Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Tė kesh shokė dhe tė jesh shok

Autor: Dr. Ismail Bardhi E shtune 9 Tetor 2010 11:19 AM

 

Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e jo në mëkate e armiqësi. Kini droje dënimin e Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë. (El-Maide, 2)

 

Miqësia dhe organizimi janë në gjendje të bëjnë çmos. Alija Izetbegoviq

 

 

Për miqësinë, apo shoqërinë, është thënë shumëçka. Megjithatë, zhgënjimet më të hidhura në jetë, sidomos tek të rriturit, ndodhin pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes shokëve. Kur flitet për miqësimet e fëmijëve dhe adoleshentëve, në atë raport ende gjendemi disi. Tek të rinjtë miqësinë e konsiderojmë si dukuri të natyrshme dhe askush nuk bën problem në lidhje me të. Mirëpo, për çudi, të gjithë bëhemi mjaft të pasigurt dhe të kujdesshëm kur kemi të bëjmë me miqësinë mes të rriturve. Me miqësi këtu, natyrisht, mendohet në atë midis personëve që nuk kanë lidhje familjare. Për shembull, në shumë martesa, miqësia e njërit nga bashkëshortët me ndonjë person të tretë bëhet shpesh burim xhelozie. Të rinjtë, të cilët sapo kanë hyrë në martesë, nuk mund as ta paramendojnë se nuk janë të mjaftueshëm për njëri-tjetrin dhe shpesh e ndërpresin çfarëdo miqësie të mëparshme. Me kalimin e viteve, ata e zbulojnë ndjenjën e boshllëkut dhe mungesën e shokëve. Diçka të ngjashme mund të themi edhe për shumicën e hoxhallarëve, të cilët mbase edhe vet predikojnë dhe flasin fjalë të bukura për miqësinë, për prejardhjen hyjnore të saj, por sikur t’i pyesnim cilët i kanë shokë të sinqertë, sa apo pse nuk kanë të tillë, me siguri se do të ngelnim pa përgjigje të qartë. Mbase pikërisht personat shpirtërorë janë më të dyshimtit ndaj miqësisë. Ashtu ndoshta i kanë edukuar që përfundimisht edhe vetë kanë besuar: më mirë është të mos kihet shok, sepse më herët apo më vonë kjo, me siguri, do të përfundojë keq. Prandaj, ka të tillë që edhe jetën e tyre përpiqen ta “rregullojnë” pa shokë, që deri-diku mund të duket mirë, por që me kohë, sigurisht, do të bëhen nervozë, të lodhur, të zhgënjyer, të dëshpëruar, të vetmuar. Natyrisht, mendoj në shokët e sinqertë, për hir të Zotit, sepse pa shokë të tillë, jeta është e zbrazët.

Shokët, para së gjithash na nevojiten për shkak të pjekurisë sonë personale dhe përgjegjësisë së kohës, për ta luftuar të ligën dhe padrejtësinë dhe për ta mbrojtur të Vërtetën dhe Drejtësinë. Pa raporte miqësore nuk ka drejtpeshim personal. Njëri nga treguesit e pjekurisë personale është pikërisht aftësia për raporte të përhershme miqësore, respektivisht, që ato raporte të ndërtohen dhe të ruhen me sukses. Sepse, siç do të shohim në këtë diskutim, edhe pse miqësia shpeshherë lind spontanisht, për cilësinë dhe kohëzgjatjen e saj përgjegjës jemi vetë ne.

 

I

Si krijohet miqësia/shoqëria? Si zgjidhet dikush për shok/mik? Këto janë probleme enigmatike dhe eksituese, por edhe vështirë të zgjidhshme. Si në dashuri, ashtu edhe këtu është e pranishme e panjohura, të cilën deri më sot nuk kemi arritur ta zgjidhim, ta emërtojmë. Dëshmi për këtë është fakti se një varg teorish kërkojnë përgjigje për thelbin e miqësisë.

Sipas teorisë së narcizmit, shpirtrat e ngjashëm tërhiqen apo, më saktë, tendencat narciste i “shtyjnë” njerëzit nga njëri-tjetri. Ne, në të vërtetë, e kërkojmë veten tek të tjerët. Mirëpo, sado që kjo teori e thellë-psikologjike mund të tingëllojë bindshëm, arsyetimi i sinqertë dhe përvoja e përditshme e përgënjeshtrojnë atë. Nëse dikush është shpirt nervoz dhe i ndjeshëm, ai do të gjejë pak ngushëllim dhe gëzim te shoku me veti të ngjashme. Apo, a thua tek shokët tanë e shohim vetëm pasqyrimin e virtyteve apo vijave pozitive tona? Padyshim, ekziston një ngjashmëri e caktuar tek personat para lindjes së miqësisë, mirëpo sa më i pjekur të jetë një person, aq më pak do t’i interesojë se a do ta gjejë veten apo jo tek tjetri. Sipas disa kërkimeve, shokët vërtet e perceptojnë njëri-tjetrin si shpirtra të ngjashëm, mirëpo kjo akoma nuk është dëshmi se vërtet disponojnë me vija të ngjashme të karakterit. Sipas urtësisë popullore, njeriun mund ta njohësh përmes shokëve të tij. Mirëpo nuk bëhet fjalë vetëm për atë se dy njerëz me veti të ngjashme kanë gjetur njëri-tjetrin, por për atë se miqësia jetëgjatë vërtet mund t’i bëjë njerëzit të ngjashëm me njëri-tjetrin.

Testet e personalitetit zbulojnë më shumë ngjashmëri mes shokëve sesa përgjithësisht mes njerëzve, apo, siç thonë mistikët dhe teologët: zemrën me zemrën i lidh një rrugë. Personat të cilët kanë përvojë të ngjashme jetësore do të kuptohen më lehtë mes vete sesa nëse nuk kanë përvoja të tilla të përbashkëta. Vija tjetër, që i përshtatet zhvillimit të miqësisë, është ngjashmëria në nivelin mendor. Personat me nivel më të lartë zakonisht më lehtë gjykojnë për të tjerët, mbase janë më kritikë dhe kjo mund të ndikojë në natyrën e vetë raportit ndaj njerëzve të tjerë. Mirëpo, përveç ngjashmërisë, rol të madh gjatë krijimit të miqësive ka edhe tërheqshmëria, ndërsa e dimë se, jo rrallë herë, pikërisht shpirtrat e kundërt tërhiqen.

 

II

Për shumicën e njerëzve krijimi i miqësisë mund të jetë diçka “instinktive”, një dukuri misterioze dhe e painterpretueshme. Megjithatë, me analizën e miqësisë mund të zbulojmë disa rrethana të domosdoshme, pa të cilat ajo nuk do të ishte e mundshme.

Nuk ekziston miqësi e krijuar me rrugë administrative apo të njëanshme. Vendimi i lirë është i pranishëm jo vetëm në fillim, por edhe gjatë kohëzgjatjes së miqësisë. Që të krijohet një miqësi duhet që të dyja palët ta duan një gjë të tillë apo të paktën të kenë gatishmëri për këtë. Nuk mund të paramendohet miqësi e njëanshme, e pakthyer. Deklaratat se dikush është “mik i natyrës” apo “mik i kafshëve” janë vetëm analogji, miqësi në kuptimin e bartur. Nuk ka miqësi pa dialog. Njësoj, nuk është miqësi çdo gjë që njerëzit e quajnë ashtu. Anëtarët e ndonjë klubi quhen shokë njëri me tjetrin, edhe pse personalisht mund të njihen shumë pak. Miqësi nuk janë as raportet e mira brenda një organizate punuese, gjë që nuk vlen edhe për miqësinë/shoqërimin e bindjes, ose të ideologjisë.

Si dashuria, edhe miqësia është bashkësi subjektive. Kjo do të thotë se personin e caktuar nuk e duam për shkak se i përket të njëjtës gjini, kombi apo bindjeje si ne, por shpesh pikërisht përkundër të gjitha dallimeve, thjesht për shkak të vet atij personi. Këtu do të mund të tërhiqnim një paralelizëm të dobishëm mes dashurisë dhe miqësisë. Dashuria sipas natyrës synon drejt përjashtimit, ekskluzivitetit: mund të zhvillohet vetëm mes dy personave, çdo i treti është burim rreziku dhe xhelozie. Prandaj nga marrëdhënia e dashurisë pothuajse është e pamundur të përjashtohet xhelozia. Përkundrazi, shoku i vërtetë kurrë nuk është xheloz. Njeriu xheloz personin tjetër e shikon në njëfarë mënyre si pronësi të veten, dëshiron ta ketë vetëm për vete. Në miqësi, nga ana tjetër, shokët e shokëve tanë edhe ne i konsiderojmë si shokë.

Miqësia nuk barazohet kurrë sipas logjikës së përfitimit personale. Prandaj është e gabuar pyetja: Çfarë dobie kam nga kjo miqësi? Kjo pyetje e vendos që në fillim miqësinë në binarë të gabuar. Në miqësi me rëndësi qenësore është qëllimi i përbashkët. Miqësia e vërtetë krijohet gjithmonë për shkak të diçkaje, për shkak të idealeve, qëllimeve të përbashkëta. Besimtarit dhe atij që e di kuptimin e vërtetë e të qenët shok, kjo ia përkujton rastin e profetëve dhe shokëve të tyre. Natyrisht, edhe armiku i përbashkët mund t’i afrojë dy njerëz, por raporti i tillë nuk mund të quhet miqësi.

Besimi i ndërsjellë është gatishmëria për të besuar dhe pranuar fshehtësi. Bëhet fjalë për një shkallë shumë të lartë të besimit të ndërsjellë, por kjo assesi nuk e përfshin “zhveshjen” e plotë para personit tjetër. Në këtë kuptim, nuk ka besim absolut. Megjithatë, për miqësinë moment tejet i rëndësishëm është besnikëria dhe respekti i ndërsjellë. Nuk ekziston “miqësi provuese”. Miqësia, sipas natyrës së vet, synon drejt amshimit, përhershmërisë. Ai i cili nuk është i aftë për besnikëri, nuk është i aftë as për miqësi. Në këtë duhet ditur se besnikëria nuk është aftësi e dhënë nga Zoti, por që parasheh edhe përpjekjen e vetëdijshme rreth ndërtimit të marrëdhënieve. Prandaj miqësia është më e lehtë se dashuria, i tejkalon krizat që lindin nga distanca fizike, sepse dialogu shpirtëror mund të zgjasë edhe pa praninë fizike. Janë të njohura miqësitë mes njerëzve të cilët janë takuar shumë rrallë personalisht.

 

III

Jo rrallë herë nga njerëzit dëgjojmë ankesa se nuk kanë shokë, se i ka braktisur apo tradhtuar shoku më i mirë etj. Përse dikush është i paaftë për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, respektivisht përse prishen shoqëritë?

Njëra nga vështirësitë më të mëdha në rrugën deri te miqësia është nevoja neurotike për dashuri. Ka njerëz të cilët nuk janë mësuar të japin, por vetëm të pranojnë. Kur bëhet fjalë për miqësinë, kjo nevojë neurotike për të qenë i dashur vërehet në mënyra të ndryshme, p.sh.: “Unë të dua pafundësisht, prandaj edhe ti duhet të më duash njësoj”. Mesazhi i vërtetë i këtyre shfryrjeve të dashurisë zakonisht është ky: “Të dua për shkak se kam nevojë për ty”. Xhelozia është gjithashtu shenjë e nevojës neurotike për dashuri, sepse synon kah përvetësimi i tjetrit. Ose, kur miqësia kalon në meta-komunikim, respektivisht kur fillon të arsyetohet ekzistimi i saj, të ceket me teprim se sa e bukur dhe e pasur është ajo, kjo zakonisht është shenjë se lidhja nuk është më e kuptueshme për vetvete, kështu që personi në njëfarë mënyre dëshiron të sigurohet se tjetri nuk do ta braktisë. Thënë në përgjithësi, fjalët nuk janë interpretuesit më besnikë të ndonjë marrëdhënieje miqësie apo dashurie. Në fjalët ka tepër elemente racionale, synime për arsyetim. Ndjenjat më të thella nuk mund të shprehen me fjalë. Shokët e sinqertë nuk kanë nevojë për t’ia interpretuar njëri-tjetrit se janë shokë, njësoj si të dashuruarit që nuk ia interpretojnë njëri-tjetrit këtë. Shumë më të sigurta janë shenjat e miqësisë së vërtetë, pra shenjat joverbale: kujdesi, shtrëngimi i dorës, toni i zërit etj.

Problemi themelor i miqësisë është pabarazia në mbushjen emocionale. Nëse dikush e thekson vazhdimisht pafuqinë personale, p.sh. “Pa ty unë do të isha hiçgjë, për çdo gjë duhet të të falënderoj ty”, etj., ai dëshmon për mosekzistimin e baraspeshës emocionale mes vetes dhe shokut.

Hulumtimet e kanë treguar edhe një rrezik në rrugën deri te miqësia, e kjo është varfëria emocionale. Njerëzit e varfër emocionalisht zakonisht nuk kanë shokë. Më tutje, është gjetur edhe lidhja edhe mes konceptit, fotografisë që personi e ka për veten dhe miqësisë. Ai që ka fotografi të qartë, të fuqishme dhe pozitive për vetveten, ka zakonisht edhe më shumë shokë, ndërsa miqësitë i ka më të përhershme. Përkundrazi, personi i cili lufton me identitetin e vet, ka fotografi negative për vetveten, është i pakënaqur me vetveten, nuk mund ta pranojë veten, ka zakonisht pak shokë.

Të dashurojë mundet vetëm ai i cili edhe vet e ka shijuar të jetë i dashur. Njeriu mund ta përjetojë veten dhe jetën e vet si të vlefshme vetëm atëherë nëse e ka përjetuar të jetë i rëndësishëm për dikë. Kjo përvojë është njëkohësisht edhe fryti më i bukur i miqësisë. Po të kërkojmë shembull për këtë mund t’i drejtohemi Pejgamberit, i cili për vete ka thënë se është shok i njerëzve. Ne zakonisht mendojmë për atë se si Pejgamberi i ka dashur njerëzit, por mendojmë shumë rrallë për atë se Pejgamberi ka qenë i madh edhe në atë se ka lejuar që njerëzit ta duan, respektivisht që ka pranuar dashurinë e shokëve të tij dhe u ka lejuar që ata ta shprehin dashurinë e tyre ashtu siç kanë ditur dhe mundur. Me këtë, ai ka dëshmuar se dashuria e tij njerëzore ka qenë e përsosur. Më herët e cekëm, e tani po e përsërisim: pa reciprocitet nuk ka miqësi; Pejgamberi ka dhuruar dhe pranuar dashuri, ka pasur shokë dhe ka qenë shok.

 

IV

Miqësia u takon atyre marrëdhënieve ndër-njerëzore, të cilat psikologjia i quan zakonisht “qëndrime emocionale”. Fjala është për marrëdhëniet e atilla ndaj njerëzve, të cilat kanë mbushje të fuqishme afektive, e përveç kësaj janë edhe të përhershme, kështu që i vënë vulën sjelljes së një personi ndaj personit tjetër. Thelbin e qëndrimit emocional e përbën megjithatë një element mendor, e kjo është mënyra se si ne e shikojmë veten në raport me personin tjetër. Janë të mundshme tri situata: që veten ta shohim si superior, inferior apo të barabartë me tjetrin. Përveç kësaj, raporti ynë ndaj të tjerëve mund të jetë pozitiv dhe negativ; respektivisht pranimi apo refuzimi i personit. Këto dy dimensione përbëjnë koordinatat brenda të cilave mund të vendosen gati të gjitha raportet ndërnjerëzore.

Ka njerëz të cilët na duken të paarritshëm, superiorë për shkak të shërbimit të tyre apo madhësisë njerëzore, p.sh. ndonjë lider, shkencëtar i famshëm, mbret etj. Nëse për ata persona edhe nuk na lidhin lidhje të veçanta, ata megjithatë ngjallin disi respekt. E nëse me ata persona na lidh edhe dashuri e veçantë, atëherë tek ne ngjallet ndjenja e mahnitjes. Nëse, nga ana tjetër, nuk e duam dikë që na duket i paarritshëm, respektivisht më superior se ne, tek ne lind urrejtja dhe përbuzja ndaj tij. Është mirë ta kemi parasysh këtë, për shkak se ka pasoja afatgjata për shëndetin mendor dhe për veprimtarinë organizative.

Edhe pse kjo që do të themi nuk i përket temës sonë, do të ishte mirë që në këtë kontekst ta cekim vijuesen: nuk mund të urrehet personi, të cilin e konsiderojmë më inferior se vetveten. Ndaj tij paraqitet një ndjenjë tjetër, p.sh. përbuzja. Ose e kundërta: nëse dikush na urren, ose na duket se na urren, kjo është shenjë se për të ne jemi “person i rëndësishëm”, kështu që në sytë e tij jemi si rrufepritësi mbi të cilin ai i derdh rrufetë. Ndërsa, nga urtësia popullore e dimë se “rrufeja nuk bie mbi hithra”. Kjo mund të na ruajë nga shumë mundime të panevojshme: përse më urren, ç’të keqe i kam bërë, etj.? Me gjasë, ai person edhe nuk na urren, por vetëm se i shërbejmë si “kanalizim” i fatkeqësisë së tij personale. Në fakt, nga përvoja e dimë se personi i lumtur nuk urren askënd: kur jemi të lumtur dhe të kënaqur, atëherë të gjithëve ua duam të njëjtën lumturi dhe kënaqësi. Prandaj, nëse dikush tregohet smirëkeq ndaj nesh, është e qartë se ai nuk është i lumtur, e ne jemi rrufepritës për kanalizimin e vrerit të tij.

Kjo fotografi e ka edhe anën e saj të prapme: ka njerëz ndaj të cilëve ne ndjehemi superiorë. Nëse i duam, ndaj tyre ndjejmë keqardhje, p.sh. ndaj të varfërve, të sëmurëve, të vegjëlve. Në rast se nuk i duam, tek ne lind ndjenja e refuzimit, e përbuzjes. Nuk është e keqja në vet ndjenjën, sepse ajo paraqitet automatikisht, por e keqja është në atë se ne në mënyrë të pavetëdijshme e vendosim veten mbi të tjerët dhe ashtu i shikojmë nga lart.

Kategorisë së tretë i takojnë personat të cilët i perceptojmë si të barabartë me veten tonë. Edhe këtu ndjenjat mund të zhvillohen në drejtim pozitiv dhe negativ. Ndaj atyre, të cilët i duam, zhvillohet ndjenja e simpatisë, e mirëdashjes dhe e miqësisë. Ndërsa ndaj atyre, të cilët nuk i duam, zhvillohet qëndrimi emocional i antipatisë dhe i mostolerancës, e kjo e ngjall armiqësinë.

Duke e pasur parasysh këtë dinamikë të qëndrimeve emocionale, mund të mësojmë shumë për natyrën e miqësisë. Mbase më e qëlluara do të ishte po të parashtronim disa pyetje, të cilat përndryshe parashtrohen në lidhje me miqësinë.

1. A është e mundur miqësi e vërtetë midis të mbirenditurit dhe të nënrenditurit? Këtu mendoj në të gjitha raportet e mundura: midis shefit dhe punëtorit, drejtorit dhe nëpunësit... Në parim kjo është e mundur, por në realitet vështirë e realizueshme. Përse? Për shkak se kur dikush në situatat jetësore varet nga vendimet e dikujt tjetër, midis tyre nuk ekziston më baraspesha, barazia. Mendojmë gjithnjë në shefin dhe të nënrenditurin e tij, d.m.th. atij i cili drejtpërsëdrejti varet nga vendimet e tij. Shefi, me vet postin e tij bëhet person i rëndësishëm në situatën e tillë, ndërsa dinamika emocionale ndryshon: ose do të jetë mahnitje ose kritikë, mos të themi urrejtje, në rastin më të mirë respekt. E kjo nuk është më bazë për miqësi në kuptimin e vërtetë të fjalës.

2. A është e mundur miqësia e vërtetë mes hoxhës, apo teologut, dhe besimtarit? Në parim po, mirëpo në realitet edhe këtu vjen deri te zhvendosja e lartpërmendur në raportet. Në të vërtetë, hoxha, sipas shërbimit të tij (duhet të) paraqet autoritet për besimtarin. Meqë shërbimi i tij fetar nuk është një profesion i zakonshëm, por përcaktim jetësor, kjo e vulos detyrimisht tërë qenien e tij. Ky lloj miqësie, midis hoxhallarëve dhe besimtarëve, apo xhematit, tek ne ka pasur një traditë, e njohur si sëra dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për komunikimin mes brezave dhe për ruajtjen e kompaktësisë, si familjare ashtu edhe më të gjerë. Fatkeqësisht, ky lloj miqësie shumë i nevojshëm hoxhë-besimtar, është keqpërdorur disa herë, dhe vazhdon të keqpërdoret, dhe është duke lënë pasoja të dëmshme, si në rrethin e ngushtë, ashtu edhe në atë më të gjerë të shoqërisë. Kjo e ka shkaktuar edhe degradimin e personalitetit të hoxhës, por edhe atij të besimtarit.

3. A është e mundur miqësia e vërtetë midis personit të rritur dhe fëmijës në përgjithësi, nëse mes të dyve ekziston dallim i madh në moshë? Këtu thuajse nuk mund të flasim fare as për mundësi parimore, edhe për shkak të dallimit të madh në moshë edhe për shkak të perceptimit të ndërsjellë të atyre dy personave. Miqësitë e përshkruara mes të moshuarve dhe fëmijëve janë më tepër marrëdhënie romantike sesa miqësi të vërteta. Kjo marrëdhënie duhet emëruar ndryshe – si ndjenja komplementare: personi më i ri ka nevojë të shikojë tek dikush që është më i moshuar si në ideal të vetin, ndërsa personi më i moshuar ka nevojë të “përkulet” ndaj ndonjë fëmije, e këto janë më tepër ndjenja atërorë apo amnore.

Këto variacione do të mund t’i shumëfishonim deri në pafundësi. Mirëpo, nëse dëshirojmë të gjejmë emërues të përbashkët për gjithë këtë që kemi thënë deri më tani, atëherë do të kishim mundur ta vendosim këtë parim të përgjithshëm: që dikush të mund të na bëhet shok, për këtë nuk mjafton që ne ta duam dhe ta dëshirojmë këtë gjë; pyetja është se a është personi tjetër i aftë për një gjë të tillë? Në qoftë se personi tjetër na percepton qoftë si superiorë, qoftë si inferiorë, në atë rast nuk ekziston më barazia e raporteve, kështu që ndjenjat nivelohen në bazë të atij perceptimi. Një moment tjetër me rëndësi është fotografia pozitive për veten të cilën personi e ka, apo nuk e ka. Njerëzit, që nuk kanë fotografi pozitive për vetveten, kanë nevojë të brendshme që të tregojnë vazhdimisht fotografi më të mirë për veten, që ta dëshmojnë vazhdimisht vetveten, gjë që tregon se ata vuajnë nga vetmia. Personat e tillë do të kërkojnë ngushëllim, e jo miqësi. Fotografia pozitive për vetveten mundëson jo vetëm vlerësim pozitiv edhe të të tjerëve, por e lehtëson edhe miqësinë. Me fjalë të tjera, njeriu duhet që ta ndërtojë fillimisht vetveten, e pastaj të futet në marrëdhënie të përhershme personale si miqësia. Miqësia në vete nuk është dhe nuk mund të jetë ilaç për patologjinë personale të dikujt. Natyrisht, këto nuk janë parime përjashtuese dhe absolute, por do të mund të ndihmonin si paralajmërim: nuk është miqësi çdo marrëdhënie të cilën njerëzit ashtu e quajnë.

 

Përfundim

Kohët e vështira e bëjnë nevojën për miqësi edhe më të domosdoshme, si për ta përmirësuar vetveten, ashtu edhe për ta paraqitur bindjen, besimin, duke e ngritur me këtë nivelin e kulturës. Siç shihet, kemi shumë “kohë” dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje dhe shumë përgjigje pa pyetje. Miqësia e sinqertë na bën më të fortë për t’i përballuar vështirësitë e kohës dhe na mëson si duhet t’i lexojmë shenjat e kohës, si t’i zbulojmë mashtrimet tona dhe si t’i largohemi servilitetit, sepse ajo është e vetmja mënyrë që na mëson si të jetojmë me vetveten dhe si ta lirojmë kohën e lirë. Të jesh shok dhe të kesh shokë është gjë e madhe, por më e madhe është thënia profetike në formë pyetjeje në Ditën e Gjykimit: “Ku janë ata që janë dashur në emër të Zotit dhe të futen nën hijen e Xhennetit?”

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 1 here
  • Deshmitari E mėrkure 20 Tetor 2010 0:11

    Nje shkrim i shkelqyeshem por shume i veshtire te kapet nga ata qe nuk kane kalu faza te ngjashme shoqerie!Mirepo mua me ka rastise te me ndodhe dicka e ngjashme me disa shoke me te cilet kisha me thene se nuk me ka lidhe pos dashuria dhe shoqerimi i sinqerte por me te cilet kemi pase keckuptimedhe hidherime me vite te tera..Nje kisha me thene se edhe pse i kame dhene vetit te drejte dhe i kam llogarite ata ne gabim kurre nuk kam mundur me i nda preokupimet e mija te sincerta, sidomos ne lutjet e siqerta ne te cilat kurre nuk kane zene vend shoket e rinj para ktyre, edhe pse pas ktyre kam bere edhe shume shoke te sinqerte e te cilet vertete i dua me shpirte dhe nuk i harroj ne lutje edhe me emra..Mos tishte kshtu frigohem se moti Allahu kish me na denu per vitet e humbura,ende jem ne rezik

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve