Ideja për t’i fajësuar të tjerët për dështimet tona historike dhe ato aktuale nuk është gjë e re. Në artikullin “Fantazma e Sulltanit...” ajo po tingëllon si një muzikë e njohur. Nën ritmin e kësaj muzike djallëzore, historiani H. Thaqi, edhe kësaj radhe e nxori një valle çoroditëse në skenë para publikut, natyrisht, pa shije dhe aspak të hijshme. Kështu H. Thaqi përgjatë gjithë tekstit të tij, përpiqet t’i pështjellë kabllat, me synimin për të djegur BIRK-un dhe njerëzit e besimit islam, por që në fakt me këtë lloj përzierje kabllash ai nuk e djeg askënd tjetër përveç vetës. Mbase, kopallat, përrallat e tregimet prej fantazmash nuk po duan t’i dëgjojnë më as fëmijët e lëre më të rriturit së hiq. Kështu H. Thaqi shkruan: “Perandoria Osmane, sundimtarja më mizore e shqiptarëve, që na imponoi me dhunë ideologjinë e vet shtetërore, islamizmin, për ta penguar shkollën shqipe dhe përparimin e shqiptarëve për t’i lënë ata në fundin e skëterrës mesjetare, prej të cilës nuk po mund të lirohemi as sot.”
Ne fakt, arsyeja që ne sot nuk po mund të lirohemi prej “skëterrës mesjetare”, nuk ka të bëjë asgjë me Perandoria Osmane, por me tenderomaninë, korrupsionin, krimin e organizuar, drogën, prostitucionin, reketin, familjarizimin, ryshfetin, nepotizmin dhe me dhjetëra qindra vese tjera të liga që i kanë kapluar pushtetarët tonë, bashkë me punonjësit e huaj dhe me organizatat ndërkombëtare që në këto 10 vitet e pasluftës e kanë shndërruar Kosovën në parajsën e ëndrrave të tyre duke ia realizuar vetes edhe më të voglën dëshirë. Kjo është arsyeja e vërtetë dhe thelbësore përse ne sot kemi mbetur në atë që H. Thaqi e quan skëterrë mesjetare.
Ndërsa sa i përket asaj që autori e fajëson Perandorinë Osmane për imponim me dhunë të islamit, pengimin e shkollës shqipe dhe për ngecjen e shqiptarëve as kjo nuk qëndron. Shkakun se për çfarë arsye shqiptarët nuk përparuan dhe përse nuk arritën të formojnë një shtet dhe as të shkruajnë gjuhen e tyre, përgjigjjen për këtë çështje më së miri e gjejmë brenda enciklopedisë “Kamus Al a’lam” të Sami Frashërit që gjerësisht flet për shqiptarët, i cili thotë: “Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin... Për këtë arsye, duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë një shtet ose të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të krijojnë një letërsi kombëtare.”
Në të kaluarën më të largët pra, shqiptarët dhe paraardhësit tonë, përgjatë gjithë historisë nuk u përkujdesën që krahas popujve të tjerë, pra krahas grekëve, bullgarëve, serbëve, me një fjalë të fqinjëve tonë, të krijojnë një bashkësi, përkatësisht një shtet të qëndrueshëm dhe unik, edhe pse shumë herë gjatë historisë kanë pasur raste dhe mundësi të volitshme që të bëjnë. Por ja që nuk e kanë bërë.
Le që nuk e kanë bërë këtë vepër jetike, por edhe për më keq: Mbretëritë ilire, për t’u pasuar më vonë gjatë periudhës mesjetare nga principatat e shumta shqiptare, luftonin vazhdimisht mes veti. Shumë prej principatave shqiptare për shembull, nuk patën hezituar aspak t’i thërrasin në ndihmë edhe vet osmanlinjtë (po i përmendi këtu vetëm osmanlinjtë, për të mos dalë nga konteksti tematik, pasi ata s’kanë qenë të vetmit që janë ftuar) për të luftuar dhe për të ngadhënjyer ndaj principatës tjetër shqiptare.
Pra, vet shqiptarët e kanë joshur Perandorinë Osmane (por edhe të tjerët si p.sh. Venedikun) që të vijë në trojet shqiptare, e kështu kanë qëndruar gjithmonë nën sundimin e huaj, dhe, kjo shprehi e joshjes së të mëdhenjve e të fortëve, ka buruar pikërisht si shkak i ligësisë dhe i dobësisë sonë individuale si njerëz, si bashkësi, si populli; gjë që është përsëritur dhe ka arritur deri në ditët tona.
Se ky lloj fati tragjik edhe neve sot po na përcjell, vërtetohet me faktin se edhe sot ne nuk ndihemi të qetë e as rehat, po që se nuk qeverisemi1 ose nuk mbikëqyremi2 nga të huajt. Kjo vërtetohet po ashtu me faktin se ne, të huajt i duam, i çmojmë dhe i respektojmë shumë më tepër se vetveten. Për ta thënë edhe më troç, ne le që nuk duhemi mes vete, ne e urrejmë njëri tjetrin si jo më keq. Këto janë të metat tona të mëdha, qe s’kemi përse t’i fshehim tani para askujt, ngaqë edhe ashtu të huajt këtë na e kanë lexuar mes atyre rreshtave të historisë sonë të (pa)shkruar. Shenjë se e kanë kuptuar shumë mirë këtë gjë, tregon fakti se ata (të huajt), nuk hezitojnë aspak të na quajnë mikpritës, besnik, miqësor, etj., me ç’rast ne i duam edhe më shumë. Në këto rrethana (nëse nuk ndryshojnë), sundimi i huaj kurrë nuk do t’iu hiqet qafesh shqiptarëve, qoftë i njërës formë apo i një forme tjetër.
E metë e madhe e ditëve tona është po ashtu se shqiptarëve si popull ngjan të mos i pengojë asgjë tjetër përveç dhunës fizike të drejtpërdrejtë. Të gjitha të tjerat3, që në fakt, në një gjendje normale janë po aq të rënda sa edhe vet dhuna fizike (pasi e paralizojnë funksionimin e një shteti totalisht) shqiptarët i pranojnë dhe i durojnë pa problem.4
Kjo këtu dhe ajo që u tha më lartë ndikoi që edhe të parëve tonë, Ilirëve që ishin të ndarë në rreth 70 fise të ndryshme5, t'ua bëjë të pamundur formimin e një shteti të qëndrueshëm dhe unik, e cila do të zhvillonte kulturën në përgjithësi dhe gjuhën ilirishte-shqipe në veçanti, pasoja këto, të cilat edhe sot po reflektohen negativisht dhe të cilat do të reflektohen edhe në të ardhmen, nëse nuk veprohet urgjentisht nga të gjithë faktorët shqiptarë.6
Në lidhje me krejt këtë, mundësia është relativisht e vogël që prototipi i njeriut të H. Thaqit t’i pranojnë këto fakte, pasi mizën e kanë si gjithherë mas veshi për fajin e dështimeve tona historike. Prandaj, normalisht që, për t’i mbuluar të gjitha të metat dhe dobësitë tona si popull, e që janë të shumta; faji, nën frazën e njohur se është jetim, duhet hedhur tjetërkujt. Por jo vetëm kaq. Atë duhet fryrë e rritur sa më shumë, për t’i mbuluar sa më mirë dështimet tona; për të cilat, i fajësuari gjithmonë e ka pasur dhe e ka ende vetëm një emër: Perandoria Osmane-turqit. Njëjtë siç nuk është meritë e shqiptarëve themelimi dhe zhvillimi i SHBA-ve, njësoj as faji për dështimet e dobësitë tona historike nuk mund të jetë faj i huaj. Ai është faj kryekëput i paraardhësve tonë dhe i vet shqiptarëve.
Prandaj, nëse duam të ecim përpara, duhet ta pranojmë të vërtetën dhe fajin tonë. Në të kundërt, vetëmashtrimi, ndjekja e traditës së fajësimit dhe e demonizimit të tjetrit për dështimet tona, rrezikon të ndiqet në të ardhmen edhe nga pasardhësit tonë, gjë që do të përbënte dështimin tonë më të madh historik. Ndërkaq status-quoja e sundimit të shqiptarëve nga të huajt do të mbetet e njëjtë, sigurisht për vet fajin tonë.
Në këtë rast do të mund edhe të na thuhet: “Mos e merrni edhe aq tragjike gjithë këtë punë. Kjo është vetëm një traditë e të parëve tonë që po vazhdon të ndiqet edhe në ditët tona, e që vështirë se do të mund të ndryshohet.”
vazhdon
----------------------------------------
[1] P.sh. Qeverisja e Kosovës nën protektoratin e UNMIK-ut për gati një dekadë. Na është dashur ta kërkojmë vet pa qare në Rambuje-Paris.
[2] P.sh. EULEX-i në Kosovë. Po të ishte mbarë e mirë, Kosova s'do të duhej të kishte nevojë për një mision të fuqishëm mbikëqyrës me kompetenca madje edhe vendimmarrëse dhe të ndërhyrjes së drejtpërdrejt në organet shtetërore pas shpalljes së pavarësisë së saj. Ose rasti tjetër, kur Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjnë e të përpiqet të zhbllokojë krizën politike mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri, e cila për më gjatë së një vit ende nuk është zgjidhur.
[3] Shih edhe një herë paragrafin e dytë. Janë pikërisht këto fenomene që tani do të duhej t’ju pengonin shqiptarëve po aq, sa edhe i ka penguar dikur dhuna fizike diktatoriale enveriste në Shqipëri dhe ajo millosheviqiane në Kosovë, me ç'rast populli u mobilizua për të realizuar lirinë dhe për ta hequr dhunën prej qafe.
[4] Nuk është aspak çudi që në këto rrethana Kosova e ka papunësinë sipas të dhënave zyrtare 43%-45% (e cila dyshoj të jetë edhe më e lartë), kurse varfëria ekstreme prapë sipas shifrave zyrtare deri 17%, pra ma e larta në Evropë.
[5] Vetëm në Kosovë që nuk ka më shumë së 2.5 milion banorë, ekziston një ndarje e thellë politike me mbi 70 parti të ndryshme. Se fundi u forma edhe një parti e re: Partia e Pensionistëve të Kosovës. Dhe si duket ka mbetur dhe është vetëm çështje kohe kur të themelohen edhe Pratia e Rinisë së Kosovës, Partia e Grave të Kosovës dhe Partia e Fëmijëve të Kosovës. Domethënë më shumë parti në Kosovë, sesa fabrika për t'i punësuar njerëzit. Po ashtu edhe në Maqedoni ekziston ndarja në shumë parti politike, ku fërkimet dhe grindjet mes BDI-së së Ali Ahmetit në pushtet dhe PDSH-së së Memduh Thaqit të mbetur në opozitë na japin tablonë tipke të karakterit shqiptar ndër shekuj. Ndarja në shumë parti politike, ekziston fatkeqësisht edhe të shqiptarët e Luginën së Preshevës. Edhe në Mal të Zi janë disa parti shqiptare. Pra, këto ndarje të thella të shqiptarëve nuk mund të jenë të rastësishme, dhe sikundër e shpjegon edhe vet Samiu, rrënjët e saja janë të lashta qysh nga koha e paraardhëseve tonë Ilir-Pellazg. Duke pasur parasysh gjithë këtë, vërtet është fat i madh që Kosova u bë më në fund shtet.
[6] Si shkak i mosunifikmit, fati i keq i së kaluarës shqiptarët po i përcjell edhe sot. Si rezultat mbi shtatë milion shqiptarë sot jetojnë në gjashtë shtete të ndryshme, kurse edhe një herë po aq nëse jo më shumë, të shpërndarë nëpër të gjitha vendet e botës. Pra më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare është në rrezik të asimilohet për vet fajin tonë, ngaqë tashmë dy shtetet shqiptare nuk ndërmarrin asgjë konkrete për ta parandaluar këtë gjë.
Sqarim: 1-6 plotësime nga autori
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull