Në hapësirat multireligjioze, ku kanë jetuar pranë njëri-tjetrit pjestarët e feve të ndryshme, ka patur ndikime reciproke dhe palët kanë ditur shumë gjëra nga veçoritë kulturore dhe religjioze të njëri-tjetrit. Kështu, më të vjetrit këtu në Tetovë, tregojnë se si nji avokat ortodoks me emrin Simo, ka lexuar literaturë islame dhe vazhdimisht i ka ngacmuar muslimanët me pyetje të ndryshme. Në mes tjerash, ai u ka thënë muslimanëve se edhe pse pi alkool, nuk agjëron e bën shumë gjëra tjera që feja i ndalon, e muslimanët nuk i bëjnë, ai në botën tjetër do të shkojë në xhenet ngase kush hek shehadet në frymën e fundit, do të shkojë në xhenet. U ka thënë se kështu ka lexuar të ketë thënë pejgamberi Muhamed s.a.v.s. U ka thënë: Unë do të bëj çka të dua, e kur do të më vijë vdekja, do të bëj teube-pendim, do të hek shehadet dhe do të shkoj në xhenet.
Nëse kjo ka qenë me pjestarët e feve tjera, pa dyshim edhe më tepër ka qenë prezente tek ata pjestarë të llojit tonë, të cilët kanë lindur në familje muslimane, ua kanë kënduar emrin me hoxhë dhe e flasin gjuhën tonë, bile edhe që kanë mësuar në mekteb te hoxha dhe kanë bërë disa herë hatme Kur'anin, e që më pas kanë mbështetur ide marksiste dhe janë identifikuar si ateistë që nuk e besojnë Zotin. Edhe këta, ndonëse kanë mohuar se e besojnë Zotin dhe fenë, përsëri kanë përmendur shprehje me karakter fetar, si betimet “Vallahi”, “S'mbetet kurgjë për dynjanë tjetër, krejt paguhen në këtë dynja”, “I ka ardhur Azraili”, etj. Në mes tjerash, ata e kanë përmendur edhe thënien:”Njeriu mund të bëjë teube deri në frymën e fundit”.
Këtë bindje lojtarët politikë në Maqedoni janë duke e përdorur edhe në politikë. Kështu, në vitin 2008, kur u pa më se mbaroi koalicioni qeveritar i formuar në vitin 2006 nga partia maqedonase VMRO-DPMNE që i fitoi zgjedhjet në kampin maqedonas, dhe Partia Demokratike Shqiptare e cila i humbi zgjedhjet në kampin shqiptar, partia shqiptare doli me pika të caktuara të cilat duhej t'i përmbush partneri maqedon i koalicionit. Mirëpo, pala maqedonase aspak nuk i morri parasyshë këto kërkesa ngase ajo e morri këtë parti humbëse në qeveri, e po ashtu, nga ana tjetër, ishte e bindur se do t'i fitojë edhe zgjedhjet e ardhëshme si rezultat i rejtingut të lartë të ndërtuar pikërisht nga dështimet e palës shqiptare participuese si dekor në qeveri.
Këto kërkesa, partia shqiptare nuk i paraqiti në fillim apo pak më vonë, gjatë qeverisjes dyvjeçare, por në fund, kur e pa më se çdo gjë mbaroi. Me këtë potez deshi të bëjë teube në frymën e fundit që qeverisjes me qëllim që të amnistohet para popullatës për të kërkuar “parajsën e dynjasë” (lexo: pushtetin) në zgjedhjet e ardhëshme.
Kjo po ndosh këtyre ditëve edhe me partinë tjetër shqiptare prezente në koalicionin qeveritar, Bashkimin Demokratik për Integrim. Deri më tash, zëri i saj ka qenë tepër i dobët në qeveri. Pala maqedonase bëri një varg provokimesh për ta treguar dominimin e vet në qeveri dhe margjinalizimin e palës shqiptare. Në sajë të këtyre provokimeve nacionaliste të partisë maqedonase dhe zbrapsjes së dukshme të partisë shqiptare nga pozicioni vendimmarës, premieri dhe partia e tij arrijnë ta mbanë lartë rejtingun e tyre. Dhe tash, kur pala shqiptare e ka të qartë se ky koalicion qeveritar është në shtratin e vdekjes dhe se vjeshta do të jetë koha e zgjedhjebe të parakohëshme, tenton të bëjë teube para elektoratit duke lëshuar zëra për tërheqje nga qeveria nëse partneri i koalicionit nuk e zhbllokon procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë, si rezultat i kontestit për emrin me Greqinë. Këto zëra kanë mundur të lëshohen edhe më herët, por atëherë nuk ishin të sigurtë se pacienti “Koalicioni VMRO-BDI” do të vdesë. Tash më kur gjërat janë të qarta, shpejtojnë ta publikojnë teuben nga politika e deritashme pasive. Por, si në rastin e parë, edhe tash, kjo teube politike vjen në frymat e fundit të këtij koalicioni qeveritar dhe nuk mund të komentohet ndryshe pos pretendim për ta fituar “Parajsën e qeverisjes” në zgjedhjet e ardhëshme.
Është e vërtetë se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë në një hadith të tij se Allahu e pranon teuben e njeriut derisa nuk i ka arritur shpirti në fyt. Mirëpo, këtë e ka thënë për ata të cilët transferohen nga kjo botë dhe shkojnë në botën tjetër, e jo për ata që largohen nga pushteti dhe shkojnë në zgjedhje tjera.
Dijetarët e kanë komentuar hadithin se aludon në teuben e cila bëhet para se njeriu ta sheh melekun e vdekjes që vjen t'ia merr shpirtin, ndërkaq pasi ta sheh melekun e vdekjes, teubeja nuk bëhet kabull. Teubeja politike, pasi të shihet se është duke i dalur shpirti koalicionit qeveritar, nuk bëhet kabull.
Po ashtu, kur flitet për teuben duhet bërë dallim mes hakeve ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve. Zoti t'i fal haket e veta nëse don, por Zoti është absolutisht i drejtë dhe nuk e falë hakun që kemi ndaj njeriut, derisa njeriu nuk ta fal. Politikanët tanë kanë hake të mëdha ndaj gjithë popullit, bile edhe ndaj shtresave mjaft të ndieshme të popullit, si që janë:familjet e luftëtarëve të rënë në luftë, invalidët e luftës, të varfurit, jetimat etj. Teubeja e tyre nuk është kabull derisa populli nuk ua fal hakun e vet. Ndërkaq, a do t'ua falë populli hakun politikanëve, pyeteni popullin. Unë besoj se jo.
Kur jemi te ata që pendohen në fund, duhet mos e tejkalojmë edhe pendimin e personit që ulet në karriken e udhëheqësit të BFIM-së. Edhe pse lëshoi zemër në Guevskin dhe para haxhinjve e kamerave televizive u lut për të që Zoti ta bekoj, ngase ai e instaloi në udhëheqjen e institucionit në fjalë, tash kur e sheh se ai aspak nuk e bën mall, ngase e di se nuk ka fuqi që buron nga vetë baza e tij, dhe nuk ia del dot në çështjen e rindërtimit të xhamisë Burmali në sheshin e Shkupit, kërkon të pendohet dhe u qahet politikanëve tjerë se ky premieri aktual i bën zullum. Politikanët shqiptarë as që e marrin në dorë, ngase me të gjithë i ka prishur punët. I vetmi që vendosi ta dëgjojë është Cërvenkovski, ngase tash është në fushatë.
Ata që e sollën në pushtet në 2006 tash publikisht u deklaruan se heqin dorë prej tij. Ndërkaq, këta që aktualisht janë në pushtet, po ashtu nuk e bëjnë mall ngase nuk është ky opsioni i tyre, gjegjësisht e dinë se tjerët e kanë instaluar dhe ky lëshoi shumë komunikata kundër tyre. Këta të fundit nuk mërziten edhe aq tepër për çështjet e institucionit fetar për shkak të orientimeve të tyre majtiste, edhe pse këtë e ambalazhojnë me pretekste tjera.
Përkitazi me rindërtimin e xhamisë Burmali, kreu aktual i BFIM-së dhe klani i tij janë duke bërë gabime katastrofike me potezat e tyre naive, sa që janë shndërruar në gaz të botës dhe njerëz qesharak.
Njerëz të papërgjegjshëm dhe pa mandat nga baza e tyre, gjegjësisht pa mandat nga hoxhallarët si punëtorë të këtij institucioni dhe nga muslimanët në përgjithësi si bazë e tij, sekretarë e zëdhënës të vetëshpallur, pa fije turpi publikisht thirren se janë për kompromis për çështjen e rindërtimit të xhamisë Burmali në qendër të Shkupit. Sipas këtyre tarzanave, mund të hiqet dorë nga rindërtimi i xhamisë, nëse nuk ndërtohet edhe kisha.
Vërtet, këto deklarata janë kulmi i papërgjegjësisë dhe naivitetit. Kush u ka dhënë mandat dhe kompetenca këtyre funskionerëve të vetëshpallur të institucionit të BFIM-së të bëjnë pazarllëk me një institucion fetar si që është xhamia Burmali, që jo vetëm se është faltore, por ka edhe rëndësi historike dhe kulturore për muslimanët e këtyre vendeve. Kalifi osman nuk e ka ndërtuar këtë xhami që dikush i pa përgjegjshëm dhe pa legjitimitet të fituar nga baza, të bëjë kompromis për rindërtimin e saj. Rindërtimi i xhamisë Burmali duhet të bëhet ngase është e drejtë e jonë e pakontestueshme, e jo se ne e ndërtojmë për inat të kishës, gjegjësisht nëse nuk ndërtohet kisha nuk ndërtojmë edhe xhami, e nëse ndërtohet kisha, atëherë do të ndërtojmë xhami. Ky qëndrim është i pajustifikueshëm dhe maksimalisht joserioz, dhe rezulton nga njerëz që nuk dijnë të hartojnë poltika dhe strategji udhëheqëse të institucionit. Mbi të gjitha, tregojnë se janë të papërgatitur profesionalisht dhe të pa përgjegjshëm moralisht. Bëhen qesharak edhe para faktorëve tjerë, ngase u japin mesazh se ne nuk jemi të interesuar për këtë xhami si faltore për adhurim dhe si e drejtë e rrëmbyer me dhunë nga ne, por si reaksion ndaj veprimeve të tjerëve.
Takimi i krerëve fetar me kryetarin e shtetit dhe zërat që dëgjohen për kompromis, janë vërtet shqetësuese. Ka dyshim dhe frikë që njerëz të cilët nuk janë të zgjedhur nga hoxhallarët për ta udhëhequr institucionin fetar në Maqedoni, mos po bëjnë pazarllëqe që do të na kushtojnë historikisht.
Edhe një herë për Simo avokatin. Tregojnë më të vjetrit se kur qenka sëmurë dhe paska rënë në shtrat, disa paskan shkuar ta vizitojnë dhe ta shohin se a do ta shqiptojë vërtet shehadetin dhe a do të bëjë teuve në frymën e fundit, si që ka pretenduar kur ka qenë i shëndoshë. I kanë thënë: Hiq shehadet dhe bën teube të shkosh në xhenet! Por, ai u paska thënë:Ah, nuk qenka lehtë të bëhet kjo. Nuk më është mësuar gjuha ta them këtë gjatë jetës, dhe tash para vdekjes mund të them çdo gjë, por jo edhe shehadetin dhe teuben.
Ata që nuk janë mësuar të flasin si duhet gjatë qeverisjes, nuk do të mund ta bëjnë këtë as në të dalë të shpirtit të qeverisjes politike.
Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.comReklama 229 x 170.png)
Mr. Bashkim Aliu
Nexhmedin Spahiu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)