Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Shkollimi nė institucionet publike sot, rrugė drejt suksesit apo dekadencės

Autor: Adem Avdiu E hėne 27 Shtator 2010 11:32 AM

 

Zoti i Madhërishëm e krijoi njeriun duke e begatuar me intelekt, logjikë, me të folur dhe me cilësi të tjera të çmueshme, me të cilat e ka dalluar nga krijesat e tjera. Misioni i krijesës njeri në këtë jetë të përkohshme është që ta njohë Mbretin e krijimit duke e adhuruar sinqerisht, pa i shoqëruar asgjë në atë që i takon madhërisë së Tij si në krijim, në emrat e Tij të bukur, në atributet e Tij të përsosura dhe në adhurim. Adhurimin duhet ta realizojmë në pajtueshmëri me Traditen e Profetit Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nëse dëshirojmë që mundi ynë të jetë i pranuar te Krijuesi i dashur e i Gjithëmëshirshëm. Ky mision duhet implementuar me përkushtim të zjarrtë, i shoqëruar me dituri, dashuri e respekt, ngase kështu realizohet edhe qëllimi i ardhjes sonë në këtë botë. Ky mision është natyrshmëria e vertetë e mbarë njerëzimit nga zanafilla e deri në kataklizëm. Shoqëritë e ndryshme në mbarë rruzullin tani i janë larguar natyrshmërise së tyre sepse në formimin e kulturës dhe qytetërimit të tyre kanë ndikuar faktorët e huaj e të shumtë, skajshmërisht armiqësorë, që rrjedhin nga burimet e djallëzive të djallit të mallkuar. Me këtë adhurim Zoti i Lartësuar dhe pa të meta e obligoi gjithë njerëzimin pa dallim race, kombi e gjuhe. Ai në librin e Tij, Kur’anin e Shenjtë, iu drejtua shumë qartë njerëzimit, duke thënë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, I Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat) duke qenë të përkushtuar në mesazhin e Zotit e të devotshëm ndaj Tij.” El Bekare 21.

Dijetari dhe eksperti i rrallë i shkencave islame Ibën Tejmije, Zoti e mëshiroftë, kur e përkufizon adhurimin, thotë: “Adhurimi është term gjithëpërmbledhës i tërë asaj që Allahu do dhe është i kënaqur me të, prej fjalëve dhe veprave të brendshme dhe atyre të ekspozuara.” Pra, të gjitha sferat e jetës me të cilat njeriu rrugëton drejt vdekjes duhet të bazohen në mesazhin hyjnor nëse dëshirojmë suksesin madhështor në përjetësi, në të kundërten arrihet dëshpërimi, pikëllimi, mjerimi, dekadenca, paudhësia dhe dënimi në amshueshmëri. Zoti i Lartësuar thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Mesazhit Tim, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” Ta Ha 124.

Mesazhi hyjnor është religjioni islam i bazuar në shpalljen qiellore (Kur’an dhe Traditen Profetike-Sunnet) dhe metodologjia e vetme e cila e implementon drejt këtë mesazh është pasimi i rrugës së shoqëruesve të Profetit Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Shtegtimi në këtë botë i shoqëruar me këtë mesazh qiellor kërkon orientim shkencor dhe jo pasim të verbër e as fanatizëm të çoroditur, ngase Krijuesi i Plotfuqishëm zbritjen e librit të Tij e filloi me fjalët lexo dhe kjo sinjalizon se pasuesi i fesë islame formimin e tij edukativ e moral duhet ta ketë të ngritur me dije e shkencë, se përsonaliteti i tij islamik duhet të reflektojë kulturë dhe civilizim rrezatues larg injorancës e dekadencës. Personaliteti i ngritur mbi dije dhe standarde që shfaqin driten e shpalljes hyjnore ekspozon një program jete për të gjitha kohërat dhe pasurimi i ndjenjave, shpirtit dhe veprave tona me planprogramin në fjalë kërkon angazhim duke kërkuar dituri të shëndoshë dhe njohjen e ideve që bien ndesh me mesazhin e Zotit për t’u larguar e shpëtuar prej tyre. Muslimanët njohurite e tyre duhet t’i pasurojnë me argumente, ngase dituria e shëndoshë është mburojë që të shpeton fenë, identitetin, realizon krenarinë dhe triumfin. Muslimanët e tillë nuk mund të barazohen me ata që i ka kapluar injoranca, e cila ka shkaktuar që personaliteti i tyre të viktimizohet përballë ideologjive të tjera. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.“ Ez-Zumer 9.

Shkollimi ndikon më së shumti në formimin e kulturës tek individi dhe nëse ky institucion veprimtarinë e tij e ushtron në kundërshtim me mesazhin hyjnor, atëherë zemërimi i Zotit do të bjerë mbi këtë institucion ngase kërkuesit e dijes në këto institucione përgatiten me kulturë dhe qytetërim që personin në fjalë e bën të revoltohet në mënyrë ideologjike kundër Mbretit Absolut, ashtu siç u revoltua djalli dhe u bë nga të mallkuarit dhe i urryer nga të gjithë. Nuk ka dyshim se shkollimi sot në institucionet publike në Republiken e Kosovës kërkon një transformim si në aspektin e metodologjisë së studimit edhe në rregullat edukative e morale për të mos shkuar drejt dekadencës. Në të kaluaren jo të largët nxënësit i shoqëronte ndjenja se në shkollë duhet të reflektosh edukatë e sidomos respekt të madh për mësimdhënësit dhe çdo herë ishin nën presionin psikik se mos vallë me ndonjë sjellje sado të vogel jo edukative po gabojnë dhe po hyjnë në listen e arrogantëve e rrugaçëve. E, nëse ndodhte kjo, turpi i ndiqte pa mëshirë. Tani një ndjenjë e tillë është bërë musafir i rrallë, gjë e prapambetur për shumë nxënës dhe këtë nuk mund ta mohojë askush, përderisa një gjë e tillë dëshmohet përmes bisedave me mësues, arsimtarë e profesorë, kur dëgjojmë ankesat e tyre se institucioni shkollor është plot me nxënës arrogantë dhe se mungesa e edukatës dhe e respektit është fenomen alarmant. E si të mos jetë kështu kur vërejmë në objektet shkollore patrulla policore për të parandaluar skandalet më të shëmtuara që janë bërë përditshmeri?! Kontrollimi i autobusëve të nxënësve nga policia për shkak të armëve të llojeve të ndryshme janë gjëra alarmuese që ftojnë për hapa urgjentë për të ndryshuar këtë gjendje të tillë të mjerueshme. Nuk ka dyshim se diskutimi për këtë tematikë kërkon mund dhe qasje nga ekspertë të fushave të ndryshme për të shpëtuar sot institucionin shkollor që po rrugëton drejt dekadencës, prapambetjes e naivitetit dhe ne me këtë shkrim do të mundohemi të argumentojmë se vërtet shkollimi në institucionet publike është në gjendje shumë të rëndë. Kjo le të shërbejë si mesazh për ata që mendojnë, logjikojnë dhe veprojnë për të miren e shtetit tonë, ngase institucioni shkollor është burim i kultures dhe qytetërimit të një vendi, prandaj ne si shtet i ri dhe në radhë të parë si popull i vogël duhet të jemi vigjilent për të shpëtuar identitetin tonë fetar, kombëtar. Kjo arrihet kur kemi civilizim të ngritur, të armatosur me forcen e dijes, shkencës dhe me vlera të arta morale. Ka gjëra shumë për të debatuar rreth asaj që po ndodh në shkollat publike, por ne do të fokusohemi në dy çeshtje: E para: Në Kosovë, si një shtet multireligjioz (por me shumicë muslimanësh), me një pakicë shumë pak të theksuar ateistësh- ekzistenca e të cilëve është mosekzistencë- është padrejtësi që kjo minipakicë të dominojë dhe t’i imponojë teorinë e vet shumicës së popullatës që beson Zotin.

Në shkollat tona publike duhet të mësohet si realitet i pamohueshëm teoria e kreacionit dhe jo ajo e evolucionit, që lufton besimin. Përkrahesit e teorisë së evolucionit apo ata të panspermisë deklarojnë lehtësisht se kjo teori është shkencë dhe religjioni është kundër shkencës. Me të vërtetë është qesharake dhe injorancë të mbrohet mendimi se religjioni është kundër shkencës duke u argumentuar me mesjeten e errët evropiane, ku ka dominuar kisha katolike, e cila i ka ekzekutuar pa mëshirë shkencetarët. Ta argumentosh këtë mendim me mesjeten e errët dhe kur dihet se muslimanët në atë kohë kanë qenë të ngritur me shkencë, ngase kështu i ka motivuar religjioni i tyre islam, është padrejtësi të deklarosh se religjioni është kundër shkencës vetëm pse katolicizmi në mesjetë ishte kundër shkencës dhe të vazhdohet ende me këtë është terrorizim i ndjenjave ndaj atyre që u mësojnë nxënësve një gjë të tillë skajshmërisht të gabuar. Ka edhe gjëra të tjera për t’u përmendur në lidhje me planprogramet shkollore që duhen përmirësuar dhe si fakt për të argumentuar këtë do të përmendim, përvec teorisë së evolucionit, edhe librin “Ceta e profetëve” nga prifti Pjetër Bogdani, libër që mësohet në shkollat e mesme. Ky libër ofendon përsonalitetin e Pejgamberit Muhamed, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe Islamin në tërësi. Ja se çfarë shkruan Pjetër Bogdani, duke kërkuar ndjesë nga lexuesit që po i ekspozoj këto citate shumë ofenduese që në vetvete ngërthejnë një kulturë skajshmerisht antihumane, aspak morale e tepër çnjerëzore. Ai në paragrafin 18 në “Ceta e profetëve” thotë: "Që të mos largohet nga rruga e të parëve të vet, Muhamedi mori këso gjërash pagane e u urdheroi të vetëve për ligj e për fe, kështu që me larje të lehtë të fajeve të hiqet çdo pengesë për t’i lënë të rrezohen në fëlliqërinë e mëkateve, e kështu me pastrimin e trupit të zgjerohet perandoria e tij, duke e ndjekur prapa shumica, ata njerëz të pa Tënëzonë e të marrë, të gjithë të dhënë pas kurvërive e fajeve të tjera të mëdha" dhe në shkallen e 2, ligji 3 dhe paragrafi 3 thotë: "Andaj turqit dhe hebrenjtë, duke ndjekur gjurmët e Ismaelit e të Ezaut, nuk i zënë besë Jezu Krishtit, të vërtetit Mesi, por ndoqën idhujt: Muhamedin, Surrullahin e Tallmudin, krerë të të gjitha të këqijave, që i shtinë themel një ligji të lirë, pa udhë e pa arsye, plot me fëlliqësi.....e posi është Muhamedi, bari i deleve e i pelave, duke u ngjitur me gjithë to..."

Mendoj se kjo gjë shumë e shëmtuar nuk do koment. Një lexues realist do të pyesë: Vallë futja e këtij libri për t'u lexuar në shkollat e mesme a ndodhi spontanisht apo qëllimisht?! E para që duhet ta kishte kundërshtuar këtë fenomen porsi kali i Trojes, që mbjell urrejtje e infekton ideologjikisht ndjenjat e fëmijëve shqiptaro-muslimanë shumicë në Republiken e Kosovës, duhet të kishte qenë kisha katolike e sidomos disa të njohur për masen e gjërë me fjalorin e tyre të stërmbushur me termat dashuri, tolerancë, mirëkuptim e me mesazhet kundër urrejtjes. Deri më sot nuk ndodhi një gjë e tillë, që kërkohet si obligim moral e njerëzor. Por drejtesia tani është bërë një musafir i rrallë në mesin e të tillëve apo një e kaluar e harruar kur është fjala për Islamin. Ndoshta edhe kundërshtarët e kësaj teme do ta përkrahin idenë se libri “çeta e profetëve” është antinjerëzor dhe duhet ndaluar për t'u lexuar në shkollat e mesme jo pse po ofendon e kundërshton Islamin, por është antisemitist dhe thërret në ideologjinë antisemitiste të bazuar në ish-ligjin e Vatikanit, që ka ftuar për luftë të shenjtë për shfarosjen e hebrenjve ekzekutuesit e "zotit" Jezus. Nga ky citat kuptohet antisemitizmi i vërtetë i Pjetër Bogdanit. Është e çuditshme kur kultura dhe ideologjia bogdaniane, që nxit urrejtje dhe konflikt ndërfetar mes civilizimeve, të mbrohet dhe të shikohet si ideologji pro qytetërimit perëndimor, edhe pse qartë vërehet kundërshtimi i skajshëm me qytetërimin perëndimor ngase “çeta e profeteve” i takon periudhës dhe frymës para revolucionit françez. E dyta: Vatra e arsimit duhet të jetë vend ku buron kultura dhe qytetërimi me standarde të avancuara. Morali i lartë duhet të jetë prioritet për të ushqyer dhe përsosur shpirtrat e nxënësve, larg ideologjisë frojdiste që ushqen ndjenja me pasione shtazarake, amorale e antihumane.

Aktualiteti në shkollat publike pasqyron një dukuri shqetësuese. E si mos ta deshmojë kur alkooli, prostitucioni, droga, duhani, veprimet e huliganëve, veshjet provokuese që nxisin pasione të fshehta satanizuese, të gjitha këto janë përditshmëri e nxënësve. Skandalet e mesimdhënësve janë shqetësuese dhe mesazh se shkollimi sot është vendburim i të keqijave dhe rrezik për të vijuar shkollimin. Me një fjalë, kualiteti i mësimit në rënie, morali shumë i ulët, vetëdija larg civilizimit të ngritur dhe të gjitha këto sjellin shpresa të venitura dhe premtim për një të ardhme jo të ndritur. Dalja nga kjo krizë, që cenon dhe sulmon negativisht bërthamen e identitetit tonë kombëtar e fetar, doemos është e kërkuar dhe duhet të jetë obligim dhe prioritet i institucioneve kompetente për të realizuar ndryshimin shpresëdhënës. Nëse mungon guximi për ndryshim, rezultatet pozitive nuk do të duken në horizont dhe gjëja e parë që do të sjellë ndryshimin është që mesimdhënësit të jenë të pajisur me moral të lartë. Disiplina në institucionet shkollore duhet të mbështetet në rregulla të fuqishme të cilat reflektojnë edukatë, dashuri, respekt mes nxënësve dhe mesimdhënësve. Jo mëshirë për veprimet skandaloze e të çoroditura. Ajo që ndihmon në përmirësimin e situates në fjalë, përvec atyre që përmendem, është lënda e edukimit fetar, ngase kur njeriu largohet nga Krijuesi i tij, ai do të jetë i devijuar dhe mbi të do të sundojë djalli i mallkuar me të gjitha paudhësitë e tij. Andaj një lëndë me karakter fetar është domosdoshmëri e cila ndihmon në forcimin e moralit, ruajtjen e identitetit dhe ngritjen në aspektin civilizues. Allahu thotë: “Sigurisht që Allahu nuk do ta ndryshojë (për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që është mosmirënjohës e i pa bindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë ta ndryshojnë vetveten (për mirë duke ndryshuar shpirtin dhe punët e tyre).” Er-Rra’d 11.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve