Mungesa e kulturës dhe e njohurive po sjell pasoja skajshmërisht negative dhe shumëdimensionale në qytetërimin dhe identitetin e kombit shqiptar. Nuk do mend se fuqizimi i civilizimit tonë mbi parimet e avancuara është domosdoshmëri në këtë kohë, kur dëshirojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe në mekanizmat e tjerë euro-atlantike. Sa më i pasuruar të jetë qytetërimi ynë me njohuri të orientuara shkencërisht për identitetin tonë etnik dhe fetar, me njohuri për religjionet, ideologjitë filozofiko-politike dhe etnitë e tjera, aq më të ngritur dhe më të përgatitur do të jemi për t’u “familjarizuar” me qytetërimin perëndimor. Civilizimi perëndimor përbëhet prej shumë popujsh me ideologji të shumta, besime të ndryshme religjioze e fraksioniste dhe nëse ne nuk do të kemi njohuri të avancuara në këtë drejtim, do të jemi nga shtresat e prapambetura dhe do të reflektojmë një civilizim të formuar me një kundërkulturë (counter-culture), e cila në sytë e shoqërisë së ngritur nga aspekti qytetërues duket naive dhe e urryer. Debati që u zhvillua për mësim besimin në Parlamentin e Republikës së Kosovës reflektoi shumë mesazhe sa pozitive aq edhe armiqësore e injorante. Disa deputetë ishin armiqësorë ndaj vlerave kulturore që përfitohen nga nektari i mesazhit qiellor e disa të tjerë i kundërshtuan këto vlera rrezatuese duke qenë të përmbajtur në deklaratat dhe qëndrimet e tyre, duke treguar një kulturë të qytetëruar, edhe pse kundërshtuese. Shumë shkrime dhe analiza nga politikanë e analistë të ndryshëm pushtuan faqe të shumta interneti dhe gazeta e revista të ndryshme. Duhen theksuar edhe debatet televizive në lidhje me këtë tematikë, në të cilat disa debatues shfaqën injorancën dhe bagazhin e tyre skajshmërisht të limituar intelektual dhe aspak shkencor. Nga këta debatues injorantë ishte edhe një këshilltar i kryeministrit, i cili duke treguar naivitetin e tij i drejtohet kundërshtarit në debat se a mendoni ju se Islami e ka mbrojtur kombin? Përgjigjja ishte po dhe plotësisht e drejtë. Ndërsa ai vazhdon duke thënë: "Si e ka mbrojtur Islami kombin kur kombi në atë kohë nuk ka ekzistuar?!" Sa injorancë e thellë! Është për të ardhur turp çfarë këshilltari kemi në kryeministri, i cili nuk e di se çfarë në të vërtetë ngërthen nocioni komb. Dihet se ky term posedon disa koncepte, si: koncepti i kombit politik, kulturor-etnik[1] dhe qytetërues. Në një emision televiziv ishte i ftuar edhe veprimtari i njohur, zotëri Adem Demaçi, i cili shfaqi kundërshtime të paargumentuara, me ide të artikuluara me një varfëri faktesh qesharake. Ai vazhdon të rrugëtojë me qëndrimet e tij jocivilizuese dhe larg deklaratave e opinioneve akademike. Personalitetin e tij e ka përshkruar kështu diplomati amerikan Richard Holbrooke, siç tregon Blerim Shala në librin e tij, “Vitet e Kosovës 1998-1999”, ku thotë: “Derisa Hill fliste me Demaçin, Holbrooke doli me mua jashtë dhomës ku mbahej takimi, pa e fshehur fare nervozizmin e tij. “Merre me mend, Demaçi po na mëson neve se cili është interesi amerikan në Kosovë dhe me kë duhet të bashkëpunojmë e me kë jo… Më beso, kam pasur në karrierën time qindra takime shumë të vështira, me njerëz shumë të mbrapshtë dhe shumë kokëfortë… por kësi takimi kurrë nuk kam pasur…”[2]
Disa deputetë si arsyetim për të kundërshtuar mësim besimin deklaruan se ende nuk janë pjekur kushtet për të implementuar një gjë të tillë! Është për të ardhur keq se sa të padrejtë tregohen me këtë qëndrim, kur dihet se shumë ligje dhe amendamente që janë aprovuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës mentaliteti i shoqërisë shqiptare, por edhe i asaj ballkanike, nuk është i përgatitur për t'i jetësuar në sistemin e vet të të jetuarit, pasi këto ligje, sipas juristëve, janë formuluar sipas standardeve më të larta dhe u mungojnë edhe shteteve më të përparuara. Andaj kundërshtimi i mësim-besimit me këtë arsyetim hidhet poshtë dhe lindin dyshime të cilat nxitin në jotolerancë dhe mbështetje të ekstremistëve bogdanianë. Nuk do mend se ekstremizmi duhet luftuar me fuqinë e argumentit dhe me dritën që buron nga dija e dëlirë dhe në asnjë mënyrë me ekstremizëm. Kundërshtimi ndaj mësim-besimit na shfaqet për shkak të dy ekstremizmave, të cilat janë:
ekstremizmi sekularist dhe ai fetar.
Pasojat dhe dëmet e ekstremizmit sekularist janë shumë serioze për jetesën e shoqërisë, e cila shtegton në këtë jetë me kulturën religjioze, madje ky ekstremizëm kundërshton edhe sekularizmin mesatar. Sekularistët e tillë nuk ngurrojnë ta shpallin si të rrezikshëm religjiozitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e krahasuar me Iranin, ashtu siç shprehet Riçard Daukins[3]: “Në Amerikë më duket se punët nuk shkojnë fort mirë sepse aty feja ka shumë pushtet. Kjo nuk ndodh në Evropën Perëndimore, por në Lindjen e Mesme. Për të gjetur një vend ku feja ka po atë pushtet që ka edhe në Amerike, do shkuar në Iran.”[4]
Virusi i ekstremizmit fetar është i pranishëm në të gjitha komunitetet religjioze në mbarë globin. Sa i përket kundërshtimit të mësim-besimit në shkollat publike, ekstremizmi fetar u shfaq nga ipeshkvia e Kosovës, e cila më herët kishte deklaruar se nuk ishte në interesin e tyre mësim-besimi, por megjithatë nuk ishin kundër. Por kjo hipokrizi u shfaq hapur kur u kuptua se çështja do diskutohej në Parlamentin e Kosovës. Ata e kundërshtuan përmes një deklarate, që e shfaqte armiqësinë porsi kali i Trojës. Arsyeja pse ipeshkvia e Kosovës nuk e dëshiron mësim-besimin në shkollat publike është shumë e thjeshtë: ka vite që dëgjohen zëra nga priftërinjtë që i bëjnë thirrje popullatës shqiptare muslimane për t'u kthyer në fenë e të parëve, duke synuar me këtë fenë katolike. Sipas kësaj, shqiptarët nuk kanë ekzistuar para përhapjes së dhunshme të Nazaratizmit (Krishterimit) nga pushtuesit romakë, kur kjo fe u bë zyrtare në atë perandori, e cila sundonte trojet ilire. Nëse mësim-besimi aplikohet në shkollat publike, atëherë këta priftërinj bogdanianë e kanë të vështirë t’ua shpëlajnë trurin muslimanëve me idetë e tyre të baltosura nga paganizmi dhe filozofia e civilizimeve të lashta, si pasojë e të cilave u ekzekutuan pa mëshirë shumë shkencëtarë në Evropën e sunduar nga Vatikani, që në histori njihet si epoka e errët mesjetare.
Mësim-besimi në shkollat publike do ta ndihmonte shoqërinë kosovare të ngrihej në aspektin civilizues dhe me këtë shkencë do të përgatiteshim për të mos pranuar ekstremizma fetarë që cenojnë tolerancën ndërfetare dhe ndërcivilizuese. Sipas mendimit tonë, kjo lëndë në shkollat fillore do duhej të ishte që të mësonte secili fenë e vet, që t'i pajisnim fëmijët tanë me njohuri për besimin e tyre, me njohuri fetare të bazuara shkencërisht dhe të mjaftueshme. Ndërsa në shkollat e mesme kjo lëndë do të duhet të kishte si hulumtim studimin krahasimtar të religjioneve, një shkencë që ndihmon të vërtetën dhe frymën tolerante mes feve. Mësimi i fesë nuk duhet kuptuar si ekstremizëm apo si krahasim me popujt e prapambetur, por si një dije nga e cila buron paqja dhe mirëkuptimi. Mësimi i fesë në shkollat publike duhet programuar duke u mbështetur në konceptet e bazave të religjioneve dhe jo në interpretimet që bëhen faktorë determinues në përhapjen e urrejtjes dhe armiqësisë. Presidenti më i fuqishëm i globit, zotëri Barak Husejn Obama, thotë: “Ne e kuptojmë besimin në fe si burim paqeje dhe mirëkuptimi.”[5]
Adem AVDIU
Gjakovë / Kosovë
[1] Shiko për këto dy koncepte sqarimin në librin “Skicë e mendimit politik shqiptar”, faqe 20-26, nga dr Hysamedin Feraj.
[2] Shiko "Vitet e Kosovës 1998-1999", faqe 105, nga Blerim Shala.
[3] Dr Riçard Daukins, docent në Universitetin e Oksfordit, është sot një ndër biologët më të mëdhenj në botë, ateist, zoolog dhe ndër evolucionistët më të shquar.
[4] Shiko "Të fshehtat e librit Engjëj dhe Djaj – Historia e vërtetë e të Përndriturve", faqe 213, nga Dan Burstein dhe Arne de Keijzer, botimet Dudaj.
[5] Shiko "Guximi për të shpresuar", faqe 37, nga Barak Obama, botimet Dudaj.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull