“Politika më e mirë e të gjitha politikave është politika e kompromisit”-Henri Kisinxher.
Kohën e fundit ka filluar të flitet e përflitet si në Beograd, por edhe në qendrat e ndryshme ndërkombëtare të vendosjes politike për mundësinë e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të vihet deri te kompromisi shumë i kërkuar, si nga Beogradi, por edhe i një pjese të politikës ndërkombëtare.
Kjo politikë është aktualizuar tani kur jemi në prag të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për vlefshmërinë e shpalljes së shtetësisë së Kosovës, të cilën iniciativë e kishte nisur vetë Beogradi.
Në zbardhjen e kësaj ideje shkojnë edhe prononcimet e zyrtarëve të Grupit të Krizave Ndërkombëtare (ICG-së) në Beograd, të cilët në një formë apo tjetër kanë pranuar se disa qendra ndërkombëtare tani janë duke shqyrtuar këtë opsion politik.
Politikanët e Beogradit, përfundimisht duke e kuptuar dështimin në GJND për pavarësinë e Kosovës, kanë shtuar përpjekjet e tyre që nga kjo iniciativë të nxjerrin maksimumin politik të tyre. Politikanët serb si, Dragolub Miçunoviq, Vuk Jeremiq, Vuk Drashkoviç, Oliver Ivanoviç etj, nuk fshehin dëshirën për ndarje të pjesës veriore të Kosovës. Por, në anën tjetër, ata askund nuk kanë përmendur këmbimin e pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës, por vetëm ndarjen e saj dhe bashkëngjitjen me Serbinë.
Në favor të kësaj ideje është duke punuar edhe lobi serb në Uashington, ndërsa kohë më parë një ide të tillë kishte shfaqur Dana Rorabacher, një ish senator amerikan. Edhe Morton Abramoviç dha Daniel Server, dy analistë të lartë amerikan paralajmërojnë një qasje të tillë të zgjidhjes së këtij problemi. Gjithashtu, një pjesë e qendrave evropiane duke mos parë ndonjë alternativë të zgjidhjes së problemit të veriut të Kosovës kanë qëndrim neutral dhe nuk kanë mbështetur planin e Piter Feith për veriun e Kosovës. Jo pa qëllim EULEXI mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës dhe është duke pritur ndonjë zgjidhje kompromisi në mes këtyre palëve.
Ndërsa, qëndrimi zyrtar i Prishtinës ndaj kësaj ideje duhet të jetë refuzues dhe mjaftë radikal, por në anën tjetër ajo duhet punuar në formë indirekte për realizimin e saj, sepse për momentin dhe rrethanat e tanishme ky është opsioni më realist. Prishtina ka të drejtë të bisedojë me Beogradin edhe pa ndërmjetësim të huaj, por vetëm në suaza të barabarta dhe si dy shtete. Prishtina do të duhet të bisedojë me Beogradin vetëm pasi të garantohet pavarësia e saj, ndërsa bisedat për shkëmbim, apo ndarje do të duhen të ndodhin më vonë, nëse Prishtina vlerëson se është në interes të saj kombëtar, gjeopolitik dhe gjeostrategjik.
Prishtina në asnjë formë nuk guxon që kufiri i ardhshëm serbo-shqiptar të jetë në lumin Ibër, për shkak të rëndësisë gjeostrategjike, por nëse vjen deri te ndarja duhet të merret parasysh vija e vjetër administrative e Kosovës e cila fillon nga Zveçani e tutje. Kjo vijë administrative në vitin 1946 kishte shërbyer si pretekst për ndarjen e Luginës së Preshevës (PMB-së) nga Vilajeti i Kosovës duke ia bashkangjitur dy komunat, Leposaviqin dhe Zubinpotokun. Vetëm pas kësaj pune Kosova do të shtojë njohjet e saj dhe do të bëhet anëtare e të gjitha mekanizmave ndërkombëtare.
Politikanët shqiptarë këtë ide duhet vlerësuar dhe analizuar mirë, sepse vetëm tani e kanë rastin historik të rregullojnë një gabim të së kaluarës dhe me Beogradin të mos kenë kurrfarë barriere në të ardhmen, sepse kjo do t’u ndihmojë dy vendeve për integrime sa më të shpejta euro-atlantike. Këta politikanë e kanë rastin që të hapin kutinë e Pandores dhe të mos brengosen shumë për kufijtë e shteteve të rajonit, por të kërkojnë rishqyrtimin e tyre, sepse ndaj problemit shqiptarë është bërë një e padrejtë madhe historike.
Pa asnjë dyshim, kjo lojë nuk guxon të bëhet pa përfshirjen e Tiranës, Uashingtonit dhe Brukselit, sepse pa miratimin e tyre nuk do të ishte e mundur kurrfarë marrëveshje në mes Prishtinës dhe Beogradit. Tirana duhet të jetë në mbështetje permanente të Prishtinës, të jetë më aktive dhe të marrë rolin prijës në iniciativat e rajonit dhe jo të pres nga Beogradi që nga këto iniciativa të nxjerr profitin maksimal. Roli i Uashingtonit dhe Brukselit janë të rëndësisë së madhe, sepse Prishtinës i duhet mbështetje nga aleatë të fortë dhe serioz. Kurse, politikanët e Luginës duhet të zgjohen nga gjumi, t’i ndihmojnë vetes dhe popullit të vet, sepse nuk është e drejtë që të tjerët të punojnë për ta. Ata duhet të jenë aktiv dhe pjesë e lojës.
Prandaj, jo rastësisht politikani më i madh botëror Henri Kisinxher ka thënë se politika më e mirë e të gjitha politikave është politika e kompromisit. Kësaj radhe kjo politikë duhet të arrihet me mjete demokratike, paqësore, pa dhunë dhe do të ishte në dobi të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe shpresës së këtij kombi për një të ardhme më të mirë.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull