Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Myslimanėt kundėr myslimanėve

Autor: Qerim Isufi E diel 11 Korrik 2010 15:47 PM

 

Kësaj radhe do të thyej një rregull, rregull ky i cili ka të bëjë me afektin. Megjithatë pyes, vallë pse nuk mundemi ta vejmë në letër emocionin njëjtë sikur shkronjat që i radhisim për të dhënë një kuptim. Thuhej se nuk është fryt pozitiv nëse vendoset për diçka gjatë intervalit të emocionit, ndoshta është ashtu, por nuk pajtohem me një qëndrim të tillë. Sikur të ishte planeti blu i stërmbushur me shkronja rasti, jeta do të ishte e pakuptimtë, ndaj ne jemi ata të cilët i përzgjedhim, i gëzojmë, manifestojmë si dhe i bëjmë dhunë. Shpeshherë ndodhë që nuk dua të dëgjojë madje as që të shikoj. Por ç’të bëjë eteri e bënë të veten! Filozofi romakë me emrin Seneca thotë: “Jeta është pjesë teatri”. Po, po ashtu është, teatri kësaj radhe ndodhi në një objekt ku balli vihet në tokë. Vallë jemi në Irak, apo në Gaza? Në shtetin e parë habitesha kur të quajturit Shiit dhe të tjerët me emrin Sunit ( fillimisht mendoja se nuk i takojnë të njëjtit komb e fe, por më vonë e kuptova se ishin të njëjtit) ngjyrosnin të kundërtit me ngjyrë, ngjyrë e cila të ndalon të ngasësh veturën. A thua ai i cili për herë të parë përdori përemrin vetor “Ju” dhe “Ne” është fajtorë për ndasitë që ndodhin, konfliktet e pse jo edhe masakrat? A thua sikur të mos ekzistonin këta dy përemra vetor ndaras do të ndodhnin gjëra të shëmtuara?! Vallë sikur të mos ekzistonte “Ju” ndoshta do të kishte harmoni e lumturi mes njerëzve. Jo, dita nuk është fajtore e natës, por mungesa e dritës rezulton me errësirë. Apo ai i cili për herë të parë e nominoi bimën gjembbardhë, a thua nominuesi bartë përgjegjësinë për shpuarjen e saj, asnjëherë, sikur ta quanim të njëjtën bimë lule apo diç të ngjashme, efekti do të ishte negativ. Sidoqoftë le të merren linguistët me këtë. Megjithatë, shoqërisë së dallëndysheve u marr lakmi për harmoninë dhe për organizimin e jetës së tyre familjare, a thua i tërë ai sistemim është i rastit? Kujdes të nderuar nëse jeni në një vend të panjohur dhe vendosni për të kryer një obligim religjioz, fillimisht duhet në portë të pyesni se cilët janë brenda: të tanët apo, ...? Të tanët dhe …. nga e njëjta Abetare dhe nga i njëjti Ilmihal ndonjëherë kishin mësuar, me të njëjtin emër të njëjtin objekt, fjalës së nderit i thoshim Besë dhe Zotit i thoshim Zot. Por duke iu falënderuar teknologjisë moderne si dhe shekullit XVII gjërat ndryshuan. Po, po ato ndryshuan në atë masë saqë edhe ndarja ideologjike po manifestohet edhe me matje grushtash,( për herë të parë kur e pash insertin mendova se bëhet fjalë për Parlamentin Kinez, më pas mendova se është në Dumën Ruse, por nuk ishte ajo që mendova se ishte, menjëherë desha ta shlyej nga memoria, absurde ishte për të bërë “delete”). Për një çast mu kujtuan trazirat e viteve 1998-99, trazira të ndodhura në Kosovë, ajo që më ishte fiksuar ishte rasti i rrahjes së një profesori universitar, nga ana e bishave të uritura serbe, prapë nuk funksionon komanda e njëjtë. U lumtë! Vallë sikur të ishte gjallë Hasan Tahsini me siguri se do të thoshte se të këtillët librin nuk e quajnë libër. Dua të shkoj deri në Shkup, por nuk di cilën rrugë ta marr, thonë se të dyja janë të pa rrezikuara, e vërteta është e vërtetë për secilin i cili e shikon nga këndi i tij, por mjerisht asnjë person nuk mund të ulet në dy karrige. Shkrimtari i merituar shqiptarë i cili në vitin 1921 ishte kthyer në ShBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, kërkonte nga Zoti që ta ruajë Shiqpninë nga shqiptarët, kurse tani duhet lutur Zotin që t’i ruajë myslimanët nga myslimanët. I nderuar lexues të duket e pakapshme kjo lutje!! Një fjalë e urtë angleze thotë: ”While the doctors consult, the patient dies”, Përderisa mjekët të këshillohen, pacienti vdes. Ndaj shkaktarët lë të ndëshkohen. Pedagogu i mirë me hyrjen në klasë duhet harruar brengat dhe hallet personale, për të qenë frytdhënëse pjesa e jetës së tij e cila quhet dyzetë minuta, njashtu edhe myslimani me hyrjen në faltore duhet lënë jashtë objektit djajtë, për të qenë të kënaqur evidentuesit, evidentues këta të cilët nuk shihen, por shohin. Nuk dua ta them, po mjerisht kjo më duket se është fundi i fillimit. O ju të cilët siguroni kafshatën tuaj dhe të trashëgimtarëve tuaj juridik-biologjik, për hir të asaj që gati është ngjyrosur në të kuqe, ku në te qëndron një shpend, mos harxhoni energjinë tuaj në adresë të gabuar, kini mëshirë, pasuroheni jo me projekte të vakëfeve apo infrastrukturore, por me të vërtetën e rastit në fjalë. Më pas gjykoni, vlerësoni si dhe separoni të zezën nga e bardha, por jo vetëm për t’i mbetur historisë. Bijtë e shqipes gjithnjë kanë qenë përplot: altruizëm, humanizëm e dashuri, por tani ato vetë sikur po zëvendësohen me egoizëm, dorështërnguarësi dhe urrejtje ndaj të njëjtës bindje e ndjenjë. Obligim i secilit është të luftojë negativitetin, për t’u shtuar pozitiviteti. Ju, Ne, Ata.

Një person, një shpirt, një zemër, një komb, një fe e barabartë me dy armiq.

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve