4. Skizmat krishtere vazhdojnë
Fërkimet brenda kristijane vazhduan gjatë shekujve, III, IV, V, VI e deri në shek. XI. Mirëpo, deri në vitin 1054 ata (të krishterët) posedonin vetëm një kishë, ndërsa në vitin 1054 në Kostandinopojë u soll vendimi që të bëhet ndarja edhe e kishës, respektivisht edhe e fesë krishtere në dy rite, edhe atë në Katolik (Catholicos/Universale) dhe Orthodoks (Burimore).
Në mbarë historinë e krishterimit kjo skizmë llogaritet si tronditja më e madhe brenda-kishtare dhe brenda-krishtere. Në historinë e teologjisë krishtere kjo njihet si “skizma e madhe”...
Si oponent më me ndikim dhe më skizmatik i krishterimit papal/palian/do të paraqitet protestantizmi. Themelues i protestantizmit konsiderohet prifti Martin Luter (1483-1546) i cili nga vendlindja e tij u dëbua për shkak ideve të tij reformiste kundërpapale. Martin Luteri ishte revoltuar me sjelljet e shëmtuara dhe jetën e shfrenuar të klerikëve dhe udhëheqësve katolikë në Romë, të cilët i kishte parë me sytë e tij, andaj edhe vendosi që përmes shkrimeve dhe librave ta bindë çdo besimtar të krishterë se papa dhe zyrtarët e tjerë si në Vatikan, ashtu edhe në vende tjera kudo që gjenden klerikë katolikë, nuk jetojnë sipas parimeve të krishtera. Librat e protestantëve luteristë me mjeshtëri dhe përmes kanaleve të ndryshme kalonin nga Gjermania në vendet tjera, si në Austri, Itali[1] etj.
Martin Luteri përmes 95 tezave të tij teologjike - të cilat të shënuara në një letër i vendosi në dyert e Katedrales së Vitenbergut të Gjermanisë - shprehu revoltën e tij kundër qëndrimeve të Papës dhe të Kishës katolike. Me të njëjtat teza Luteri paraqitet edhe para Kuvendit të Vormsit ku i lexon pikëpamjet e tij në prani të perandorit Karli V[2].
Në vitin 1519 Martin Luteri e kundërshton vendimin e Koncilit duke ia treguar gabimet dhe kështu e sulmon edhe papën[3]. Gjithë kjo shkaktoi që Vatikani të marrë vendim për zhdukjen e librave të reformacionit luterist, ku më pas pasuan djegiet e librave anembanë Evropës (atje ku kishte filluar të përhapet reformacioni).
Djegie të librave protestante të Martin Luterit në tetor dhe nëntor të vitit 1520 do të ketë në shumë qytete evropiane, si në Leven, Liezh, Keln, Majnc, ndërsa në dhjetor të po këtij viti në Vitenberg do të digjet publikisht dokumenti kërcënues i Martin Luterit të cilën ia kishte dërguar papës[4]. Në doktrinën e tij Luteri nuk pranoi një varg librash që e përbënin Biblën e sotme, madje edhe nuk besoi se Jezusi është gozhduar, gjë që Kur’ani e kishte demantuar që në shekullin e VII-të.
Sot në botën krishtere ekzistojnë një numër shumë i madh i bashkësive kishtare apo “kisha të pavarura”, edhe atë: Kisha ortodokse e Jerusalemit, Kisha ortodokse e Stambollit, Kisha ortodokse e Antiokisë, Kisha, ortodokse e Aleksandrisë, Kisha ortodokse bullgare, Kisha ortodokse sllovake, Kisha ortodokse greke, Kisha ortodokse gruziane, Kisha ortodokse maqedonase, Kisha ortodokse polake, Kisha ortodokse rumune, Kisha ortodokse ruse, Kisha ortodokse serbe, Kisha ortodokse shqiptare, Kisha ortodokse e Qipros, Kisha ortodokse kopte, Kisha Etiopiane, Kisha Siriane, Kisha apostolike armene, Kisha Ortodokse Greke, Kisha Kopte, Kisha Katolike, Kisha Anglikane, Kisha Protestante, Kishat luteriane, Kishat e reformuara, Kishat ungjëlliste, Kishat pentekostale, Kisha e uniteranëve, Kisha metodiste, Kisha e keukerëve, Kisha e menonitëve, Kisha baptiste, etj. etj.
5. Protestantizmi tejoqeanik dhe lindja e fundamentalizmit
Thuhet se feja e përbashkët protestante ishte themeluese e identitetit të pjesës më të madhe të amerikanëve të SHBA-së, për të cilën historiani Gorge M. Marsden e quajti Perandoria Ungjilliste Amerikane. Pas përfundimit të luftës qytetare amerikane në vitin 1865 erdhi deri në ndarje të protestantizmit amerikan, të cilën një historian tjetër me emër Sydney Ahlstrom e quajti krizë më të madhe kishtare pas reformacionit.
Në kohën e revolucionit dhe pavarësisë amerikane, SHBA-ja ishte vend me popullatë më të madhe protestante. Atëherë katolikët përbënin vetëm një përqindje të vogël popullatës, ndërsa sot (shek.XXI) protestantët konsiderojnë se janë të rrezikuar nga drejtimet e ndryshme dhe si duket gjenden në rrugën e një bote të re dhe plotësisht të panjohur.
Në lidhje për protestantët dhe aktivitet e tyre në SHBA në mënyrë mjaft të qartë shpjegon publicisti dhe politikani suedez Ingmar Karlsson në librin e tij “Tro, terror och tolerans” (Besimi, terrori dhe toleranca, f. 99-102) ku thotë: “Industrializimi e ndryshoi botën e tyre të mëparshme idilike dhe të mbyllur. Migrimin masiv të italianëve katolikë, të polonezëve, të irlandezëve, të ortodoksëve rusë dhe grekë, si dhe migrimin e hebrenjve, e kuptuan si kërcënim, jo vetëm ndaj identitetit të tyre protestant, por edhe për skenën demografike të SHBA-ve si vend i zgjedhur nga Zoti për protestantët e shpëtuar. Që në vitin 1840 kishte më shumë 2.5 milionë katolikë dhe katolicizmi u bë bashkësia më me numër. Për vendin i cili që më herët e kishte konsideruar papën si Antikrisht, një gjë e këtillë dukej sikurse një kërcënim. Kjo pasiguri ekzistenciale është zgjeruar edhe më shumë brenda vet bashkësive protestante, sepse nëpër vendbanimet urbane protestantët gjithnjë e më shumë synuan modernizimin. Rritja e pluralizmit religjioz dhe kulturor me interpretimet e tyre tekstuale të Biblës, me përhapjen e darvinizmit, me psikologjinë e Frojdit dhe me shekullarizimin i cili i ndoqi zbulimet tjera shkencore, është vështruar si kërcënim ndaj protestantizmit popullor...
Ndër kohë, paraqiten dy taborë protestantë të cilët qëndronin njëri kundruall tjetrit. Njëri tabor u tregua i hapur drejt zbulimeve të reja shkencore, e kuptoi Biblën si prodhim i historisë njerëzore dhe propagandonte orvatje më të madhe shoqërore. Më e rëndësishme ishte të manifestohet dashuria dhe brenga krishtere për të afërmit, se sa të pranohet mësimi tekstual. Sipas tyre mbretëria Hyjnore në tokë mund të vendoset përmes dashurisë së sinqertë dhe besnike ndaj njeriut.
Në taborin tjetër u barazua darvinizmi me ateizmin, u drejtuan edhe kundër historisë së shkencës, sepse vetëm Bibla pranohej si burim historik. Lëvizja e protestantëve me besim tekstual që u paraqit në atë kohë, para se gjithash, ishte reaksion instinktiv ndaj modernizmit në të gjitha format e tij, andaj veten e konsideroi si përgjegjës për ta shpëtuar kombin, redeem the nation. Idetë e këtilla u treguan si tërheqëse veçanërisht në të ashtuquajturin rrip Biblik në shtetet përgjatë kufirit jugor që shtrihet prej Virxhinisë, e deri në Kaliforninë Jugore, e që edhe sot është fole më e fortë e djathtistëve të krishterë amerikanë”.
6. Fundamentalizmi ose fundamentalizmat
Nocioni fundamentalizëm është i periudhës bashkëkohore, andaj shumë fjalorë, leksikone dhe enciklopedi, aspak nuk e shpjegojnë këtë term, e disa të tjerë ofrojnë vetëm ca shpjegime leksikore. Autori Milan Vujaklija pohon se nocioni fundamentalizëm mban prejardhje latine nga shprehja fundamentum, që do të thotë fundament, bazë, themel, si nga shprehja fundamentalis = fundamentalizëm, themelor, bazor, kryesor, qenësor, zanafillor[5].
Shprehja fundamentalizëm është e huaj edhe në teologjinë krishtere. Këtë nocion nuk e përfshijnë aspak fjalorët katolik, madje as Enciklopedia më e madhe teologjike katolike “Sacramentum mundi”.
Në kuptimin terminologjik nocioni fundamentalizëm vështirë të përkufizohet në mënyrë të drejtë. Njëri nga kulturologët dhe filozofët e njohur botërorë, Osvald Spengler, mendon se “mendimi për çdo kthim burimeve dhe rrënjëve domosdoshmërish është fundamentalist”. Kurse shkencat shoqërore evroperëndimore, veçanërisht sociologjia amerikane, me nocionin fundamentalizëm nënkuptojnë doktrinën e kundërt me modernizmin religjioz, që jep të kuptojmë se nocioni fundamentalizëm në kuptimin terminologjik ka domethënie të gjerë[6].
Historikisht është vërtetuar se zanafilla e fundamentalizmit si “lëvizje religjioze” është i proveniencës kristiane - protestante amerikane, që daton në shekullin XIX, edhe atë si protestë dhe reaksion kundër paraqitjes në skenën botërore të liberalizmit dhe modernizmit ekstrem, e veçanërisht si reaksion ndaj pozitivizmit dhe evolucionizmit, si reaksion ndaj të kuptuarit dhe të komentuarit e dokumenteve themelore të Kristianizmit[7]. Nocioni fundamentalist e karakterizonte atë i cili besonte se Bibla si Fjalë e Zotit drejtpërdrejtë iu është diktuar profetëve. Personalitetet më të rëndësishëm të asaj lëvizjeje ishin Dwight L. Moodey dhe Cyros I. Scofield.
Scofield Reference Bible me komentet e shënuara u bë - dhe ende është - shkrimi i shenjtë i të djathtës krishtere. Ata dy ndërmjet viteve 1910 dhe 1915 publikuan një seri të pamfleteve në 12 pjesë të cilën e quajtën The Fundamentals. Para se gjithash, fundamentalistët fituan përkrahje në jugun amerikan që i kundërvihej të ashtuquajturës kulturë yankee (jenki) dhe ku që nga lufta qytetare të gjitha idetë liberale dhe moderne konsideroheshin si të imponuara nga veriu.
Konflikti i parë i hapur me modernizmin ndodhi në vitin 1925 me rastin e procesit të njohur gjyqësor të quajtur Scopes. Në të vërtetë një mësues i lëndës së biologjisë i quajtur John Scopes në Dayton (në Tennesi) ishte akuzuar për blasfemi, sepse kishte ligjëruar teorinë e Darvinit që kishte të bëjë me evolucionin. Juria e cila përbëhej prej 12 fshatarëve të Tenessit, e shpalli fajtor Scopes-in. Së shpejti u tregua se gjykimi ishte fitore e pirros dhe opinioni amerikan së shpejti filloi të mobilizohet kundër fundamentalistëve.
Prej atëherë ata kanë filluar me ndërtimin e qëndrimeve të tyre teokratike kundër kësaj bote. Elementi themelor te të kuptuarit të tyre të religjionit ishte dhe ende është komentimi tekstual i Biblës, veçanërisht të librit të Danielit dhe librave të Zbulesës. Pas procesit të Scopes-it ata gjetën strehim në kishat dhe në institucionet e tyre arsimore, ndërsa kohë pas kohe fillonin ofensivë kundër modernizmit të urryer. Ata themeluan kishat e tyre në pritje të the rupture/largimit/nga organizatat dhe rrjetet e reja.
Thuhet se që në vitin 1930 në SHBA ekzistuan mbi pesëdhjetë Bible Colleges/Kolegje biblike/ fundamentaliste, ndërsa gjatë periudhës së depresionit u themeluan edhe tridhjetë të tjera. Fundamentalistët themeluan gazetat dhe radiokonglomeratet e tyre, ndërsa me fillimin e të pesëdhjetave predikuesit e mëparshëm që ishin në lëvizje e sipër, u zëvendësuan me ungjëllistët televiziv, me Billy Grahamm-in dhe me Oral Roberts-in si emra më eminent. Ata, pikërisht sikurse hebrenjtë ultraortodoks, formuan një protukulturë. Universiteti Bob Jones në Karolinën Jugore u bë simbol i saj. Aty arsimoheshin më shumë mësues fundamentalistë se në cilëndo shkollë tjetër të lartë, ndërsa programi arsimor i këtij institucioni ishte i orientuar drejt, të ashtuquajtur, botëkuptimeve moderniste, liberale dhe neoortodokse, si dhe drejt kompromiseve dhe liturgjive jobiblike.
Acarimi fundamentalist i protestantëve në SHBA ishte pasojë e ndërprerjes së mësim-besimit protestant nëpër shkolla. Në vitin 1963 në shkolla u ndalua edhe leximi i Biblës, akt i cili edhe më tepër i revoltoi fundamentalistët. Po ashtu, ajo që i revoltoi fundamentalistët ishte edhe fakti që homoseksualët fituan të drejtën qytetare dhe lirinë e shprehjes, si dhe u legalizua abortusi edhe pse qartë iu kundërvihen fjalëve të Zotit: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve”. (Jeremia, 1:5).
Fundamentalistët me sukses iu kundërvihen orvatjeve shekullare perëndimore për barazi gjinore, pasi që në tekstet biblike ekziston: “Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t`i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë”. (Letra drejtuar bashkësisë së Efesit, 5: 22-24). “Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim. Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje”. (Letra e parë drejtuar Timoteut, 2: 11-12).
Siç kuptojmë, fundamentalistët janë kundërshtarë të fuqishëm të veseve të këqija në këtë botë, si vallëzimi, bixhozi, alkooli, duhani, filmat amoral, etj.
Prindërit rigoroz fundamentalistë nuk iu lejojnë fëmijëve të tyre të merren me çfarëdo sporti, sepse çdo veprimtari që ka karakter garues, konsiderohet si vepër jokrishtere, etj...
Gjatë periudhës ndërmjet viteve 1965 dhe 1982 aktiviteti i tyre ishte mjaft efikas, sa që gjatë kësaj periudhe numri i studentëve në shkollat fundamentaliste protestante ishte rritur për gjashtë herë më shumë, ndërsa qindra mijëra fëmijë mësoheshin nëpër shtëpi. Tani më filluan të bashkëpunojnë bashkësi të ndryshme dhe të veprojnë si lobi të grupeve, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë federal. Shpesh herë shkollat shtetërore konsideroheshin si përgjegjës për shkatërrimin e moralit i cili, siç thuhej, tanimë ishte zgjeruar në SHBA. Thuhej se ligjërimet për seksin shpijnë drejt imoralitetit dhe nënave adoleshente, ligjërimet e përbashkëta të gjimnastikës drejt kontakteve amorale trupore, informimi për drogën drejt dëshirës që të eksperimentohet me to, etj., etj.
Fundamentalistët në fjalë konsideronin se humanizmi shekullar ishte burimi i të gjitha të këqijave. Ata vërtetë ishin të bindur se humanizmi shekullar mohon Zotin, mohon inspirimin e Biblës dhe hyjninë e Jezusit, ekzistimin e shpirtit, jetën pas vdekjes, mohon rrëfimin Biblik për krijimin, beson në mosekzistimin e çfarëdo vlerash absolute, as të mira, e as të këqija, beson se vlerat morale janë diç për të cilat njerëzit vet duhet të vendosin, edhe atë varësisht nga rrethanat dhe ashtu siç atyre iu përgjigjet, beson në heqjen e roleve të ndara të burrit dhe gruas, etj. Ndaj humanizmit shekullar është shikuar si ndaj një konspiracioni të forcave të këqija të cilat - siç ka shkruar ideologu Tim La Hay - janë armiqësor ndaj Zotit, moralit, vetkontrollës dhe janë antiamerikan, ndërsa për qëllim e kanë shkatërrimin e krishterimit dhe familjes amerikane.
Ajo që Amerika ishte ngritur si shtet mbi themelet biblike, e tani më është bërë shtet shekullar, varej nga konspiracioni humanist i udhëhequr nga 600 senatorë dhe kongresmenë nga të gjitha universitetet dhe kolegjet jokrishtere me disa anëtarë të caktuar të qeverisë, si dhe me afër një milion individë që janë të inkuadruar nëpër organizatat, siç janë; American Civil Liberties Union, National Organization for Women, nëpër sindikata, si dhe nëpër fonde si Carnegie, Ford dhe Rockfeler.
Fundamentalistët u inkurajuan dhe fituan vullnet për luftë duke iu falënderuar gjyqit të lartë në të ashtuquajturën, aktgjykimi i Roe versus Wade në janar të vitit 1973, gjegjësisht kur femrat e SHBA-ve fituan të drejtën për abortim gjatë tre muajve të para të shtatzënisë së tyre. Ky vendim është konsideruar si Pearl Harbouri moral për kombin amerikan. Madje edhe antidarvinizmi sërish ishte zgjuar, por tani në një version pak më të dobësuar. Të ashtuquajturit, kreacionistë, kërkuan barabarësi në aspekt të mësimit për teorinë e evolucionit dhe krijimit sipas Biblës. Këto fushata rezultuan me faktin që në vitin 1980, 17 shtete federale të SHBA-ve të sjellin vendim për ofrimin e hapësirës së njëjtë në programin arsimor mësimit që ka të bëjë me krijimin e botës sipas Biblës, si dhe teorisë së evolucionit.
Përveç asaj se fundamentalizmi ishte reaksion ndaj aksioneve të faktorëve të jashtëm si kundrejt modernizmit, liberalizmit dhe shekullarizmit, ai ishte reaksion edhe ndaj aksioneve të faktorëve të brendshëm kundrejt lëvizjes kundërshtare Social Gospel (Ungjilli social), lëvizje kjo që angazhohej për harmonizimin sa më të madh të Ungjillit me rrethanat shoqërore në Perëndim.
Me kalimin e kohës fundamentalistët protestantë, përkatësisht fundamentalistët ungjillistë, janë angazhuar në vendosjen dhe kristalizimin e disa postulateve dhe kanë insistuar sidomos në këto:
- Pagabueshmëria e teksteve biblike dhe e doktrinës komplete biblike;
- Lindja virgjërore e Jezu Krishtit;
- Flijimi i Jezu Krishtit për gjithë njerëzinë;
- Ringjallja e trupit pas vdekjes dhe ardhja e sërishme e Jezu Krishtit dhe
- konstituimi i “mbretërisë” njëmijëvjeçare para fundit definitiv të botës.
Insistimi i kësaj lëvizjeje konsistonte në atë që çdo fjalë, çdo pamje dhe çdo ndodhi në tekstin e Biblës posedon vetëm atë kuptim tekstual dhe assesi nuk lejohet çfarëdo komentesh alegorike e metaforike të tekstit biblik. Kjo lëvizje fundamentaliste protestante rrumbullakimin e vet ideor e teorik e fitoi me veprën prej 15 vëllimeve të titulluar “The Fundamentals: A Testimony to the Truth” (Fundamentet/Bazat: dëshmia për të vërtetën) që u botua gjatë viteve 1910[8].
Me qëllim të ndërtimit të shoqërisë dhe harmonizimit të saj me parimet e fesë e të Biblës dhe krijimit të bazave më të forta organizative, në vitin 1919 në Filadelfi të SHBA-ve është formuar Shoqata Botërore Kristiane Fundamentaliste (WCFA), në krye të së cilës ishte lideri i tyre W. B. Ryle[9]. Pos kësaj kanë ekzistuar edhe shoqata rajonale fundamentaliste nga të cilat disa kanë pasur edhe synime të veçanta. Përkundër dallimeve e kundërshtimeve ndërmjet veti e veçanërisht ndërmjet bashkësive protestante të baptistëve, prezbetarianëve dhe Nxënësve të Krishtit, grupet fundamentaliste e kanë të përbashkët përcaktimin antiekumenik dhe antidialogist. Kështu për shembull kur në vitin 1948 në Amsterdam të Holandës u formua Këshilli Botëror Ekumenik i Kishave - me qëllim që të formohet një baraspeshë - fundamentalistët e formuan Këshillin Ndërkombëtar të Kishave Kristiane (ICCC).
Mendohet se sot fundamentalizmi është më i pranishëm në SHBA ku numëron më shumë se 100 milionë pjesëtarë[10]. Fundamentalizmi protestant edhe sot është aktiv, që e dëshmon e dhëna se çdo vit me radhë gjatë korrikut festohet Dita e ngadhënjimit ndaj katolikëve dhe këto manifestime karakterizohen me agresivitete të tepruara.
Devocioni ekstrem të cilin e quajmë fundamentalizëm, pothuajse ka dalë në skenë në secilën prej feve të mëdha botërore gjatë shekullit 20. Ekziston fundamentalizëm budist, krishterë, hebrej, sikh, hindu, konfuçian, ashtu siç ekziston edhe fundamentalizëm islamik.
Fundamentalizmi paraqet një revoltë kundër shoqërisë moderne shekullare e cila në një aspekt e ndan fenë nga politika. Shprehjet të cilat përdoren gjatë emërtimit të terroristëve, prejardhjen e tyre e kanë në grupet religjioze të cilat vepruan shumë më herët. P.sh. etimologjia e fjalës angleze për fanatikun zelot, rrjedh nga zelota - lëvizje çlirimtare hebreje e cila në vitin e 7 të erës së re filloi kryengritje kundër romakëve. Kjo ishte hyrje në kryengritje nacionale me karakteristika të fuqishme religjioze që rezultoi me shkatërrimin e tempullit dhe Jerusalemit në vitin 70. Pas këtyre trazirave zelotët e mposhtur u tërhoqën në fortifikatën malore të quajtur Masada, ku në vitin 73 kryen vetëvrasje kolektive, pasi që ushtarët romakë pas një shtetrrethimi të gjatë realizuan një sulm të ashpër kundër tyre. Aktivitetet e zelotëve i përshkroi historiani romak Josefus Flavius...[11].
Lëvizjet dhe aktivitetet antikolonialiste hebreje kundër synimeve britanike në Palestinë gjatë mandatit britanik dhe aksionet luftarake të popullit algjerian kundër forcave kolonialiste franceze në Algjer, deri në vitin 1962 kishin komponentë religjioze, njëjtë si edhe konfliktet ndërmjet protestantëve dhe katolikëve në Irlandën Veriore ose ato ndërmjet hebrenjve dhe palestinezëve në territoret e okupuara. Mirëpo, sa mund t’i quajmë fundamentalistë!? Në Irlandën veriore lufta zhvillohej ndërmjet dy grupeve të cilat synojnë statutin e shumicës, dhe që të dy konsiderohen si pakica; katolikët në Irlandën Veriore britanike dhe protestantët në tërë ishullin irlandez. Ata nuk e konsiderojnë veten e tyre si terroristë, por njësi paramilitare, dhe veten nuk e quajnë katolikë ose protestantë, por nacionalistë besnikë, gjegjësisht paramilitarë unionistë. Ata nuk bëjnë kurrfarë ndërlidhjeje religjioze me veprimtaritë e tyre. Ata, megjithatë shkojnë në kishat e tyre, por nuk e përdorin Biblën me qëllim që t’a arsyetojnë ose legjitimojnë dhunën e kryer.
Elementet religjioze kanë mundur të gjenden edhe në konfliktet tjera ku identitetet religjioze dhe etnike ishin ngushtë të ndërlidhura, megjithatë atëherë qëllimi ishte formimi i shteteve të pavarura shekullare. Si p.sh. kjo vlen për grupet radikale armene.
Nëse mundohemi që çdo përpjekje çlirimtare të ndonjë populli, siç është rasti me popullin palestinez, ta identifikojmë me fundamentalizmin, atëherë çfarë do të thonim për faktin se fillimi i rezistencës kundër izraelitëve në Palestinë ishte shekullar, sepse grupet më të ashpra në luftë kundër Izraelit nuk i udhëhiqnin fanatikët myslimanë, por të krishterët të cilët iu takonin grupeve të ndryshme radikale socialiste dhe komuniste. Themelues i PFLP-së George Habash i cili konsiderohet përgjegjës për një varg aksionesh terroriste ishte një mjek ortodoks grek. Bashkëpunëtori më i afërt i Habash-it, Wadi Haddad - për të cilin thuhet se ishte lider i “Shtatorit të Zi” - gjithashtu i takonte kishës së njëjtë dhe ishte mjek me profesion. Disa pirateri ajrore spektakolare ndaj avionëve të cilat i organizoi kjo organizatë, i kryen vajzat e familjeve të njohura palestineze të krishtera, ndërsa vrasësi i Robert Kennedy-së ishte Sirhan Bishara Sirhan, një djalosh palestinez i krishterë nga Tajjiba e Jordanisë...etj.[12].
Mund të thuhet se fundamentalizmi religjioz në skenë doli gjatë viteve të tetëdhjeta, edhe atë vetëm me revolucionin islamik në Iran në vitin 1979. Gjatë viteve të tetëdhjeta regjimi i ri iranian sponsoroi disa grupe në më shumë vende të cilat dëshiruan të instalojnë regjimet e njëjta teokratike, dhe veprimtaria e këtillë është lehtësuar përmes faktit se revolucioni iranian përkon me vdekjet e ideologjive, ku kapitalizmi dhe komunizmi në botën muslimane u treguan si ideologji të harxhuara. Demagogët fetar në mënyrë mjaft të shkathët e shfrytëzuan këtë situatë, ndërsa disa xhami u bënë instrument të përshtatshëm për përhapjen e tezave të tyre ku rolin e luanin shi’itët.
Nëse do të shpalosnim listën e organizatave të ashtuquajtura fundamentaliste, do të vërejmë se nga 13 grupet e këtilla të identifikuara në vitin 1968 - atëherë kur terrorizmi politik arriti kulmin e saj - asnjëra prej tyre nuk ka mundur të karakterizohet si religjioze, edhe pse disa grupe palestineze, Tigrat Tamile, IRA provizore dhe grupet terroriste armene, karakterizoheshin me elemente religjioze, prapëseprapë aspektet politike ishin dominuese[13].
7. Islami dhe fundamentalizmi
Sa i përket nocionit fundamentalizëm, gjithashtu, as në literaturën bazë islame, e as në atë klasike dhe bashkëkohore nuk njihet ky nocion. Shprehjet që islamit i atribuohen si ekuivalent të fundamentalizmit janë; reformë, ripërtëritje, burimore, etj.
Etimologjikisht në gjuhën arabe nuk ekziston shprehja fundamentalizëm, ndonëse ekzistojnë shprehje për reformë (islah), rilindje (nahda), rimëkëmbje (texhdid) dhe modernizëm (tahdith), gjë për të cilat shkroi edhe Bruce Lawrence. Mirëpo, nëse kthimin drejt burimeve apo “kërkesën për restaurimin e shoqërisë islame në përvojat e fesë së gjeneratës së parë të myslimanëve”, e quajmë fundamentalizëm islam, atëherë kushtimisht mund të flasim edhe për fundamentalizmin islam. Ndaj, për këtë rast e shohim të arsyeshme ta theksojmë mendimin e shkencëtarit të madh islam Sejjid Husejin Nasrit, i cili thotë: “Përdorimi zhurnalist, e edhe akademik i shprehjes fundamentalizëm me të cilën dëftohet në shfaqjet e shumëllojshme në Botën islame dhe në mendimin bashkëkohor islam, është shprehja më e pafat që shpie rrugës së shtrembër, sepse është nxjerrë nga konteksti kristian ku posedon konotacion krejtësisht tjetërfare. Në Amerikë me këtë shprehje përcaktohen disa forma konservative të protestantizmit, rëndom antimoderne, me interpretim mjaft të ngushtë e të fjalëpërfjalshëm të Biblës dhe me theks të fuqishëm në etikën tradicionale kristiane. Këto karakteristika kanë diç fare pak të përbashkët me atë që klasifikohet me shprehjen fundamentalizmi në Islam, edhe pse edhe disa tendenca jashtëzakonisht ekzoterike por tradicionale në mendimin islam janë quajtur “fundamentalizëm” dhe kanë disa veçori të përbashkëta me “fundamentalizmin”, siç kuptohet kjo përgjithësisht në anglishte. Mirëpo, dallimet janë shumë më të mëdha se ngjashmëritë...”[14].
Atëherë kur në shek. 18-19 në botën islame paraqiten lëvizje ripërtëritëse (që sot karakterizohen si lëvizje fundamentaliste), një gjë e këtillë dukej si inovacion kundër të cilit luftuan disa grupe konzervative[15]. Prandaj, kur flitet për fundamentalizmin në shoqërinë islame, përkatësisht për fundamentalizmin islam, para së gjithash këtë duhet ta kuptojmë kushtimisht dhe ekskluzivisht si emërtim perëndimor për shfaqjet e ndryshme në botën bashkëkohore myslimane dhe si kategori perëndimore që thelbësisht në mënyrë moderniste e përcakton të kuptuarit e tyre. Përdorimi i kësaj shprehjeje në kontekstin pezhorativ e negativ ka shkuar aq larg saqë tashmë vetëm me theksimin e fjalës fundamentalizëm mendohet në islamin, që paraqet kulmin e përdorimit tendencioz e qëllimkeq, sikur të mos ekzistojë fundamentalizëm në religjionet, ideologjitë, lëvizjet dhe teoritë tjera. Me këtë shprehje dëshirohet të cilësohet, përcaktohet, klasifikohet dhe diskualifikohet, dëshirohet të shqetësohen jomyslimanët e të provokohen myslimanët.
Pra, sot për fundamentalizmin mund të flitet në mënyrë fundamentaliste dhe jofundamentaliste, në mënyrë tolerante dhe jotolerante, në mënyrë emocionale dhe me maturi, në mënyrë analitike dhe spekulative, e andaj e gjitha varet nga tendenca dhe aspekti polemizues.
Në vitet shtatëdhjetë vjen deri te përdorimi i shtuar politik i islamit, me çka rritet edhe interesimi për disa aspekte të islamit, që më herët qenë shpërfillë, e të cilat karakterizohen me simbole fetare. Ringjallja e lëvizjeve të shumta me “parashenjë” islame, nxiti edhe shpjegime jokompetente duke mos depërtuar në esencë të çështjes. Mund të thuhet se në botën islame modernizmi nuk arriti me pavarësi, por me nënshtrim kolonizues dhe akoma myslimanët nuk janë të lirë për shkak se fuqitë e Perëndimit shpesh kontrollojnë politikën e tyre prapa skenave për të siguruar furnizimin me naftë etj. Në vend të pavarësisë ka ekzistuar një varësi e venitur dhe humbje lirie. Përderisa njerëzit nuk ndihen të lirë, çfarëdo demokracie do të ishte sipërfaqësore dhe e mangët.[16]. Pra, që këtu edhe shumë më lehtë do të manipulohej me nocionin fundamentalizëm.
Kur jemi te manipulimet dhe manovrimet me nocionin në fjalë, këtu do të paraqesim një fakt që sipas disa statistikave të vitit 2006 nga gjithsej 498 sulme terroriste në Evropë vetëm 1 (një) ka qenë pjesëtar i fesë islame. Në atë listë (ku manifestohet fundamentalizmi) udhëheq bindshëm organizata baske ETA në Spanjë, edhe atë me gjithsej 136 akte të dhunshme terroriste. Kësaj mund t’ia shtojmë edhe vrasjet masive të viteve 2008, 2009, 2010 dhe 2011 që janë duke ndodhur në SHBA dhe në Evropë, si nëpër shkolla, kolegje dhe Universitete nga individë me tipare religjioze (si satanike, etj.). Rasti më i freskët është ai i Brevikut në Oslo të Norvegjisë, ku humbën jetën rreth 100 njerëz të pafajshëm.
Duhet ditur se “fundamentalizmi islamik” nuk përfaqëson asnjë sistem politiko-shoqëror, asnjë sistem ideologjik, asnjë politikë të veçantë, asnjë organizim shtetëror dhe asnjë aleancë shtetërore. Fundamentalizmi është tipar i politikës, e nuk është tipar i fesë, madje fundamentalizmi islamik është propagandim spekulativ[17].
Fundamentalizmi nuk është “pronë” e askujt, e më pak e myslimanëve, pasi që më shpesh karakterizohen grupet e caktuara myslimanësh, edhe pse fundamentalistët janë edhe të religjioneve dhe ideologjive të ndryshme. Që këtu, paralajmërimet e Hantingtonit për përleshjen e qytetërimeve mund të përkufizohen vetëm në linjën e ekstremizmit apo fundamentalizmit[18], gjë që do të mund të evitohen vetëm përmes ndonjë tolerance[19] dhe dialogu konstruktiv[20].
--------------------------------------------------------------------------------
[1] STIPČEVIĆ, Aleksandar, “Sudbina Knjige”, Naklada Benja, Lokve, 2000, f. 116.
[2] WHITE, Ellen, f. 122-135, OZAKPËNAR, Jëllmaz, “Kultura dhe qytetërimi”, Logos-A, Shkup, 2003.
f. 143, GOMBRIH, H. Ernest, “Histori e shkurtër e botës”, Elena Gjika, Tiranë, 1999, f. 207-213 dhe ЛИЛЈЕ, Ханс, “Мартин Лутер-1483/2003”, Огледало, Скопје, 2003, f. 51 e më tej.
[3] ЛИЛЈЕ, Ханс, f. 108.
[4] ЛИЛЈЕ, Ханс, f. 108.
[5] IBRAHIMI, Nexhat, “Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve”, Logos-A, Shkup, 1999, f. 139-141.
[6] IBRAHIMI, Nexhat, f. 139-141.
[7] Grupë autorësh, “Islamski Fundamentalizam - sta je to”? (Franjo Topiq, “Fundamentalizam i krscanstvo”), f. 95. IZ-Sarajevo, 1990. Po ashtu shih: Nexhat Ibrahimi, f. 141.
[8] Grupë autorësh, “Islamski Fundamentalizam - sta je to”?, f. 96.
[9] “Islamski Fundamentalizam - sta je to”?, f. 53-54.
[10] “Islamski Fundamentalizam - sta je to”?, f. 96.
[11] KARLSSON, Ingmar, “Besimi, terrori dhe toleranca”, Shkupi, Shkup, f. 299.
[12] KARLSSON, Ingmar, f. 303-304.
[13] KARLSSON, Ingmar, f. 304.
[14] “Islamski Fundamentalizam - sta je to”? (Dr. Mustafa Ceriq, “Suvremena duhovna kretanja u islamskom svijetu”), f. 111.
[15] RAHMAN, Fazlur,”Duh Islama”, Prosveta, Beograd, 1983, f. 306.
[16] Karen Armstrong, nga: www.jmehmeti.blogspot.com
[17] Naim Tërnava, www.bislame.net/web/index.php?option=com_content&task=view&id=86&Itemid=27
[18] Më gjerësisht shih: “Dialogu mes civilizimeve”, (Diskutime nga tribuna ndërkombëtare e organizuar nga Logos-A më 13 shtator, 2000 në Shkup), Logos-A, Shkup, 2003, f. 48-49.
[19] ЕЛ-ФАРУКИ, Исмаил Раџи, “Исламот и другите вери”, МЦМС, Скопје, 2006.
[20] NESIMI, Qani “Dialogu obligim hyjnor”, Logos-A, Shkup, 2005, f. 13-24.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull