Këtyre ditëve lexova se si një sociolog politik me mahi e përcjell mendimin e një studenteje. Pyetjes: “A je religjioze?”, ajo i është përgjigjur: “Jo, unë jam normale”. Sa bukur, por me këtë hapet një pyetje tjetër: Përse njeriu mbyllet para njërit, por jo edhe para mendimit tjetër? Si e zgjidh ai problemin e fesë dhe të bindjeve personale në kohën kur jetohet gjithnjë e më shpejtë, ndërsa gjithnjë e më shumë neglizhohet qenia e njeriut?
Deklarata apo thirrja e hapur e kryetarit të bashkësisë fetare për ndihmë “nga jashtë”, më shtyri që me shumë vështirësi t’u përgjigjem disa gazetarëve e disa të tjerë t’i refuzoj, për arsye të apelit shumë prapambetës dhe të shëmtuar, i cili mund të komentohet: Zot, më bëj shurdh e memec ndaj gjërave të tilla, se kjo nuk është çështje që duhet shpjeguar, por një çështje për dhembje shpirtërore dhe dyshim në besimin, si dhe keqpërdorim i institucionit fetar. Mirëpo, thënia profetike është se nuk guxohet të heshtet, nuk guxohet të abstenohet, sepse nëse heshtet, atëherë diçka nuk është në rregull me besimin tonë.
Në shkrimet e mia shpesh dhe një kohë të gjatë e kam treguar rëndësinë dhe rolin që e ka pasur, e ka dhe duhet ta ketë institucioni më i lartë shpirtëror i muslimanëve tek ne; edhe pse kemi qarqe “intelektuale” që dëshirojnë ta shohin këtë institucion sa më të shëmtuar, prej nga do të dilnin parulla shumë të mëdha “patriotike”, “kombëtare”, e “shtetërore”. Është për t’u habitur prej nga ky sado-mazokizëm që ky institucion “mbarë-kombëtar”, por jo vetëm ky, të duket sa më i gjymtë dhe arkaik, pa e kryer misionin e vërtetë të tij. Pothuajse i njëjti moment ndodhi edhe në Shqipëri, kur brenda dy-tre ditëve u bënë shkarkime, themelime universiteti, rizgjedhje në post...
Që të mos i përsëris gjërat, këtu do t’i përcjell përgjigjet në tri pyetje që i kam pasur nga një gazetare e vendit, dhënë në një intervistë këtyre ditëve.
Pyetja: Si e interpretoni thirrjen e njeriut të parë të BFI për ndihmë nga jashtë?
Qesharake dhe të mjerueshme. Qesharake, ngase nga njëra anë e kemi deklaratën e paradokohshme të Papës Benedikti në Londër, i cili ankohet dhe tërheq vërejtjen nga vullgariteti i sekularizmit, respektivisht nga rreziku nga ai, ndërsa tek ne kryetari i BFI kërkon ndihmë nga sekularizmi në formën e politikës. Dihet se ç’është bashkësia fetare, të gjithë njerëzit kthehen nga institucionet fetare, kishat dhe xhamitë, për t’iu lutur Zotit, çdokush në mënyrën e vet specifike, ndërsa ky e bën të kundërtën. Tani, kjo është e mjerë. Është kjo dëshmi se në këtë institucion diçka “kërcëllon”, në kuptimin fetar, e para së gjithash dhe mbi të gjitha në kuptimin organizativ.
Bashkësia fetare është shumë e nevojshme, për shkak se ka përgjegjësi të madhe për shpjegimin, interpretimin e Fjalës së Shenjtë, me çka njerëzit do të udhëzoheshin me porosi të qarta se si dhe në ç’farë mënyre duhet ta praktikojnë fenë. Por, për këtë nevojiten njerëz që kërkojnë ndihmë nga Fjala e Shenjtë - Kur’ani, respektivisht nga Zoti, Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. E me sa duket ky institucion nuk është i aftë, nuk mund të them që nuk dëshiron, por nuk është i aftë në kuptimin fetar të zhvillojë një teologji të gjallë, e cila do të jetë bazament për zhvillimin e kulturës muslimane në përgjithësi. Siç e dini, koha në të cilën jetojmë është shumë e rrezikshme, për çdo ditë mbijnë fraksione të ndryshme, duke filluar nga ato mistikët e deri tek radikalët. Të gjithë këtyre përgjigje duhet t’u japin institucionet fetare. A e dini se sa jemi të shqetësuar ne, si prindër, nga këto dhe grupe e grupime të tjera, të ngjyrosura me fundamentalizëm dhe, mos dhëntë Zoti, me radikalizëm?! Këtu dua të jap një sqarim, kur flasim për radikalizmin nuk do të dëshiroja të mendohet në terrorizmin. Terrorizmi nuk ka pasur kurrë dhe nuk mund të ketë mbështetje në librat e shenjtë, pra për muslimanët në Kur’an. Terrorizmi është fryt i politikës, i interesave të ndryshëm; është ai një punë djallëzore. Prandaj edhe çdo besimtar, respektivisht musliman, e ka për detyrë ta luftojë terrorizmin me të gjitha mjetet. Jemi dëshmitarë se tek ne roli i fesë është i mbyllur, madje njerëzit janë në hamendje ç’të bëjnë dhe se a ka nevojë më për institucionet fetare. A nuk është paradoksale për një institucion fetar, kur kryetari i saj paraqitet në publik me disa flamuj pas tij?! Në rastin konkret, ushtrimi shumëvjeçar i këtij posti nga ana e tij, me çka ka pasur rast me qindra herë të takohet dhe bisedojë me diplomatë të huaj, tregon mosnjohje të plotë të përgjegjësisë së diplomacisë. Është kjo dëshmi tipike për një mendje staliniste/komuniste. Dhe, sa për informatë, t’ju tregoj se ky kryetar i BFI nuk ec kurrë duarthatë, ai me vete mban gjithmonë armë me leje. Madje edhe derisa isha dekan i Fakultetit të Shkencave Islame e luta të mos vinte në ligjërata me pistoletë. E dihet mirëfilli edhe lidhja e tij pikërisht me grupe të tilla “mjekroshësh” dhe të tjera radikale, kur mundohej që me çdo kusht të ulej sërish në këtë kolltuk ku gjendet sot. Ndërsa, të gjithë e dinë se sikur të mos ishte kryetar i BFI, ai nuk do të ishte gjë, ama hiçgjë, ngase nuk njihet për asgjë tjetër në mesin e muslimanëve tek ne dhe më gjerë. Ah, po, njihet shumë mirë si gjuetar.
Pyetje: Përse vjen deri te kjo (mendoj në thirrjen për ndihmë nga jashtë?
Dihet me vite të tëra, ose, siç thuhet, është “sekret publik”, se ky institucion, për fat të keq, i ka shërbyer me të madhe sistemit dhe tërë forcën e vet e ka mbështetur mbi atë se kush është i lidhur më shumë me sistemin. Por, me sa duket, fati i Maqedonisë në ish-sistemin ka qenë të jetohet me asgjë tjetër, pos me “spiunim”. Prandaj edhe fotografia jonë gjithandej është e mjerë. Mirëpo, në vend se të ndërpritet me këtë “traditë” të mjerë, dhe të fillohet me diçka të “re”, të bukur, të përgjegjshme, fetare, vazhdohet dhe, meqë si duket sot pushteti nuk mund të sillet siç sillej më parë, tani në mënyrë paradoksale kërkohet ndihmë nga jashtë me kuptimin e plotë të fjalës. Kjo deklaratë, apo thirrje, tashmë është dëshmi se në sistemin tonë nuk funksionon shteti juridik, respektivisht e vërteta. Është për t’u habitur, nuk e di nëse ju e hasni sot të vërtetën në jetë? E vërteta dhe drejtësia janë shtyllat e ekzistimit, pa to nuk mund të jetohet... Mundet vetëm të shtiremi se jetojmë. A nuk është për t’u habitur që “lustrimi” u pamundësua për bashkësitë fetare. Përse? A nuk u përzje sërish sistemi në BFI, por edhe në bashkësitë e tjera? Të çuditshëm jemi ne si popull, si duket harrojmë... Në këtë institucion, falënderimi i qoftë Zotit që i mban fshehtësitë për Vete dhe nuk na e zbulon fytyrën e vërtetë, kishte momente të atilla që me gojë plotë mund të quhen të mjera dhe të rrezikshme. Kryetari i mëparshëm i BFI u rrëmbye, u keqtrajtua fizikisht, nga njerëz shumë të afërt të tanishmin. Madje njëri prej tyre edhe publikisht, para mjeteve të informacionit, e zbuloi planin se si erdhi deri tek ajo që ky i sotmi të bëhet kryetar. Sistemi i drejtësisë nuk funksiononte. Është e vërtetë se bashkësia fetare nuk mund ta luajë rolin e ekzekutorit, por ky kryetar i BFI nuk u jep kurrfarë shpjegimesh gazetarëve. Nuk jeni vetëm ju si gazetare që më lajmëroheni për një deklaratë të shkurtër, ka më shumë të tillë. Shumicës u përgjigjem se nuk kam gjë për të thënë, për shkak se unë jam larguar nga ai institucion nga ana e këtij kryetari. Ndërsa gazetarët ankohen se askush nuk jep deklaratë prej atje në kohën e duhur.
Mund të parashtrohet pyetja se si qëndron puna me ekzistimin e fraksioneve, por kjo çështje nuk duhet izoluar nga procesi demokratik dhe pjella e “pluralizmit” dhe “lirisë” dhe është shumë fyese që çdo lëvizje e muslimanëve, duke filluar nga veshja e deri te vdekja është bërë temë për polemikë. Andaj, është vështirë disa herë që shumë pyetjeve t’u jepen përgjigje të arsyeshme. Është e vërtetë se ka fraksione, dhe për fat të keq fotografia nga xhamia Isa Beu është neveritëse, për shkak se tregon që feja, sinqeriteti i fesë, bukuria e fesë nuk është ajo, për të cilën flitet, ndonëse ai incident nuk mund të lidhet fare me (mos)ekzistimin e fraksioneve. Do të thotë, është ky një pasqyrim i brendisë së njeriut, të cilën Zoti e urren më së shumti. Është e vërtetë se të gjithë ne duhet ta dënojmë një gjë të tillë, dhe jo vetëm nga aspekti fetar. Kjo duhet sanksionuar përmes sistemit juridik, nëse ka një të tillë. Por vehabizmi, selefizmi, janë këta një lloj puritanësh dhe përmirësuesish të amshuar të botës, të cilëve Islami tradicional, “autentik”, assesi nuk u përshtatet me optikën e tyre, disi sikur as i Dërguari i Islamit nuk është mjaft i mirë për ta, si fisnik i vërtetë mekkas, por nga ai bëjnë një karikaturë, si bari i parregullt me mjekër dhe ndjekës i thjeshtë devesh. E shihni se ngandonjëherë këtu flitet se ata janë kundër Islamit tradicional tek ne, e nga ana tjetër institucioni fetar nuk shpjegon se ç’është ai Islam tradicional.
Pyetje: Qëkur dhe përse ka krizë në BFI?
Siç përmenda tashmë, me vite ka krizë në këtë institucion. Mund të them lirisht se me vite në këtë institucion janë bërë projekte të ndryshme, por aspak fetare dhe kryekëput pa transparencë. Duke pasur parasysh se besimtarët muslimanë kanë qenë gjithmonë nën thjerrëz dhe izolim kulturor, atëherë ç’të themi më shumë. A duhet t’ju shpjegoj se gjatë monizmit “nuk” ka pasur hoxhë që nuk ka është thirrur në mënyra të ndryshme nga ministria e brendshme (dhe për fat të keq, ata që kanë qenë të ftuar kanë heshtur... dhe kështu vazhdon edhe sot)? Prandaj, vetëm nën këtë prizëm mund të shpjegohet e vërteta për këtë institucion. Të flitet për këtë arsyeshëm, me përgjegjësi dhe në mënyrë kulturore është shumë e vështirë, për shkak se nuk mund të gjendet hapësirë për këto çështje qenësore në të. Aty garohet kush është më i afërt dhe më i fortë me sistemin e punëve të brendshme. Dhe kjo ka pasur ndikim të madh edhe mbi teologët e tjerë. Prandaj ne sot kemi një institucion të këtillë të brishtë, që në vend se t’i mbrojë dhe t’i udhëzojë rrugës së drejtë besimtarët, por edhe t’i kritikojë, ai spiunon përmes mjeteve të informimit. Prandaj, nuk është e vërtetë se vetëm 3-4 xhami nuk janë nën kontrollin e BFI... ka shumë xhami që nuk e respektojnë më këtë institucion, për shkak se ai nuk u ofron asgjë. Ai i mban teologët si tifozë, nuk dua të them si banditë, por arroganca e dëshmon këtë. Është e mjerueshme që në xhamitë tona të ketë frikë nga grupet e këtilla arrogante, grupe qesharake, që sot quhen me këtë e nesër mbase me ndonjë emër tjetër.
Institucioni fetar është shumë i rëndësishëm dhe do të mbetet i tillë. Kështu, siç është duke punuar ky institucion sot, për fat të keq vetëm do ta ngarkojë ekzistimin e vet për gjeneratat e ardhshme, që të mos kenë mundësi të kyçen sa më shpejt në proceset e ndryshme fetare e kulturore. Bashkësia fetare e mirëfilltë, mendja teologjike flet për çdo ditë siç flet natyra, për zhvillimin dhe bukurinë plot kulturë dhe dashuri brenda shoqërisë. Ajo u përgjigjet pyetjeve jetike të besimtarëve, siç janë ruajtja e Fjalës së Zotit, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe kultura e komunikimit me Fjalën e Zotit. Ajo ka nevojë të merret me çështjet e bashkëjetesës, dialogut brenda-fetar dhe ndër-fetar, ka përgjegjësi të merret dhe t’i shpjegojë zhvillimet negative, të cilat sot i bën politika. Ajo ua tërheq vërejtjen politikave për sakatimin që ia bën shoqërinë brenda varfërisë dhe amoralitetit dhe e kritikon atë për “lirinë” që në vete nuk ka asgjë tjetër, pos lirisë. Liri e çuditshme. Ajo është përgjegjëse për mbrojtjen e së vërtetës.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull