jo rastësisht dikush pati thënë se ‘aty ku mbaron logjika fillon emri Maqedoni’!

Nuk ke se si e definon ndryshe këtë ‘banana republikë’, e cila, në vend që të shikojë hallin e vet dhe të mundohet që ti zgjidhë problemet e pazgjidhura të cilat po e ngulfasin dita ditës, ajo, çuditërisht, ka zgjedhur rrugën e urrejtjes së gjithçkahit që nuk është “maqedone”, duke u sjellur si e përdalur dhe duke menduar se i gjithë universi rrotullohet rreth saj.

O tempora o mores!

Kur te një person apo entitet paraqitet një ndjenjë e këtillë, gjëja e vetme që mund të konstatohet është se bëhet fjalë për gjendje ‘patologjike’ e cila manifestohet në formë histerie, gjendje kjo e cila, po qe se nuk trajtohet me kujdes dhe në kohë, jo vetëm që mund të shkaktojë pasoja për personin/entitetin i cili vuan prej saj, por dëmet mund të kaplojnë edhe shoqërinë përreth.

Madje, në rast se konstatohet se porositës dhe pjesëmarrës në një ‘krim’ apo çmenduri të këtillë janë individë, grupe apo shtresa të caktuara politike, të cilat, një ‘zjarri’ të këtillë i fryejnë me vetëdije dhe për qëllime të caktuara, çfarëdoqofshin ato, atëherë, ‘përkujdesi’ dhe trajtimi i problemit në fjalë duhet koncentruar kah ato elemente ‘patogjene’ të cilat janë shkaktarë të drejtëpërdrejtë të një ‘epidemie’ të këtillë, konform rregullës së artë që thotë se ‘preventiva është më mirë se kurimi’, si dhe me qëllim që mos lejohet që ‘epidemia’ të shndërrohet në ‘pandemi’. Për më tepër, ‘përkujdesi’ dhe trajtimi duhet të jetë edhe më i madh në qoftë se porositësit, shkaktarët dhe pjesëmarrësit e kësaj vepre ‘makabre’ shtiren sikur nuk dijnë gjë, sikur nuk janë të informuar, apo sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Në situata të këtilla nevojitet urtësi dhe mençuri nga të gjitha palët, pa dallim kombi, feje apo denominimi tjetër, ngase këto situata janë të rrezikshme edhe për vendet me traditë të gjatë demokratike, e lere më për një ‘biçim’ shteti siç është Maqedonia ‘alla-Gruevski’. E kur këtij realiteti të hidhur ia shtosh konstelacionet tjera rajonale, atëherë, situata duhet të merret shumë më seriozisht se sa injorimi i saj apo tentimi për të shfrytëzuar ‘fatkeqësi’ të këtilla me qëllim të disa përfitimeve të ulëta, apose, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga dështimet e njëpasnjëshme në sferat tjera.

‘Loja’ e këtillë është e ngjashme me ‘lojën me zjarr’, në të cilën, i pari i cili pëson është ai i cili i fryen zjarrit!

Të luajsh, të tallesh dhe të përçmosh ndjenjat fetare, kombëtare apo kulturore të kujtdoqoftë në botë, përpos që është krim dhe vepër djallëzore, ajo është edhe lojë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe me pasoja të paparashikueshme, e lere më kur bëhet fjalë për ‘ekzibicione’ të këtilla në një shtet me përbërje multietnike, multifetare dhe multikulturore, ku, pala e nënçmuar, përpos që është popullatë autoktone dhe shtetformuese, ajo është edhe popullatë taksapaguese; ndërsa, një pjesë e përçmimeve dhe urrejtjeve realizohen pikërisht nëpër evenimente të financuara nga buxheti në të cilin këta të nënçmuar participojnë me shuma të majme!

Në raste kur iniciatorët apo pjesëmarrësit në ‘krime’ të këtilla heshtin, është obligim i çdo të mençuri të reagojë dhe mos e lejë fatin e tij në duart e atyre që jetojnë në llogari dhe mbi fatkeqësitë e të tjerëve, si dhe atyre të cilët kanë dëshmuar vite me rradhë se për interesa vetjake janë në gjendje të sakrifikojnë fatin dhe të ardhmen e gjithë popullit.

E, sa u përket ‘të zgjedhurve të popullit’, të cilët janë “shumë të zënë” me përgatitjet për festimet famoze të ‘vitit të shqiptarëve’, sa që, “të ngratëve nuk ju mbetet kohë” as edhe për të dëgjuar në lidhje me sharjet dhe ofendimet që bëhen ndaj elektoratit të tyre, të tillëve është mirë të ju thuhet që mos lodhen dhe harxhojnë energji për kot, ngase, në rrethanat aktuale nëpër të cilat po kalon populli shqiptar në përgjithësi, e sidomos ai në Maqedoni, shumë pak ka hapësirë për festa dhe gazmende, dhe se është koha e fundit që ky popull të ‘mbajë zi’ për fatin dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën ka arritur 100 vite pas shpalljes së pavarësisë, si dhe të shqyrtojë dhe analizojë me kujdes pozicionin dhe perspektivat e tij si komb dhe entitet, në funksion të mbrojtjes së qenies dhe dinjitetit. Fundja, a thua vallë, me çka tjetër mund ta shënojnë elitat tona politike këtë njëqindvjetor, përpos të rrahurit gjoks dhe të krenuarit me të ‘kaluarën e lavdishme’, gjithmonë në stilin ‘na ishte një herë’! Së këndejmi, ‘zia’ do të ishte shumë më e përshtatshme për to, me ç’rast, ata, do të kishin mundësi të ‘qajnë si gratë, për atë që nuk arritën ta mbrojnë dhe realizojnë si burrat!

Pas një ‘zie’ të këtillë, ndoshta, gjendja jonë e gjithmbarshme si popull do të ndryshonte, e në saje të saj edhe festat si dhe manifestimet do të kishin kuptim.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Maqedonia, ky shtet multidiskriminues


Arkivi i autoreve