Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Sami Frashėri – pėrkujtim dhe vėrejtje pėr tė gjithė

Autor: Avni Xhemajli E shtune 28 Gusht 2010 15:01 PM

 

Në kohën kur u bë publike enciklopedia maqedonase, opinioni publik shqiptar u shqetësua dhe u irritua shumë, pasi ajo brenda vetes përmban shpifje dhe të pavërteta ndaj shqiptarëve, duke i sulmuar në gjëra tejet të ndjeshme - si shembull në prejardhjen dhe në identitetin kombëtar.

Për çfarë arsye populli shqiptar nuk e ka ende enciklopedinë e vet kombëtare? Kush i ka penguar shqiptarët që një shekull prej së shteti jonë amë është bërë i mëvetësishëm, të mos e përpilojnë atë? Kush i ka penguar deri më tani që akademikët tonë apo akademitë shqiptare nuk janë bërë unike për ta hartuar atë? Por edhe, nëse shqiptarët nuk kanë qenë të denjë ta shkruajnë enciklopedinë e tyre deri më sot për t’u mbrojtur nga sulmet e popujve të tjerë, përse atëherë se paku nuk e përkthyen enciklopedinë e gatshme nga gjuha turke (e shkruar me alfabet arab) të Sami Bej Frashërit, Kamus Al-a’lam? –vepër kjo, të cilën Samiu me mund mjaft të madh na e dhuroi qysh prej më shumë se një shekulli, e që atij ia mori një të treten e kohës së krijimtarisë së tij të shtrenjtë, pra 10-11 vjet (1889-1898) derisa e përmbylli në 6 vëllime në një përbërje prej gjithsej 4830 faqesh; por që, si shpërblim, duke e shkruar në një gjuhë të madhe siç është turqishtja dhe në një metodologji moderne dhe duke i dhenë asaj karakter gjithëpërfshirës, Samiu u bë i njohur ndërkombëtarisht.

Po të ekzistonte në gjuhën shqipe Kamus Al-a’lam para se të botohej enciklopedia kontraverse maqedonase, maqedonasit do ta kishin shumë më të vështirë t’i atakonin shqiptarët aq rëndë, duke thënë se “shqiptarët janë ardhacak me prejardhje nga mali, të ardhur në shekullin e 16 nga pjesa veriore e Shqipërisë dhe të vendosur dhunshëm në Maqedoni, duke i dëbuar maqedonasit nga fshatrat e tyre!?!”1 Sepse Kamus Al-a’lam i përfshin të gjitha gjërat e rëndësishme historike të shqiptarëve dhe të paraardhësve tonë që kanë të bëjnë me kulturën, doket, traditën, zakonet, gjuhën, prejardhjen, identitetin tonë në përgjithësi dhe personalitetet e shquara shqiptare, që nuk mund t’i gjesh në ndonjë enciklopedi tjetër, siç i ka gdhendur mendja e mprehtë e Samiut.

Por fati i keq është se, përveç që populli shqiptar ende nuk e ka enciklopedinë e vet, institucionet tona nuk iu rreken që ta përkthejnë atë. Shtrohet pyetja, përse shqiptarët ende deri më sot nuk e bënë përkthimin e kësaj vepre madhështore? Si mund t’ia lejojmë vetes këtë luks? Apo mos vallë ky përkthim që nuk u bë ende, shkak për këtë është paragjykimi i akademive tona se Samiu këtë kryevepër nuk e ka shkruar në gjuhën shqipe por në gjuhën turke me alfabet arab, dhe se, përveç se i ka përfshirë figurat më të shquara të civilizimit perëndimor, në të i ka përmbledhur edhe personalitetet më eminente të kulturës dhe të qytetërimit islam të te gjitha kohërave?!

Nëse kjo del të jetë e vërteta e mospërkthimit të enciklopedisë Kamus Al-a’alam në gjuhën shqipe nga akademitë tona deri më tani, atëherë vërtet kjo është për keqardhjen më të madhe në historinë e trashëgimisë sonë kulturore, kombëtare e fetare, për të cilën akademikët tonë duhet të ndjehen shumë të turpëruar që nuk janë angazhuar të bëjnë përkthimin e saj deri më sot.

Prandaj në lidhje me enciklopedinë Kamus Al-a’alm akademikët tonë duhet ta dijë një gjë: Populli shqiptar nuk e ka luksin e heqjes dorë nga një vepër enciklopedike e kapitale si Kamus Al-a’alam, e cila i lidhë mes veti popujt, fetë monoteiste dhe qytetërimet, Lindjen dhe Perëndimin. Por duhet ta kuptojnë edhe një gjë tjetër dhe ta pranojnë atë; faktin që, si shqiptar, Sami Frashëri aq sa ka qenë i Lindjes, po aq ka qenë edhe i Perëndimit dhe anasjelltas.

Pikërisht kjo ngjan të ketë qenë fati dhe njëkohësisht fatkeqësia e Samiut. Por, duhet ta kuptojnë të gjithë se i tillë ka qenë intelekti universal, gjenialiteti, personaliteti shembullor i Sami Frashërit, që i përfshinte të tri botët e i bashkonte në një, duke nxjerrë prej të triave më të mirën për gjithë njerëzimin. Pra me një fjalë, urë lidhëse me plot kuptimin e fjalës mes popujve të ndryshëm dhe të qytetërimeve. Prandaj edhe nuk mund të mos mbetet pa u gjykuar mbajtja e shembur e kësaj ure për shekuj. Sepse, edhe në ngritjen e kësaj ure jemi tejet të vonuar dhe as për këtë gjë s'mund ta fajsojmë askë tjetër përveç vetes.

Mbase, e gjithë ajo që neve deri më tani na është ofruar prej enciklopedisë së tij historike gjeografike, është një pjesë shumë e vogël e përmbledhur në librin me titullin: “Personalitetet Shqiptare në Kamus Al-a’lam” të botuar nga Logos-A dhe të Vepra 7 e Sami Frashërit, botuar nga Rilindja, ku përshkruhen përgjithësisht Trojet Shqiptare. Mirëpo, me këtë puna nuk ka mbaruar.

Nga vepra madhore Kamus Al-a’alam ende mbeten edhe rreth 4500 faqe pa u përkthyer e pa u botuar në shqip. Prandaj, nevoja që kjo vepër (dhe veprat e tjera të papërkthyera të tij) të sillet e plotë në gjuhën shqipe, ngaqë sikundër e përmendem edhe më lart, ajo është shumëfish e nevojshme dhe e dobishme po aq.

Në gjithë këtë kontekst, nuk mbetet shtegdalje tjetër veçse ta quajmë Samiun dhe enciklopedinë e tij, njësoj siç e quan edhe profesor Dr. Milazim Krasniqi në poezinë e tij Meditim për Samiun: “...Dhe s’gjej kuadër që ta zërë/ Enciklopedinë e gjallë/ Që ndjehet ngushtë në dy shekuj/ Që me njërin sy e shikojnë”.

Ky shikim me njërin sy, dhe paragjykimet ndaj Samiut duhet të mbarojnë sa më shpejtë dhe të mblidhen kuadrot e duhura që ta sjellin veprën e tij të plotë në gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë ta ndreqin sa më parë urën mes popujve të ndryshëm, kulturave, feve dhe të qytetrimeve.

Kështu, kur lexon artikuj të llojit të Hamdi Thaqit, s’ka si të mos hiqet nga mendja se edhe neve po na shikojnë veç me njërin sy. Sigurisht, plotësisht me pa të drejtë.

 

vazhdon

-----------------------

1 Nga shkrimi “Tërmeti 8.5 shkallësh” në Maqedoni

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 1 here
  • miranda E hėne 31 Tetor 2011 18:31

    hahah sen nuk paska

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve