Që në fillim, është me rëndësi të theksohet se shprehja ‘religjion’, e cila përdorët tek perëndimorët, dallon nga ajo që kuptojnë muslimanët me fjalën fe.
Islami është jo vetëm ligj hyjnor, por edhe ideal dhe teori, një sistem i të menduarit dhe i jetës, i jetuar dhe i praktikuar nga miliona njerëz qysh prej 14 shekujsh dhe kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, deri sa të jetë jeta.
Islami nuk është vetëm një trup i një doktrine metafizike, ai nuk është vetëm një kapicë ritualesh, apo thjesht thënë vetëm një vendosje e rregullave të sjelljes individuale. Ai është mënyrë e jetës, themelet e të cilit mbështetën në rrënjët e Shpalljes Hyjnore, mënyrë e jetesës e lejuar nga vetëdija për Zotin dhe e orientuar nga Vullneti i Zotit që e aktualizon të mirën dhe drejtësinë e jetës së njeriut. Muslimani e ka për detyrë që ta ndjekë mënyrën e këtillë të jetës, ta dëshmojë atë me fjalë e me vepra si dhe të përpiqet që ajo të mbizotërojë në këtë botë.[1]
Sipas Enciklopedisë së Madhe Franceze të Shkencave, Letërsisë dhe Artit, dijetarët, në mesin e njëqind definicioneve mbi religjionin, kanë zgjedhur dy:
1. Feja është mënyrë, sipas së cilës njeriu realizon lidhjen e tij me forcat e larta,
2. Feja është ajo që përfshin të gjitha njohuritë, dhe çdo forcë, të cilat nuk mund të provohen në mënyrë shkencore.[2]
Islami nuk pajtohet plotësisht me definicionin e parë, sepse Islami, përfshin njëkohësisht, jo vetëm çdo gjë të njohur, që ka të bëjë me lidhjet e njeriut me forcat e larta, por edhe marrëdhëniet e njeriut me njeriun.
Islami ndryshon edhe nga definicioni i dytë, sepse Kur’ani në këtë aspekt thotë: ”Po ia sqarojmë ajetet- shenjat atyre që dinë”,”…atyre që kuptojnë ”, dhe ”…atyre që mendojnë.”.
Pra, Feja, sipas Kur’anit, është ajo që pajtohet me dijen, arsyen dhe të menduarit.[3]
Madje, sikur pranimi i fesë të mos bazohej në arsyen, atëherë ai do të ishte subjektiv, arbitrar dhe ekscentrik. Kurrfarë tezash religjioze të bazuara në teke dhe trillime personale, nuk mund të pranohen në heshtje nga njerëzimi apo nga ndonjë masë e konsiderueshme e tij, për një kohë të gjatë. Të theksuarit e tepruar të intuitës në llogari të arsyes, padashje i hap dyert korruptimit të fesë. Mosdallimi i gjërave të trilluara dhe absurde, në mënyrë racionale, mund të sjellë deri tek ajo, që besëtytnitë dhe përrallat të maskohen si të vërteta dhe ta përshkojnë fenë. Po ashtu, theksimi i tepërt i ‘arsyes’ në llogari të besimit intuitiv, e korrupton (prish) ‘jetën e arsyes’, duke e reduktuar atë në: materializëm, utilitarizëm, mekanizëm dhe në pakuptimësi.[4]
Sipas Islamit, muslimanëve askush tjetër, përveç njerëzve të ditur dhe të mençur, nuk mund t’ua shpjegoj fenë.
Feselu ehle dhikri in kuntum la talemune.
Duke pasur parasysh këto fakte të përmendura, insistimi i muslimanëve se legjislacioni i tyre duhet të bazohet në Kur’an, nuk duhet të duket i çuditshëm.
Madje, Ibn Kajjim el Xhevzi, një nga juristët e shquar musliman, thotë: ”Ku është dobia, aty është edhe e drejta hyjnore.”, kurse Ibn Akili, duke e plotësuar këtë mendim, shprehet: ”Edhe nëse për atë, nuk ka ardhur shpallja, apo të mos ketë thënë diç i Dërguari i Zotit.”[5]
Dijetarët muslimanë, ndajnë mendimin unanim se legjislacioni islam, i cili vlen për të gjitha kohët dhe brezat, në dritën e interesit të përgjithshëm , mund t’u përgjigjet çështjeve të parimeve kushtetuese, të kodit civil, të kodit penal dhe të drejtës familjare, duke qenë në hap me të gjitha proceset e zhvillimit të gjithëmbarshëm.
Gjithpërfshirja e Sheriatit
Ligji islam është universal dhe nuk kufizohet vetëm në ibadet dhe çështje juridike personale, siç janë martesa, shkurorëzimi, lirimi i robit, trashëgimia dhe të ngjashme, por ai përfshin, gjithashtu të gjitha llojet e veprimeve dhe transaksionet në të vepruarit dhe të udhëhequrit. Shitblerja, patundshmëria, penglënja, qiradhënia, huazimi dhe të gjitha llojet e marrëdhënieve private- juridike dhe ekonomike, veprimet në relacion individ-individ, individ- shoqëri, ose individ- shtet, të gjitha këto, Islami i rregullon juridikisht dhe të të gjitha këto marrëdhënie duhet të mbështeten në Sheriat. Islami e lejon tregtinë, ndërkaq ndalon kamatën, fajden, monopolin, plaçkitjen, grabitjen, mashtrimin, eksploatimin dhe grumbullimin e pasurisë në duart e një numri të vogël njerëzish. Edhe legjislacioni penal, ka dispozita të qarta dhe precize kur’anore, të cilat bashkësia islame është e obliguar t’i aplikojë. Aty hyjnë dënimet për vrasje, prostitucion, vjedhje, konsumim të alkoolit, dezertim, shkaktimin e turbullirave në popull, si dhe për kundërvajtje të kategorisë më të lehta.[6]
Në Islam praktikisht nuk ekziston lëmi që nuk është lëndë e ligjit; ligji islam paraqet rend që sundon në të gjitha sferat e jetës, ku edhe rregullat e protokollit dhe mirësjelljes janë të natyrës ligjore. Prandaj, është e pamundshme të bëhet dallim i qartë ndërmjet teologëve dhe juristëve islam.[7]
Dr. Hoking, prof. i filozofisë në Universitetin e Harvardit, në veprën e tij:
”Ruhus sijase el alemijeh ”, thotë:
”Rruga e progresit të shteteve islame nuk qëndron në përvetësimin e modaliteteve që favorizojnë idenë se feja s’ka çka thotë për jetën e përditshme të individit, për ligjin ose sistemet politike. Është e domosdoshme që njeriu të gjej në fe burimin e progresit dhe të zhvillimit.
Nganjëherë ndodh që të pyetet se deri në ç’masë sistemi islam është në gjendje të sjell ide të reja dhe të ofroj zgjidhje origjinale, që do t’u përgjigjeshin kërkesave të jetës bashkëkohore? Përgjigjja për pyetjen e parashtruar është: ‘Sistemi islam posedon të gjitha predispozitat e nevojshme për progres. Ndërkaq sa i përket prirjes së tij për evolucion, në këtë aspekt Islami është gjithëpërfshirës dhe i mbizotëron të gjitha ligjet dhe sistemet. Prandaj, vështirësitë në ligjin Islamik nuk lindin si rezultat i mosekzistimit të mënyrës ose metodës për zhvillim të vrullshëm dhe përsëritjes, por për shkak të mungesës së entuziazmit dhe predisponimit për t’i shfrytëzuar ato metoda.
E ndiej se kam plotësisht të drejtë kur pohoj se ligji islamik posedon tërësinë e duhur të parimeve, që janë të domosdoshme për transformim dhe zhvillim (të shoqërisë)”. [8]
Rregullat e ligjit penal paraqesin ligjin penal më të mirë që i është dedikuar njerëzimit. Pjesa më e madhe e ndëshkimeve janë sanksionuar nëpërmjet ajeteve kur’anore. Kështu, ai vë themelet e drejtësisë shoqërore. Sistemi i administrimit dhe të gjitha marrëdhëniet në relacion shtet- individ, janë të definuara në Kur’an dhe Sunnet. Kjo, arrihet nëpërmjet konstituimit të rregulloreve dhe nxjerrjes së kushtetutës nga ana e bashkësisë muslimane, e cila bazohet në Kur’an dhe në Sunnet, dhe miratohet sipas parimit të institucionit të shurasë (konsultimit), që nënkupton nënshtrim të plotë ndaj All-llahut, të Dërguarit të Tij dhe bartësve të pushtetit, me kusht, që ata t`i binden urdhrave të Zotit dhe sunnetit të të Dërguarit.
Zoti në Kur’anin fisnik thotë: “O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të Dërguarin dhe (bindjuni) përgjegjësve tuaj. Por nëse nuk pajtoheni në ndonjë çështje, atëherë drejtohuni All-llahut (Librit të Tij) dhe të Derguarit, nëse i besoni All-llahut dhe Ditës së fundit. Ajo është më mirë dhe më i bukuri shpjegim.” (En Nisa, 59)
Ebu Bekri r.a.*, udhëheqësi-halifi i parë i shtetit, menjëherë pas Muhammedit a.s. me rastin e marrjes së pushtetit, thotë thënien e njohur: ”Bindmuni mua, për aq kohë sa unë i nënshtrohem All-llahut. E nëse unë nuk i nënshtrohem All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, as ju mos m’u bindni mua.”[9]
Kjo thënie e halifit të drejtë, përputhet me hadithin e Muhammedit a.s. ku thuhet: ” Nuk ka bindje ndaj njeriut, i cili nuk i nënshtrohet All-llahut ”.
Ligji i drejtë
Ibn Sina dhe shumë intelektualë muslimanë, konsiderojnë se, drejtësia mund të sigurohet në popull me një ligj të drejtë, i cili nuk mund të caktohet nga njeriu, për dy arsye:
1. Njeriu nuk mund ta dallojë plotësisht të vërtetën, apo ta lirojë veten nga paragjykimet e tij;
2. S’ka garanci për zbatimin e ligjit, ngase nga vetë natyra e tij, njeriu preferon veten ndaj të tjerëve, prandaj, kur diçka është kundër interesit të tij, ai e refuzon.
Ligji duhet të vijë nga Zoti për të depërtuar në thellësinë e vetëdijës së njeriut dhe për të garantuar zbatimin, shpërblimin dhe dënimin. Kjo imponon njohjen e vetë Zotit, Ligjdhënësit të vërtetë.[10]
Një ligj që vjen prej Zotit pranohet lehtë dhe është më i besueshëm prej të gjithë besimtarëve sepse ata e dinë mirë që Bërësi i ligjit ka dije të plota për të gjitha aspektet e subjektit që trajton ligji, nuk ka interesa vetiake dhe i jep rëndësi interesave të të gjithëve.[11]
Burimet kryesore të ligjit islam
Në të drejtën e Sheriatit ekzistojnë burime kryesore dhe sekondare. Të gjitha burimet kryesore nuk janë të një rangu, sepse disa prej tyre kanë më shumë përparësi se të tjerat. Juristët e Sheriatit i kanë renditur burimet kryesore sipas rangut, vlerës dhe rëndësisë së tyre juridike:
1. Kur’ani i shenjtë, 2. Sunneti, 3. Ixhmai dhe 4. Kijasi (Ixhtihadi).
Kur’ani
Është fjalë e drejtpërdrejtë e shpallur e Allahut, është burimi i parë i jurisprudencës islame. Ai është në arabishte dhe është i ndarë në njëqind e katërmbëdhjetë sure-kaptina, që përfshijnë më tepër se gjashtë mijë ajete-vargje. Sipas mendimit të juristëve muslimanë, numri i ajeteve që i përkasin të drejtës, që kanë karakter legjislativ, ose të asaj që në Perëndim e quajnën ‘juris corpus’, në mënyrë direkte ose indirekte është 500 deri në 600. Të drejtës familjare i përkasin 70 ajete, të drejtës civile 70, të drejtës penale 30, gjyqësisë dhe procedurës gjyqësore 13, të drejtës kushtetuese 10, marëdhënieve ndërkombëtare 25, ekonomisë dhe financave 10 etj.
Kur’ani është libër hyjnor, i cili iu shpall Pejgamberit Muhammedit (a.s.), gjatë njëzet e tre vjetëve të fundit të jetë së tij (vdiq në vitin 632), periudhë gjatë së cilës ai jetoi në dy qytete: në Mekë dhe në Medine. Në të thuhet qartë: ”Shoku juaj nuk e ka lëshuar rrugën e drejtë dhe nuk është i humbur. Ai nuk flet me hamendje. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet.” (En Nexhm, 2-
Parime të përgjithshme
Vërtetësia e tekstit të shkruar të Kur’anit është jashtë çdo dyshimi. [12]
Përsa i përket parimeve të përgjithshme, Kur’ani i përmban në tërësi. Prandaj nga ky aspekt, Kur’ani është kushtetuta dhe ligji bazë në të drejtën islame. Në bazë të tij, ndërtohen të gjitha dispozitat një nga një të së drejtës, sikurse është rasti edhe me legjislacionet sekulariste, ku ekziston kushtetuta e parimeve bazë e të drejtave themelore, të cilat nuk ndryshohen, e pastaj ka edhe dispozita të veçanta të së drejtës zakonore, të cilat aplikohen në kuadër të parimeve të përgjithshme kushtetuese.
Prandaj, të gjitha parimet e përgjithshme, që janë precizuar në Kur’an, nuk mund të ndryshohen. Kur’ani tregon qartë se për zhvillim të drejtë të shoqërisë duhet të forcohet besimi dhe morali, e jo të sillen vetëm dispozita juridike, të cilat pa besim nuk do të kishin vlerë dhe rëndësi e as domethënie për përparimin e shoqërisë.[13]
Sunneti
Sunneti nënkupton të gjitha shënimet e mirëfillta të thënieve dhe veprimeve të Dërguarit a.s., ose të atyre veprimeve dhe thënieve të njerëzve të tjerë besimtarë, që kanë fituar miratimin e tij të qartë. Muslimanët besojnë se Sunneti është frymëzuar hyjnisht, më tepër në domethënie sesa tekstualisht.[14]
Autoriteti i Sunnetit nxirret nga pejgamberllëku i Muhammedit a.s. Zoti në Kur’an thotë: ” Ndërsa ty të shpallëm Kur’anin t’ua sqarosh njerëzve atë që u shpallet, mbase ata do të mendojnë. ” (En Nahl, 44 ).
Pra, Sunneti është një burim plotësues juridik dhe si i tillë ai është:
- ose pjesë integrale e Librit të Shenjtë;
- ose sqaron dhe detajizon ato që janë thënë në mënyrë të përgjithësuar dhe të thukët;
- ose përcakton rregulla të përgjithshme të përfituara nga tekstet kur’anore.[15]
Ixhma’i
Thjesht do të thotë ‘konsensus’. Ai është vendim unik i të gjithë juristëve e dijetarëve autoritativë muslimanë të një epoke rreth një çështjeje të caktuar. Ai përkufizohet edhe si pajtim i muxhtehidëve, d.m.th. i atyre që kanë të drejtë, që duke u mbështetur në dijen e vet dhe në frymën e Kur’anit dhe të Hadithit, të sjellin gjykime, pas vdekjes së Muhammedit a.s. në çdo kohë, për të gjitha çështjet e fesë. Zgjidhjet e tyre duhet të jenë të mbështetura doemos në ajet apo hadith. Ixhma’i është njëlloj kuvendi, forum për komentimin autoritativ të parimeve dhe normave.[16]
Nëse paraqitet ndonjë çështje, për të cilën nuk ka ndonjë qëndrim të detajuar në Kur’an dhe Sunnet, atëherë vjen në shprehje ixhma’i. Ixhma’i ka fuqi juridike sikurse edhe Kur’ani dhe Sunneti, ndonëse jo të një rangu. E drejta për të dhënë mendim, për ndonjë çështje, iu është njohur në fillim vetëm shokëve të Dërguarit a.s. Por më vonë u njihet edhe nxënësve të tyre (tabiinëve), dhe më pas të gjithë dijetarëve muslimanë, pasi sipas fjalëve të Muhammedit a.s.: ”Dijetarët janë pasardhës dhe trashëgues të të dërguarëve të Zotit.” Autoriteti i institucionit të ixhmait sipas disa juristave nxirret nga ky ajet kur’anor: ”
Le të ketë nga ju të atillë që do të thërrasin në mira dhe të pengojnë nga veprat e këqia. Ata do të jenë të shpëtuar.” (Al-u Imran, 104) dhe nga fjalët e Muhammedit a.s. i cili thotë:
”Bashkësia ime (Ummeti) kurrë nuk do të pajtohet në lajthitje”.
Kijasi: Analogjia
Kijas veç tjerash dmth: krahasim, barazim, analogji, konkluzion sipas analogjisë. Sipas komentimit të juristëve muslimanë d.m.th. gjykim në bazë të analogjisë, respektivisht, konkludim në bazë të parimit të dhënë në Kur’an, Sunnet ose Ixhma, ku një rast i ri, i mishëruar me shembullin paraprak, përfshihet nën parimin e njëjtë, ose është i ngjashëm me shembullin paraprak, për shkak të karakteristikës së përgjithshme thelbësore të quajtur shkak ( il-le ).[17] Autoriteti i institucionit të kijasit nxirret nga një ngjarje me interes në kohën e Muhammedit a.s. Muadh Ibn Xhebel, pasi që ishte emëruar nga i Dërguari a.s. për gjykatës në Jemen erdhi tek i Dërguari a.s. që të përshëndetej me të. Pejgamberi a.s. e pyeti: Në çfarë baze do t’i zhvillosh kontestet? Sipas dispozitave të Kur’anit, tha ai. E nëse aty nuk gjen qëndrime të qarta, tha Pejgamberi? Atëhere sipas sjelljes së pejgamberit të All-llahut. Nëse edhe aty nuk gjen qëndrime të qarta? Atëherë do të përdor arsyen time të shëndosh, u përgjigj Muadhi. Kurse Muhammedi pas kësaj përgjigje tha: ‘Falenderimi i takon All-llahut i cili të dërguarin e Pejgamberit e udhëzoi në atë mënyrë e cila i pëlqen pejgamberit të All-llahut’!”[18]
Muxhtehidi është i obliguar që, për dhënien e mendimit rreth një çështje të caktuar, atëherë kur nuk ka tekst të qartë në Kur’an, Sunnet ose vendim të Ixhmait, të studiojë me themel çështjen në fjalë, të shohë ngjashmëritë dhe kundërshtitë, pastaj të bëjë krahasim, dhe më pas të japë mendimin-fetvanë e tij rreth saj, duke pasur parasysh frymën dhe qëllimet e përgjithshme të drejtës islame:
- se qëllimi i së drejtës islame është interesi i përgjithshëm;
- se aty ku është interesi i përgjithshëm është edhe ligji Hyjnor;
- se qëndrimi, i cili nga drejtësia kalon në dhunë, nga mirësia në urrejtje, nga dobia në dëm, nga urtësia në çmenduri, nuk është qëndrim i sheriatit.
Nga kjo del se, ixhtihadi ndihmon që të plotësohen të gjitha zbrazëtitë dhe mungesat juridike, dhe në të gjitha kohët dhe në të gjitha hapësirat, të gjenden zgjidhje adekuate për problemet aktuale për të cilat nuk ka zgjidhje tekstuale në tre burimet e para. Ixhtihadi zhvillohet sipas masës dhe dimensioneve të nevojshme për evoluimin e vazhdueshëm të jetës.[19]
Numri relativisht i vogël i normave juridike, nga njëra anë, dhe nevoja për rregullimin më të detajuar të raporteve të ndryshme dhe zgjidhja e rasteve të reja juridike, nga ana tjetër, i ka shtyrë ashabët eminent, ekspert të drejtës së sheriatit, që të fillojnë t’i mbulojnë zbrazëtitë juridike me ixhtihadin e tyre. Kjo do të thotë se në bazë të të menduarit juridik kompetent sjellin zgjidhje në bazë të deduksionit personal të cilat është dashur të jenë në përputhje me qëllimet dhe synimet e përgjithshme kur’ano-sunnetike (mekasidu-sh- sheri’a).[20]
Dijetarët-muxhtehidët nuk krijojnë ligje, por zbulojnë dispozitat hyjnore. Prandaj, nxjerrja e ligjeve nga parlamenti konsiderohet e lejueshme, nëse këto ligje nuk bien ndesh me të drejtën islame.[21]
Analogjia, në realitet, nuk mund të merret si burim i veçantë i drejtësisë. Ajo më tepër është si një lloj komentimi apo metodë, me ndihmën e së cilës rastet e paparapara futen nën rregullat që ekzistojnë. Juristët analogjinë e kanë quajtur burim, sepse në këso rastesh më shumë i kanë marrë parasysh rezultatet e arritura se sa vetë veprimin. Prandaj analogjia mund të konsiderohet si burim indirekt i Sheriatit.[22]
Pra, mund të rezymojmë se Kur’ani i Shenjtë dhe Sunneti, përfundimi analogjik, konsesusi shoqëror dhe nxjerrja individuale e të drejtave, së bashku e përbëjnë sheriatin, përmbledhjen e normave juridike, të cilat vlejnë për të gjithë muslimanët.[23]
---------------------------------------------------------------------------------
[1] Mevdudi, Të Drejtat e Njeriut në islam, Shkup, 1413/1992, f. 6
[2] Dr. Muhammed Abdullah Draz, Ed- Din, Bejrut, 1390/1970, f. 34-37.
[3] Dijalog islamskih i Evropskih Ucenjaka, Sarajevë, 1979, f. 21.
[4] Ismail Faruki, Islamizimi i Diturisë, Shkup, 1999/1420, f. 55.
[5] Dijalog Islamskih i Ivropskih Ucenjaka, Sarajevë, 1979, f. 20,21.
[6] Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, Furkan ISMShkup, 1420/1999, f. 23-24.
[7] Dr. Murad Hofmann, po aty, f. 152.
[8] Jusuf Kardavi, E Drejta Islame, f. 85.
* Radija All-llahu anhu: All-llahu qoftë i kënaqur me të.
[9] Hasan Ejub, Katër Halifët e Drejtë, Shkup, 1424/2003, f. 31.
[10] Dr. Murteda Mutahari, Qëllimi i Jetës, Gjilan, 1997, f. 15,16.
[11] Beheshti & bahonar, po aty, f. 342.
[12] Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt Një Teorie islame për marëdheniet ndërkombëtare, f. 75. Botues Logos-A, Shkup 1419\1998, & Nexhat Ibrahimi, Shkolla Juridike Hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës të saj, Botues Zëri Islam, Prizren 2000/ 1421, f. 21
[13] Hutbe dhe Vaze të zgjedhura, Tetovë, 1997, f. 70
[14] Abdulhamid A. Ebu Sulejman, po aty, f. 75-76
[15] Dijalog Islamskih i Evropskih Ucenjaka, f. 64
[16] Nexhat Ibrahimi, Shkolla Juridike Hanefite, po aty, f. 72.
[17] Nexhat Ibrahimi, po aty, f. 74-75.
[18] Dr. Muhammed Hamidullah, po aty, f. 144-145.
[19] Dijalog Islamiskih i Evropskih Ucenjaka, f. 65.
[20] Zbornik Radova, 2 Islamski Teoloski Fakultet u Sarajevu, 1987, Mr. Ibrahim Dzananovic, f. 119.
[21] Dr. Vehbe ez Zuhejli, Hakul Hurrijeti fil Alem, Damask, 1421/2000, f. 66.
[22] Hutbe dhe Vaze të zgjedhura, po aty, f. 83.
[23] Christian H. Hoffman, I shtrirë nga të gjitha anët, Asr, Tetovë, 2003, f. 186.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull