Ramazani, institucion i edukimit permanent!

Sali Shasivari

Sikurse shkolla dhe institucionet tjera edukativo-arsimore që janë të organizuara qëllimisht, në funksion të edukimit dhe arsimimit, edhe Ramazani duhet kuptuar si institucion hyjnor, i përcaktuar nga ana e Krijuesit, me qëllim të edukimit të shpirtit të njeriut.
Madje, ashtu sikurse arsimimi dhe të mësuarit që është proces permanent përgjatë gjithë jetës së njeriut, i tillë është edhe agjërimi, i cili përsëritet në çdo vjet nga një muaj (në formë obligative). Kjo, përreth agjërimit të kohëpaskohshëm, të cilin mund ta kryejë personi përgjatë muajve tjerë të vitit (në formë të agjërimit vullnetar).
Së këndejmi, Ramazani, me plotë kuptimin e fjalës e meriton epitetin ‘institucion i edukimit permanent’, nga fakti se, ai përsëritet për çdo vit, dhe se, në vehte ngërthen objektiva të caktuara.
Ndonëse, në shikim të parë, krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një obligim rutinor i cili përsëritet nga viti në vit, me po të njejtat obligime dhe objektiva, realiteti është se, çdo Ramazan vjen me diçka të re. Kjo, ngase, ai është burim i pashtershëm edukate dhe mësimesh; dhe se, çdo njeri përjeton eksperienca të ndryshme nga viti në vit.

I Qëllimi/objektiva e agjërimit

S’do mend se, Ramazani, si dhe agjërimi në të, nuk është bërë obligim për kot, por, ai, në vehte ngërthen shumë aspekte edukative dhe mësimore.
Kështu, agjërimi e mëson dhe edukon personin që të jetë më bujar, më fisnik, më i sjellshëm, më i durueshëm, më tolerant, më solidar, më i afërt me njerëzit tjerë, më kontrollues ndaj epsheve dhe pasioneve…, etj.
Të gjitha këto aspekte dhe dimensione, Allahu i Madhnueshëm i ka përmledhur me fjalën devotshmëri (takva), fjalë kjo me të cilën e ka definuar qëllimin dhe objektivën kryesore të agjërimit, edhe atë, në ajetin kur’anor, ku thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm” (El-Bekare: 183).
Në lidhje me fjalën devotshmëri janë dhënë definicione të ndryshme, prej të cilave do të veçonim atë më të njohurin dhe më të përgjithshmin, edhe atë: “Devotshmëri do të thotë të kryesh obligimet e Allahut, dhe të largohesh nga ndalesat e Tij”.
Në bazë të këtij definicioni, si dhe, nëse ndalemi dhe i analizojmë mirëfilli obligimet e Allahut Fuqiplotë, do të shohim se të gjitha ato kanë të bëjnë me çështjet që janë në dobi të individit, shoqërisë si dhe ambientit që na rrethon; ndërsa, ndalesat e Tij kanë të bëjnë me gjërat të cilat në esencë janë të dëmshme.

II Ngritje e vazhdueshme

Në lidhje me ibadetet (adhurimet) të cilat i kryen personi, si dhe pyetjen që shtrohet zakonisht se, a thua vallë Zoti ma ka bërë kabull (ma ka pranuar) një adhurim të këtillë, dijetarët islam kanë konstatuar se, çështja e pranimit apo refuzimit të ibadeteve/adhurimeve është çështje e fshehtë, të cilën e din vetëm Allahu i Madhnueshëm. Mirëpo, ata thonë se, ekziston një “mënyrë”, e cila mund të jep ‘indikacione të përafërta’, si përgjigje në lidhje me pyetjen në fjalë, a ajo është “matja” e nivelit të sjelljes dhe gjendjes së personit. Gjegjësisht, thënë me fjalë tjera, në qoftë se gjendja apo sjellja e individit pas kryerjes së një ibadeti/adhurimi të caktuar është më e mirë se sa gjendja/sjellja e tij e mëparshme, atëherë mund të flitet për pranim të mundshëm të atij ibadeti/adhurimi, ndonëse, vendimi i takon Allahut Fuqiplotë; si dhe, e kundërta e kësaj që u tha.
S’do mend se, “rregulla” e lartëpërmendur vlen edhe për agjërimin si ibadet/adhurim, si një nga shtyllat kryesore të Islamit.
Andaj, ajo që kërkohet nga agjëruesi është ngritja e vazhdueshme e tij në aspektin e bindjes, vetëdijes dhe sjelljes së tij pas çdo viti agjërim, me ç’rast, sa më i moshuar që është personi, aq më ndikim tek ai do të kishte Ramazani. Ndërsa, në qoftë se ndodh e kundërta, atëherë mund të konstatohet se bëhet fjalë për dështim të personit në këtë proces edukativ (procesin e agjërimit).

III Dështimi gjatë këtij procesi

Në qoftë se vetëdija, sjellja dhe edukata e individit të caktuar nuk shënon ngritje – si rezultat i agjërimit – nga viti në vit, por përkundrazi, besimtari, mësimet e fituara përgjatë Ramazanit i anashkalon menjëherë pas kalimit të këtij muaji, duke iu kthyer ‘avazit të vjetër’, me ‘shpresa’ se, nëse e arrin Ramazanin tjetër, do të fillojë prej fillimi (siç ndodh me shumë persona, të cilët, përgjatë Ramazanit bëhen “muslimanë shumë të devotshëm”, ndërsa me të ardhur Bajrami, ata i kthehen “normalitetit”), atëherë, mund të konstatohet se, personi nuk e ka kuptuar si duhet mesazhin e Ramazanit, dhe nuk e ka kryer obligimin si duhet.
Për më tepër, dështimi i njëpasnjëshëm i individit në këtë proces, mund të jetë dëshmi e qasjes së tij joserioze ndaj këtij ibadeti/adhurimi; gjë kjo, e cila, mund të ketë efekte negative në raportet e tij me Krijuesin si dhe me njerëzit në përgjithësi. Në këtë kontekst është edhe hadithi i Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem) ku thotë: “Nuk është agjërimi mënjanim vetëm nga ushqimi dhe pija, por agjërim është të mënjanuarit nga marrëzirat dhe gjërat e turpshme. Nëse të ofendon dikush, thuaj: unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm” (transmetohet nga El-Hakim); si dhe, hadithi tjetër, ku thotë: “Kush nuk e le dëshminë e rrejshme dhe të vepruarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai person të largohet nga ushqimi dhe pija” (transmeton Buhariu).

Dhashtë Zoti të jemi prej ‘nxënësve’ dhe ‘studentëve’ të zellshëm të këtij ‘institucioni të edukimit permanent’, dhe të arrijmë që të përfitojmë nga thesaret dhe mësimet e tij; mësime këto, të cilat, do t’i venim në përdorim përgjatë 11 muajve tjerë të vitit, me qëllim që kur të vijë Ramazani tjetër, të kalojmë nga një nivel në nivel tjetër më të lartë… dhe, kështu në vazhdimësi…; me qëllim të arritjes në stadet më të larta të përkryerjes morale dhe njerëzore të synuar.

Nga: Sali Shasivari

(Vërejtje: Ky artikull është shkruar në 10 ditët e fundit të Ramazanit 2011, dhe është botuar në gazetën ‘Koha’ – Maqedoni – më 26 Gusht 2011, si dhe është publikuar në disa ueb faqe dhe portale të asaj kohe…).