Ramazani, ky muaj i bekuar i cili për çdo vit vjen me mirësitë e tij për njerëzit, është simbol i ndryshimit te individët dhe shoqëria.
Ramazani është muaji i ndryshimit, ngase me agjërim muslimani e ndryshon rutinën e përditshme të ushqimit ditor. Njeriu ha dy apo tre herë në ditë, e në muajin e Ramazanit agjëron, gjegjësisht këtë rutinë të ushqimit e ndryshon me iftarin dhe syfirin. Ky ndryshim i rutinës ditore është prolog për gatishmërinë e ndryshimeve të mëdha që duhet t’i bëjë muslimani në jetën e tij. Normalisht, ndryshimi duhet bërë në emër të Allahut, konform udhëzimeve të Tij dhe duke e synuar kënaqësinë e Tij. Kjo, ngase në hadith kudsij qëndron se Allahu i Madhërishëm për agjëruesit e sinqertë thotë:”E len hajen dhe pijen për hirë Timen”. Kjo qasje ndaj agjërimit konsiston në faktin se muslimani duhet të ketë objektiva madhore në jetën e tij, dhe këto objektiva duhet të çojnë në ndryshime pozitive në jetën e muslimanit që vërtetë të jetë në personalitet i respektuar dhe me peshë në shoqëri.
Ndryshimi në të cilin thërret muaji i Ramazanit, nuk ndalet vetëm në nivel individual, por shkon përtej tij dhe e përfshinë edhe shoqërinë dhe mbarë gjininë njerëzore. Kjo, ngase Ramazani e kthen njeriun të mendojë seriozisht rreth filleve të sjelljes së tij në këtë botë, siç e paraqet këtë vetë Kur’ani, kur Allahu i Madhërishëm ua shpalosi melekëve këtë qenie të dalluar dhe rolin e tij duke thënë:<< :”Unë po krijoj(po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Ata thanë:”A do të veshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të adhurojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”!Ai tha:”Unë di atë që ju nuk e dini”! >>(El-Bekare:30). Të qenit zavendës në tokë, nënkupton veprimin permanent për ndryshime kah e mira në gjithë botën, e këtu demonstrohet karakteri universal i mesazhit islam dhe i mesazhit të Ramazanit për ndryshime.
Ramazani është muaji i ndryshimit të sjelljes dhe qëndrimit të muslimanit ndaj tjetrit, apo thënë ndryshe, muaji i pastrimit shpirtëror që reflekton në përmirësimin e sjelljes së muslimanit dhe të vetive të tij në drejtim të ndërtimit të karakterit të shëndosh. Muaji i Ramazanit, ashtu si që është përshkruar në Kur’an dhe në hadithet e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. sjell mesazh të qartë për muslimanin se duhet të ndryshojë në drejtim pozitiv, të ngritet në piedestale më të larta morale dhe të shndërrohet në shembull të njeriut me karakter të vyeshëm. I Lartmadhërishmi ka thënë: "O JU QË BESUAT, AGJËRIMI U ËSHTË BËRË OBLIGIM SIKURSE QË ISHTE OBLIGIM EDHE I ATYRE QË ISHIN PARA JUSH, KËSHTU QË TË BËHENI TË DEVOTSHËM". (El-Bekare:183).
Edhe Muhamedi s.a.v.s. në hadithet e tij e ka nënvizuar në veçanti thirrjen e Ramazanit për ndryshim, duke e shprehur këtë karakter të muajit të Ramazanit në mënyra dhe formulime të ndryshme në thëniet e tij.
Pejgamberi –paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të-në një hadith të tij ku thotë: ”Ai që nuk i len fjalët e mbrapshta dhe veprimet e shëmtuara, le ta dijë se Zoti nuk ka nevojë që ta len hajen dhe pijen” (Hadithin e ka shënuar Buhariu).
Po ashtu, transmentohet se Pejgamberi i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të-ka thënë:”Sa e sa agjërues ka që prej agjërimit të tyre nuk kanë asgjë tjetër përveçse durojnë urinë dhe etjen” (Hadithin e kanë shënuar:Nesaiju dhe Ibn Maxhe).
Ramazani është muaji i ndryshimit për mbarë njerëzimin, ngase në këtë muaj filloi shpallja e Kur’anit, ngjarje kjo që hapi faqe të re të historisë për gjithë njerëzimin, e jo vetëm për muslimanët. I Lartmadhërishmi Allah, në Kur’anin famëlartë ka thënë: "(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kuríani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)..." (El-Bekare:185). Ramazani është muaji i ndryshimit për të gjithë njerëzit, ngase në të filloi të shpallet Kur’ani i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i gjërave, gjegjësisht njerëzve ua shpjegon qartë de cila është rruga e vërtetë dhe ku të çon ajo, dhe cila është rruga e gabuar, dhe çfarë përfundimi të ofron ajo. Ai që kupton, kur e lexon Kur’anin, patjetër të bëjë ndryshime në botëkuptim, moral, sjellje dhe programin e jetës në përgjithësi.
Muaji i Ramazanit është muaji i ndryshimit në planin intelektual. Edhe kjo është e lidhur pikërisht me fillimin e shpalljes së Kur’anit në këtë muaj të shenjtë. Ramazani është simbol i shpalljes së librit, fjalëve, lavdërimit të diturisë dhe lapsit. Në një ambient dhe botë ku mbretëronte injoranca dhe padituria, në muajin Ramazan filloi shpallja e librit të Allahut i cili thërret në dituri, mësim, lexim dhe shkrim. Me këtë u bë ndryshim i madh në planin intelektual. U hapën horizonte të reja të dijes dhe ngritjes intelektuale. Në këtë muaj u shpall luftë kundër injorancës:Muaji i ramazanit paraqet frontin më të madh kundër injorancës dhe paditurisë.Kjo, ngase në këtë muaj filloi shpallja e Kur’anit, gjegjësisht ky muaj u dallua me atë se në të u shpallën fjalët e para Kur’anore që thirrin në shkencë, dituri dhe progres: "Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më buajri! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte". (El-Alek:1-5).
Ramazani është muaji i ndryshimit në drejtim të vënies së planeve strategjike për zhvillimin e shtetit islam. Kjo, ngase në muajin e Ramazanit u zhvillua Lufta e Bedrit, e cila bëri kthesë të madhe në arenën botërore përkitazi me qëndrimin e fuqive të kohës ndaj shtetit islam dhe misionit pejgamberik në përgjithësi.
Pas fitores në Bedër, muslimanët në arenën botërore u panë si fuqi serioze e cila do ta ushtrojë fuqishëm ndikimin e vet në marrjen e vendimeve dhe në bërjen e politikës rajonale dhe globale. Thënë ndryshe, u thye bindja e gabuar e imponuar nga makineria propagandistike e mushrikëve të Mekes se bëhet fjalë për një grupacion rebel ndaj traditave të të parëve të cilët nuk kanë perspektivë. Muslimanët pas luftës së Bedrit u promovuan si shtet serioz me ushtri, komandë, udhëheqësi politike, sistem të përkryer shoqëror, politik dhe ekonomik që buron nga Zoti. Normalisht, kjo nënkuptonte vënien e një strategjie për veprim në arenën ndërkombëtare, për dallim të veprimit më të ngushtë në Meke kur muslimanët ende nuk kishin shtet dhe ndikim më gjërë në arenën ndërkombëtare.
Nisur nga kjo, Ramazani jep mesazh të qartë për umetin islam se duhet ta marrin vendin meritor në hartimin e politikës botërore, të bëhen subjekt aktiv në qarqet vendimmarrëse, e jo të ngelin si deri tash objekt jo serioz të cilët janë të padenjë edhe në zbatimin e vendimeve, e jo më në marrjen e tyre. Këtij umeti që për shekuju me rradhë i priu me sukses njerëzimit dhe kontriboi aq shumë për botën, nuk i ka hije të gjindet në margjina të ndodhive dhe proceseve botërore. Ja, Ramazani për çdo vit është një nga thirrjet dhe mesazhet madhore se umeti islam duhet të rikthehet aty ku e ka vendin, pra në krye të vendit të dhomës së vendimmarrjes, por duke vepruar dhe punuar seriozisht për këtë.
Ramazani është muaji i ndryshimit në aspektin social. Muaji i ramazanit përmes agjërimit dhe disa elementeve tjera që janë veçori e këtij muaji, thërret në solidaritet dhe e mëson njeriun të jetë bamirës.Kështu, gjatë ramazanit, besimtari duke agjëruar e kupton gjendjen e skamnorëve, e kupton se ç’do të thotë mos të keshë çka të futish në bark, për atë, ai pas agjërimit bëhet më solidar, më bamirës ndaj tjerëve, më i interesuar për gjendjen ekonomike dhe materiale të vëllezërve të vet, gjë që në fakt paraqet thelbin e besimit Islam.Një element tjetër që mbështet këtë koncept dhe mesazh të agjërimit, janë edhe thëniet e të dërguarit të Allahut [paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] në të cilat kërkohet dhe lavdërohet ai i cili e ushqen një agjërues në ramazan.Pejgamberi [paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] thotë: ”Kush ushqen ndonjë agjërues ose përgatit ndonjë luftëtar, do të ketë shpërblimin sikur ata”. [Hadithi është i saktë, e transmenton Bejhekiju në përmbledhjen e tij “Es-Sunen”]. Në një hadith tjetër, ai thotë:”Kush i jep iftar ndonjë agjëruesit, do ta ketë shpërblimin sikur ai, pa mos iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit”. [Hadithi është i saktë, e transmenton Ahmedi, Tirmidhiju, Ibn Maxhe].Në këtë drejtim, në muajin e Ramazanit e kemi edhe institucionin e sadekatu-l-fitrit i cili është i gradës vaxhib për agjëruesin në terminologjinë e shkollës sonë juridike, pra medhhebin Hanefij.Sadekatu-l-fitri u jepet të varfurve, dhe kjo tregon se muaji i ramazanit është muaj i solidaritetit dhe bamirësisë.
Margaritarët që flasin se Ramazani është muaj i ndryshimit, nuk përfundojnë me kaq, por ne e përmbyllim këtu këtë temë me shpresë që të jetë e dobishme për lexuesin.
Lutja jonë e fundit është: I gjithë lavdërimi i plotë i takon vetëm Allahut, Zot i botëve.
Reklama 229 x 170.png)
Mr. Bashkim Aliu
Nexhmedin Spahiu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull