Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

artikuj

Mr. Ardian Ramadani

Kumanovė, Maqedoni

ardian.ramadani@seeu.edu.mk

Te fundit

Tė gjitha shkrimet e autorit >>

Mbresat e njė vizite tė paharruar

Autor: Mr. Ardian Ramadani E marte 22 Qershor 2010 11:36 AM

 

Ditë e zakonshme qershori. Edhe pse në dukje më dukej se ishte ditë e tillë, nuk e dija që ajo ditë e datës 12 qershor, dita e përvjetorit të largimit të trupave serbe nga Kosova, do të më mbetej e vulosur çdoherë në zemrën time dhe në kujtimet e mija. Ashtu disi pa menduar thellë, vendosa të shkoj në Prekaz të Kosovës martire, t`a vizitoja vendin që u shndërrua në simbol rezistence dhe në emblemë të shqiptarisë. Për të shkuar deri atje m`u desh që të kaloj ca kufi improvizues, të vendosur fatkeqësisht në dëm të shqiptarëve padrejtësisht, në Marrëveshjet e Berlinit, Londrës, Versajës, Jaltës..... Mu deshtë që të kaloja kufijtë që në të gjitha anët janë të banuara me shqiptarë, por që kontrollohen nga të tjerë. Përshëndetjen e parë “Dobro jutro” Mirëmëngjesi, e fillova në gjuhën maqedonase. Thonë që sa më shumë gjuhë flet, aq më shumë vlen. Pajë, le të jetë kështu. Atëherë, po vlejsha sadopak. Po nuk e dija se në cilën gjuhë po flisja, ngase kjo gjuhë ende nuk është e definuar si duhet, se si do të jetë: sllavomaqedonase, maqedonase apo maqedonasoveriore....... këtë do e dëshmojë koha. Pra, e kalova këtë kufij, duke u ndier i dëshpëruar, pse edhe pas sa viteve “demokraci”, përplot sfida, kryengritje të vitit 2001, ende më duhej të përshëndetesha në gjuhën maqedonase, në një kufi të një shteti të kontestuar gjithandej, në një zonë të kufizuar në të gjitha anët, kryesisht me shumicë absolute shqiptare. E gjithë kjo ngase politikanët shqiptarë të këtij shteti, ende nuk arritën ta jetësojnë si duhet përdorimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror, apo nuk arritën ta zyrtarizojnë si duhet. Shkaqet dihen. Në pjesën tjetër të kufirit me Preshevën, mu deshtë prapë të përshëndetesha në gjuhën serbe, (shumë e ngjashme me këtë të parën, e thuaja pa asnjë dallim). E prapë thash vet me vete: ”e sa ta ngjashme janë, si ngjajnë si veja vezë”. Po, u dëshpërova ngase edhe aty nuk pash dhe nuk dëgjova fjalë shqip, ngase Marrëveshja e harruar dhe e vdekur e Konçulit nuk ishte aspak funksionale, ishte varrosur, bile as varri nuk i dihej. Të paktën, kësaj Marrëveshjes sonë, pra Marrëveshjes së Ohrit, po i dihet varri, e asaj të Konçulit as varri nuk i dihej. Prapë, andej kufirit zona me shumicë absolute shqiptare, e ndarë padrejtësisht nga ata që ndajnë e ç’ndajnë. Kalova nëpër Preshevën e harruar nga të gjithë, ku përpos kafeneve dhe shqiptarëve me duar ne xhepa dhe flamurit serb, nuk pash asgjë. Kështu arrita në kufirin tjetër. Në kufirin formal, po hermetikisht të kontrolluar nga xhandarmëria serbe, u ndala në kufirin administrativ Kosovë- Kosovë Lindore, (disa thonë Luginë e Preshevës), e në fakt Koço Danaj do të thoshte me plot të drejtë, kufiri Shqipëri- Shqipëri, e mu deshtë prapë, edhe aty të përshëndetesha në gjuhën serbe. Kaluam disi kufirin, duke shpresuar se në kufirin e shtetit ahtisarian të Kosovës, do të përshëndetesha shqip. Po, shqetësimi dhe zhgënjimi më i madh më ndodhi mu aty, ngase edhe aty më erdhi përshëndetja “Dobar dan” si një goditje rrufeje. I`a ktheva me Mirdita në shqip. Ai vazhdoi prapë kërkimin e dokumentacionit në gjuhën e tij, serbe. E u habita tej mase, ngase mendova mos jam diku në Kraguevc, apo në ndonjë zonë të Zemunit. E po thash, vet me vete. Pse, mos të flas ky serbisht. I` a mundëson kushtetuta, ligjet dhe pakoja e Ahtisarit, edhe pse është kolonizatorë në këto treva dhe nuk përbën më shumë se 3-4 përqind të popullatës. E ka gjuhën të zyrtarizuar si duhet, tipike për një shtet si Kosova e Ahtisarit, shtet të komuniteteve, shtet me shoqëri multietnike. Kurse, përnjëherë bëra krahasimin me shtetin tim të brishtë, Maqedoninë e çudirave, ku edhe pse jemi shumicë, konsiderohemi de jure si pakicë, e trajtohemi de facto si inekzistent. Dhe, shtrova pyetjen, se çka fituam ne, me kryengritjet e pambaruara si duhet?! Shumë pak. Vazhdova rrugëtimin tim, duke u ndier i zhgënjyer për këtë realitet të hidhur. Arrita në fshatin Pasjan, fshat me shumicë serbe, ku përpos derrave, plakave dhe pleqve, nuk pashë asgjë tjetër. Valëvitej sikurse flamuri nazist, flamuri i Serbisë, me katër shkronjat –ES (C), prapë e mbarë (Samo sloga spasi srbima). E u zhgënjeva edhe më shumë ngase, nuk kisha mundësinë ta valëvitja lirshëm flamurin tim, kuq e zi, në vendin tim nga vija, nga Kumanova, e këtu këta të tjerët, po. Vazhdova, rrugën duke hyrë në Gjilan, qytetin e bukur, ku bëja dallimin mes Gjilanit të viti 1997 dhe atij të 2010. Nuk e harroj kurrë një përmendore të Vuk Karaxhiqit, apo e ndonjë viqi tjetër (saktësisht nuk e dijë), në Gjilan që rrinte si monstër, e tani ajo nuk ishte më, ishte hequr pikërisht më 12 qershor të 1999, 2 vjet pas vizitës time të parë të këtij qyteti. E atë ditë, (çuditërisht dhe aksidentalisht ishte përvjetori i vizitës time të parë në Gjilan, si dhe i largimit të forcave serbe nga Kosova), atë bust nuk e pash, menjëherë fillova të frymojë më lirshëm. Vështroja në të gjitha anët flamurin kuq e zi, po ndokund edhe atë të Pakos ahtisariane si dhe flamuj partiak, edhe pse në raritet. E mendoja, e shqiptarë e shqiptarë, me përplot flamuj, partiak, shtetëror, krahinor, mëhallor……… e vetëm një flamur si duhet, atë kombëtar. Duke vazhduar rrugën, më vriste syrin varfëria e kësaj ane, mungesa e investimeve, rrugët përplot me gropa dhe të parregulluara, rrugë këto të ndërtuara gjatë qeverisjes së Titos, atëherë kur gjithandej “mbisundonte mirëqenia” që të hante shpirtin sikur krimb, dalëngadalë, e pak para se të arrija në Prishtinë, arrita në Graçanicë, komunën serbe, ku kjo komunë shfaqej më serbe se Serbia vet, me pamflete të kryekriminelit Sheshel, si dhe të kriminelëve tjerë…. Më ngjau sikur bëra udhëtim nëpër kohë, sikurse u ktheva në vitin 1997, kur pata kaluar për të parën herë andej, po jo, realiteti ishte ndryshe, ishte viti 2010. Asnjë gjurmë shqipe nuk pashë aty. Në mes të rrugës së kësaj komune gjendej Kisha ortodokse që ruhej nga ushtarët e KFORI-t, thuaja se do të sulmohej nga ndokush. Të paktën shqiptarët është dëshmuar se nuk sulmojnë objekte fetare kurrë, atë e bëjnë serbët. E mendoja, e kjo kishë që në fakt duhej të ishte e jona, sepse na është vjedhur nga serbët, e ata tani e “ruajnë” nga ne. Shqiptarët edhe pse shumicë myslimane, kurrë nuk kanë shfaqur ksenofobi ndaj objekteve fetare, sepse ne nuk kemi pasur kurrë Shën Bartolomej, apo nuk e kemi të njësuar fenë (lexo: fetë) me kombin. Pas pak çastesh arrita në Prishtinën, që ndërtohej e ç’ndërtohej, me (pa)leje. Objekte të mëdha që mbinin sikur kërpudha nga të gjitha anët, dendshmëri e madhe e popullatës, shumë vetura, shumë njerëz, thuaja e gjithë Kosova shqiptare ishte aty. Mezi se arrita të dilja nga ai “traffic jam” angl., ose nga ai “embouteillage”, frengj.), shqip nga ajo ngarkesë komunikacioni. Sytë më rastisën drejt e në flamurin e madh të Ahtisarit, i cili, kurrë nuk u pranua nga shqiptarët e këtij shteti, po ja që ishte modus i arbitrazhit ndërkombëtar, e na u servua dhe ne e gëlltitëm. Mezi arrita te miku im, Q.P. Nëpër kryeqytetin e Kosovës, (lexo Prishtinën metropol), me rrugët e saja të shkapërderdhura, u futa në një lagje të Prishtinës, e cila çuditërisht ngjante sikur ndonjë zonë malore, pa asfalt. E mora mikun tim, duke rënkuar për shkak të mos rregullimit të rrugëve, mos investimit të duhur në rrugë, e në anën tjetër bëja llogarinë vet me vete, e më dilte se në Kosovë shumë personel ndërkombëtar ka, saqë estimohet se ai personel bën harxhime ndokund 1 milionë euro në ditë. Ah, sikur të shfrytëzohej ajo shumë për rregullim të rrugëve. Atëherë do të vlente thënia, “Një shtet mburret me rrugët e mira, tjetri me njerëzit e mirë, tjetri me ligjet e mira. Shteti i mirë i ka të trija”. Kosova, si shtet i kishte njerëzit e mirë, po jo edhe ligjet, sepse ata ligje nuk e kishin burimin në kushtetutën e gatuar nga populli, po në kushtetutën e Ahtisarit. Mandej ligje kishte shumë, po ata ligje lypsej që të zbatoheshin, kur të plotësohen shumë gjëra të tjera, kur Kosova do të pastrohej nga zyrtarët e korruptuar ndërkombëtarë, që nuk bëjnë asgjë, përpos shëtitjes dhe sorollatjes poshtë e përpjetë me xhipat e tyre 4*4, Grand Sheeroke......, atëherë kur Kosova nuk do të ishte kondominium, (qeverisje e një territori nga më shumë subjekte, lexo Kosova qeveriste nga UNMIK, EULEX, nga Serbia, posaçërisht komunat serbe dhe nga shqiptarët). Këtë model nuk e ke askund në botë. Kosova është shtet sui generis, me të drejtë mund të thuhet kjo.

Vazhdova rrugën duke hasur në pluhurin e rrugëve që ndërtoheshin me shpejtësi breshke, e destinacioni im ishte Prekazi. Deri para se të kaloja Fushë Kosovën, vërejsha aty- këtu edhe flamujt e kaltër të çuditshëm, pa asnjë gjurmë shqiptare, e konkludoja vetë me vete, se përpjekja e Ibrahim Rugovës u “kurorëzua” me sukses. Ai më përpara pat propozuar një flamur të tijin, “kombëtar”, që u pat flakur nga qytetet e Kosovës, me eufori, nga njerëzit e partisë shqiptare aktuale në shtetin pa pushtet të Kosovës (pra, nga njerëzit e PDK-së). E tani, ai flamuri i Rugovës më dukej shumë më i mirë në krahasim me këtë të fundit, edhe pse asnjëri nuk kishin të bëjnë me atë të vërtetin, me atë për të cilin është sakrifikuar me shekuj. Dhe menjëherë, më shkoi ndërmend teoria e disa analistëve servil nga vendi im, si dhe nga Kosova, që promovonin kombin politik, e kësisoj tentonin fragmentarizmin e identitetit shqiptarë, edhe ashtu të çorientuar. Modeli i shteti- komb në Kosovë me sa duket kishte filluar të sfidonte identitetin e formësuar shqiptarë me shekuj. E unë edhe pse isha koshient se epoka e krijimit të shteteve ende nuk kishte përfunduar, shpresoja se epoka e nation building të kishte përfunduar. Për mua po, po edhe për shumë shqiptarë të tjerë, po jo edhe për Migjenin e Vogël të Lulit të Madh, jo për Nexhmedinin e mëhallës së Mitrovicës, që i kishte mbetur qyteti i lindjes Mitrovica, e ndarë si kufiri koreano- jugor me atë verior, e tani ai merrej me nation building të kombit kosovar, (sajesë sllave), jo për Halil Matoshin dhe për nacionalizmin e tij etatik dhe për qëndrimin e tij prej një llastiku, ... e ndoshta edhe për të tjerë shpezë si këta.

 

Dalëngadalë duke i`u afruar Drenicës trime, shikoja vetëm flamujt shqiptarë, me shqiponjën dykrenore, që më dukej më e bukur se kurrë. Arritëm në fshatin i cili do të mbetet emblemë dhe simbol i shqiptarizmës, në fshatin bastion të rezistencës shekullore shqiptare, në vendin e Shaban Polluzhës, në vendin e Tahir Mehës, Ahmet Delisë, ...... për të ardhur më në fund te kryetrimi shqiptarë, Adem Jashari, respektivisht te kullat e Jasharajve, kibla kombëtare gjithëshqiptare. Aty fryma mu ndal. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë, ngase vetëm shpirti di të përjetojë asi gjëra të pashpjeguara dhe të papërshkruara. U stepa në vend. Nuk më pengonte as dielli që përvëlonte, e as lodhja nga vozitja me veturë e rrugës, jo edhe të shkurtër, Kumanovë- Prekaz. Harrova gjithçka. Sytë më mbetën tek varrezat impozante që flitnin, po po, ata flitnin për ata që kanë vesh dhe mendje. Fliste varri i Ademit, Hamzës,..................... i 53 dëshmorëve, i mijëra dëshmorëve, zëri kumbues i historisë shqiptare, zëri i lirisë, zëri i së vërtetës, zëri autentik i një heroi. Shihja dhe ndjeja luftën e tij të bërë, përjetoja rezistencën e tij, dëgjoja këngën e tij në momentet e vdekjes, shihja kufoma çetnikësh e barbarësh të vrarë rreth e përqark. Dëgjoja kushtrimin e lirisë dërguar shqiptarëve gjetiu nëpër botë. Dëgjoja kushtrimin për unitet kombëtar, për luftë kombëtare, nën flamurin kombëtar me shqiponjën në mes, e jo me ato yjtë dhe hartën e Kosovës shumetnike joshqiptare.Dëgjoja thirrjen e tij drejtuar qeveritarëve të kaluar, aktual dhe atyre që do të vijnë, që të mos lëshojnë pe para presioneve të çfarë do qoftë qofshin ato, në dëm të çështjes dhe kauzës kombëtare.

Pas nderimit të bërë para varrit të kryetrimit dhe varreve të trimave të tjerë, u ngjita me miqtë, shpatit përpjetë për të parë nga afër bunkerin e kësaj legjende të legjendave. U impresionova shumë nga aftësia dhe strategjitë e tij ushtarake, nga guximi i pashoq, ku vetëm ca metra më tutje kishte pasur Fabrikën e Municionit serb dhe një numër të madh çetnikësh, paramilitarësh dhe policësh serb, që paraqiteshin si hiena të çoroditura. Sa herë që kishin tentuar t`i ofrohen këtyre kullave bishat e egra, kryetrimi me të vëllanë i kishte stopuar.

E më në fund, Davidi kundër Goliathit. Por Goliathët ishin të shumtë, e Davidi, një, dy.... Duke luftuar dhe kënduar kishte dhënë shpirtin e tij të ëmbël, për t`i kënduar më pastaj këngëtari i shquar shqiptar, Ilir Shaqiri këngën, “Hapuni o dyer të xhenetit”. Me të vërtetë këto dyer u hapën, ngase edhe ne, banorët e kësaj bote e dëgjuam hapjen e këtyre dyerve për këtë kryetrim, për këtë njeri, ikonë të burrërisë dhe guximit shqiptar. Pajë, sikur mos të kishte kësi lloj burrash, ç`më duhej të jetoja, frymoja dhe flisja shqip? Dhe me të vërtetë nga impresionimi im prej kryeheroit dhe veprës së tij, u detyrova të bëj klasifikimin e heronjve në dy grupe: Ademin (lexo: Jasharin dhe Jasharajt) dhe të tjerët.

Pas vizitës së bunkerit të tij improvizues, e shihja kryetrimin Jashari me familjarët duke luftuar me bishat e egra, sikurse të shihja filmin e zhanrit, Action, Rambo III, ku protagonisti luftonte kundër hordhive ruse në Afganistan. Po, ama ai ishte vetëm film. E kjo imagjinata ime, ishte film i vërtetë, që kishte ndodhur, po që më parafytyrohej, nuk e di se pse, e më bënte që ti shihja storiet dhe veprimet e Ademit, për së gjalli. Pa mëdyshje vazhdova me miqtë e mi, rrugën drejt librarisë, ku kishte mjaft libra për kryetrimin (kryetrimat) duke blerë ca libra, paratë e të cilave dedikoheshin për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”. Pas fotografive të ndryshme të bëra nga unë, gati se çdo drenicak që takoja, më ngjante në Ademin, e thash vet me vete, “O Zot, sa Adema paska kjo tokë. Po, përse janë grumbulluar të gjithë vetëm me një vend, e nuk shpërndahen gjetiu nëpër Kosovë dhe troje tjera shqiptare? Po, ama Drenica dhe Prekazi kishin ndikuar që të lindnin të gjithë Adema.” E ç`ti bësh, se kemi vetëm një Drenicë? Pas shpjegimeve të thukta, të prera dhe të thurura me mjeshtri nga ana e Ciceronit, hapëruam drejt shtëpive muze, drejt kalasë së pamposhtur të Jasharajve. Më dilnin skenat që i kisha parë si fëmijë kur isha në klasën e tetë të shkollës fillore në vitin jo fort të largët 1998, si dhe shtëpitë e djegura, traktori i kaltër i djegur dhe i lënë aty, e që kishin mbetur po në të njëjtin vend, për t`i dëshmuar brezave, si dhe atyre që mund të “harrojnë” rastësisht për luftën e një njeriu, që nuk i`a gjen shoqin askund në botë. Dhe pas disa diskutimeve dhe bisedave vëllazërore, vazhduam agjendën tonë të takimit me vëllanë e kryetrimit dhe trimave të tjerë, bacën Rifat, njeriun që më së shumti e din, se si është të jesh vëllai i një “INVICTUSI”, i një legjende që nuk e shpjegon dot historia. Pas ngjitjes në dhomën e pritjes, aty ku më shfaqeshin para syve skenat me Ademin me Hamzën, si dhe bisedat e tyre me nënën Salë, simbolikën e nënës shqiptare, u ulëm të gjithë këmbë kryq dhe i`a filluam bisedës. Nuk e di, po kisha përshtypjen, se flitja me Ademin vet, me Hamzën vet, dhe me gjithë ata trima të lirisë. Pas shkëmbimit të batutave, buzëqeshjeve të herëpashershme, pas pirjes së ujit, mund ta them lirisht se ndihesha më i lumturi në botë, në ato momente, ngase pija ujin e familjes, e cila është emblemë e shqiptarisë. Më linin përshtypje mustaqet e bacës Rifat, gjeneroziteti i tij, pasuria e tij shpirtërore, këshillat e tij dhe fjala e tij që do të më mbetet gjithmonë në zemër : “Shkau (lexo: serbi) na ka vra, na ka djeg, na ka përdhunuar motrat, gratë, nënat dhe bijat tona. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë. Ata janë të njëjtët. Po, ama dikush ka filluar t`i harrojë këto. Pse, sepse me siguri nuk është djegur. Po, mos harroni o vllazën, se nëse është përdhunuar një shqiptare, ajo është motra jonë, shkau nuk ka mund të arrijë tek të gjithë shqiptaret tjera, nëse është masakruar një shqiptar, ai është vëllai i jonë, ngase shkau ka pas dëshirë t`i vrasë gjithë, po nuk ka mundur, nuk i erdhi radha. Andaj vëllazën të jemi të bashkuar e mos të ndahemi.” Këto fjalë më mbetën dhe m`u ngulitën thellë në mendje dhe zemër, ngase ka ca shqiptarë që flasin shqip, po që ende dëgjojnë muzikën e Cecës, Draganës, Bojaniqit, Bregoviçit, (ky i fundit bile u shpërblye në mes të Tiranës nga Edi Rama) apo të ndonjë Lepa Brene serbe (kjo më ka rastisur disa herë në qytetin e Tetovës, po edhe në vende të tjera nga taksistë të ndryshëm), që përjetojnë orgazëm nga turbo folku serb, protagonistët e së cilës muzikë bënin thirrje për krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Këta mjeranë do t`i mallkojë historia dhe gjiri i nënës shqiptare.

Në anën tjetër më bëhej zemra mal, kur shihja bacën Rifat duke buzëqeshur, i lumtur dhe krenar për historinë e kësaj familje, më pëlqeu shumë batuta e tij dhe e prindit tim, që filluan të më përqeshin mua dhe Murat Jasharin (të birin e bacës Rifat), për titullin akademik, Magjistër. Baca Rifat përsëriste vazhdimisht fjalët që i`a kishte drejtuar Muratit, e kësisoj m`i përsëriste indirekt edhe mua, e babait tim zemra i bëhej mal dhe afirmonte me kokë atë që thoshte baca Rifat, “ Ju mund të jeni magjistra në Prishtinë, po ama magjistër në Prekaz jam unë”. Pas të qeshurave të këndshme, shkoqitëm shumë tema, prekëm shumë elemente, përmendëm shumë ndodhi, normalisht, duke e dëgjuar me vëmendje bacën Rifat dhe këshillat e tij. Erdhi momenti për të dalë dhe për tu kthyer nga kishim ardhur. Në të dalë i dhurova bacës Rifat, dy librat e mi, ca libra të tjerë të mikut tim që më shoqëronte, z. Q.P., e falënderuam për mikpritjen e ngrohtë shqiptare. Duke dalë në oborr, vërejta shumë fëmijë (në fakt ata ishin të gjithë Jasharaj), mu bë zemra mal, që gjenerata e re e kësaj familje kishte ripërtëri emrat e heronjve dhe kishte vazhduar qenësimin dhe edukimin në frymën e njëjtë patriotike.

Pasi u përshëndetëm me familjarët, me Muratin dhe bacën Rifat, duke shpresuar në takime të tjera, në të dalë prej kullës së kësaj familje gjigante mu kujtuan fjalët e Ministrit të jashtëm të Francës, z. Bernard Kushner, në kohën kur ishte kryeadministrator i Kosovës, “Po të kishte çmim Nobel për luftë, kjo do t`i takonte Adem Jasharit me familje”. Dhe kishte pasur të drejtë, miku i shqiptarëve, z. Kushner. Përnjëherë më shkoi ndërmend edhe tentativa e disa figurave të ndryshme politike, disa të ndjerë e disa gjallë të djerrë, që tentonin në fillim të anatemonin këtë luftë dhe figurën e madhe të Adem Jasharit. Më irritoi tej mase mungesa e guximit për t`u bërë tok, për të ardhur dhe për t`u përulur para varrit të kryetrimit legjendar, (lexo: kjo atyre do t`i shërbente si katarsë për shkak të takimeve që patën me kryekriminelin Millosheviq dhe me kryekriminelët tjerë), kjo do t`i shpëtonte ata nga të qenit fajtor për politikën e dështuar “pacifiste” dhe tentativat për të ndërtuar shtetin e pavarur të Kosovës, të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë. Pra, imagjinoni Kosovën e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë. Ajo është e mbyllur sot ndaj Shqipërisë, e hapur ndaj Serbisë, sepse sa herë që duan kriminelë të ndryshëm serb si dhe pushtetarë serb, vizitojnë Kosovën dhe e pagëzojnë si djepin e serbizimit, e në anën tjetër një iniciativë për unifikim të abetareve, plan-programeve....... me Shqipërinë nuk është ngritur ende institucionalisht. Ja, thosha vet me vete çka na solli politika e atyre njerëzve shpezë të qyqes, që propagandonin thënien se Kosova duhet të jetë e hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë. Po, fatmirësisht që PERËNDIA dërgon shumë rrallë njerëz si Ademi dhe të tjerët, por që ndryshojnë histori për 100 vjet. Të shpresojmë se Kosova do të gëzohet e tëra, si Drenica, atëherë kur do të ketë të plotë sovranitetin ndaj gjithë territorit, atëherë kur Mitrovica nuk do të jetë e pagëzuar “Dy Mitrovicat”, atëherë kur shqiptarët e Kosovës nuk do të jenë të (keq)qeverisur nga shumëkush e askush, atëherë kur shqiptarët do të jenë mes veti pa kufij, të caktuar nga fuqitë e Mëdha padrejtësisht, kufij këto të formalizuar edhe nga politikanët shqiptarë, që më shumë krenohen të jenë të parët në katund, se të tretët në Shqipërinë tok.

 

Dhe, i mbushur mirë me frymëzim, pas përshëndetjeve të bëra me drenicakët e fundit që i takova para se të hyja në veturë për t`u kthyer, me këta trima që takova rastësisht, më mbeti thellë në mendje dhe shpirt thënia e një drenicaku, që e njoftova po që nuk do të ja përmendi emrin: “Ne e kryem misionin tonë, atë të çlirimit të Drenicës, këtu nuk ka asnjë bishë të egër kriminelë, por misioni ende nuk është përfunduar. Ky mision përfundohet kur Kosova do të jetë shtet i shqiptarëve të Kosovës, e jo shtet i bashkësive dhe i komuniteteve në Kosovë, atëherë kur Kosova do të frenojë të folurit “kosovarçe”, dhe do të promovojë të folurit shqip, sipas standardeve të vitit 1972, atëherë kur nëpër institucionet shqiptare të Kosovës, do të shkruhet dhe flitet shqip dhe anglisht ( lexo: si gjuhë ndërkombëtare), e gjuha serbe do të përdoret vetëm në Serbi dhe nëpër shtëpitë e serbëve të ndershëm, që mund të jetojnë të lirë në Kosovë.” Ky mision do të përfundojë atëherë kur do të mendojmë NJË, kur do të dimë të zhvillojmë politikë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare vetëm duke qenë NJË TOK, e jo kështu të përçarë si jemi, nga politikanët e sotshëm, që nuk morën asnjë mesazh nga lufta çlirimtare e Ademit dhe të tjerëve, të cilëve sa herë që ju duhen vota dhe thurje elozhe, vizitojnë këtë familje. Fatmirësisht unë nuk jam politikan, sepse kjo që thash do të vlente edhe për mua. Andaj pas përshëndetjeve vëllazërore mora rrugën nga kisha ardhur, për të kaluar në metamorfozën e çuditshme të ndjenjave të mija, sepse nga një frymëzim dhe nga një rehabilitim shpirtëror, kalova në depresion, me të arritur në Prishtinë, kur dëgjova lajmin e burgosjes së Albin Kurtit, simbolit të rezistencës shqiptare në Kosovë, njeriut të papërkulur para shantazheve dhe presioneve aktuale. Rrugëtimi im ishte i njëjtë, nëpër të njëjtët vende, me të njëjtat ndjenja që i mora, edhe gjatë shkuarjes, sepse u përsërit e njëjta, gjatë ALLER –RETOURIT tim. Po përderisa prapë zhgënjehesha me kthimin tim në Kumanovë, në anën tjetër isha i qetë shpirtërisht që pata mundësinë të takoja shtyllën e familjes shëmbëlltyrë të shqiptarëve, që pata rastin të vizitoja vendet si Drenica dhe Prekazi (lexo: që më ngjanë më Shqipëri se Shqipëria e 1912, pra kjo e sotshmja), si dhe të njoftohesha për së afërmi dhe t`a përjetoja ndjenjën e të qenit në të njëjtin vend, ku ka shkelur edhe kryetrimi shqiptar i gjitha kohërave, Adem Jashari. Dhe me të vërtetë u binda se është vështirë të jesh burrë me vepra, sepse me fjalë është shumë lehtë. Ngase mirë thonë në Kurvelesh të Shqipërisë (Kjo krahinë shtrihet midis Lumit të Shushicës dhe atij të Borshit në Perëndim të Vjosës në Veri e Verilindje dhe të Kardhiqit në Jug). : “Burri një herë ka lerë, një herë do të vdesë”. Kjo vlen për të gjithë heronjtë shqiptarë, me në krye kryetrimin e legjendave, Adem Jasharin.

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve