Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

artikuj

Nexhmedin Spahiu

Mitrovicė, Kosovė

nspahiu@yahoo.com

Te fundit

Tė gjitha shkrimet e autorit >>

Shlyerja e mėkateve tė Shqipėrisė

Autor: Nexhmedin Spahiu E premte 2 Dhjetor 2011 21:49 PM

 

-Priftërinjtë mund ta dinë se sa veta janë rrëfyer para tyre për krimet që kanë bërë gjatë kohës së komunizmit, por ky lloj rrëfimi i çliron të rrëfyerit vetëm në person, por për t’u çliruar Shqipëria nga mëkati gjysmëshekullor nevojitet që fajtorët të rrëfehen publikisht dhe të kërkojnë ndjesë.

 

Kur Rudina Xhunga intervistoi Nexhmije Hoxhën, për mua si shikues, ishte një torturë e vërtetë. Përfundimin e emisionit e përjetova si mbijetesë. I shtrova vetit pyetjen: po 3 milionë shqiptarë që u torturuan për 45 vite nga kjo grua, vallë me çfarë pasojash e mbijetuan atë?

I recitova vetit poezinë e Ismail Kadaresë të mësuar përmendësh që në klasën e katërt fillore:

 

Kur superkafshët dridhnin botën

Njeriu në gjunjë nuk u ul

Ka pasur vite të mamutëve

Po kohë e tyre s’pati kurrë

 

Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi

Mbi tokë ata vunë ligjin bishë

Me gjithë këtë ish kohë e njerëzve

Dhe ky planet i njerëzve ish

 

Nga superpesha u vinte vdekja

Ngecnin përbindëshat në batak

Ashtu do ngecin supershtetet

Në llum të globit pak nga pak

 

Dhe kur të ardhmen do zbulojnë

Eshtrat e tyre nëpër botë

Ashtu si eshtrat mamutore

Që zoologët gjejnë sot

 

Kurt t’zbulojnë konstruktet, dhëmbët …

Atë burokratizëm hata

Po ç’heronj do thonë ishin njerëzit

Që rrojtën tok me ta

 

Ata që u ngritën përballë tyre

Që u qëndruan trimërisht

Ish kohë e tyre do thonë

Dhe ky planet i tyre ish.

 

 

Gjatë qëndrimit në Shqipëri e kam përjetuar rëndë shpërfytyrimin e shoqërisë shqiptare që i kishte bërë komunizmi dhe me aq sa mundja përpiqesha që kjo shoqëri të kthehej në normalitet, punë këtë që e bënë edhe shumë miq të Shqipërisë dhe shqiptarë që e mbijetuan komunizmin pa i prekur ky helm. Kam hasur shumë personalitete e familje që të ngjallnin admirim. M’u kujtonte gjyshi im i cili sa herë që ia recitoja këtë poezi, më thoshte se superkafsha përbindësh ishte Enver Hoxha dhe se Shqipëria ka burra që nuk ka me i helmua komunizmi po vështirë e kanë.

Nuk e di nëse Ismail Kadare fjalën diktaturë e ka zëvendësuar qëllimisht me fjalën supershtet, por unë gjithnjë e kam kuptuar kështu nisur nga komentet e gjyshit dhe poezinë nuk e paskam harruar as sot e kësaj dite. Besoj se kështu do ta kenë kuptuar edhe shumë shqiptarë të tjerë.

Por shoqëria shqiptare sot nuk përbëhet vetëm nga të pickuarit nga komunizmi dhe nga ata që i qëndruan trimërisht, por edhe nga të pafajshmit.

Ja se çfarë shkruan Ndrek Gjini në poezinë e tij “Kalendari i gjyshes”:

 

Gjyshja ime e kishte një kalendar të vërtetë,

"Ti pate lindur tetë hëna pasi

komunistët i patën vënë dinamitin kishës,

katër hëna pas përmbytjeve të mëdha

prej të cilave gjetën vdekjen gati gjysma e qytetit.

Ishte vetëm dy hëna pas pjekjes se rrushit, "

më thoshte ajo mua.

Nëse unë do t’ju thosha ditëlindjen time

me kalendarin aktual,

atëherë realisht s’do t’ju thosha asgjë rreth vetes time.

 

Pretendimi i poetit është se ka lindur tek atëherë pasi Zoti kishte shpëlarë mëkatin e komunistëve që i patën vene dinamitin kishës duke marrë në botën tjetër gjysmën e qytetit dhe tek kur Zoti ishte mëshiruar me qytetin dhe rrushi ishte pjekur.

Në fakt, Shqipëria ka flakur tutje komunizmin si ide, por derivatet e enverizmit akoma kanë ngelur: historia e shtrembëruar, qëndrimi ndaj religjioneve dhe mëkatet për të cilat pak veta janë rrëfyer.

Priftërinjtë mund ta dinë se sa veta janë rrëfyer para tyre për krimet që kanë bërë gjatë kohës së komunizmit, por ky lloj rrëfimi i çliron të rrëfyerit vetëm në person, por për t’u çliruar Shqipëria nga mëkati gjysmëshekullor nevojitet që fajtorët të rrëfehen publikisht dhe të kërkojnë ndjesë. Sigurimsat, prokurorët, gjykatësit, duhet të rrëfehen publikisht se si i kanë marrë në qafë të pafajshmit. Këtë duhet ta bëjnë edhe fshatarët e qytetarët e zakonshëm që për ndonjë favor të pushtetit kanë marrë në qafë dikë të pafajshëm. Këtë duhet ta bëjnë edhe politikanët apo artistët që për t’u ngritur në karrierë morën në qafë këdo qoftë. Po kështu, Kristo Frashëri, Arben Puto e historianë të tjerë duhet të kenë kurajo të tregojnë se si e kanë falsifikuar historinë dhe të kërkojnë ndjesë për këtë.

Ata që e bëjnë këtë të parët nuk do të kenë turp. Ky do t’ishte një heroizëm që do ta rilindte Shqipërinë.

 

*Poezitë Ismail Kdaresë e Ndrek Gjinit të cituara në këtë shkrim, mund të mos përputhen me tekstin origjinal. Këtu janë ashtu siç unë i kam mbajtur në mendje.

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 3 here
  • Ridi E premte 2 Dhjetor 2011 22:08

    Autort e krimeve nuk kan si rrfehen publikisht e tkerkojn ndjese sepse shum prej tyne jan akoma npushtet. Gjithashtu ka nji kontradikt tautorit i cilli thot se priftrinjt mund ta din sa jan rrfye tek prifti per krimet e tyne nkoh tkomunizmit. Kta njerz skan pase sesi mu rrfye tek prifti se komunistat nuk kan besue nZot, e si rrjedhoj as nkisha e nprifterij. Fatkeqsish edhe sot kta prokuror, gjykatsa, e sigurimsa i kena akoma npushtet.

    Reply

  • tragjet E shtune 3 Dhjetor 2011 20:00

    Ata njerez qe ne kohen e komunizmit i veshen petkat e tij edhe pse dikujt i binin te medha e dikujt te vogla, perseri sot diten ti veshin petkat e buta te demokracise. E pate prej ture qe edhe sote vazhdojn ta mbajne ate krenari te mizoris ne zemra e si tju vie mundesi e shfaqin ate duke munduar ta realizojn me emra tjere.

    Reply

  • Vigani E diel 4 Dhjetor 2011 4:08

    Ska asnje kontradikte ne shkrimin e prof.Spahiut. Profa e ka fjalen per ata qe eventualisht jane kethyer ne rruge te Zotit. Muslimanet nuk rrefehen para hoxhes po hallalin ua kerkojne atyre qe u kane hyre ne hak. Te krishteret kur pendohen per veprat e keqia rrefehen para priftit dhe kerkojne falje. Profa thote se kjo eshte mire per ta individualisht qe pendohen por per Shqiperine behet mire vec kur rrefehen publikisht si Nazim Bllaca ne Kosove per krimet e SHIK-ut

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve