Muaji i bekuar i Ramazanit nuk paraqet vetëm një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një nga obligimet më të mëdha fetare, por paraqet edhe një nga evenimentetet më të mëdha të karakterit botëror, ngase në gjithë globin merret vesh se ka filluar muaji i Ramazanit dhe të gjitha mediumet botërore i kushtojnë hapësirë si lajmit për fillimin e këtij muaji madhështor, poashtu edhe dokumentareve të ndryshme për organizimin e jetës së muslimanëve gjatë Ramazanit dhe ndikimin e tij në personalitetin dhe jetën e muslimanit.
Ky adhurim dhe eveniment madhështor me tërë përmbajtjen dhe gjallërinë e tij që ia jep botës islame, ngërthen në vete kuptime madhështore dhe përçon mesazhe të shumta, jo vetëm për muslimanët, por edhe për mbarë botën. Së këtejmi, marrë parasyshë edhe kontekstin kohor dhe preokupimin e mbarë njerëzimit me çështjen e mostolerancës dhe tendecave ekstremiste në rritje, në veçanti në Europë, në këtë shkrim do të ndalemi në mesazhin e paqës në muajin e Ramazanit.
Muaji i bekuar i Ramazanit e përçon në shoqëri mesazhin e paqës, qetësisë dhe mirësisë, edhe atë duke u mbështetur në shumë fakte dhe dëshmi, e që ne do të veçojmë sa vijon:
-Formimin e personalitetit të devotshëm: Të jeshë i devotshëm, do të thotë të keshë shpirt të pastër e solidar, të jeshë afër Zotit dhe të mirës, e larg djallit dhe të keqes. Një shpirt që është i devotshëm, nuk mund të mendojë keq për njerëzit tjerë dhe as të bëjë sherre dhe t’i sjell kokëçarje botës, pa marrë parasyshë se a bëhet fjalë për muslimanë apo jo muslimanë, dhe a bëhet fjalë për njerëz apo gjallesa tjera, bile edhe për gjithë natyrën.
Njeriu i devotshëm reflekton dritë, siguri, paqë, mirësi dhe dashuri në shoqëri. Ai është në paqë me vetveten, me botën përreth, me krijesat dhe me natyrën që e rrethon. Ai jo vetëm që nuk bën keq dhe dëm, por as që mendon bile të bëjë diçka të tillë.
Pikërisht ky është synimi i agjërimit në muajin e bekuar të Ramazanit, pra të formojë një personalitet të devotshëm e me vlera morale, ashtu që në këtë mënyrë të sigurojë paqë dhe stabilitet në shoqërinë njerëzore. Ja si e ka përmbledhur në mënyrë sublime Kur’ani këtë:<< O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm >>[El-Bekare:183] Pra, Allahu i Madhërishëm e ka bërë obligim agjërimin e Ramazanit për çdo vit, me qëllim që t’i pajisë shpirtërat me devotshmëri, e me këtë edhe të përçojë mesazh paqeje në botë.
-Durim dhe maturi në raport me njerëzit: Thesari i traditës pejgamberike është pasuria më e madhe e detajuar që shpjegon mesazhin e paqës të këtij muaji të bekuar. I Dërguari i Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi, në një varg thëniesh të tij na ka dhënë instruksione se si duhet të sillemi ndaj tjerëve në Ramazan, mbi çfarë baze t’i ndërtojmë raportet me tjerët, dhe si të jetë reagimi ynë në situata të ndryshme të palakmueshme për ne. Nga këto porosi dhe instruksione shihet qartë se paqja është një nga rrezet më të mëdha që reflekton dielli i mesazheve të Ramazanit.
Kështu, i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka bërë me dije se agjërimi i Ramazanit nuk ka vlerë për atë që nuk i len fjalët e liga dhe dëshmitë e rrejshme, e që drejpëdrejtë e çrregullojnë rrejdhën normale të jetës dhe i rrënojnë raportet ndërnjerëzore. Është transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë:”Kush nuk i len fjalët e pavërteta dhe veprimin sipas tyre, Allahu nuk ka nevojë që ai person të lërë ushqimin dhe pijen e tij”. Fjalët e pavërteta këtu janë sinonim i çdo të keqeje që del nga goja e që i lëndon tjerët apo vetveten.
Poashtu, i Dërguari i Allahut na ka mësuar që kur të jemi agjërueshëm, mos kemi reagim të shpejtë, por të jemi të durueshëm, maksimalisht ta kontrollojmë veten edhe në momentet më të rënda kur jemi para provokimeve të këqija, si dhe të jemi falës dhe mos i tejkalojmë kufijtë. Kur jemi agjërueshëm ne duhet të reflektojmë amturi e durim, si dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë për të ndërtuar paqë dhe besim reciprok. Ja si e paraqet këtë në një thënie të tij i Dërguari i Allahut:”kur ndonjëri prej jush është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të pamoralshme dhe të mos bëhet injorant, nëse dikush e sulmon ose e fyen, le të thotë:Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm”. Besoj se ky hadith nuk don shumë koment për ta kuptuar se si e përçon Ramazani mesazhin e paqës dhe si e ndërton atë në shoqëri.
-Paqë përmes humanitetit:Muaji i Ramazanit, mes tjerash, është edhe muaji i humanitetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve. Pikërisht duke mos ngrënë e mos pirë, njeriu e kupton më mirë se ç’do të thotë të jeshë i urritur dhe të mos keshë të hashë e pishë. Në fakt, në këtë mënyrë, më mirë e kupton njeriun që vuan nga uria dhe je më i ndieshëm ndaj popujve të cilët janë të kapluar nga uria.
Shiquar nga këndi i fetares, Ramazani është muaj kur preferohet në veçanti lëmosha, bujaria si dhe të gjitha llojet e mirësisë ndaj njerëzve. Bile, ai që agjëron duhet të japë edhe lëmoshën e fitrit në fund të Ramazanit, e cila destinohet për të varfurit.
Vetë i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka nxitur që të jemi më human dhe më bujar në muajin e Ramazanit, e edhe ai vetë ka qenë më bujar në këtë muaj. Shokët e tij pohojnë se i Dërguari i Allahut ka qenë njeriu më bujar nga të gjithë, e në garë me vetveten, edhe më bujar ka qenë në muajin e Ramazanit. Kjo flet se besimtari i cili e merr shembull të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin paqja e Zotit qoftë mbi të, duhet të jetë i këtillë, gjegjësisht bujar, human dhe solidar, në veçanti në muajin e Ramazanit.
Të gjitha studimet sociologjike dhe ato të fushës së kriminalistikës faktojnë se një nga shkaqet e përhapjes së krimeve, vjedhjeve dhe formave tjera të rrezikimit të pasurisë së njerëzve, është edhe papunësia, varfëria dhe uria. Së këtejmi, duke qenë human ndaj njerëzve, duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj skamnorëve dhe duke i ushqyer të urriturit e duke u përkujdesur për ata që kanë nevoja, ne ndërtojmë paqë në shoqëri. Kjo, ngase duke u ndihmuar materialisht, ne e pengojmë apo e zbusim krimin në shoqëri, në veçanti vjedhjet dhe rrezikimin e pasurisë. Poashtu, krijojmë ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfurve, ngjallim dashuri dhe simpati në zemrat e të varfurve ndaj të pasurve, e jo urrejtje dhe zili.
Në këtë mënyrë, përmes humanitetit, Ramazani e përçon mesazhin e paqës.
Në përmbyllje, ajo që duhet të jetë e veçantë të theksohet është se Ramazani edhe në përmasa globale i then botëkuptimet e gabuara, pikërisht përmes asaj që përmendëm dhe shumë gjërave tjera që nuk arritën t’i përmendim. Edhe përskaj propagandave të pamëshirshme dhe qëllimkëqija e joobjektive kundër Islamit dhe muslimanëve duke i paraqitur ata si burim të frikës, sherrit dhe terrorit, muaji i Ramazanit e promovon filozofinë e vërtetë të Islamit dhe mesazhet e mësimeve të tij. Muaji i Ramazanit ven përpara syve të botës personalitetin e muslimanit durimtar, të matur, human e solidar, të devotshëm dhe paqëdashës.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull