Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
Ne dhe sezoni i dasmave

Ne dhe sezoni i dasmave

Autor: Behxhet Jashari E mėrkure 14 Korrik 2010 11:38 AM

 

Është kohë vere, ndërsa dasmat janë në vrullin e tyre. Po thuajse për çdo ditë nëpër rrugët e Shkupit vërejmë kolona të automjeteve të zbukuruara me lule dhe flamuj. Në dritaret e automjeteve vërejmë vajza dhe gra ku nga gëzimi i tepër i nxjerrin kokat e tyre jashtë. Ndonjëherë kjo nuk bëhet edhe nga gëzimi i tepërt, por nga ajo që të tjerët t’ua shohin modelet e flokëve...

Sallonet e zbukurimeve dhe të frizurave janë përplot. Po thuajse femrat e të gjitha moshave caktojnë kohën dhe orën se kur duhet të shkojnë në sallonin e zbukurimeve me qëllim të ndreqjes së frizurave. Çmimi i tyre lëviz prej 20 euro, e deri në 100 euro. “Tani është koha dhe tani del dinari”, thotë njëra nga vajzat e cila ishte punësuar në njërin prej salloneve të këtilla.

Në këtë sezon të vitit edhe rrobaqepëset nuk mbeten pa punë. Qepen fustane (emrin fustane) nga më të ndryshmet... Shpeshherë çmimi i tyre nuk paraqet problem, vetëm se të arrihet në dasmë, e tjetra nuk është me rëndësi. Pastaj, po nëpër këto dasma shpeshherë nga po të njëjtit njerëz mund të dëgjohen bisedat siç vijojnë: “Ja, është kohë e vështirë ekonomike e sociale, djemtë tanë janë të pa punë, madje burri im më tepër qëndron në shtëpi pa punë, se sa me punë”, etj. etj.

Bisedat e këtilla më shpesh zhvillohen nga ato gra të cilat për frizurën e tyre kanë harxhuar së paku 50 eu., e nga ana tjetër aspak nuk turpërohen nga vuajtjet dhe mundimet që i përjetojnë bashkëshortët e tyre në nxjerrjen e parasë në këto kohë të vështira ekonomike, e ndonjëra as që mendon për atë se në masë më të gjerë mbretëron papunësi, e ndoshta edhe bashkëshorti i saj vuan nga papunësia dhe vështirësitë sociale e ekonomike...

Numri më i madh i këtyre dasmave (e ndonjëherë marifetllëqeve) nuk bëhen nëpër shtëpi, siç bëheshin dikur, por në restorante dhe sallone dasmash... Kur kemi fjalën për lokalet e dasmave, mund të themi se ato në këtë sezon të gjitha janë të rezervuara. Thjeshtë nuk ka vend të lirë, sepse rezervimi i tyre është duhur të bëhej që në fund të dimrit.

Restorantet apo sallonet e dasmave nëpër lagjet shqiptare të Shkupit nuk janë të rrallë. Në çdo rrugë mund të gjejmë nga një sallon dasmash, tekefundit si do që të jetë, emrin e ka sallon dasmash. Ndodh që lokalet e tyre të jenë planifikuar për çka do tjetër, përveç për dasma, mirëpo ç’të bëjmë, kriza ekonomike e bën të veten, ashtu thotë njëri nga pronarët e lokaleve të këtillë. Madje eksitojnë lokale dasmash që nuk posedojnë kurrfarë dritare adekuate për ajrosje ose sistem klimatizimi, pasi që të këtillit ishin planifikuar për ndonjë gjë tjetër ose garazhe...

Si do që të jetë, muzika nëpër lokalet e këtilla buçet zëshëm, sa që edhe timpanin e veshëve ta shurdhon, e për muhabet nuk mund të bëhet aspak fjalë, sepse tanimë nuk është koha e muhabetit, por e dasmës (!!!) Të gjitha këto dukuri që u theksuan më lartë, sa do që janë të lumtura janë edhe po aq tragjike.

Dimensionet e së keqes të llojit të këtillë, mund t’i radhisim siç vijon:

 

- Vendi i dasmave nëpër lokale jo adekuate (me përjashtim të atyre që nuk kanë kurrfarë rrugëdalje tjetër);

- Shfrenueshmëria e një numri të madh të grave gjatë ceremonisë së dasmave;

- Muzika e tepërt;

- Gjuajtja me armë zjarri (ku shpeshherë pësojnë njerëz të pafajshëm);

- Përzierja meshkuj dhe femra gjatë ceremonisë së dasmave (gjë që në të kaluarën shqiptare nuk ekzistonte);

- Shpenzimet e tepërta nëpër sallonet e bukurisë;

- Thyerja e traditave shqiptare - islame, etj.

 

 

ÇMIMI I NJË SHAMIE NË KRAHASIM ME ÇMIMIN E NJË FRIZURE

Shpeshherë ndodh që shitësit të shamive ndonjëra nga blerëset t’i drejtohet me fjalët: “A për një shami 15 euro”?!

Nëse parimet islame urdhërojnë mbulesën e femrës - mbulesë kjo e cila nuk mund të kushtojë më tepër se 30 eu. - gjë të cilën mund ta shfrytëzojë shumë vite me radhë, atëherë nuk është e arsyeshme që gruaja të shtyhet në çmim, kur bëhet fjalë për një shami me të cilën do ta mbulonte kokën, pasi që po e njëjta grua për një dasmë dhe vetëm për një natë, për zbukurimin e saj shpenzon jo më pak se 50 euro! Por ç’të bëjmë, aq e ka logjika e një femre (e cila aspak nuk mendon për mbulesën dhe dënimin që mund t’i vijë asaj në Ditën e Gjykimit).

Shpeshherë mund të dëgjojmë konstatimin (e logjikës shumë të cekët femërore) se “njeriu një herë martohet”! Jo. Nuk është ashtu. Ndodh që njerëzit të martohen edhe më tepër se dy herë apo jo!?

Madje, një konstatim i këtillë aspak nuk zë vend edhe nga aspekti i sociologjisë islame, pasi që dihet se parimi islam thotë: “...mos e teproni”. (Kur’an).

Muhammedi (s.a.v.s.) ka thënë:

- “Nuk është besimtar ai i cili e kalon natën i ngopur, ndërsa fqinji i tij rri i uritur”,

- “Para fundit të ummetit tim do të ekzistojnë gra kokëzbuluara dhe të zhveshura; kokat e tyre do të jenë sikurse gungat e deveve. Mallkoni ato, sepse me të vërtetë ato janë të mallkuara”! (Ahmedi dhe Hakimi).

-“Me të vërtetë kjo botë është e ëmbël dhe tërheqëse, dhe me të vërtetë Allahu iu vendosi juve për mëkëmbës në Tokë, andaj do t’i vigjilojë sjelljet e juaja. Për atë arsye ruajuni nga kjo botë dhe ruani gratë! Sprova e parë për bijtë e Israilit ishin gratë!” (Muslimi dhe Tirmidhiu).

- “Çdo fe e posedon moralin e tij, ndërsa morali i islamit është turpi”. (Maliku dhe Ibn Maxhe).

Ai ose ajo që mendon pak në esencën e mbulesës islame dhe për domethënien e aspekteve etike islame, duhet t’i merr parasysh të gjitha këto norma të paraqitura më lartë.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Ne dhe sezoni i dasmave


Arkivi i autoreve