Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
Varėsia nga substancat psikoaktive
artikuj

Mr. Muhidin Ahmeti

, Austri

muhidin_ahmeti@hotmail.com

Te fundit

Tė gjitha shkrimet e autorit >>

Varėsia nga substancat psikoaktive

Autor: Mr. Muhidin Ahmeti E hėne 31 Maj 2010 08:56 AM

 

BESIMI NË ZOTIN SI MUNDËSI E MBIZOTËRIMIT

TË VARËSISË NGA DROGA

 

Të flasësh, të shkruash dhe të aktualizosh këtë problematikë, është obligim i gjithë shoqërisë. Vërtet, tema është aktuale dhe meriton tërë vëmendjen tonë. Nëse rëndësinë e saj do ta krahasonim me temat tjera, të cilat përpunohen dhe analizohen, atëherë do të duhej, që konformë kësaj, ajo të jetë vazhdimisht në agjendën e diskutimeve specialistike, tryezave të rrumbullakëta, tribunave, ligjëratave; që vëmendje të veçantë t’i kushtojnë mediat, TV, radio, gazetat, revistat, etj. Dhe vërtet, do të duhej një gamë e gjerë personalitetesh, specialistësh, njerëzish të urtë e të mençur, që të marrin pjesë në elaborimin e kësaj tematike dhe të ofrojnë zgjidhje në luftën kundër varësisë së duhanit, alkoolit dhe drogës për shkak të ndikimit të tmerrshëm, fatal të këtyre sëmundjeve në njeriun si individ, familje dhe shoqëri. 1

 

Varësia nga droga është një e keqe globale e së sotmes

Shumë probleme me të cilat ballafaqohet njeriu i ditëve të sotme, tejkalojnë mundësitë e tij për zgjidhje. Disa prej tyre krejtësisht në mënyrë direkte rrezikojnë pamjen e tij njerëzore dhe janë rrezik real i vdekjes shpirtërore dhe fizike të njeriut. Në veprim është një çrregullim i rrezikshëm i ekuilibrit midis forcave që prodhojnë të keqën dhe atyre që e evitojnë atë. Bota, pamëdyshje, ka arritur një stad të rrezikshëm krize të cilin e ka vështirë ta kontrollojë. 2

Ndër të këqijat më perfide dhe më të rrezikshme të kohës sonë, është varësia gjithnjë e më e madhe për alkoolin dhe drogën. Kjo varësi po bëhet universale; ajo është pjesë e së keqes globale të botës ku jetojmë. Në mënyrë të veçantë ka përfshirë ato shoqëri që kanë mungesë besimi, vlerash morale dhe shpirtërore dhe mungesën e ndjenjës së kuptimit të jetës, por edhe në ato shoqëri ku ka krizë ekonomike dhe sociale, jo-stabilitet politik, papunësi, humbje të shtëpisë, familjes, miqve. Ky, pra nuk është problem vetëm i një vendi, apo, ndërkaq, i shoqërive euro-perëndimore, por i tërë njerëzimit; ai është problem i çdo njeriu të sotmes kudo që ai jeton. 3 Sëmundjet e varësisë nga substancat psikoaktive janë bërë kërcënim serioz për gjininë njerëzore.

Droga është mjeti më efikas, i cili bën çdo gjë që ka kuptim të bëhet e pakuptimshme, çdo gjë që ka qëllimin e vet, të mbetet pa të, e vlefshmja zhvlerësohet, e moralshmja amoralizohet, shoqërorja rrënohet, kolektivja shkatërrohet. Droga sulmon, rrezikon dhe shkatërron sferën shpirtërore, psikike, nervore, fizike dhe morale të personalitetit njerëzor. Destruktivisht dhe fatalisht vepron në qenien e njeriut, në jetën e tij, karakterin, dinjitetin dhe integritetin e personalitetit. Rrënon dhe shpërbën vlerat kryesore të njeriut. Shkatërron shpirtin, errëson mendjen dhe asfikson ngrohtësinë dhe ndjeshmërinë e zemrës. Shkatërron, zhvlerëson dhe përmbys parimet morale, idealet dhe qëllimet e larta, të cilat janë domethënia, përmbajtja dhe synimi i të jetuarit të vërtetë autentik njerëzor. E poshtëron njeriun dhe e shpjer nën nivelin e kafshës, sepse varësi i saj, për momentin, e humb krejtësisht vetëdijen, aftësinë e orientimit në kohë, hapësirë dhe në mjedisin ku jeton. A nuk janë vetëdija, vullneti dhe liria, aksione të dallimit të njeriut ndaj qenieve tjera. Edhe pse e keqe, si vepër, kryesisht është akt individual, sipas karakterit të saj, ajo i përket fatit kolektiv të botës, jetës dhe njerëzve.4

Keqpërdorimi i substancave psikoaktive, që në një masë më të vogël a më të madhe, ka përfshirë gjithë globin, ka zhvillim kronik dhe progresiv dhe shkakton dëmtime të rënda të shëndetit fizik dhe shpirtëror si dhe çrregullime të sjelljes, që në formën e tij më të vështirë, shkakton devijime të çuditshme sociale dhe aktivitete të ndryshme kriminale. 5

 

Sëmundja e rrezikshme e kohës sonë

Fjala është për një sëmundje, e cila gradualisht, por në mënyrë të sigurt e vret njeriun, shkatërron themelet e shoqërisë dhe rrezikon kualitetin e të ardhmes të botës sonë.

Varësia nga droga dhe alkooli çdo ditë sjell shqetësim, paaftëson dhe shkatërron shumë jeta, rrit pasigurinë dhe mjerimin social; prodhon strese, fatkeqësi dhe kriza të thella psikike, rrënon familjet, duke lënë fëmijët dhe pleqtë pa mbrojtje dhe furnizim elementar; ua merr të ardhmen shumë djemve e vajzave të reja, të cilët po të mos ishin bërë pjesë e asaj të keqeje, do të kishin jetë të lumtur dhe të suksesshme. Dekadat e fundit, në mënyrë të veçantë ka përfshirë fëmijët dhe rininë prej dymbëdhjetë deri në nëntëmbëdhjetë vjetësh. Gati nuk ka shkollë, e cila nuk është e përfshirë nga droga. Fjala është për njërën nga sëmundjet më të rrezikshme të kohës sonë, e cila për shkak të deformimit drastik organik, frymor dhe shpirtëror, tërësisht rrënon qenien e njeriut dhe shkatërron identitetin njerëzor. 6

Ajo, në të vërtetë është varësi dhe sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme, së cilës duhet kushtuar vëmendje e veçantë dhe participuar në luftën kundër saj. Shpresoj që edhe ky shkrim nuk do të jetë vetëm në funksionin e pasimit të verbër të praktikës që po ndodh në Perëndim. Në vendet euro-perëndimore, nuk ka ditë që nuk bëhen analiza, debate dhe diskutime për dëmin dhe fatalitetin e drogës, organizohen tubime shkencore, angazhohen televizioni dhe mediat, të gjithë vihen në shërbim të luftës kundër kësaj epidemie, hapen qendra mjekësore për shërimin dhe luftën kundër varësisë, dhe në aparencë, bëhet shumë në luftën kundër këtyre të ligave dhe atë pikërisht për shkak të pasojave alarmuese vrasëse që i shkakton varësia nga droga. Mirëpo, sukseset janë të dobëta, e keqja edhe më tej ekziston, e numri i viktimave nga ajo e keqe nuk pakësohet, sepse nuk veprohet mjaftë në mënyrë preventive, e fuqia, mjetet dhe koha humbet në përpjekjet e zgjidhjes së pasojave. 7

Prandaj, nga kjo ne duhet të nxjerrim mësime dhe para se gjithash duhet të veprojmë në mënyrë preventive duke përdorur të gjitha mjetet dhe mundësitë në luftën e pakompromis kundër kësaj të lige që ka përfshirë edhe shoqërinë tonë, duke u futur edhe në shtëpitë, rrugët dhe shkollat tona. Shumë njerëz, me të drejtë pyesin edhe sa viktima të drogës dhe alkoolit do të duhej të kishte që shoqëria, përkatësisht ligjdhënësi të kuptojë që duhet ndërmarrë aksione serioze dhe duhet hartuar një ligj të rreptë për ndalimin e kontarbandimit dhe përdorimit të drogës? Edhe sa fatkeqësi vdekjeprurëse duhet të ketë në rrugët e tona, në mënyrë që ligjvënësi të nxjerrë ligjin për ndalimin e plotë të alkoolit për shoferët e automjeteve. Ligje ndaluese dhe sanksionuese, të cilat do të trajtonin këtë problematikë në shoqërinë tonë deri në shpalljen luftë të gjitha këtyre epidemive në media, në opinionin publik etj., e ky do të ishte një hap praktik i luftës së paralajmëruar. 8

Ç’do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që cigaret, alkooli, droga dhe çdo gjë që shkakton varësinë të shpallet e keqe, armik i shoqërisë, të karakterizohet dhe të cilësohet si diçka që është e përndjekur, e urryer, e keqe, e neveritshme, që shkakton mospranim dhe averzion publik, që sulmohet dhe dënohet nga të gjitha anët, dhe thjesht, që nuk ka të drejtën e qytetarisë dhe të ekzistencës në mesin tonë. Që këtë ideologjikisht, qëllimisht ta sulmojmë duke shfrytëzuar edhe artin e filmit, filmit të vizatuar dhe TV-së si një mjet i fuqishëm, inteligjent, i rafinuar dhe efikas për diskualifikimin dhe eliminimin e këtyre të këqijave. 9

Nëse kështu veprojmë, ka shpresë që ta fitojmë luftën kundër tyre. Por, të themi se lufta, kundër zjarrit, nuk mund të jetë efikase, nëse aty do të jenë së bashku zjarri dhe benzina. Aty është në pyetje vetëm momenti se kur do të shpërthejë zjarri. Po ashtu, nëse këto të këqija do të kenë të drejtën e qytetarisë në kuptimin e lirisë së prodhimit, lirisë së distribuimit dhe shitjes, të drejtën e reklamës dhe të favorizimit, nëse do të jenë të arritshme në çdo vend, të liruara nga taksat e rënda ekonomikisht të papërballuara, nga presionet e ndryshme administrative etj., atëherë vetëm lufta verbale dhe e pjesshme kundër tyre, është pa rezultate praktike, sepse ato janë kënaqësi mashtruese momentale, të cilat vazhdimisht do t’i kenë pasuesit dhe klientët e tyre të dëshpëruar dhe në mënyra të ndryshme të frustruar. 10

 

Sëmundjet e varësisë nga droga janë pjesë e sëmundjes shpirtërore

Tani shtrohet pyetja si të shpëtojmë njeriun nga e keqja e narkomanisë dhe alkoolizmit, sëmundjeve sociale, të cilat njeriun bashkëkohorë e shpijnë në një katastrofë të sigurt morale dhe biologjike? Ligjet, masat e ndryshme represive e edhe ato drastike, nuk do t’i evitojnë nga themeli shkaqet e këtyre dukurive, sepse nuk ka ligj që do të mund t’i ofronte njeriut ndjenjën e kënaqësisë personale. Krijohet përshtypja se kjo e keqe e rrezikshme dhe vazhdimisht në përhapje, po trajtohet, kryesisht, në mënyrë njëdimensionale; sikur shkaku i shfaqjes së saj të ishte në vetë atë, në pasojat e saj, e jo në shkakun, në aparencën e saj, e jo në brendësinë . Si duket mungon vullneti dhe aftësitë për t’u ballafaquar me shkaqet e vërteta të saj, të cilat, para se gjithash janë të natyrës shpirtërore dhe për të cilat janë të pamjaftueshme vetëm dijet shekullariste dhe teknika, sado qofshin arritjet e zhvillimit të tyre. Për t’iu qasur zgjidhjes së saj të suksesshme, është e domosdoshme të thërrasim ndihmën e Zotit, të kërkojmë strehë në dijet e shenjta autentike dhe në fuqitë efikase shpirtërore që gjenden në to.11

Sëmundjet e toksikomanisë, ndër të cilat vend të veçantë zënë narkomania, sado që sipas manifestimeve të tyre, duken të reduktuara në çrregullimet organike dhe psikike, prejardhja e tyre është në dimensionin shpirtëror të njeriut, në dimensionin, i cili në të vërtetë, përcakton specialitetin (veçantinë), kualitetin dhe natyrën e ekzistencës së tij njerëzore. Pa përfshirjen e dimensionit shpirtëror në trajtimin e kësaj sëmundjeje, shanset për shërim janë krejtësisht ta pamjaftueshme. Së këndejmi, disa autorë islam sikurse është dijetari i njohur malezian Imran N. Hosein, modelin euro-perëndimor të luftës kundër varësisë nga droga, e konsideron insufiçient, sepse, nuk e merr parasysh dimensionin shpirtëror dhe se mbështetet në premisa të dobëta. Ai model përmban gjithë ato lëshime, anashkalime apo tolerime të vetëdijshme të hapave të parë të gabueshëm, rrezikun e të cilëve nuk e kupton për shkak qasjes kuantitative, të jashtme dhe antispirituale vlerësimit të tyre. Ai nënvlerëson fuqinë e fillimit dhe nuk e vëren se hapi i parë në rrugën e së keqes, është e keqja vetë, që ai është fillimi i udhëtimit të përgjithshëm, i cili në rastet më të shpeshta përfundon në rrugën pa kthim. Kush e toleron te keqën në fazën fillestare të pranisë së saj dhe kush e lejon në sasira të vogla, ai është mbrojtësi i saj vendimtar dhe pjesëmarrës në të. Prandaj, islami e ndalon futjen e alkoolit dhe të drogës në cilëndo sasi qoftë, e kjo mbështetet në vetëdijen kualitative që hapi i parë është më vendimtari. Pa të, rruga drejt varësisë nga droga, fare nuk do të mund të fillonte. Vetëm atëherë kur nuk e kemi pikën e parë të alkoolit dhe dozën e parë të drogës, mund të jemi të sigurt që toksikomania dhe toksikofilia, nuk do të bëhen pjesë e realitetit të jetës sonë dhe të pushtojnë atë. 13

Sado që bota jonë, për shkak të mosbesimit (ateizmit), të jetë e shekullarizuar, shpirtërisht e shkretuar dhe e sëmurë, është e paaftë të pranojë cilindo lloj të trajtimit autentik shpirtëror dhe të fillojë pasimin e metodave të mjekimit të mbështetura në urtësinë hyjnore. Trajtimi i këtillë – në planin individual apo në rrafshin e bërthamës të bashkësisë së besimtarëve, çfarë mund të jetë xhemati i gjallë – vërtet edhe sot është i mundur. 14

 

Vakuumi shpirtëror dhe shoqëria moderne

Pavarësisht nga mirëqenia materiale, njerëzimi bashkëkohor është goditur nga mjerimi, shqetësimet dhe konfuzioni mendor, për ç‘arsye edhe “ikë nga vetja duke kërkuar strehë në opium, hashash, alkool, në çmendurinë pas aventurave të shpejta e të marra”. Ky boshllëk dhe konfuzion rritet proporcionalisht me përparimin dhe komoditetin material, për ç‘arsye edhe Sejid Kutbi thërret njerëzimin që të kthehet nga bota e zotëve të rrejshëm dhe kuazivlerave në botën dhe udhëzimin e Zotit Një të vërtetë, në qëllimin e ekzistencës së denjë për qenien njerëzore, dhe vazhdon e thotë:15

“Ky boshllëk i hidhur e ndjek njeriun si fantazma e tmerrshme. Ai ik nga ajo, por ajo vazhdimisht e arrin. Përshtypja e parë që e fiton vizituesi i vendeve përparimtare dhe të pasura të botës – të udhëhequra nga Amerika dhe Suedia – është që njerëzit ikin nga shpirtrat e këqij (fantazmat), të cilët vazhdimisht i ndjekin, ikin nga natyra e tyre e brendshme. Ai së shpejti do ta kuptojë që kjo botë materiale, kënaqësi epshore dhe stërngopje seksuale e çon në një moçal sëmundjesh nervore dhe shpirtërore, perversitet, shqetësim të vazhdueshëm, sëmundje e çmenduri, krime të shpeshta dhe në mungesën e çfarëdo dinjiteti njerëzor në jetë. 16

Struktura e shoqërisë moderne i imponon njeriut modele të caktuara të jetesës, të cilat ai kryesisht i pranon nën presionin e fushatës intensive të marketingut. Në një ambient të tillë, ku me anë të reklamave të plasuara përmes mediave të shumëllojshme, apriori pengojnë aftësinë e tij të gjykimit dhe reflektimit të lirë dhe kritik rreth gjërave që e rrethojnë, ai pranon modelet dhe kornizat e ofruara, e struktura shoqërore, siç e thekson këtë E. Fromi, nuk shikon më ç‘është e mirë për njeriun, veç ç‘është e mirë për sistemin. Në rendin e tillë të vlerave, njeriu e humb dimensionin e individualitetit, bëhet figurë e thjeshtë dhe e parëndësishme, i cili fillon të ndjehet i vetmuar, i izoluar dhe i braktisur, e më pas shpesh pasojnë lloje të ndryshme të çrregullimeve shpirtërore. 17

Shoqëria moderne, sot i ofron njeriut mundësi të ndryshme që jetën në Tokë të bëjë më të këndshme dhe më të lumtur. Nga ana tjetër, faktet flasin që njeriu sot është më së pakti i lumtur, përkundër të gjitha premisave që i ka në dispozicion. Është e natyrshme që njeriu të synojë të realizojë lumturinë qysh në këtë botë, por mënyra të cilën e ka zgjedh që të realizojë atë e çon gjithnjë e më larg nga ai qëllim. 18

Pavarësisht nga theqafja e filozofisë së jetës dhe ideja mbi të cilat me dekada e ka bazuar jetën, njeriu nuk mori mësim nga historia. Idetë mbi të cilat edhe sot ndërton filozofinë e tij të rregullimit të jetës, i pret fati i ngjashëm. Për këtë na flet Kur’ani duke sjell shembuj të popujve të cilët janë shkatërruar për shkak të gjynaheve të tyre. Edhe këtu është e nevojshme të shtrohet një pyetje, që deri më tani është shtruar shpesh, a është i mundur humanizimi i njeriut pa besim – pa Zot. Përgjigjja në këtë pyetje është e qartë, ajo imponohet për çdo ditë nga shkatërrimi i koncepteve të bazuara ekskluzivisht në ratio-n pa besim. 19

 

Me besim kundër drogës dhe varësisë

Dallimi themelor dhe kualiteti i jetës njerëzore në këtë botë është, që duke jetuar jetën e vërtetë, njeriu dhe njerëzit jetojnë në harmoni me Zotin, me vetveten, me kozmosin, me natyrën, me diellin, me hënën, me yjet, malet, botën inorganike, organike, bimore, shtazore dhe me të gjitha botët njerëzore, të cilët e duan rendin, rregullin, të vërtetën, drejtësinë dhe ligjin. Harresa e parë dhe kaosi e shqetësimi i parë është të harruarit e Zotit. Nga të harruarit e Zotit pason të harruarit e vetes, të harruarit e njerëzve, të harruarit e jetës, të harruarit e botës dhe të harruarit e gjithësisë. Në të harruarit e vetes përmes të harruarit të Zotit, zemra njerëzore bëhet e zbrazët e shpirti i shkret. Besimi në Zot e mbron, ushqen, qetëson, ekuilibron, i jep shpresë, qëllim, domethënie, kuptim dhe udhëzim zemrës njerëzore. Në të vërtetë, zemra dhe shpirti i njeriut e duan, e kërkojnë, synojnë dhe shkojnë nga Zoti. Besimi në esencë, në shumë çka, është çështje e zemrës dhe shpirtit. Ai (besimi), nga perspektiva e njeriut, si nevojë bazohet në natyrën njerëzore, në nevojën njerëzore që të tejkalojë qenien e tij relative, të kufizuar dhe pakthyeshëm kalimtare dhe që të afrohet nga Njëshi, nga Absoluti, nga i Vërteti. Kur njeriu arrin në fazën e të harruarit të vetes për shkak të harruarit të All-llahut (xh.sh.), në mënyrë të pakthyeshme e humb përqendrimin, aftësinë e dialogut dhe të folurit, përkatësisht të bisedës dhe atëherë nga jeta, si pajtueshmëri me Zotin dhe botët, kalon në fazën e kënaqësisë. Në fazën e kënaqësisë, njeriu, të gjitha krijesat dhe botët e krijuara i shndërron në objekte të epsheve të veta, interesave, përfitimeve dhe nevojave të veta. Në fazën e kënaqësisë njerëzit bëhen të jashtëm, objekt, materializohen, të rinjtë u nënshtrohen pasioneve, veseve, modës, e pleqtë u nënshtrohen interesave, përfitimeve, të mirave materiale, pozitës, kënaqësisë dhe pushtetit. 20

Esenca e mësimit të gjithmbarshëm islam është lufta dhe angazhimi për stilin e shëndetshëm të jetesës, të shëndtshëm në kuptimin e plotë të fjalës. Islami në këtë aspekt ka qasje gjithëpërfshirëse, pa të cilën kjo luftë nuk mund të japë rezultate të kënaqshme. Ai mbron konceptin e jetës në të cilin çdo segment i qenies njerëzore do të jetë në mënyrë të rregullt i kultivuar dhe të gjitha nevojat e tij (religjioze, intelektuale, seksuale, fizike, emocionale...) në mënyrë të përshtatshme do të jenë të plotësuara . Nëse me nocionin stili i shëndetshëm i të jetuarit do të nënkuptohej vetëm lufta për ushqim të shëndetshëm dhe mjedis të shëndetshëm natyror, por jo edhe të konceptuarit e shëndtetshëm të vlerave universale dhe raportit të njeriut ndaj tyre, që sot disa e përkufizojnë si “ekologjia e shpirtit”, atëherë, përkundër përpjekjeve dhe investimeve të mëdha, efektet do të jenë shumë të dobëta. 21

Në shumicën e vendeve të Evropës perëndimore, vera trajtohet si prodhim ushqimor dhe sipas kësaj baze prodhimi i saj, është i stimuluar nga lehtësirat e ndryshme tatimore. Njëkohësisht në ato vende ballafaqohen me problemin e përqindjes së lartë të alkoolizimit të popullatës (shembulli i vendeve skandinave në të cilat numri i njerëzve që alkoolizohen është shumë i madh). Kontradiksioni i konceptit sipas të cilit është e organizuar shoqëria perëndimore, është më shumë se i qartë, prandaj edhe pasojat që shfaqen (narkomania, alkoolizmi, SIDA) janë krejtësisht të pritura dhe të logjikshme. 22

Zoti ynë Krijues, na paralajmëron në Kur’an, që njeriu, për shkak të largimit nga mënyra e organizimit të jetës sipas dispozitave të Zotit, do të ketë jetë të vështirë. Në një ajet All-llahu (xh. sh.) thotë:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. 23

Islami e edukon njeriun në atë mënyrë që ai në çdo rast mund t’i kontrollojë sjelljet e veta, që ai e zotëron veten, e jo epshet dhe nxitjet e ndryshme të zotërojnë me të. Një fakt tjetër me rëndësi që duhet ta kemi parasysh me rastin e argumentimit përse besimtarët, në përqindje shumë më të vogël, bëhen të varur për gjërat psikoaktive, është sepse besimtari është plotësisht i bindur që në gjërat, të cilat ia ka ndaluar Zoti, për të s’ka kurrfarë dobie, ai largohet prej tyre dhe në këtë mënyrë shpëton nga dëmet që dalin prej tyre. Me ndihmën e fesë (besimit) ai ka ndërtuar mekanizmat e vetëkontrollit, kështu që nuk e tepron as në konsumimin e atyre gjërave që me fe i ka të lejuara. Zoti (xh. sh.) thotë;

“O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.” 24

Është e njohur se si Kur’ani e bëri ndalimin e plotë të alkoolit. Fillimisht paralajmëroi që alkooli dhe bixhozi janë mëkate të mëdha, dëmet e të cilëve janë më të mëdha se përfitimet. Pastaj erdhi ndalesa e përdorimit të pijes para namazit (faljes), në mënyrë që njerëzit të dalin para Krijuesit të Gjithëfuqishëm me vetëdije të plotë. Dhe në fund Kur’ani shpalli ndalimin e plotë të të gjitha llojeve të pijeve dehëse dhe për secilën qoftë edhe në sasinë më të vogël.

“O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.

Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t'ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t'ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” 25

Muslimanët menjëherë e ndërprenë pijen dhe u liruan nga alkooli i depozituar. Pas ndërprerjes të marrjes së alkoolit, nuk pati simptoma krize, veç përkundrazi, nën ndikimin e fesë kishte vetëm vepra dhe dëgjueshmëri. Që atëherë, myslimanët gati plotësisht janë të pastër nga alkooli dhe deri tani ai nuk ka paraqitur problem serioz.

Myslimanët vazhdimisht kanë qenë larg nga përdorimi i drogës, jo vetëm për shkak se islami e ka ndaluar keqpërdorimin e alkoolit dhe drogës, por edhe për shkak se ka aplikuar prevencionin me një varietet të gjerë trajtimesh, duke filluar nga ai familjar, kognitiv, interpersonal dhe biheviorial. 26

 

Varësia nga Zoti mbizotëron çdo varësi tjetër

Njeriu, në vend të varësisë nga Zoti (xh. sh.), merr subjekte, objekte dhe sende tjera për veten dhe bëhet i varur për to. Tashmë mund të flasim për “nevojën natyrore për varësi”, nga Krijuesi i Lartësuar dhe për nevojat alternative për varësinë e sëmurë për dikë a diçka, nëse nuk e kemi këtë të parën. Varësia, pra, në çdo rast ekziston, njeriu nuk është qenie e pavarur, por në pyetje është cila, çfarë dhe për kë?

Çdo varësi, e cila në parim nuk është e lidhur për Krijuesin e Lartësuar ose ndërkaq, të paktën (ndonëse këtu s’ka alternativë), për ndonjë gjë a ide pozitive njerëzore, dituri të dobishme e të ngjashme, në njëfarë mënyre është, varësi patologjike. Dhe gati gjithmonë në fund shkakton patologjinë në sjellje, sëmundje dhe regresion në personalitet, të cilat në shikim të parë nuk është e thënë të jenë të dukshme. 27

Zoti i lartësuar njeriut i ka dhuruar dhe e ka pajisur me aftësi të shumta, por, megjithatë nuk e ka krijuar si qenie të pavarur dhe të mëvetësishme. Si çdo gjë në këtë botë, ashtu edhe njeriu nuk mund të ekzistojë i pavarur nga Krijuesi i vet. Zoti i Madhërishëm i drejtohet njeriut me fjalët: “O njerëz, ju keni nevojë për All-llahun e All-llahu nuk ka nevojë për ju. Ai është i pavaruri dhe i falënderuari.” 28

Dallimi esencial në konceptimin e jetës ndërmjet besimtarit dhe jobesimtarit është në atë që besimtari është i vetëdijshëm për varësinë e tij ndaj Zotit dhe për domosdoshmërinë e ndihmës së Tij në çdo moment, ndërsa ata që e mohojnë varësinë e tyre ndaj Zotit, hamendësojnë që aftësitë që u janë dhënë, janë të mjaftueshme që duke u mbështetur mbi to, të organizojnë dhe rregullojnë drejtë jetën e tyre.

Për shkak të konceptimit të këtillë të gabuar të vetes dhe botës ku jeton, njeriu bjer në kriza të rënda dhe katastrofa kërcënuese, prej të cilave, bota e sotme, para se gjithash ajo perëndimore, përpiqet të gjejë shpëtim. 29

Prandaj, mbi varësinë e njeriut mund të flasim nga dy aspekte. Nga aspekti i varësisë natyrore, të dëshiruar dhe të nevojshme të njeriut ndaj Krijuesit të tij, duke respektuar dispozitat e tij, të cilat i sigurojnë jetë normale të denjë për njeriun, dhe varësia për gjërat, qeniet dhe dukuritë tjera (droga, alkooli, kumari, pasuria, gratë, duhani, pushteti ...), të cilat ia rrezikojnë rolin e caktuar nga Zoti dhe e bastardojnë në pozicionin që është i padenjë për të. Sot, zakonisht, kur flitet për luftën kundër varësisë, mendohet në luftën kundër varësisë për substancat psikoaktive, të cilat marrin jetën e qindra të rinjve. Kjo luftë nuk mund të zhvillohet me sukses, përderisa njeriu nuk çlirohet, me plot kuptimin e fjalës, nga çdo lloj varësie përveç varësisë nga Zoti. Në momentin kur njeriu pajtohet të jetë i varur dhe rob i kujtdo qoftë dhe i çfarëdo gjëje qoftë, ai në të vërtetë, ka rrënuar digën në vete, e cila e mbron që të mos e humbas atë dinjitet dhe pozitë që ia ka caktuar Zoti (xh. sh.). Ajo digë është besimi. Nëse njeriu refuzon, që në mënyrë dinjitoze t’i robërohet Krijuesit të tij, dhe sikurse është i varur prej Tij, të jetë edhe i nënshtruari i Tij, atëherë duke e humbur dinjitetin do të bëhet rob i gjërave dhe dukurive profane, në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe esenciale nuk do të ketë më rëndësi për të se rob dhe i varuri i kujt është. Prandaj, lufta e suksesshme kundër varësisë për substancat psikoaktive, të cilat ia shkatërrojnë ekzistencën, është e mundur nëse rishikohen në mënyrë të drejtë shkaqet që e kanë sjell deri te ajo varshmëri dhe pastaj në radhë të parë të eliminohen ato shkaqe. 30

Duhet të dimë dhe të besojmë bindshëm se vetëm lidhja për Zotin nuk e humb kuptimin dhe qëllimin, pavarësisht se realizohen a nuk realizohen interesat tokësore. Prandaj, viktimat e çdo të keqeje, e edhe asaj më të rrezikshmes – drogës, janë tre lloje njerëzish: ata që nga ana e jashtme kanë çdo gjë, e zemrat dhe shpirtrat bosh, të dëshpëruarit, të cilët nga jashtë s’kanë asgjë, por edhe zemrat dhe shpirtrat i kanë bosh dhe rinia e paedukuar. Është fakt i pakontestueshëm që droga më së shumti përdoret në vendet më të zhvilluara dhe më të varfra të botës. Dikush me arsye do të thotë – Mirë, të pasurit përdorin drogën në harresë dhe shfrenim, por ç‘është me të varfrit dhe të mjerët? Sikur se të pasurit, në harresën e Zotit dhe të vetes, përdorin drogën nga shfrenimi, ashtu të varfrit përdorin drogën nga dëshpërimi. Nga pikëpamja islame, në bazë të Kur’anit dhe sunnetit: alkooli, droga, bixhozi, idolatoria dhe magjia kanë kualifikim të njëjtë dhe shumë të rëndë: vepër e shejtanit, rruga e shejtanit, një gjë e neveritshme – Rixhsun min amelish-shejtan. Nga pikëpamja e secilit njeri veç e veç, që është fat i pashmangshëm për secilin që bëhet viktimë e tyre: alkooli, droga, idhujt, bixhozi dhe magjia, e bëjnë njeriun të varurin e tyre, idhujtar dhe rob, shkatërrojnë tek ai sistemin e vlerave moralo-etike, i shkulin nga zemra Tevhidin dhe Kelimei – shehadetin, ia errësojnë mendjen dhe arsyen, e bëjnë të mjerë dhe ia bllokojnë vetëdijen, ia rrënojnë ndërgjegjen, ashtu që e humb ligjin e brendshëm moral në vete dhe në fund, pas shkatërrimit të substancës së tij të brendshme, ia heqin kornizën e tij të jashtme apo lirinë dhe e çojnë njeriun në animalitet dhe rrjedhje të vazhdueshme të gjynaheve. 31

Pikërisht për esencën e varësisë dhe formës së rrezikshme të autorobërisë, autodestruksionit, autoalienacionit, vetëposhtërimit, vetërrënimit, vetënegacionit, ikjes nga identiteti, dinjiteti, autoriteti dhe të harruarit e vetes përmes alkoolit dhe mjeteve tjera dehëse dhe joshëse, në mesin e të cilave droga është më e madhja dhe më e rrezikshmja, pikërisht në këto paralajmëron All-llahu (xh. sh.) dhe Pejgamberi (s) 32

“Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t'ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t'ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” 33

 

 

Literatura:

1 Novi Horizonti, Revistë për afirmimin shkencor, kulturor dhe shpirtëror, nr. 52, 2003., fq. 16.

2 Preporod, gazetë informative islame, nr. 22/2003, fq. 32

3 Po aty.

4 Glasnik- VIS-a, nr. 4/80/fq.210.

5 Ovisnost o drogama – uzroci i psljedice, prevencija i ljecenje, multidisiplinarni pristup, (Grup autorësh: Urednik: Osman Sinanovic ), Tuzla, 2001. fq. 211

6 Novi Horizonti, nr. 50, Srajevë, 2003.

7 Po aty.

8 www..znaci.com.

9 N. Horizonti, nr. 52, 2003, fq. 16.

10 Po aty

11 Preporod, nr. 22/ 2003

12 Preporod, nr. 2001, fq. 28

15 Glasnik, 1996, fq. 682.

16 Po aty.

17 Duhovnsot i mentalno zdravlje, (Grup autorësh), Sarajevë, 2002, fq. 246

18 Ovisnost o drogama, fq. 192.

19 Njëjtë, fq. 191.

20 M. Spahi, Zemlaj bez rodnog lista, Sarajevë, 2001. 312.

21 Ovisnost o drogama, fq. 193..

22 Po aty.

23 Ta Ha, 124.

24 El-Bekare, 168.

25 El-Maide, 90 dhe 91.

26 Duhovnost i mentalno zdravlje, fq.104.

27 Elharun Selimovic, Psihologija islama, Istanbul , 1995, fq. 90 dhe 91.

28 Fatir, 15.

29 Ovisnost o drogama, fq. 190

30 Ovisnost o drogama, fq.191

31 M. Spahic, Zemlja bez rodnog lista, Sarajevë, 2001, fq. 314.

32 M. Spahic, Zemlja bez rodnog lista, Sarajevë, 2001, fq. 314

33 El-Maide, 91.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Varėsia nga substancat psikoaktive



Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com

Arkivi i autoreve

Mendime / Komente