Arlinda Zeka të kthehet në shkollë!
Edhe pas kalimit të më shumë së dy viteve të pavarësisë së Kosovës dhe afërsisht të njëmbëdhjetë viteve nga mbarimi i luftës, duket se koha e komunizmit në Kosovë ende nuk ka mbaruar. Disa drejtor të shollave publike në Kosovë, të tillë si Isuf Celaj nga komuna e Ferizajt dhe Fehri Qerimi drejtor i arsimit në komunën e Vitisë, e marrin ende guximin t’i drejtojnë shkollat publike me shkop si në komunizëm.
Mohimi i të drejtës së shkollimit të nxënëses së re 16 vjeçare, Arlinda Zeka, nga shkolla e mesme teknike "Pjetër Bogdani", komuna e Ferizajt, e përjashtuar për shkak të mbulesës nga drejtori i kësaj shkolle Isuf Celaj, është shembull tipik për këtë gjë. Po ashtu injorimi i vendimit të gjykatës nga ana e drejtorit të arsimit të Vitisë, Fehri Qerimi, për kthimin e Arjeta Halimit në procesin e rregullt mësimor në shkollën "Kuvendi i Lezhës" në Viti, tregon se drejtorët e tillë janë mësuar të shkelin ligjin dhe të injorojnë vendimet e gjykatave për kthimin e nxënësve në procesin mësimor.
Freedom House se fundi e renditi Kosovën si vend pjesërisht të lirë, në raportin e se cilës thuhet se "Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e fesë dhe se shqiptarët në përgjithësi gëzojnë të drejtën e ushtrimit të fesë se tyre", mirëpo në praktikë e vërteta është krejt ndryshe.
Vazhdimi i përjashtmit të vajzave me mbulesa prej shkollave publike të Kosovës, në kohën kur në Serbi lejohet mësim-besimi i nxënëseve me mbulesa në shkolla publike, kurse në Shqipëri lejimi i punësimit të femrave me mbulesa në institucionet publike, përbën një shkelje të rëndë të lirisë së qytetarëve dhe e të drejtave elementare të vajzave me mbulesë, të përjashtuara së fundi nga procesi i rregullt mësimor në komunën e Ferizajt dhe të Vitisë.
Derisa në Kosovë ligji shkelet me të dyja nga këmbët prej drejtorëve kauboj të ardhur me bërryla në postet e tyre, kurse udhëzimet administrative i ndërrojnë arbitrarisht brenda natës dhe në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, me qëllimin për t’i nxjerrë jashtë shkolle vajzat me mbulesë; Selma Jakub ndërkaq, një femër me mbulesë në Mbretërinë e Bashkuar, bëhet gati që të hyjë brenda në parlament në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti në Britani.
Selma Jakub, e lindur në Bradford të Anglisë, megjithëse me mbulesë, punon si psikoterapiste dhe është nënkryetare e partisë "Respekt" si dhe këshilltare e qytetit në Birmingem, vend të cilin e ka fituar më mbi 50 % të votave para një viti. Ajo shprehet se: “Fuqinë time, dhe inspirimin tim e marr nga feja ime Islame”. Pak më herët, Mahinur Ozdemir, një grua po ashtu me mbulesë, u bë deputete në parlamentin e Belgjikës. Raste të tilla suksesi të femra me mbulesë ka edhe në vendet e tjera të eurozonës. Kurse në Kosovë bëhen përpjekje që vajzat me mbulesa të nxjerrën jashtë shkollave duke u thirrë në ligje të paqena.
Në anën tjetër institucionet shtetërore të Spanjës, së fundi kanë refuzuar fuqishëm kërkesën për ndalimin e mbulesës për nxënëset në shkollat publike. Zëvendëskryeministrja spanjolle, lidhur me këtë kërkesë të partisë popullore të Spanjës, deklaroi se në kushtetutën e Spanjës është garantuar e drejta e lirisë fetare dhe e drejta e arsimit dhe se qeveria duhet ta mbrojë kushtetutën e vendit.
"Qeveria është duke e përgatitur projektrezolutën për të drejtat fetare, në të cilin garantohen qartë lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve spanjoll për të shprehur bindjet e tyre fetare, dhe gjithashtu mbi bashkëjetesën dhe tolerancën përballë çdo besimi", theksoi Maria Teresa Fernandez De La Vega. Përballë gazetarëve ajo tha se qeveria absolutisht është kundër ndalimit të veshjes islame nëpër institucionet arsimore të vendit dhe është e mendimit se asnjë qytetar spanjoll nuk duhet të privohet nga e drejta e arsimimit.
Ani pse dikush mund të thotë se Spanja nuk na ka njohur si shtet, mirëpo për hir të së vërtetës, kjo gjë duhet vlerësuar, të ndiqet në këtë aspekt dhe të merret si shembull për zgjedhjen e problemit të vajzave me mbulesë në Kosovë; sepse ajo po i garanton dhe po i siguron të drejtat e pakicës në shtetin e vet, pasi myslimanet atje janë pakicë. Edhe në Kosovë respektohen të drejtat e pakicave, madje si askund tjetër në botë, dhe nuk kam asgjë kundër kësaj. Pakicat e kanë vendin në Kosovë dhe duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë sikur edhe shumicës. Kështu qytetarët serb të Kosovës vazhdojnë t’i mbajnë orët e mësim-besimit të tyre fetar në vendet ku jetojnë. Por problemi është se ‘komuniteti’ shumicë, shqiptarët pra, po diskriminohen nga vet shqiptarët.
Në të kaluarën pak më të largët ka qenë pushtuesi serbo-sllav ai, i cili ua pati mbyllur shqiptarëve dyert e shkollave, kurse sot po ia mbyllin vet shqiptarët njëri tjetrit. Mbyllja e derës së shkollës për Arlinda Zeka dhe Arjeta Halimi dhe për vajzat e tjera më herët, paraqet vërtet një goditje të rëndë për arsimin e Kosovës, për demokratizimin, zhvillimin dhe emancipimin e lirë të shoqërinë tonë.
Duke pasur parasysh se nëpër çfarë sfidash e sprovash ka kaluar shoqëria dhe arsimi i Kosovës, se dyert e shkollave nuk i janë mbyllur asnjë nxënësi apo nxënëseje ndonjëherë, as edhe atëherë kur kemi mësuar me një copë maje grafiti, me një gjysmë fletoreje të grisur dhe me një opingë ndryshe nga këmba tjetër, nëpër bodrumet e ftohta akull; sot në liri, nuk do të duhej të ndodhte dhe as të lejohej mbyllja e derës së shkollës për askënd. Mirëpo ja që po ndodh e kundërta. Dyert e shkollave në Kosovë po mbyllën për vajzat me mbulesë si portat e kështjellave në mesjetë kur bëhej natë. Njeriu që nuk arrinte të kthehej më kohë në kështjellë, mbetej jashtë portave dhe rrezikohej nga kanosja e hajdutëve dhe grabitqarëve të paskrupullt.
Kështu, tash e sa kohë kaloi që Arjeta Halimi dhe Arlinda Zeka po qëndrojnë jashtë dyerve të shkollave duke lënë bosh vendin e tyre në klasë. Me privimin nga e drejta e tyre për t’u shkolluar, po vihet seriozisht në rrezik e tashmja dhe e ardhmja e këtyre nxënëseve. Që nga përjashtmi prej shkollës, Arlinda Zeka po vazhdon të përballët me ankthin se a do të arrijë të realizojë ndonjëherë dëshirën e saj që një ditë të bëhet studente, gjë për të cilën ajo tani po kalon çaste të vështira të jetës së saj, mes frikës dhe shpresës.
Të shpresës në njërën anë se ajo do të kthehet se shpejti në shkollë dhe t’i vijojë normalisht mësimet, dhe të frikës në anën tjetër se edhe kur drejtësia ta thotë fjalën në favor të saj, ajo të mos mund të kthehet në bankën e saj të shkollës nga shkopi i drejtorit; siç ndodhi vetëm para pak kohe me nxënësen nga Vitia, Arjeta Halimi, së cilës gjykata i lejoi dhe i dha të drejtën të vazhdojë procesin mësimor, por që u ndalua nga drejtori i arsimit Fehri Qerimi për vazhdimin e mësimeve në shkollë.
Qytetarët e Kosovës duke i parë këto padrejtësi të pafundme që po ushtrohen ndaj këtyre vajzave të mitura, Arjeta Halimi dhe se fundi të Arlinda Zeka, dhe duke parë se vendimet e gjykatës në favor të nxënësve nuk po merren parasysh; kanë vendosur të mobilizohen në forma të ndryshme për përkrahjen dhe për kthimin e tyre në shkolla.
Kështu për shembull në rrjetin social të fejsbukut në një grup të hapur nga qytetarët me sloganin: "Arlinda Zeka te kthehet ne shkolle, motrat e mbuluara te mos diskriminohen", janë anëtarësuar mbi 16200 anëtarë në përkrahje të Arlinda Zekës për ta kthyer në shkollë dhe ky numër i përkrahësve të saj është në rritje e sipër. Gjithashtu në këtë rrjet është hapur edhe një peticion me titullin: ‘’Arlinda Zeka të kthehet në shkollë!’’, i cili është duke u nënshkruar më të madhe prej qytetarëve të Kosovës. Ky peticion i drejtohet institucioneve të Kosovës: Presidentit Sejdiu, kryeministrit Thaqi, ministrit të arsimit Hoxhaj, Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Shkencës në Ferizaj si dhe drejtorisë së Shkollës së Mesme "Pjetër Bogdani" nga Ferizaj, për të kthyer në shkollë Arlinda Zekën.
Në Peticion thuhet: “Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, të poshtëshënuar; të shqetësuar nga pengimi në shkollim dhe nga largimi i vajzave që bartin mbulesën nga shkollat publike, kërkojmë :
- Rikthimin e menjëhershëm në procesin mësimor të nxënëses Arlinda Zeka, si dhe të të gjitha nxënëseve të tjera të larguara për shkak të mbulesës,
- Largimin e paragrafit 13 të Udhëzimit Administrativ “Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta Nr. 7/2009", si paragraf tërësisht diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut,
- Garantimin e lirisë së bartjes së mbulesës nga ana e pjesëtareve të besimit islam,
- Ndërmarrjen e masave të menjëhershme kundër atyre që vihen mbi Kushtetutën dhe kryejnë diskriminim në baza fetare sipas bindjeve dhe preferencave personale,
- Garantimin e zbatimit të të gjitha obligimeve tjera fetare, të cilësdo fe të pranuar institucionalisht që praktikohet në Kosovë.”
Vendosshmëria e këtyre qytetarëve duket të jetë vërtet e madhe për ta kthyer Arlinda Zeka dhe vajzat e tjera aty ku vendi i tyre po i pret, në shkollë. Kështu OJQ “Alternativa Rinora” më datë 07.05.2010 ditë e premte, kanë vendosur që të organizojnë “Protestë Paqësore” në Prishtinë në ora 14:00, në shenjë pakënaqësie për largimin e Arlinda Zeka nga procesi i rregullt mësimor, thuhet në një komunikatë nga kjo OJQ. Masa e protestuesve do të lëviz prej sheshit Nëna Tereza, para Qeverisë së Kosovës në drejtim të MAShT-it, ku do të jetë tubimi qendror, thuhet në vazhdim.
Për vajzat e reja që gjenden në këtë moshë delikate dhe që kanë të projektuara ëndrrat në kokën e tyre se çfarë dëshirojnë të bëhen nesër, se çfarë do të studiojnë apo se profesioni do të ushtrojnë në të ardhmen; përjashtmi nga shkolla përbën vërtet një sfidë të madhe për to. Gjithashtu edhe për zhvillimin e dhe ngritjen e personalitetit të tyre.
Në shkollat publike ka përplot fenomene negative të nxënësve huligan, të cilët bartin drogë, armë dhe çfarë jo tjetër, dhe as që guxon t’i shkojë mendja drejtorëve t’i përjashtojnë nga shkolla. Aty shkopi i tyre nuk u kryen punë, se ju fryn fllad. Mirëpo nga shkolla largohen do vajza të shkreta e të pa krah duke u thirrë në ligje të paqena.
Prandaj veprimet e drejtorit Isuf Celajt dhe të Fehri Qerimit shprehin intolerancën ndaj njerëzve fetar dhe besimtar në Kosovë. Këto veprime po perceptohet si mesazh se njerëzit fetar duhet të izolohen nga shkolla, nga puna dhe nga jeta në përgjithësi. Kjo është diskriminuese dhe përbën shkelje të të drejtave elementare të njeriut. Heqja e drejtës së individit për shkollim, si rasti i Arjetës dhe Arlindës, është edhe heqje e së drejtës për punësim, dhe si rrjedhim edhe heqje e së drejtës për jetesë, duke qenë se njeriu në rrethanat e aktuale, vështirë se mund të gjejë një vend pune në Kosovë pa shkollim adekuat.
Ideologjikisht feja në Kosovë është luftuar edhe në të kaluarën. Janë të panumërta rastet kur shpesh prej njerëzve më të moshuar dëgjojmë se në çfarë mënyre drejtorët e shkollave në komunizëm shkonin nëpër të gjitha klasat e shkollës në muajin e ramazanit dhe u epnin nxënësve për të pirë ujë dhe ndonjëherë për të ngrenë edhe llokum, si nxitje shtesë për t’ia prishur agjërimin, për moslejimin e agjërimit si dhe për t’i penguar nga praktikimi i urdhrave hyjnor të Zotit.
Shumica e nxënësve nga frika e pinin ujin, ngase drejtori qëndronte pranë me shkop në dorë. Por kishte edhe të atillë që refuzonin të pinin, ngase nuk dëshironin ta prishnin agjërimin. Fati i tyre ishte shumë i keq, madje drastik. Ata nuk i panë më kurrë bankat shkollore... Të ndodhur në një udhëkryq, ia mësynin rrugëve të botës... Për fajin e drejtorëve, puna e rëndë e krahut nuk iu nda më kurrë... Arlinda Zeka, Arjeta Halimi dhe vajzat e tjera të përjashtuara për shkak të mbulesës të kthehen në shkollë! Ato nuk mund të kryejnë punë krahu, z. drejtor!
Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)