Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Mulliri me erė

Autor: Qerim Isufi E mėrkure 7 Korrik 2010 11:20 AM

 

Duke lundruar nëpër oqeane të thara, duke kaluar nëpër fusha pa gjelbërime si dhe duke shëtitur nëpër male pa lisa, ndalova në një pesë gjeografike, pjesë kjo e cila kishte ekzistuar që moti, por me letërnjoftim të ndryshëm. Aty shoh disa qenie të ndryshme, qenie këto të cilat bridhnin aty afër një objekti, sikur donin të thoshin diç, mjerisht nuk mblidhnin guximin t’a thonë dot. Godina mbante një mbishkrim me shkronja të arta (të djersitura me ngjyrë të kuqe), po nga ata njerëz që donin t’a thoshin, por për shkak të ngjyrës udhëheqëse që mbanin me Napoleonin, siç e quan George Orwell karakterin kryesor në novelën e tij të famshme “Animal Farm” ose “Ferma e kafshëve” brenda nuk ia thoshin, desh e lëshova emrin “Mulliri me erë”. Ajo që më impresionoi më së shumti, ishte pasuria e qenieve që hynin aty brenda, ato bartnin diç në vete, por me të dalë nga Mulliri të njëjtit ktheheshin duar bosh. Aty për rreth qëndronin disa njerëz të mëdhenj, me muskuj të dalë jashtë lëkurës, për habi të gjithë ishin kokë rrojtur, koka këto jo të vogla, saqë dy herë nuk mundje t’ua lëshosh sytë, jo nga bukuria por nga bishëria e sjelljes së tyre. Këta në gjuhën bashkëkohorë mbajnë emrin roje, obligimi i tyre qenka të ruajnë Napoleonin nga ndonjë sulm i mundshëm, apo më mirë thënë të parandalojnë atë nga ndonjë hajni (korrupsion) e mundshme. Po mirë këta po e ruakan Napoleonin për të mos bërë ndonjë hajni, por këta kush i ruan? Aty në hyrje të derës qëndronte një korb i butë i cili gjithnjë përsërite disa urdhra të dhëna nga ai i madhi, një nga urdhrat kryesore ishte: “Të gjithë ata të cilët mendojnë sikur unë i kemi miq, ndërsa ata të cilët nuk mendojnë sikur unë i kemi armiq”. Njerëzit të cilët bridhnin aty afër, të gjithë ishin me halle, halle këto të cilët kanë zgjidhje, por nyja e zgjidhjeve kishte vetëm një çelës, fatkeqësisht çelësi ishte tek ai i madhi. Disa prej tyre qanin hallin për haraçin, haraç i cili jepej nga të njëjtit për kandilat e shtigjeve, prapë shtigjet e tyre ishin në mungesë të dritës, por ç’të bëjnë të mjerët. Disa të tjerë kishin hallin e drunjve të cilët u pengonin nëpër shtigjet e tyre për të sjellë haraçin. Të tjerët qanin hallet e të vegjëlve të tyre nga fakti se korbi i butë kishte urdhëruar në mësim të fjalëve të huaja. Megjithatë, aty brenda ndodhej edhe një Gjeneral, por ky i fundit ishte sa për sy e faqe, apo më mirë thënë, për arsyetim të Napoleonit gjatë organizimit të ndonjë gostie me njerëz që vinin jo nga gjeografia e Mullirit. Gjenerali ishte futur brenda jo me ftesë të Napoleonit e aq më pak me dëshirën e tij, por ishte futur burrërisht - me ngjyrosje në të kuqe. Meqë ra fjala këtu, besa e tij e dhënë ishte nëse unë depërtoj aty, Kërshëndellat e para do t’i festojmë me çelësin e humbur bashkë me ju. Fatkeqësisht, besa e dhënë nuk u realizua, për arsye se aty brenda ishte atmosfera shumë e këndshme. Napoleonit nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveç mbishkrimit, nacionalizmit, mbjelljes jo të dashurisë ndaj llojit jo identik, ndërsa ata të cilët bridhnin u kishte mbetur vetëm stomaku i një stine vere pa shi dhe memoriet e patriotizmit. Të gjitha elementet përcjellëse të Mullirit ia kishte dhuruar atyre kokërruajturve, ndaj Napoleoni kishte nevojë të madhe për një investim pa kushtëzim. Bota sillet, kështu që iu paraqit një njeri kërkoj ndjesë nga lexuesi për shkak të amnezisë më kujtohen disa germa nga emri i tij: “CS” për t’i ofruar ndihmë për rimëkëmbje të Mullirit. Shpeshherë që vinte CS-ja ndodhte që Napoleoni të ishte i zënë me hajnitë e rastit, kështu që takimi nuk u realizohej. Por, edhe atëherë që u takonin, ky i fundit nga entuziazmi i madh i tij për të dalë në “syret”, lëshonte në përdorim Mullirin me erë ku i mungonte uji për të bluar, edhe pse nuk kishte material. Ata të cilët bridhnin dhe pritnin një meremetim nga CS-ja, shpresonin për t’i gjetur shpresat e humbura qëmoti. Ky zotëria CS ishte shumë i pasur, por besa kishte edhe miq të fortë e dominues nëpër gjeografinë e gjerë. Mundësia e tij ishte e pakufizuar. Por, kërkonte që Mulliri të bishtërohej, Napoleoni mezi priste një ndryshim të tillë, por kishte frikë se nëse pranon një gjë të tillë ndoshta do t’i humbiste gjethet gjatë kohës së vjeljes së dushkut, ngase ai posedonte një Mulli të njëjtë por jo me erë. Napoleoni nga frika se nuk do të jetë më i pari aty brenda, nuk pranonte një gjë të tillë. Më fal, ti lexues i nderuar, mendon se Gjeneralin e harrova, jo nuk e harrova aspak, por ai harroi vetveten, ai gjendej brenda por ndodhej jashtë. Ky për të kuptuar se çka bisedohej i pyeste pëllumbat se për çfarë bisedohej. Sa herë që tentonte Napoleoni ta shkatërrojë Mullirin, nga fakti se dëshira e tij ishte Mulliri t’i takojë historisë, Gjenerali e mbronte me mish e me shpirt atë. Madje Napoleoni sa herë që hidhërohej i thoshte Gjeneralit, kjo fole nuk është e jotja. Mosmenaxhimi i mirë i tij rezultonte me elementin e Sterjo Spasses, element nga i cili është krijuar bota. Një fjalë e urtë angleze thotë: ”A bad workman blames his tool”`(Punëtori i keq fajëson mjetet e tij). Desh harrova të them se aty pranë Mullirit qëndronte një papagall i cili ushqente të vegjlit e tij me retorikën e tij gati të njëjtë pothuajse sikur ajo e Ciceronit. Obligimi i tij ishte: publikimi i shpalljeve, lajmërimeve e njoftimeve, por detyra e tij në prapavijë ishte denoncimi i tyre me fjalë të ngatërruara. Misioni i tij më kujton mes rreshtat e George Orwell-it ku përshkruan disa qenie mjaft të shkathëta moralisht, por edhe të afta në shpërdorimin e gjuhës me qëllim të mbajtjes së të nënshtruarve nën kontroll (e pse jo edhe në dritë pa ndriçim) si dhe për të justifikuar sjelljet e tyre. Kështu që, çdo fund ka fillim. Kryetari i gjashtëmbëdhjetë i SHBA-së Abraham Lincoln, kishte deklaruar: “Një shtëpi e ndarë (përçarë) kundër vetes, nuk mund të qëndrojë”.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve