Përkufizimi i termeve
IDENTITETI: Po qe se do të donim që më thjesht dhe më kuptueshëm ta përkufizojmë domethënien e nocionit “identitet”, do të thonim: Identiteti nënkupton përgjigjen në pyetjen:Kush jam unë? Ose: Kush jemi ne, nëse është në pyetje identiteti kolektiv i një bashkësie.
Identitetet në parim janë konstruksione sociokulturore dhe sociopsikologjike. Çdo etnikum posedon një tërësi të kufizuar, më të madhe apo më të vogël, të karakteristikave etnike, religjioze dhe kulturore. Këto karakteristika së bashku e përbëjnë atë që e quajmë identitet. Sipas këtij identiteti, pjestarët e një etniciteti, si dhe vetë ai, dallohen prej bashkësive tjera etnike.
Në fjalorin e gjuhës shqipe, identiteti është definuar si vijon: . Të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai. Identiteti i njeriut (i personit). Dokument (letër, kartë) identiteti dokument, ku janë shënuar tiparet dalluese të një njeriu dhe që shërben për të vërtetuar se është ai vetë.
XHAMIA: Pa mos u futur në analiza gjuhësore të prejardhjes së fjalës xhami dhe dallimit të xhamisë e mesxhidit në gjuhën arabe, do të themi se xhamitë janë faltore ku muslimanët i kryejnë namazet dhe aktivitetet tjera fetare. Në këtë punim, me nocionin xhami nënkuptohen faltoret si dhe qendrat islame në perëndim, pa marrë parasyshë se a quhen qendra, bashkësi, komunitete, shoqata etj.
HYRJE
Xhamia është faktori më me ndikim në formësimin dhe mbrojtjen e identitetit të komunitetit musliman gjatë gjithë historisë, thënë ndryshe, xhamia është foleja ku ka kërkuar strehim dhe mbrojtje komuniteti musliman sa herë që është rrezikuar seriozisht nga shtërngatat e kohës të cilat kanë synuar luhatjen apo shkuljen prej rrënje të trungut të komunitetit musliman.
Shiquar hostorikisht, gjegjësisht në gjeneratën e parë të umetit të Muhamedit s.a.v.s., xhamia ka qenë institucioni më kyç që i ka dhënë fizionominë e duhur shoqërisë dhe shtetit islam në Medine. Me ardhjen e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe muslimanëve në Medine, pikërisht në xhami u formësua identiteti i shtetit dhe bashkësisë islame në Medine. Në xhami u përpilua kushtetuta e parë e shtetit islam e cila bëri integrimin e të gjitha bashkësive fetare dhe etnike në shtetin e rij, pa bërë diskriminim në baza fetare apo nacionale, në fakt vlerësoj se konceptin e shtetit qytetar në baza islame ku shtyllë e tij është qytetari, e promovoi pikërisht i dërguari i Allahut s.a.v.s. në Kartën e Medines-Esahife. Po ashtu, në këtë Kartë, për dallim prej rregullimit të atëhershëm perandorak, u promovua sistemi i asaj që në anglishte quhet “nation”(nejshën) ngase në nenet e kësaj Karte qartë qëndronte se bashkësitë etnike ekzistuese në Medine së bashku përbënin një umet gjegjësisht “nation”, e që sot pa marrë parasyshë se një bashkësi cilit etnicitet t’i takojë, bashkë me tjerët përbën një “nation” apo komb. Po ashtu, kjo Kartë së pari në histori i promovoi të drejtat fetare.
Xhamia ka qenë vendi ku janë marrë vendimet më të rëndësishme të bashkësisë muslimane të udhëhequr nga i dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. Me nji fjalë, xhamia ka patur rol të shumëfishtë, apo thënë ndryshe xhmia ka qenë institucioni më i lartë ku është bërë formësimi i identitetit politik, kulturor, ideor dhe etik i bashkësisë muslimane.
Më vonë, gjatë historisë, xhamia vazhdoi të ketë funksion thelbësor në ndërtimin e identitetit të bashkësisë muslimane. Kështu, pa mos u zgjeruar në të gjitha periudhat kohore dhe në të gjitha bashkësitë e vendet, do të themi se xhamia ka patur funksion të pakontestueshëm në formësimin dhe mbrojtjen e identitetit intelektual dhe kulturor të bashkësisë muslimane. Në lindje, intelektualizmi në bashkësinë muslimane u kultivua pikërisht në xhami, ngase Universiteti ma i vjetër në botë, Universiteti i Az’harit në Kajro, fillet i ka mu në xhami, gjegjësisht xhamia ka luajtur rolin e universitetit. Edhe në perëndim, gjegjësisht në Spanjë kur muslimanët reflektonin dritë nga atje për të gjithë botën dhe veçanarisht për kontinentin e Evropës, formësimi intelektual dhe kulturor e ideor i brezave të bashkësisë muslimane, u bë në xhami. Besoj se kjo që thamë, edhe pse shumë shkurtë, mjafton të jetë një uvertyrë në trajtimin e matutjeshëm të rolit të xhamisë në mbrojtjen e identitetit tonë.
Kur është në pyetje komuniteti musliman shqiptar, trajtimin e rolit të xhamisë në mbrojtjen e identitetit do ta shkoqisim duke u bazuar në ndarjen vijuese:
1-Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në periudhën moniste;
2-Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në periudhën e tranzicionit. Këtë pikë, do ta ndajmë në dy nënpika tjera:
A) Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në vendin e origjinës;
B) Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në diasporë. Këtu duhet nënvizuar një vërejtje me rëndësi:Vendlindja dhe diaspora janë një ndarje sipas brezit të parë dhe kryesisht edhe brezit të dytë, ndërkaq kur është në pyetje brezi i tretë, kjo çështje dallon, ngase diaspora është vendlindja e brezit të tretë dhe brezave tjerë vijues.
1-Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në periudhën moniste:
Periudha moniste, e cila njihet si një nga periudhat më të zymta në historinë e popullatës muslimane dhe shqiptare, ka gjetur në xhamitë armikun dhe rezistuesin më të fortë të realizimit të synimeve të materializmit dialektik, ideologjisë marksiste dhe darvinizmit që përmes teorisë së llojeve mbështetej nga sistemi monist në mposhtjen e elementit islamo-shqiptar në Ballkan.
-Bazuar në definicionin e identitetit, gjuha është një nga elementet e identitetit, e mu ky element ka gjetur strehë në xhami në periudhën e egër moniste. Me fjalë tjera, pushteti monist u mundua që popullatës shqiptare t’ia bastardojë gjuhën duke i futur toponimet sllave në librat shkollore dhe në mediumet elektronike dhe të shkruara. Institucion me rëndësi që i rezistoi me vendosmëri kësaj fushate ka qenë edhe xhamia, ngase ligjëratat e hoxhallarëve të nderuar në xhami kanë qenë larg ndikimit nga kjo fushatë. Përmes ligjëratave të njohura si derse dhe hutbe, në xhami u kultivua dhe u mbrojt gjuha nga ndikimet e barbarizmave sllave.
-Pushteti monist, për të bërë shtrrydhjen e resurseve natyrore të shqiptarëve dhe muslimanëve në përgjithësi si dhe për të bërë zhveshjen e tyre të plotë nga identiteti i vet, e promovoi politikën e bashkim-vëllazërimit dhe bashkëjetesës. Në emër të kësaj politike, prej muslimanit dhe shqiptarit kërkohej që të bëhej armik i njeriut të vet, vëllaut të vet në fe dhe komb për ta mbrojtur kauzën sllave dhe komuniste. Në emër të kësaj politike, u ndërtua Beogradi me pasurinë e Trepçës dhe zunë pozita udhëheqëse serbët në kurriz të shqiptarëve, ndërkaq shqiptarët nuk patën asgjë nga bashkim-vëllazërimi pos burgjeve, mundimeve, maltretimeve, vënies së tatimeve të mëdha, privimit nga të drejtat themelore, etj. Në këtë drejtim, xhamitë kanë patur rol kyç në mbrojtjen e identitetit fetar dhe kombëtar të popullatës tonë. Kjo nuk do shumë për t’u kuptuar, ngase edhe sot e kësaj dite, gjeneratat më të vjetra, besoj se ende i mbajnë mend fjalët e hoxhallarëve të nderuar se muslimani nuk bën t’i përngjajë atij të fesë tjetër. Po ashtu, kanë qenë shumë të kujdesshëm në potencimin e hakut të jomuslimanit, e qëllimi ka qenë që muslimani të distancohet me çdo kusht nga politika e bashkim-vëllazërimit me sllavët, e që ka patur për qëllim shkrirjen e muslimanit në një strukturë pa bazë dhe origjinë autoktone. Ndoshta sot, qëndrimet e tyre mund të na duken mjaft të ashpra në drejtim të theksimit të domosdoshmërisë së dallimit nga tjerët dhe mospërgjasimit me tjerët , por për kohën dhe rrethanat, këto qëndrime kanë qenë të justifikueshme, ngase kanë qenë forma më efikase e distancimit nga politika asimiluese sllavo-komuniste. Normalisht, marrë parasyshë strukturën arsimore të masës së cilës ata i janë drejtuar, nuk kanë mundur të bëjnë elaborime të thella të dimenzionit sociologjik dhe antropologjik të fenomenit të asimilimit, por tërë këtë e kanë shprehur shkurt dhe qartë, mjaft kuptueshëm për masën e nivelit të tillë me hadithin e të dërguarit të Allahut:”Kush i përgjason një populli, ai është si ata”.
-Sistemi monist, përmes teorive të pavërtetuara shkencëtarisht, tentoi të bëjë shpërlarjen e trurit të muslimanëve dhe të formësojë një personalitet pa besim dhe identitet fetar. Këtu do të përmendim sa për ilustrim ateizmin dhe teorinë e darvinit për prejardhjen e njeriut. Edhe kësaj fushate të monizmit për ç’fetarizimin e besimtarit, apo ndrrimin e identitetit të tij ideor dhe kulturor, iu kundërvu xhamia përmes dy formave:1) Ligjëratave të xhumasë që iu referoheshin drejtpërdrejt mohimit të këtyre teorive; 2) Mektebeve ku bëhej kultivimi i vlerave fetare dhe ndërtimi i drejtë ideor i brezave të rinj, gjegjësisht edukoheshin fëmijët në frymën e besimit dhe të vërtetave fetare që ishin kompatibile edhe me shkencën e vërtetë. Nisur nga ky rol i rëndësishëm i xhamive dhe mektebe në mbrojtjen e identitetit të popullatës dhe mbrojtjen e tyre nga shpërlarja e trurit, sistemi monist ishte shumë i ashpër ndaj mektebeve dhe ndjekjes së mësimit fetar. Nisur nga kjo, hoxhallarët dhe mualimët-mësuesit fetar vazhdimisht kanë qenë të ndejkur dhe të shtypur nga pushteti, e po ashtu edhe nxënësit që kanë ndjekur mësimin fetar dhe prindërit e tyre, kanë qenë cak i sulmit të pushtetit.
-Pushteti komunist, u mundua të bëjë zhdukjen e identitetit fetar dhe kombëtar të popullatës tonë, edhe përmes martesave të përziera. Është e njohur se një pjesë e madhe e politikanëve të lindur në familje muslimane dhe shqiptare, kanë qenë të martuar me femra të feve dhe nacionaliteteve tjera, veçanarisht serbe. Kjo ka qenë e nxitur me të madhe nga ana e pushtetit për të arritur dy qëllime të rëndësishme:1-Futjen nën kontroll të plotë të këtyre funksionerëve muslimanë apo shqiptarë, të cilët edhe pse janë deklaruar komunist, përsëri kanë patur një pikëpyetje të madhe nga ana e pushtetit sllavo-komunist; 2-Shkrirjen e identitetit fetar dhe kombëtar të personave përkatës dhe të pasardhësve të tyre, si dhe shndërrimin e tyre në luftëtarë besnik të kauzës sllave dhe komuniste. S’do mend se xhamia në këtë drejtim ka luajtur rol të rëndësishëm, gjegjësisht mund të thuhet me plot të drejtë se xhamia ka qenë institucioni i vetëm ku është kundërshtuar martesa e muslimanit me ateiste (a) dhe komuniste (a). Nisur nga kjo, pushteti ka qenë shumë i ashpër ndaj xhamive dhe hoxhallarëve, si dhe veprimtarinë e tyre e ka cilësuar primitive dhe të prapambetur, me qëllim që të formojë hendeqe mes tyre dhe klasës intelektuale dhe brezave të rinj në veçanti.
2-Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në periudhën e tranzicionit. Këtë pikë, do ta ndajmë në dy nënpika tjera:
A) Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në vendin e origjinës: Periudha e tranzicionit solli sfida të reja për popullatën muslimane në nënqiellin ballkanik. Periudha moniste akoma nuk u eliminua në tërësi, por vetëm u ndrruan ngjyrat nga e kuqja në të kaltërt, por disponimi antishqiptar dhe antiislam vazhdoi të jetë tipar dallues i pushteteve, që në fakt ishin vazhdimësi e pushtetit paraprak. Edhe në këtë periudhë kohore, identiteti ynë u gjind para sfidave të shumta, e po ashtu edhe xhamia pati rol vendimtar në mbrojtjen e identitetit tonë, por ne me këtë rast do ta theksojmë rolin e xhamisë në mbrojtjen e identitetit kulturor, intelektual dhe solidar të popullatës tonë.
Periudha e tranzicionit në Ballkan e gjeti popullatën shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni të privuar nga arsimi në gjuhën e vet. Pushteti diktatorial millosheviçian bëri agresion të pa parë intelektual në Universitetin e Prishtinës duke ia ndrruar emrin në Universiteti i Shën Savës dhe duke e shkarkuar administratën e Universitetit dhe intervenuar në formën ma brutale në planprogramet mësimore. Kjo shkaktoi bojkotimin e mësimit nga studentët dhe profesorët shqiptarë dhe kalimin e tyre në hapësira jashtë universitetit të cilat ishin pushtuar nga serbo-sllavët. Në këtë drejtim, xhamitë e dhanë provimin e tyre në mbështetjen e arsimit shqip. Shumë xhami, mektebe dhe medrese, u shndërruan në hapësira universitare ku studentët zhvillonin mësim, krahas hapësirave tjera që u destinuan për këtë qëllim.
Rast i njejtë ndodhi edhe me Universitetin e Tetovës i cili u luftua nga organet shtetërore sllavo-maqedone, bile për ta mbrojtur këtë universitet të shqiptarëve në Maqedoni, u ekzekutua një i ri tetovar nga forcat e përziera policore sllave maqedono-serbe. Hapësirat e institucioneve fetare i hapën dyert për mësonjtoret dhe studentët e UT. Pra, xhamitë kanë patur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kulturor dhe intelektual të popullatës tonë.
Xhamitë dhe institucionet fetare, u treguan edhe me rastin e krizës së shqiptarëve të dëbuar me fuqi nga shtëpitë e veta në Kosovë nga ana e agresorit Serb në vitin 1998. Xhamitë u shndërruan në qendra të para pranimi, koordinimi dhe strehimi të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova me fuqi nga pushteti serbo-sllav. Krahas aspektit teknik, xhamitë kanë qenë vatra të vërteta frymëzimi për solidaritet të domosdoshëm me vëllezërit e dëbuar nga Kosova, ngase nga minberet dhe kursitë e xhamive pa ndalë është bërë thirrje për hapjen e dyerëve të shtëpive për vëllezërit nga Kosova. Popullata jonë e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm këtë provim, dhe me solidaritetin e vet e mahniti gjithë botën.
B) Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në diasporë: Themelimi i xhamive në diasporë, ka qenë një nga hapat më të qëlluara të popullatës tonë për ta mbrojtur identitetin dhe për t’i kultivuar vlerat fetare dhe kombëtare te brezat e rinj. Xhamitë në diasporë kanë qenë institucionet më të rëndësishme të frymëzimit të popullatës muslimane si dhe bartëse kryesore të aktiviteteve madhore që kanë qenë në funksion të kauzës tonë fetare dhe kombëtare si dhe që kanë synuar ta mbrojnë indin fetar dhe kombëtar të popullatës tonë.
Në këtë drejtim, sa për ilustrim do të përmendim elementet vijuese:
mektebet- apo në gjuhën shqipe mësonjtoret, të cilat kanë funksionuar që nga themelimi i xhamive. Roli i këtyre mektebeve ka qenë madhor dhe fisnik. Në to është zhvilluar mësimi fetar ku fëmijët tanë kanë marrur edukatë fetare dhe i kanë mësuar vlerat morale, gjegjësisht funksioni i tyre është formimi i individit dhe familjes së shëndoshë muslimane, e që është garancë edhe për mirëqenien e përgjithshme shoqërore. Mektebet, krahas mësimit fetar dhe vlerave morale, kanë kontribuar edhe në kultivimin e një elementi shumë të rëndësishëm të identitetit tonë, gjuhës shqipe, ngase ligjërimi në këto mektebe është bërë ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Bile, në disa vende në diasporë, në mektebe janë zhvilluar orë të veçanta për gjuhën dhe për historinë kombëtare shqiptare;
mbështetja e arsimit- xhamitë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fortesat më të fortifikuara të mbështetjes së arsimit shqiptar në vendlindje, gjegjësisht në trojet shqiptare që kanë qenë brenda kufijve të ish RSFJ. Me pezullimin e institucioneve arsimore të Kosovës nga ana e pushtetit të dhunshëm serb, menjëherë u bë organizimi i popullatës shqiptare për mbështetjne e arsimit shqiptar në Kosovë, e xhamitë këtu kanë hise të madhe të kontributit të mundësimit të vazhdimësisë së procesit arsimor të të gjitha niveleve në Kosovë. Po ashtu, iniciativat e mbështetjes së arsimit shqiptar në Maqedoni, konkretisht mbështetja financiare e Universitetit të Tetovës, gjetën përkrahje pikërisht nga xhamitë. Xhmaitë kanë qenë vendet që u kanë hapur mundësi krerëve të arsimit shqiptar të senzibilizojnë masën dhe t’i shpalojnë para opinionit qëllimet e ngritjes së institucioneve arsimore. Kështu, profesorë universitarë, intelektualë bile edhe vetë rektorët e universiteteve kanë komunikuar me masën përmes xhamive;
senzibilizimi i popullatës për luftën e drejtë të shqiptarëve: si në luftën e Kosovës, po ashtu edhe në konfliktin e 2001 në Maqedoni, xhamitë kanë qenë vatrat e vërteta të senzibilizimit të popullatës për nevojën e mbështetjes morale dhe materiale të luftës së drejtë të popullit tonë për liri dhe barazi. Theks i veçantë duhet vënë në solidarizimin me të dëbuarit me dhunë nga vatrat e tyre nga ana e pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë. Xhamitë kanë qenë mbështetje e fortë e organizimit të përkrahjes materiale të të dëmtuarve nga terrori serb.
■Shënimi i datave të rëndësishme të historisë kombëtare dhe fetare: Xhamitë në diasporë kanë luajtur një rol të madh në vetëdijësimin e brezit të ri për datat e rëndësishme të historisë tonë fetare dhe kombëtare. Për sa i përket historisë fetare, besoj se nuk është risi një gjë e tillë, por ajo që do theksuar me këtë rast është shënimi i datave të rëndësishme të historisë kombëtare. Kështu, xhamitë në diasporën tejoqeanike qe një kohë të gjatë janë duke shënuar 28 nëntorin dhe ditën e alfabetit, e në kohën më të re edhe 17 Shkurtin, ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Këtë patëm rastin ta shohim edhe këtu në Zvicër nga ana e xhamisë së Shlirenit.
Roli i xhamisë në mbrojtjen e identitetit në kohën e Globalizimit:
Shekulli i njëzet kaloi në sajë të debateve të mëdha për ndikimin e globalizimit në riformulimin e identitetit nacional dhe rolit të tij në jetën e individit. Modernistët prognozuan se me zhvillimin e shoqërisë informative postindustriale, globalizimi do të arrijë t’i dominojë ndjenjat nacionale po pse jo edhe fetare. Kështu, Maks Veber në punimet e tij e ka minimizuar rëndësinë e bashkësive etnike si koncept analitik dhe ka vlerësuar se në të ardhmen, fenomenet si etniciteti dhe nacionalizmi, do të humbin në peshë dhe në fund do të zhduken prej analizave shkencore. Sipas Maks Veberit, procesi i zhdukjes së këtyre fenomeneve kushtëzohet me paraqitjen e forcave të reja shoqërore, parasëgjithash industrializimit, modernizimit dhe individualizimit (Thomas Hilan Eriksen, 2004:15).
Mirëpo, studies të ndryshëm pohojnë se Maks Veberi dhe bashkëmendimtarët e tij, nuk ia kanë qëlluar në vënien e diagnozës së saktë përkitazi me zhvillimin e fenomeneve në fjalë në kohën e globalizimit, ngase ndodhitë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, e kanë vërtetuar të kundërtën, gjegjësisht globalizimi nuk solli në tejkalimin e konceptit komb dhe fe dhe të identitetit nacional dhe fetar.
Ne këtu nuk kemi për qëllim të futemi në analiza dhe debate për çështjen në fjalë, ngase nuk janë lëndë trajtimi e kësaj kumtese, por ajo që na intereson është se megjithatë në qarqet shkencore dhe akademike është diskutuar ndikimi globalizimit në riformulimin e identitetit nacional dhe fetar të individëve dhe bashkësive. Vlerësimi i përgjithshëm është se globalizimi edhe pse nuk i ndryshoi tërësisht kufijtë e identitetit nacional dhe fetar, përsëri proceset globale ndikuan në ndryshime të pjesërishme të këtij identiteti.
Së këndejmi, edhe ne duhet trajtuar rolin e xhamisë në mbrojtjen e identitetit fetar dhe kombëtar në kohën e globalizimit, veçanarisht në perëndim, ngase fusha magnetike e tij këtu është më e fuqishme.
Elementi i parë që do të preket tek muslimanët e perëndimit, qofshin shqiptarët apo tjerët, është gjuha. Nisur nga kjo, xhamitë duhet vënë një strategji të qartë se si ta përballojnë sfidën e gjuhës te brezat e rinj. Marrë parasyshë ritmet dhe dinamikën e jetës në perëndim, mendoj se brenda nji kohe jo shumë të gjatë, një ligjëratë në xhamitë e shqiptarëve në Zvicër apo në vendet tjera, do të mbahet në gjermanisht. Kjo, ngase brezat e vjetër do të largohen e brezat e rinj do të kenë probleme serioze me kuptimin e gjuhës shqipe në ligjërim, ndoshta jo në të folurit e përditshëm që kërkon fond të kufizuar fjalësh. Këtë e vërej personalisht gjatë qëndrimit tim këtu në Zvicër.
Kjo kërkon që krahas orëve të mësimit të fesë, në xhami të organizohen edhe orë të mësimit të gjuhës, gjë që realizohet nga xhamitë e shqiptarëve në Amerikë.
Zhvillimi i shoqërisë informative dhe digjitalizimi i gjërave, kërkon që roli i xhamisë dhe imamit të rishikohen. Në të ardhmen, kontakti me xhaminë nuk do të jetë vetëm fizik, ngase kjo është e randuar këtu në perëndim gjatë ditëve të punës, por edhe vizuel përmes rrjetit të internetit. Edhe pse është e domosdoshme prezenca fizike, patjetër duhet të ecet në hap me kohën dhe mos të ngelet vetëm në format tradicionale të komunikimit të imamit me xhematin, por duhet kaluar edhe në format bashkëkohore të komunikimit, si:interneti, gazeta, cd, web faqet, sms etj. Shërbime të këtilla duhet ofruar edhe për rininë brenda hapësirës së xhamive. Në këtë kontekst, besoj se nuk është e arsyeshme që xhamia sot në perëndim mos e ketë web faqen e vet.
Organizimet e ndryshme, nuk duhet ngelur vetëm në formën tradicionale të ligjërimit nga ligjëruesi dhe dëgjimit nga publiku, por duhet pasuruar me mënyra tjera të komunukimit si:pyetjet, kuizet, debatet e hapura, grupet e punës etj, që të jenë ma atraktive dhe jo të lodhshme për masën.
Besoj se imamët tonë të nderuar i kanë parasyshë këto fakte dhe do të veprojnë konform kërkesave të kohës dhe realitetit të rij që mbretëron në sferën e davetit.
PROPOZIME:
Normalisht, çdo analizë duhet të dalë me propozime konkrete për lëndën e shkoqitur. Me këtë rast, unë do të paraqes para jush propozimet vijuese që kanë të bëjnë me funksionimin sa ma efikas të xhamive në kryerjen e misionit të tyre:
1- Funksionimi i trupit të përbashkët të xhamive shqiptare në Zvicër me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe analizimit më të detajuar të mundësive dhe sfidave të muslimanëve në Zvicër. Veprimi i çdo xhamie kokë në vete, apo i disa grupimeve të xhamive, nuk është dukuri e shëndetshme për punë efikase. Është e pa justifikueshme që në shekullin XXI mos të ketë një trup i përbashkët që i përfaqëson xhamitë e shqiptarëve në Zvicër. Ky problem duhet tejkaluar. Pa marrë parasyshë sa trupa janë formuar dhe çfarë emrash mbajnë, duhet të bëhet çmos që të ketë një trup përfaqësues të unifikuar. Besoj se përvoja e UE këtu mund të ndihmojë shumë në aspektin e mënyrës së udhëheqjes.
2- Riformulimi i formës dhe rregullave të zgjedhjes së këshillave të xhamive konform kërkesave të ligjeve në shtetin ekzistues dhe transparencës së është edhe parim fetar. Brezat e parë kanë bërë një punë madhështore që i kanë hapur xhamitë, Zoti i shpërbleftë, dhe kanë punuar pa u lodhur në mirëmbajtjen e tyre. Ata kanë merita që nuk mund t’u mohohen. Këtu nuk kam për qëllim ta hudhi mundin e tyre, por duhet të mendojmë për periudhën që na pret. Mendoj se imami dhe xhamia në përgjithësi mund të jetë më efikase në kryerjen e misionmit të saj, nëse ka një udhëheqësi të sinqertë dhe të njohur me rrjedhat e kohës. Kjo do të ndihmonte në bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet imamit dhe këshillit si dhe të këtyre dy me xhematin dhe rrethin ku veprojnë. Përgatitja e imamit, përbërja adekuate e këshillit dhe zgjedhjet transparente dhe me votë të lirë, e jo sipas formës tradicionale të “po”-së pa përgjegjësi me shkrim, janë elemente që do të rezultojnë me efekte pozitive në mbarëvajtjen e veprimtarisë së xhamisë. Besoj se nuk është e tepër të potencoj se nuk ka hije që në këtë kohë të komunikimit masiv, të zgjidhen njerëz që do ta udhëheqëin xhaminë e që nuk e kuptojnë një dokument që u vjen nga komuna apo që nuk e kuptojnë një shkrim që mund të botohet në një gazetë e që i referohet xhamisë së tyre. Tash jetojmë në rrethana tjera dhe duhet këto gjëra të rishiqohen.
3- Formimi i çerdheve të fëmijëve brenda xhamisë dhe qendrave për përkujdesje të fëmijëve. Kjo do të kontribuonte në lidhjen e njerëzve me xhaminë, edukimin e drejtë të brezave dhe punësimin e mundshëm të femrave. Sot këtu në Zvicër është problemi i ruajtjes së fëmijëve nëse të dy prindërit punojnë, e xhamia mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim, nëse nuk ka pengesa ligjore.
4- Organizimi i seminareve me ekspert fetar dhe të lëmive tjera për çështje bashkëkohore që i tangojnë muslimanët, e jo kufizimi vetëm në tribuna klasike për tema që xhemati të njejtat i dëgjon edhe nga vetë imami i tyre. Nuk e mohoj rolin edhe të tribunave, por nuk guxojnë të jenë e vetmja formë e aktivitetit të xhamive.
5- Komunikimi me palët tjera brenda këtu në Zvicër dhe mbajtja e lidhjeve me vendlindjen.
6- Formimi i kushteve për të rinjtë veçanarisht, si:sallat e sportit.
7- Ofrimi i shërbimeve sociale dhe psikologjike, krahas atyre fetare që janë bazike për xhamitë.
Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.comReklama 229 x 170.png)
Sali Shasivari
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)