Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Tash ndihmoni edhe studentėt

Autor: Avni Xhemajli E hėne 22 Mars 2010 15:40 PM

 

Letër e hapur MASHT-it dhe ministrit Hoxhaj

 

Vendimi i vitit të kaluar i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe MASHT-it për ngritjen në 100% të pagave për profesorët e Universitetit të Prishtinës, ishte hap i duhur dhe i qëlluar si shtysë drejt ngritjes së cilësisë në UP si dhe për motivimin e stafit akademik të saj për një punë sa më dinjitoze në institucionin më të lartë arsimor në vend.

Përpjekja e rektorit dhe prorektorit të UP-së në anën tjetër, për ndarjen e 200 trojeve për profesorët në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, është një tjetër hap drejt rregullimit dhe përmirësimit të kushteve të profesorëve dhe të ngritjes së arsimit në UP.

Gjendja jo e mirë financiare e shumë profesorëve të UP-së, deri para kohës të ngritjes së pagave, përbënte një pengesë për arritjen e këtij synimi, gjë e cila për ta paraqiste një sfidë jo edhe të vogël për mbajtjen e familjeve të tyre. Ishte pikërisht kjo nga arsyet kryesore që para disa vitesh profesorët bojkotonin procesin mësimor. Ngritja e pagave në këtë nivel, ka ndikuar në stabilizimin e statusit social të stafit akademik të UP-së. Gjithashtu ka hapur edhe derën e aplikimit të mirëfilltë të reformave për punë më produktive dhe më efikase në këtë universitet.

Mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes që kërkonte rregullimin e saj. Për ta bërë të suksesshëm shkollimin e lartë në Kosovë, duhet të shikohet edhe ana tjetër e saj. Ana tjetër e medaljes pa dyshim se janë studentët e këtij universiteti. Do të duhej që seriozisht të merrej parasysh, si dhe të shtrohej pyetja se çfarë në fakt është gjendja e rreth 40000 mijë studentëve të UP-së, e cila është ajka, alfa dhe omega e ardhmërisë së kësaj shoqërie dhe progresit të saj. Realiteti tregon se në shumë aspekte gjenda e tyre është jo e mirë. Pjesa më e madhe e këtyre studentëve kanë vështirësi serioze për vijimin dhe kryerjen e studimeve për shkak të buxhetit të varfër të familjeve të tyre dhe të pamundësisë për t’i përballuar shpenzimet studimore. Minimumi i shpenzimeve të një studenti në muaj është rreth 200 euro, pra sa paga e një nëpunësi në Kosovë. Ka shumë studentë që këtë kosto nuk mund ta përballojnë dhe i lejnë studimet edhe pse janë të shkëlqyeshëm. Ka edhe një numër tjetër që nga dëshira për t’i vijuar dhe përfunduar studimet, krahas studimeve fillojnë të punojnë çfarëdolloj pune që u ofrohet, gjë që i dekurajon dhe i shpërqendron nga qëllimi i studimeve që kanë.

Se a e meritojnë një përkrahje institucionale studentët e UP-së, kjo nuk do koment. Gjithsesi së po. Studentët e këtij universiteti e kanë dëshmuar veten me sakrificën e tyre për zhvillimin dhe mbrojtjen e Kosovës në kontinuitet, sikur edhe profesorët e saj. Dhe nëse për asgjë tjetër, për këtë arsye do të duhej që tani të ndërmerrej dhe të bëhej diçka nga institucionet që të ndihmohet kjo kategori e shoqërisë, që në kohën më të rëndësishme të jetës së tyre ndihen të lenë anash. Ne gati përditë dëgjojmë nga zëra të ndryshëm se rinia është resursi më i madh, pasuria jonë më e madhe, se popullsia jonë është më të reja në Evropë, etj. etj, por kurrë nuk ju shkon ndërmend të propozojnë apo të bëjnë diçka konkrete për rininë.

Duke qenë se arsimi është prej top prioriteteve të qeverisë, do të ishte me interes për MASHT-in dhe ministrin Enver Hoxhaj që çdo ide a propozim që është korrekt dhe gjithsesi me qëllim të mirë për ngritjen e arsimit -të merret parasysh. Në këtë kontekst, hartimi i një strategjie për t’i mbështetur studentët e UP-së, do të ishte më së e dëshirueshme për çdo student dhe familje. MASHT-i në këtë drejtim ka mundësi të aplikojë dhe hartojë programe mbështetëse financimi me dobi të shumëfishtë: Në njërën anë në të mirë të studentëve duke i mbështetur dhe ndihmuar të kryejnë studimet, dhe në anën tjetër në të mirë të shtetit të Kosovës duke nxjerrë në këtë mënyrë kuadro të afta nga lëmit e ndryshme shkencore që nesër do t’i shërbejnë vendit me dinjitet. Mënyra e financimit mund të bëhet në forma të ndryshme madje pa shpenzuar paratë e buxhetit të shtetit edhe sikur ato të investohen qoftë edhe vetëm prej tij pa ndonjë mbështetje tjetër. Për shembull: MASHT-i dhe rektorati në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe me ndihmën e kompanive publike, të biznesit privat vendor dhe të donatorëve të jashtëm, do të mund të hartonin një projekt për mbështetje financiare dhe ndihmë për të gjithë studentët e UP-së pa dallim etnik, fetar apo çfarëdo dallimi tjetër, që janë të suksesshëm dhe plotësojnë kritëriumin për vitin e ardhshëm akademik. Mbështetja financiare institucionale, studentët dhe familjet e tyre, përvç problemit financiar, më këtë gjë do t’i ndihmonte në rregullimin edhe të një varg problemesh tjera zinxhirore. Sigurisht se një projekt i tillë është i kushtueshëm, mirëpo është për shumë arsye i nevojshëm dhe i dobishëm: Për subvencionimin e dijës, për përkrahjen e studentëve dhe familjeve të tyre, si dhe për ngritjen e një shteti prosperues dhe të qëndrueshëm ekonomikisht. Koha në të cilën po jetojmë po e dëshmon se investimi në dije është investimi më i madh që mund të bëhet sot për sot për ekonominë e një vendi. Arsimi është shëndrruar në resorin më të rëndësishëm ekonomik në botë. Ekspertet kanë vërtetuar se investimi në dije nga të gjitha fushat tjera që mund të investohet është investimi më i madh që ekziston dhe që mund të bëhet, i cili gjatë jetës së çdo individi kthehet deri me dhjetra herë! Vetëm kështu mund të zhvillohemi e të emancipohemi si shoqëri e re dhe të bëhemi të aftë të konkurrojmë me të tjerët në rajon dhe më gjerë.

Projektin për mbështetjen e studentëve do të bëhej i realizueshëm kur kemi parasysh se, studentët pasi t’i përfundojnë studimet e tyre dhe në momentin që ata arrijnë të punësohen qoftë brenda ose edhe jashtë vendit, në bazë të shënimit të një marrëveshjeje me MASHT-in, të fillojnë t’i kthejnë gradualisht në këste paratë që kanë pranuar gjatë periudhës të kryerjes së studimeve. Për të qenë më e lehë kthimi i parave për studentët, është mirë që të kthehen me zero interes, pa kamatë, deri në eliminimit e tij. Ngjashëm veprohet në disa vende të ndryshme në botë. Paratë e kthyera në këtë mënyrë, do t’i mundësonin edhe gjeneratave tjera të reja që vijnë pas, të përfitojnë nga një projekt i tillë. Nga ky investim do të përfitonin të gjithë, shteti i Kosovës, studentët dhe shoqëria jonë në përgjithësi. Buxheti i shtetit nuk do të dëmtohej, pasi të hollat nuk harxhohen, meqenëse ato kthehen nga studentët më vonë dhe në këtë mënyrë krijohet një sistem reversibil që do ta mbante fondin të ekzistojë vazhdimisht. Prezantimi i një projekti për ngritjen e një fondi të tillë në të mirë të studentëve të UP-së, ka gjasa reale të gjejë përkrahje të gjerë nga donatorë të jashtëm dhe vendor, sidomos kur t’u shpjegohet së projekti ka për qëllim subvencionimin e dijës dhe mbështetjen e studentëve gjatë fazës së studimeve të tyre. Rëndësia e kthimit të parave nga studentët, pasi t’i kenë kryer studimet si dhe mosvënia e kamatës, para donatorëve do të dëshmonte më së miri se projekti vërtet është në shërbim të studentëve dhe për një afat të gjatë kohor, gjë që do të gjente përkrahje dhe mbështetje të gjerë dhe të shpejtë. Me një vullnet të mirë pra, dhe një angazhim të përbashkët qytetar dhe institucional do të mund të realizoj një gjë e tillë. Në atë rast, studentët gjenial si Valmir Krasniqi nuk do të mbeteshin aty këtu emra të përveçshëm, por numri i tyre do të shtohej dukshëm edhe në fushat tjera shkencore që shtetit tonë të ri, do t’i dhuronte një imazh të mirë në mbarë botën: Imazhin e një shteti që është në gjendje të nxjerrë shkencëtarë të rijnë që janë në gjendje të garojnë në nivel botëror dhe me dijen e tyre të shërbejnë në të mirë të mbarë njerëzimit. Në këtë rast nuk do të shtrohej më pyeta nga vende të ndryshme të botës, se a e meriton apo jo Kosova pavarësinë e saj dhe pyetje të tjera të këtij lloji. Shikuar edhe nga një kënd tjetër, ky është një lobim brilant në të gjitha vendet e botës dhe me kosto të ulët, në një kohë kur Kosovës ende i duhen njohje të reja dhe krijimin e një imazhi të vet pozitiv. Këtë gjë më së miri e dëshmon edhe rasti i të riut Valmir Krasniqi, student i matematikës në UP. Më aftësitë e tij të jashtëzakonshme ai ka arritur të tërheq vëmendjen e shumë profesorëve më famë botërore, si Tofik Nansur nga Izraeli, Horst Azler nga Gjermania (që ka mbi 200 punime shkencore), Fenk Qu Bai nga Kina (80 punime shkencore) ose Kristian Berg nga Danimarka, të cilët i kanë ofruar bashkëpunim në fushën shkencore një studenti nga Universiteti i Prishtinës! Valmiri ndonëse ende student, tanimë ka 11 punime shkencore të pranuara për botim në revistat ndërkombëtare nga fusha e analizës matematikore dhe në lëmin e teorisë së funksioneve të Eulerit (funksionet gama), disa prej të cilave i ka botuar në revista shkencore profesionale ndërkombëtarisht të njohura. Një nga bashkëpunëtorët e tij Fatmir Shatri më herët kishte thënë se Valmiri ka arritur të bëjë aplikimin e disa funksioneve të Eulenit në zgjedhjen e inekuacioneve, punë kjo që nuk ka arritur ta bëjë askush nga matematicienët më të shquar që i njeh historia e njerëzimit. Kjo do të duhej të ishte krenari për Universitetin e Prishtinës.

Subvencionimi dhe mbështetja e një dije të tillë që denjësisht na prezanton dhe përfaqëson anë e mbanë botës, është për të mirën tonë të përgjithshme si shoqëri. Ndërsa efekti i realizimit të një projekti të tillë, do të reflektohej pozitivisht në çdo familje kosovare dhe në këtë mënyrë në të gjithë shoqërinë tonë, pasi thuajse çdo shtëpi ka min. një student në UP. Aq më tepër kur shumë prindër hyjnë edhe në kredi me kamata të larta deri në 15% që janë në vend tonë, vetëm e vetëm që të mund t’i shkollojnë fëmijët e tyre për një të ardhme më të mirë. E them me bindje dhe pa modesti se njeriu i cili do të mund të vente në jetë një projekt si ky apo të ngjashëm si ky, në përkrahje dhe të mirë të studentëve të UP-së, do të fitonte zemrat e tyre dhe do të mbetej gjatë në kujtesën e qytetarëve të Kosovës për të mirë.

 

Autori është anëtar dhe ndër bashkëthemeluesit e organizatës Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi


Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com

Arkivi i autoreve