Zgjedhjet e reja alternativë e vetme
Pas zgjedhjeve problematike të 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit, pas tronditjeve për krime të organizuara (sidomos me rastin Bllaca), pas tentim prishjes së koalicionit qeverisës me LDK-në (me iniciativë të PDK-së), pas një sërë akuzash dhe kundër akuzash për korrupsion në mes këtyre dy partnerëve kryesor qeverisës, pas një krize të thellë ekonomike në vend dhe pas një izolimi ndërkombëtar të këtij vendi, pa dyshim se gjatë vitit 2010 do të ketë zgjedhje të reja dhe ndryshim radikal të skemës politike në Kosovë.
Ky koalicion qeverisës PDK-LDK për dy vjet rresht është duke qëndruar në taban të qelqit dhe mezi po mbahet. Kjo po mbahet në formë artificiale, sidomos me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk është i interesuar të ndryshoj rrjedhat e proceseve politike në Kosovë, por janë të interesuar të mbajnë një gjendje status kvo. Skema qeverisëse PDK-LDK që nga formimi i saj kurrë nuk ka qenë koalicion serioz dhe mund të thuhet se ishte një marrëveshje e panatyrshme në mes tyre. Si nga ana e PDK-së, por edhe nga LDK-ja kishte zëra të brendshëm partiak të cilët ishin kundër një koalicioni të tillë, por lidershipi i këtyre dy subjekteve nuk kishte respektuar zërat e njerëzve të tyre dhe nën trysninë ndërkombëtare kishin krijuar këtë Koalicion qeverisës.
Krizë për shkak të kundërthënieve të brendshme
Kjo skemë e krijuar qeverisëse ishte e suksesshme vetëm deri në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, pas kësaj kohe menjëherë filluan të dalin mosmarrëveshjet e tyre të vjetra. PDK-ja që pretendonte se është një subjekt i dal nga vlerat e luftës dhe LDK-ja një nomenklaturë e vjetër komuniste ishin dy forcat më kundërthënëse të skenës politike të pasluftës në Kosovë.
Derisa, PDK-në e përbënte një frymë e re politike dhe lidershipi i saj kryesisht ishte një strukturë e re politike, e cila parti në programin e saj nuk e përjashtonte dhunën për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, LDK karakterizohet me një lidership paqësor, kundër luftës si metodë e zgjidhjes së çështjes nacionale, por e deklaruar edhe si subjekt djathtist e nacionalist, i cili ishte formuar në kohën e okupimit serb dhe e regjistruar në Beograd. Për çudi, nacionalizmi i deklaruar i kësaj partie kurrë nuk kishte ardhur në shprehje. LDK-ja ishte trashëgimtare e drejtpërdrejt e Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe mbi 90 për qind e lidershipit të saj përbëhej kryesisht nga njerëz që kishin orientim jugosllav, të cilët do të pajtoheshin edhe me statusin autonom të Kosovës.
PDK-LDK, për veç tjerash kanë probleme edhe për nga orientimi i tyre ideologjik. PDK është e deklaruar si parti e djathtë, por nuk është e djathtë, sepse lidershipi i saj më shumë ka botëkuptime majtiste, marksiste, enveriste, por edhe demokrate. PDK-ja nuk ka të bëjë me djathtizmin, sepse luftën e fundit më së shumti e kishte zhvilluar shtresa e fshatarësisë dhe të njëjtën mu kjo shtresë e kishte paguar më shumë. Kjo parti ende nuk ka arritur shkallën e profilizimit të saj dhe nuk ka qartësuar kursin ideologjik të saj. Sidomos, pas rastit Bllaca dhe akuzave të tij për kinse përzierje të disa njerëzve me ndikim të kësaj partie në krime të organizuar nuk i mbetet gjë tjetër vetëm i duhet një reformim total dhe një pozicionim i qartë ideologjik.
Edhe LDK po deklarohet se është parti e djathtë, por në realitet nuk është, sepse djathtizmin nuk mund ta udhëheqin njerëzit që kanë bindje dhe një të kaluar komuniste dhe krejt jetën e tyre kanë qenë në shërbim të tij. Ndërsa, nacionalizmi i kësaj partie më shumë është një demagogji boshe se sa një projekt i organizuar nacional.
Ekonomia dështim i kësaj qeverisje
Si mund të shpjegohet fakti vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit këto dy parti edhe pse ishin në Qeveri krejt fushatën e kishin orientuar njëri kundër tjetrit. Në të gjitha komunat e Kosovës shumica e kandidatëve dhe kundër kandidatëve ishin në mes këtyre dy partive.
Krejt lufta politike zhvillohej në mes tyre, ndërsa problemet e qytetarëve ishin harruar plotësisht. Rasti i Prishtinës tregon më së mirë këtë qeverisje, kur kandidati i LDK, Isa Mustafa dhe krejt energjinë e tij e kishte harxhuar duke kritikuar Qeverinë e Kosovës, në të cilën vetë merrte pjesë, ndërsa për qytetarët e Prishtinës as që i hante palla. Ky manipulim elektoral kishte pasur sukses në taborin e tij dhe kështu kishte forcuar pozitat e tij, kurse pozitat e qytetarëve të kryeqytetit ishin dobësuar pa masë.
Koalicioni qeverisës PDK-LDK, jo që ishte bërë për interesin e këtij vendi, por në radhë të parë për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara të interesit, por edhe për disa interesa të faktorit ndërkombëtar. Me Këtë Qeveri të huajt donin të mos të kenë punë shtesë në këtë vend, por edhe harxhime financiare të cilat ishin të domosdoshme, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Konferenca e Donatorëve ishte dëshmia dhe rrena më e madhe e të huajve se nëse ju na dëgjoni neve atëherë ne do t’ju ndihmojmë financiarisht. Më vonë u pa se nga kjo konferencë s’kishte asgjë dhe se ky vend tani ka një krizë të madhe financiare.
Por, dorën në zemër nuk duhet mohuar edhe ca rezultate pozitive, sidomos të ruajtjes së stabilitetit politik të vendit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, përpjekjeve të saj në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, arsimore dhe të disa segmenteve tjera. Nuk ka dyshim se ishte më e mira se qeveritë e mëparshme, por askund në trendët e zhvillimit që duhet të kishte dhe premtimeve që kishin dhënë, sidomos gjatë fushatës zgjedhore.
Këtë vend kriza ekonomike e ka pllakosur dhe me qindra të rinj po ikin si pasojë e kësaj krize. Gjatë vitit të fundit patëm një tragjedi të rëndë të mbytjes së 12 shqiptarëve të këtij vendi në lumin Tisa në përpjekje të ikjes së tyre nga ky vend dhe kërkimit për jetë më të mirë. Kjo qeverisje nuk ka dhënë dëshmi se ka punuar në zbutjen e krizës ekonomike dhe zbutjen e papunësisë në vend. Shumë të rinj bëjnë vetëvrasje për shkak të mos perspektivës së tyre në këtë vend. Kjo është e tmerrshme, ndërsa politikanët këtij vendi kanë punësuar edhe gomarët e familjeve të tyre.
Kjo shoqëri ka krizë të thellë morale e sociale. Kësaj shoqërie i duhet një terapi shëruese që të lirohet nga frika e së kaluarës dhe politizimi të çdo aspekti jetësor. Në këtë vend, njëherë e përgjithmonë duhet të kultivohet parimi i vlerave, ndarja e drejtësisë dhe respektimi i ligjit për të gjithë. Këto tri parime duhet të zhvillohen në mënyrë që të kemi një përparim dhe zhvillim më të madh shoqëror dhe shtetëror.
Profilizimi i ri me qeveri të re
Përfundimisht në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare kah fundi i vitit 2010 dhe më pas të bëhet një profilizim e partive politike dhe skema politike duhet të ketë ndryshime radikale. Skema politike kosovare duhet të profilizohet në dy taborë politike: Aleancën për shtetin dhe Aleancën për ndryshime.
Në Aleancën për shtetin duhet të radhiten të gjitha forcat e ashtuquajtura të djathta edhe pse në Kosovë djathtizmi është i zhvilluar vetëm si nocion, sepse këtu nuk ka shtresë aristokrate që do të udhëhiqte me elitën politike. Mbi 90 për qind e popullatës së saj janë fshatarësi. Ndërsa, në Aleancën për ndryshime demokratike do të renditen forcat e majta që në konceptin e tyre politik do të kenë zhvillimin e vlerave të mirëfillta kombëtare e njerëzore, drejtësinë, pronën private dhe shtetërore, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, mirëqenien sociale dhe disa parime tjera të dobishme shoqërore.
Në Aleancën për shtetin do të mund të futeshin: LDK, PSHDK, LDD, Balli Kombëtar dhe disa parti tjera minore. Ndërsa, në Aleancën për ndryshim demokratik do të mund të hyjnë: PDK, AKR, AAK, apo ndonjë satelitë i tyre dhe ndonjë OJQ civile.
Lëvizja Vetëvendosje nëse do të vendosë të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme do të jetë forca më e besueshme dhe do të bëhet faktor determinues në përcaktimin e kulaçit të qeverisjes së ardhshme. Kjo forcë do të shërbej si forcë balancuese në këtë shoqëri dhe do të bëhet faktor vendimtar i kaheve të proceseve politike të këtij vendi. Kjo do të ishte formula për ndryshime të mëdha në këtë vend, por edhe të zbatimit të një demokracie funksionale.
Kjo skemë e re politike do të mundësoj një qeverisje me orientime të profilizuara politike, programe të qarta, si ekonomike e sociale, por edhe definim të qartë të strategjisë politike të këtij vendi. Dihet se ky vend për objektiv strategjik e ka integrimin në Unionin evropian, por para se të ndodhë kjo, ky vend ka nevojë për një bashkim të brendshëm shqiptar. Pa një integrim të brendshëm nuk do të ketë integrim në proceset evropiane. Andaj, vetëm me një strategji të tillë kombëtare do të ketë zhvillim ekonomik, zbutje të papunësisë, korrupsion të zvogëluar, zero tolerancë ndaj krimit, standard më të mirë qytetar, ujë, rrymë, shërbime shëndetësore, shërbime shtetërore dhe një demokraci më të zhvilluar. Të gjitha këto postulate do të bëjnë një shtet më funksional, i cili do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të saj pa dallime racore, etnike dhe fetare. Vetëm kështu do të zhvillohet kjo shoqëri dhe ky shtet në të gjitha aspektet e saj.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull