Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Rezoluta famoze 1244

Autor: Faik Miftari E hėne 13 Shkurt 2012 14:20 PM

 

Gjatë këtyre ditëve të dimrit me acar dhe borë të madh si në Kosovë ashtu edhe anekënd Evropës, që si e tillë na e përkujton dimrin e vitit 1985, janë aktuale përpjekjet diplomatike në relacionin Beograd-Prishtinë lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje të dyanshme për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Edhe pse po afrohet data e 1 marsit 2012 kur Bashkësia Evropiane duhet të vendos që a të jepet apo jo statusi i kandidatit anëtarë të Serbisë për Bashkimin Evropian, gjithnjë e më tepër është në rritje tensioni politik në relacionin Bruksel-Beograd-Prishtinë. Prej katër kushteve të parapara nga takimi i mëparshëm i dhjetorit 2011 i Bashkësisë Evropiane, tani insistohet vetëm në plotësimin e një kushti për Serbinë, kurse të tjerat janë harruar apo neglizhuar me apo pa dashje. Kushti i vetëm është arritje e një të vetmeje marrëveshjeje në relacion Beograd-Prishtinë për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale. Edhe pse në vend se do të duhej të bëhej trusni të drejtpërdrejtë mbi Beogradin, i cili duhet të tregoj mirëkuptim dhe kompromis politik, pasi që është në pyetje Serbia e cila do të përfitojë, të marrjes së statusit të kandidatit anëtar të BE-së, nga faktori politik i BE-së vendimmarrës, i përfaqësuar nëpërmjet Robert Cooperit, si ndërmjetësues apo lehtësues i bisedimeve, po bëhet trusni e madhe mbi Kosovën që të pranojë kushtet e diktuara nga Beogradi, kinse është në pyetje Kosova dhe përfitimi i saj, statusit kandidatit anëtar të BE-së, e sipas kësaj logjike jo racionale dhe jo politike, duhet bërë kurban Kosovën për hatër të Serbisë, që më në fund Serbia të merr statusin e kandidatit anëtar të BE-së, po qoftë kjo edhe prej diplomacisë ndërkombëtare është non sens i llojit të vet. Edhe pse Kosova ka pranuar që në takime rajonale të prezantohet pa fjalën republikë dhe me fusnotën” nuk paragjykohet qëndrimi i shteteve karshi statusit të Kosovës”, prapëseprapë kjo nuk është e mjaftueshme dhe tani bëhet trusni që të figurojë edhe rezoluta 1244. Nuk e di se në bisedimet bilaterale Beograd-Prishtinë, që janë nën udhëheqjen e Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviçit, e me ndërmjetësim të Robert Cooperit, si mund të arrihet një marrëveshje e pajtueshme dyanëshe, kur Robert Cooper merr krahun e Serbisë dhe deklaron” marrëveshjet për bashkëpunim rajonal si dhe të gjitha marrëveshjet tjera duhet të respektojnë Kushtetutën e Serbisë”. E dihet se kushtetuta e Serbisë e përshkruan Kosovën si pjesë e saj si dhe Rezoluta 1244 e përshkruan Kosovën si pjesë e ish RJF-së( tani Serbisë).

E kur merret parasysh edhe deklarata e Borisllav Stefanoviçit dhënë të përditshme serbe me renome “Politika”, i cili në mes tjerash thotë:” Pala serbe ka hyrë me mençuri dhe esëll në këtë proces, duke ruajtur interesin kombëtar dhe Rezolutën 1244 dhe se aktivitetet ndërkombëtare tani janë të përqendruara në Prishtinë”. Pas kësaj nuk ka nevojë fare për të përdorur syzat me dioptri për të lexuar më tutje, pasi që është krejtësisht e qartë. E tani është topi në anën e Kosovës, dhe poqese Kosova tani nënshtrohet, atëherë vaj halli për neve më tutje se çfarë na pret hap mbas hapi. Ndërsa tri kushte tjera që janë dhënë nga Bashkësia Evropiane në dhjetor të vitit të kaluar, për t’i plotësuar për marrjen e statusit kandidat anëtar të Serbisë për BE, tani anashkalohen, e që ishin: shpërndarja e strukturave policore dhe të sigurisë në veri të Kosovës, largimi i barrikadave dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialog, jo që asnjëra prej këtyre nuk është plotësuar, por është qesharake dhe joserioze për vet politikën e Bashkësisë Evropiane, riformulimi i tyre ndaj Serbisë në këtë mënyre:” të përmenden deklaratat politike të autoriteteve të Beogradit kundër referendumit në veri të Kosovës, thirrjet për heqjen e barrikadave dhe gatishmëria për të përmbushur marrëveshjet e arritura në dialog”. Po qoftë kjo edhe prej Bashkësisë Evropiane e tepërt është.

Krejt kjo e ka burimin apo zanafillën në Rezolutën 1244 të aprovuar në Këshillin e Sigurimit të organizatës së Kombeve të Bashkuara me 10 qershor 1999, dhe si i tillë është legale dhe valide, si dhe ka karakter juridik obligues për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, ndërsa të gjitha vendimet tjera, sikurse vendimi i GJND-së, janë këshidhënëse, dhe jo të obligueshme për shtetet anëtare të OKB-së. Si sot më kujtohet para plot 10 vitesh, bashkëbiseda me shokun dhe kolegun Idriz Vuçitërna, gjatë vitit 2001, i cili ndërkohë ndërroi jetë tragjikisht në vitin 2004, shpirti i tij rahmet i pastë, dhe se për nder të tij gjatë vitit 2011 iu botua libri post mortum, me përmbledhje punimesh me titull” Aspekte fetare dhe kulturore” i cili ia vlen të lexohet nga opinioni publik. Në njërën prej bashkëbisedimeve të shumta dhe të rregullta që kishim, i cili me të vërtet ishte njeri i matur, largpamës dhe me një njohuri politike pragmatike , dhe i cili si i tillë ishte me të vërtet një futurolog politik, të cilët Kosovës i mungojnë për momentin futurologët politik, pasi që politika shtetërore dhe diplomatike e Kosovës sajohet më shumë “ad hock” aty për aty, pa ndonjë plan dhe strategji të duhur afatshkurtër apo afatgjatë, më ka porositë:” Shok dhe mik i dashur, mbaje këtë që të them në mend mirë, unë ndoshta nuk do të përjetojë pavarësinë e Kosovës, por ti me siguri po, pasi që je më i ri se unë, se kjo Rezolutë 1244 ka për të na mbajtur peng për shumë kohë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në bashkërendim me faktorët politik vendimmarrës, por pa pëlqimin e Serbisë, dhe se ajo çdoherë do të thirret në Rezolutën 1244 si dokument juridik politik i aprovuar nga KS i OKB-së, i cili de jure e përcakton Kosovën si pjesë të ish RFJ-së(tani Serbisë), dhe se pa pëlqimin e saj, statusi i Kosovës do të jetë i varur në mes qiellit dhe tokës, pasi që pa pajtimin e Serbisë, Kosova nuk do të mund të pranohet në të gjitha institucionet dhe organizatat evropiane me ç’rast Greqia (nuk është vetëm ajo tani, por edhe Qiproja, Sllovakia, Spanja dhe Rumania, plotësim), nuk do të lejojë dhe do të bllokojë të gjitha iniciativat e tillë, ashtu edhe në KS të OKB-së do të jetë gjithherë Rusia e cila do të bllokojë çdo iniciativë lidhur me Kosovë, dhe asesi nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në OKB pa pëlqimin e Serbisë, pasi që ajo do të vejë veto çdoherë në ndonjë rezolutë eventuale lidhur me Kosovën pa pajtimin e Serbisë. Statusi i Kosovës do të jetë sikurse i Tajvanit dhe Palestinës, me ç’rast shumë vështirë do të jetë, bile as teoretikisht nuk do të ketë gjasa që Kosova të anëtarësohet nëpërmjet Asamblesë të OKB-së , për të cilin duhet votimi i 2/3 anëtarëve të OKB-së(129 shtete anëtare), pasi që pa rekomandimin e KS të OKB-së është vështirë të arrihej( përpjekja e Palestinës gjatë vitit 2011 për anëtarësim nëpërmjet 2/3 e votave, dështoi, plotësim), edhe po të arrihej, nuk është anëtarësim i plotë.” Në insistimin tim, po si u arrit që të zgjidhej shpejt dhe nëpërmjet KS të OKB-ës rasti i Timorit Lindor që ishte aktual gjatë vitit 2001, ai ceku :” Është dallim i madh në mes Timorit Lindor dhe Kosovës. Pasi që në rastin e Timorit Lindor , referendumi apo plebishiti i popullit të Timorit Lindor është bërë me rekomandimin e KS të OKB-së dhe pajtimin e Indonezisë, ndërsa në rastin e popullit të Kosovës, po edhe po të doje të organizojë referendumin, plebishitin, nuk do të kishte legjimitet ndërkombëtar, pasi që nuk do të arrijë të sigurojë rekomandimin e KS të OKB-së(vetoja ruse) dhe asesi pajtimin e Serbisë për një gjë të tillë, ndërsa populli i Kosovës sa herë që do mund të organizojë referendum për pavarësinë e saj, por pa kurrfarë efekti juridik dhe legjimitet të pranuar ndërkombëtar, sikurse që ishte referendumi i mbajtur gjatë vitit 1991, në Kosovë, por pa pajtim dhe rekomandim të Badinterit, i cili një gjë të tillë iu rekomandua dhe mundësua vetëm republikave të atëhershme të ish Jugosllavisë”. Në pyetjen time por si do të jetë atëherë zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovë, morra një përgjigje me një ton të matur, dhe të qetë:” Po, një ditë edhe Serbia do të pajtohet që të pranojë pavarësinë e Kosovës, për shkak të trusnisë së madhe ndërkombëtare dhe anëtarësimit të saj në Bashkësinë Evropiane, pasi që nëse nuk do të arrijë që të ndajë de jure Kosovën, atëherë do të kënaqet me ndarjen e brendshme territoriale të Kosovës, të veriut të saj, i cili de jure do të jetë pjesë e Kosovës, por de fakto nën kontroll të zgjeruar të Serbisë, ashtu sikurse që është Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, de jure është në BeH por de fakto nën kontroll të zgjeruar të Serbisë, pasi që Sarajeva nuk ka kurrfarë kompetenca apo kompetenca minimale në pjesën e saj serbe të Republika Sërpskës”.

Pas plot 10 vitesh, tani kjo “profeci” apo më mirë kisha thënë parashikim politik (futurologji politike) të ish shokut dhe kolegut tim, tani të ndjerë, Idriz Vuçitërnës, po realizohet dita më ditë, hap pas hapi edhe praktikisht në Kosovë.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 1 here
  • Ahmeti-Zürich E marte 14 Shkurt 2012 9:32

    Deytoni ne Bosne,e ndali gjenocidin-ēfarosjen masive te muslimaneve ne BeH,por e ndau ate ne 3,krahina e 7,kantone,duke i shperbly serbet per masakrat te pa para,as ne kohete fashizmit.Edhe Rezoluta 1244,pati te njejtin efekt,por,kjo nuk ju sherben si mesim:qe nuk duhej me hy ne kurfar bisedime me Serbi,se eshte si me trokit ne dere te shurdhit,pasi qe asnje marreveshje ata,kurre nuk e kane respektuar.Paqa e vertet nuk do te arrihet me nderprerjen e tensioneve,por me prani te drejtsisMirepo udheheqja e jone pa krye,edhepse e keshilluar,u rras ne to verbrisht.KERKUSH NUK MIND TE HYPI NE QAFE,NESE TI VETE NUK DO TE PERULESH.Se ēfare leverdie ka paturdikushi-ai ose ata,nga keto bisedime,herdokur do te mirret vesh,se:Poshtersine esht lehte me u hetuar,por eshte shume zor me e heq prej qahes

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve