Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Ndėrmjet Ramazanit dhe Haxhit

Autor: Mr. Bashkim Aliu E enjte 23 Shtator 2010 16:51 PM

 

Muslimanët, ashtu si e pritën me gëzim muajin e bekuar të Ramazanit, ashtu edhe e përcollën, pra, të lumtur që Allahu i Madhërishëm ua mundësoi që të agjërojnë këtë muaj të bekuar dhe të kryejnë edhe ibadete tjera me të cilat synojnë që të afrohen sa më afër Allahut. Mirëpo, përcjellja e muajit të bekuar nuk duhet të paraqesë afatin e fundit të paraqitjes sonë në xhami dhe lamtumirën e fundit me aktivitetet fetare. Është evident fenomeni i aktivizimit sezonal, gjegjësisht ngjalljes së ndjenjave fetare vetëm vetëm në kohën e Ramazanit, e pastaj të shuhet çdo gjë. Por, besimtari i vërtetë nuk guxon të pajtohet me këtë realitet të hidhur dhe ai duhet ta kuptojë këtë muaj të bekuar dhe çdo ibadet tjetër si moment i rikapitulimit të veprimeve dhe sjelljeve të veta, gjegjësisht bilansit të veprimtarisë së tij fetare, të analizojë lëshimet dhe të mbledh energji për të vazhduar me intenzitet edhe më të madh në kryerjen e detyrave fetare, e me këtë pashmangërisht do të demonstron përceptimin e tij të drejtë të mesazhit Islam dhe mbizotërimin e orientimit të drejtë fetar në jetën e tij.

Asnjë njeri, i cili ka sado pak njohuri rreth Islamit, nuk e ka rëndë të kuptojë se tipar parimor i mësimeve të kësaj feje është kontinuiteti dhe të qenit parimor, gjegjësisht se kjo fe nuk njeh përkohshmëri dhe sezone, e edhe nëse gjenden në gjirin e saj tipa të këtillë, ata janë vetëm model i të kuptuarit të gabuar të fesë dhe besimtarë me të meta serioze në besim.

Nëse u bëjmë një vështrim të shkurtër dhe përshkrim telegrafik ibadete-adhurimeve praktike fetare, do të vërejmë se këto ibadete apriori synojnë kontinuitetin e lidhjes së njeriut me Zotin dhe thellimin e ndjenjës së përgjegjësisë para Zotit të Madhërishëm për veprimet.

Kështu, namazi pesë herë në ditë e lidh njeriun me Krijuesin, pastaj namazi javor i xhumasë në një mënyrë edhe më te përgjithshme dhe masovike bën lidhjen e besimtarëve me Zotin dhe ngritjen e vetëdijes fetare të njeriut. Kjo, ngase në ditën e Xhuma mbahen ligjërata nga imamët ku shpjegohen të vërtetat fetare, kurse e tërë kjo ndikon që besimtari ta forcon lidhjen e tij me Zotin, t’i pasuron njohuritë e tij fetare dhe njëkohësisht t’i forcon edhe raportet me vëllezërit e tij muslimanë duke qëndruar në rradhë pranë njëri-tjetrit. Pastaj, kemi ibadete vjetore siç është muaji i bekuar i Ramazanit, muaj në të cilin besimtari e pasuron sfondin e adhurimit të vet me vepra të mira dhe e shton ibadetin.

Po ashtu, krahas këtyre adhurimeve, e kemi edhe Haxhin i cili është farz për muslimanët të cilët i plotësojnë kushtet e parapara, një herë në jetë. Me të drejtë ky adhurim, simbolikisht është quajtur kongres vjetor i muslimanëve.

Pra, të gjitha këto ibadete synojnë lidhjen e njeriut me Zotin në forma të ndryshme dhe kohë të ndryshme, e prej kësaj duhet të kuptohet mirë fakti i pamohueshëm se Islami kërkon kontinuitet e jo përkohshmëri.

Nëse parashtrohet sot pyetja: Pse ne jemi në këtë gjendje të palakmueshme nga të gjitha aspektet? Përgjigja është shumë e qartë: Sepse ne nuk jemi parimor dhe nuk i kryejmë obligimet fetare në kontinuitet, kur flasim për aspektin fetar, e kjo e njejta vlenë edhe për sferat tjera ku çalojmë.

Do ta parashtrojmë një pyetje, të cilës çdo njëri mund t’i përgjigjet: A mund të presim rezultate nëse një muaj punojmë, ndërkaq njëmbëdhjetë muaj pushojmë? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Jo. Të gjithë tjerët, njëmbëdhjetë muaj punojnë e një muaj pushojnë, ndërkaq ne që jemi të obliguar prej Allahut të Madhërishëm të punojmë pa u ndalë një muaj, pra në muajin e Ramazanit, e pastaj njëmbëdhjetë muaj pushojmë, e pastaj pyesim pse vallë jemi në këtë gjendje.

Ata të cilët e kuptuan Islamin si duhet dhe ishin muslimanë gjat tërë vitit, gjegjësisht i praktikonin me seriozitet detyrat fetare në kontinuitet, e bartën flamurin e Islamit në Lindje e Perëndim; ata e ndriçuan Evropën; ia çelën sytë njerëzimit; i mbushën raftet me libra dhe dhanë kontribut solid në sfera të ndryshme të mendimit njerëzor. Ndërkaq, ata prej nesh, e që për fat të keq të tillët janë të shumtë, që e kuptuan Islamin sezonalisht, jo vetëm që nuk arritën të kontribuojnë diçka në fusha të ndryshme të mendimit bashkëkohor, por që është edhe më e keqja, nuk arritën as ta zbulojnë vetveten dhe ta identifikojnë atë para opinionit botëror; ata nuk e gjetën veten në mësimet e tyre origjinale, por vrapuan pas modeleve të huaja duke u shndërruar në kukulla që dirigjohen nga të huajt.

Gjeneratat e sotme të këtij umeti që e harruan veten dhe që e bënë zakon ta adhurojnë Allahun vetëm në Ramazan, jo vetëm që mungojnë në arenën ndërkombëtare në planin ekonomik, politik, shkencor, teknologjik, etj, por ata i humbën edhe detyrat parimore fetare si namazi, zekati, haxhi etj.

Edhe pse në muajin e Ramazanit me të madhe flitet për devotshmërinë, megjithatë devotshmëria paraqet margaritar të humbur për muslimanët për muslimanët e ditëve tona. Muslimanët e ditëve tona, normalisht me përjashtime, nuk arritën ta kuptojnë se devotshmëria artikulon përcaktimin strategjik për zhvillim permanent në të gjitha fushat e jetës, i cili pason si rezultat i ngritjes së vetëdijes fetare dhe pastrimit shpirtëror të besimtarit. Për atë, garancë e vetme e rikthimit të prestigjit dhe autoritetit tone në arenën botërore, është zbatimi i detyrave që na i përcakton Kur’ani dhe Suneti dhe kuptimi i drejtë i esencës së mësimeve të kësaj feje madhështore. Në këtë mënyrë do të mund ta marrim veten pas këtyre goditjeve të rënda që i morëm si rezultat i neglizhencës sonë, e poashtu do të mund t’i ringjallim zemrat tona pas kësaj letargjie, do të mund ta kthejmë optimizmin dhe elanin tonë pas dëshprimit e pesimizmit që na ka kapluar.

Allahu i Madhërishëm në Kur’an këtë fe dhe mësimet e saj i quan jetë dhe thotë:”O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë (për fenë e drejtë)…” (El-Enfal: 24).

Po ashtu, në këtë drejtim janë edhe fjalët e Omerit r.a. drejtuar njërit prej shokëve të tij:”Ne jemi popull që na ka lartësuar Allahu me Islam, e sadë që të kërkojmë prestigjin tonë në diçka tjetër, do të na poshtërojë Allahu”.

Shokët e të dërguarit të Allahut vazhdimisht janë lutur. Para se të vijë Ramazani janë lutur gjashtë muaj që ta arrijnë këtë muaj të bekuar, e pasi ka mbaruar ai, gjashtë muaj janë lutur që Allahu t’ua pranojë adhurimet që i kanë bërë në këtë muaj. Kjo ka qenë gjenerata e artë e këtij umeti, këta ishin njerëzit që nuk u gjunjëzuan para furtunave të kohës, por ishin krenarë që ishin muslimanë dhe këtë krenari me dinjitet e mbrojtën. Këta burra të rrallë, arritën suksese marramendëse në sfera të ndryshme sepse u edukuan në frymën e pastër kur’anore dhe në shkollën pejgamberike që siguron ardhmëri të ndritshme për nxënësit e saj të zellshëm dhe të sinqertë.

Jo rastësisht e zgjodhëm këtë titull, sepse mu në kuptimin e këtyre dy farzeve çalojmë dukshëm.

Ramazanin e përcollëm, ndërkaq jemi në pritje të një ibadeti tjetër të rëndësishëm, kongresit vjetor të muslimanëve- Haxhit. Mirëpo, derisa Ramazanin e kuptojmë gabimisht me atë që vetëm gjatë Ramazanit e shtojmë adhurimin, e pastaj çdo gjë ngec dhe pushojmë nga adhurimet pas mbarimit të tij, me Haxhin kemi problem me periudhën para kryerjes së Haxhit. Me fjalë tjera, te muslimanët, normalisht me përjashtime, ekziston një bindje e gabuar se deri para kryerjes së Haxhit mund të bëhen shumë punë që nuk pëlqehen apo ndalohen rreptësisht në fe, e pas Haxhit u vehet pikë atyre.

Kjo është gabim sa edhe e para, sepse muslimani nuk guxon të bëhet i dëgjueshëm vetëm pas Haxhit, por dëgjueshmëria e tij fetare detyrohet edhe para Haxhit.

Pra, me Ramazanin kemi problem pasi ai të mbaron, e me Haxhin para se të kryhet.

Po ashtu, një gabim tjetër që bëhet në kuptimin e Haxhit, është edhe bindja e disa njerëzve se pas Haxhit më nuk duhet të preket punë me dorë. Kjo është gabim në një ekstrem tjetër prej të parit, gjegjësisht thirren në lënien e punës që mos të gabohet. Njeriu duhet të punojë vazhdimisht, por asnjiherë nuk guxon të bëjë hile, as para Haxhit e as pas Haxhit. Nuk guxon të bëhen gabime të qëllimshme, e nëse gjatë punës bëhen gabime pa qëllim, inshallah Allahu na i falë dhe ato nuk e dëmtojnë Haxhin.

Allahu na udhëzoftë që mos të jemi as sezonal e as të vonuar në zbatimin e detyrave fetare.

 

www.bashkimaliu.com

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve