Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

artikuj

Mr. Ajni Sinani

Prizren, Kosovė

ajnisinani@yahoo.com

Veprat Penale kundėr Pasurisė (Dėnimi pėr Vjedhje)

Autor: Mr. Ajni Sinani E diel 19 Shkurt 2012 14:30 PM

 

Juristët islamë pajtohen me definimin e vjedhjes (serika) si marrje e fshehtë e gjërave mbi të cilat nuk ushtrohet e drejta e pronësisë dhe që i përkasin një personi tjetër. Dënimi për vjedhje, e cila është bërë jo për shkaqe urie, sipas Kur’anit, është prerja e dorës: “Vjedhësit e vjedhëses, prejani duart, si dënim për atë çka kanë fituar shpërblim prej All-llahut. All-llahu është i fortë dhe i urtë. E kush pendohet, pas veprës së vet të keqe dhe përmirësohet, All-llahu me siguri e fal. All-llahu njëmend fal dhe është mëshirëplotë.” (El Maidetu, 38-39)

Në mes juristëve islamë, ka pasur mjaft mospajtime rreth formave të ndryshme të kësaj vepre penale dhe kushteve të nevojshme për aplikimin e ndëshkimit të ligjshëm. Diskutimet janë zhvilluar mbi objektin (sendin), vendin, kushtet e kryerjes së vjedhjes, si dhe raportit ndërmjet vjedhësit dhe të vjedhurit.

 

Kush konsiderohet Vjedhës?

Terminologjia gjuhësore me fjalën vjedhës, nënkupton secilin që vjedh një mall nga një vend i huaj, çfarëdo qoftë ky mall, edhe pa ndonjë vlerë të veçantë, qoftë vezë, apo ndonjë qindarkë. Terminologjia legjislative islame, ndërkaq nuk përfshin çdo vjedhës, por vetëm atë person që vjedh çerek dinari e sipër. Është mendim unanim se, dënimi nuk aplikohet mbi gjërat e imta d.m.th. ato gjëra që nuk arrijnë vlerën prej 10 dërhemësh.

 

Sasia e Sendit të Vjedhur

Muhammedi a.s. thotë: “Nuk ka prerje (dore), përveç se për çerek dinari e sipër.” Dinari ka qenë një monedhë e asaj kohe, e barabartë me vlerën e 10 dhe sipas disave 12 dërhemëve argjend. Juristët, gjithashtu, bëjnë dallim në mes të vjedhjes, e cila bëhet në vendet e mbrojtura dhe vendet e pambrojtura. Nuk pritet dora për vjedhjet në vendet e pambrojtura dhe ato që bëhen ndërmjet të afërmeve. Nuk i pritet dora vjedhësit i cili nuk është i moshës madhore dhe as atij që është i detyruar dhe i kërcënuar nga të tjerët për të vjedhur. [1]

 

Raporti ndërmjet Vjedhësit dhe të Vjedhurit

Ebu Jusufi, në librin e tij Kitab-ul-haraxh, shkruan: “Vjedhësi nuk do të ndëshkohet me prerje dore nëse vjedh prej të atit, nënës, djalit, vëllait, motrës, gruas ose cilitdo personi, me të cilin, për shkak të afërsisë, nuk i lejohet martesa. Gruaja, gjithashtu, nuk ndëshkohet me këtë dënim, nëse vjedh prej burrit të saj.” I Dërguari i Zotit për shkak të ashpërsisë së dënimit, ka lejuar që vjedhësi të mos ndëshkohet, nëse kuptohet qartë se ai është penduar dhe është përmirësuar në pajtim me porosinë Hyjnore.

 

Pasojat e pendimit

Juristët, nuk pajtohen, sa i përket pasojave të pendimit. Disa juristë, në krye me Ebu Hanifen, mendojnë se pendimi nga ana e vjedhësit nuk e anulon dënimin e prerjes së dorës, ndonëse e liron atë nga dënimi në botën e ardhshme. Ndërkaq, Shafiu dhe shkolla e tij juridike, konsiderojnë se, pendimi e liron vjedhësin nga dënimi në këtë botë dhe në botën tjetër.[2]

 

Pse vjedhësi ndëshkohet me prerje Dore?

Shkaku i ndëshkimit të vjedhësit apo vjedhëses me prerjeje dore është ngase ai që vjedh, mundohet të shtojë pasurinë e tij, duke i dëmtuar të tjerët. Një person i tillë nuk kënaqet me pasurinë që ka, por dëshiron të shtojë pasurinë e tij duke u shtirë para të tjerëve se është i pasur, apo duke tentuar që të pasurohet në mënyrë të pandershme.

Sa i përket ndëshkimit me amputim të dorës, (kur dëshmohet në mënyrë të pakontestueshme se vjedhja është kryer jo nga uria), disa juristë jomuslimanë mendojnë se ky dënim është i egër dhe i ashpër. Ne mendojmë se ky dënim është në nivelin e aktit, që bën krimineli. Nuk ka egërsi dhe vrazhdësi në këtë dënim. Ndërkaq i egër është ai që plaçkit pasurinë e tjetrit pa të drejtë. Madje krimi i vjedhjes mund të rezultojë edhe me krime të tjera.[3]

Sot shumica e vjedhjeve janë vjedhje me armë në dorë. Prandaj në më të shumtën e rasteve vjedhjet përfundojnë me terrorizimin ose vrasjen e atyre që vidhen. Shtrohet pyetja: Pse duhet të kemi mëshirë ndaj dorës së vjedhësit, e të mos të tregohemi të mëshirshëm për kokën e të vjedhurit? Madje, padyshim, ashpërsia e dënimit është ajo që e ruan dorën e vjedhësit nga amputimi, sikurse që mbron jetën e të vjedhurit dhe i garanton të gjithëve siguri dhe qetësi. Dënimi i prerjes së dorës së vjedhësit, bëhet hapur, në mënyrë publike, për të pasur efekt tek vjedhësit e tjerë potencialë.

Në fakt, zbatimi i këtij dënimi, në vendet islame është shumë i rrallë, madje vite me radhë nuk ndodh një gjë e tillë, dhe kjo ndodh për shkak të vjedhjes së rrallë që ndodh në ato vende ku zbatohet e drejta islame. Mund të thuhet se nga ky dënim, thuajse s’ka mbetur veçse ashpërsia e tij, e cila të gjithë i ka bërë të jenë të sigurt dhe të kenë qetësi. Ai i ka ruajtur edhe duart e atyre, të cilët do të ishin të gatshëm për vjedhje, sepse vetë ashpërsia e dënimit, ua bën gati të pamundshme kryerjen e një veprimi të tillë.[4]

 

Numri i Njerëzve të dënuar për Vjedhje

Nëse bëjmë një krahasim midis shteteve që zbatojnë dënimin e prerjes së dorës dhe atyre që zbatojnë dënimin me burg, do të shohim se në vendet në të cilat zbatohet dënimi i prerjes së dorës, dukuria e vjedhjes është shumë e rrallë, ndërsa në vendet ku zbatohet dënimi me burg, kemi dështim të plotë. Burgosja e vjedhësve dhe vendosja e tyre në mes personave që kanë bërë kundërvajtje të ndryshme mund të jetë shkak në rritjen e përhapjes së krimit të vjedhjes.[5]

Ndonëse sot vëmendja e perëndimorëve më shumë është e përqendruar tek karakteri i ashpër i ndëshkimeve që zbatohen në vendet muslimane, të cilat jo rrallëherë cilësohen si vende fundamentaliste, ata pak, ose aspak nuk e theksojnë faktin se dënimet e tilla vërtet zbatohen shumë rrallë në botën islame përgjithësisht, dhe kjo për shkak të vjedhje të pakta në ato vende.

Ndërkaq ajo që duhet të theksohet është se duhet të përqendrohet më shumë vëmendja tek fakti se numri i njerëzve, të cilët vdesin, ose janë lënduar seriozisht në deliktet që janë rezultat i vjedhjeve dhe dhunës seksuale në SHBA është shumë më i madh, se sa numri i njerëzve të dënuar për vjedhje dhe prostitucion, sikurse është Arabia Saudite, së cilës gjithnjë i adresohen kritikat dhe tërheq vëmendjen e vendeve perëndimore për shkak të këtyre dënimeve.[6]

 

Dënimet për Prishësit e Rendit dhe Kusarët

Për ata njerëz, që ngrihen dhe luftojnë kundër pushtetit të ligjshëm, duke rrezikuar rendin dhe qetësinë shoqërore, dhe në mënyrë banditeske shkaktojnë gjakderdhje duke i terrorizuar dhe tmerruar njerëzit, duke sfiduar fenë, moralin sistemin legjitim dhe ligjin, ka dënim të rëndë.[7] Zoti në Kur’an thotë: “Shpërblimi i atyre të cilët bëjnë luftë kundër All-llahut dhe të Dërguarit të tij dhe që bëjnë çrregullime në tokë, është: të vriten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët tërthorazi, ose të përzihen prej andej. Ajo është poshtërim në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret dënim i madh. Përveç, atyre që janë penduar para se t’i kapni. E, dine pra se All-llahu bën falje të madhe, është mëshirues.” (El Maidetu, 33) “

Dënimet për prishësit e rendit dhe kusarët në bazë të ajetit kur’anor, janë: 1 ekzekutimi me vdekje; 2 gozhdimi; 3 prerja e pjesëve të trupit; 4 internimi.

Këto katër dënime janë përmendur me pjesëzën ev- ose. Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të saj, mirëpo duket se ajo është për llojllojshmërinë dhe radhitjen e dënimit sipas nivelit të krimit.[8] Nga ajeti kur’anor, shohim se kemi të bëjmë me një llojshmëri dënimesh. Juristët kanë mendime të ndryshme se si duhen zbatuar këto dënime. Problemi është zgjidhur duke e lënë në kompetencë të kadiut apo gjyqtarit, që të zgjedhë dënimin, i cili, sipas mendimit të tij, do t’i përgjigjej një vepre të bërë krimi.

Nga ajeti kur’anor: “Përveç, atyre që janë penduar para se t’i kapni. E, dine pra se All-llahu bën falje të madhe, është mëshirues.” (El Maidetu, 34) që pason pas ajetit të lartpërmendur është nxjerrë edhe një dispozitë, e ajo është largimi i dënimit për ata që dorëzohen para së të kapen. Kjo është e ngjashme me praktikën bashkëkohore, për dhënien e amnistisë pjesëmarrësve në një komplot, kundër sigurisë shtetërore, ose në një rezistencë publike, kundër qeverisë, në rast se ata dorëzohen me parë vullnetarisht.[9]

 

Veprat që nuk ndëshkohen me Dënimin Hudud

Përveç veprave të përmendura, të cilat i përkasin veprave penale për të cilat është përcaktuar dënimi i tyre sipas Ku’anit dhe Sunnetit, kemi edhe vepra të tjera, të cilat janë vështirë për t’u definuar dhe të cilat nuk i nënshtrohen sanksioneve të caktuara dhe nuk janë të ndaluara shprehimisht me Kur’an.

Këto vepra dallohen nga të mëparshmet, ngase janë më pak të rrezikshme dhe sepse nuk e kërcënojnë mirëqenien e individit. Rregulli, që kanë vënë juristët islamë gjatë definimit të këtyre veprave, është: Çdo kush që bën kundërvajtje, për të cilën nuk është përcaktuar dënimi ‘hadd’, dhe me të cilën nuk dëmtohet asnjë musliman ose jomusliman, me fjalë ose vepër, meriton ‘tazir-in’.

 

Dënimi Tazir

Et Ta’zir, rrjedh nga fjala arabe “azzere”, që do të thotë: me pengu, me ndihmu, me eduku. Kështu p.sh fjala “azerehu” mund të thotë: “e ka penguar, e ka ndihmuar, e ka edukuar”.

Është e drejtë dhe obligim e personave përgjegjës (ulul emr) që të kujdesen për rendin dhe qetësinë publike, të zgjidhin dhe të gjykojnë në rastet për të cilat nuk është caktuar sanksion me tekst. Ky lloj sanksionimi quhet “ta’zir”. ‘Tazir’ është dënim për shkelje të caktuara, masa e ndëshkimit të të cilave i është lënë kadiut. Ky dënim mund të ketë formë dhe nivel të ndryshëm, por nuk mund t’ia kalojë dënimeve ligjore të përcaktuara me tekst, ‘hadd’.

Veprat për të cilat parashihet ky dënim diskrecioni- Taziri , mund të ndahen në dy kategori:

1. Veprimet që bien ndesh me frymën e fesë, rendit publik dhe moralit; 2. Kundërvajtjet, që kanë të bëjnë me të drejtën e individit.

Ta’ziri pra pengon, që të përsëritet kundërvajtja, kurse shqiptimi dhe zbatimi i sanksionit sipas të drejtës islame, i cili vazhdimisht aplikohet publikisht, ka për qëllim që ta edukojë dhe ta ndihmojë kundërvajtësin, në mënyrë që t’i kthehet jetës së mëparshme të paprapësueshme.[10]

Et Ta’zir përfshin llojet e ndryshme të qortimit të hapur, që kadiu i bën kundërvajtësit. Ky kuptim është zgjeruar, ashtu që përfshin edhe të drejtën e gjykatësit, që të shqiptojë çfarëdo dënimi, që e sheh adekuat, por që nuk arrin shkallën dhe peshën e dënimit ‘hadd’. Masa dhe shkalla e këtij dënimi, sipas mendimit të juristëve muslimanë, ndryshon varësisht nga mosha, gjinia dhe pozita e kundërvajtësit, si dhe, varësisht nga pesha e veprës kundërvajtje.

Në këtë kategori, bëjnë pjesë masat e ndryshme, sikurse është: 1. tërheqja e vërejtjes; 2. heqja e lirisë; 3. goditja me kamxhik; dhe 4 dënimi me të holla.

Personat, të cilët neglizhojnë obligimet fetare, mund të ndëshkohen. Këtu, mund të përmendim edhe matjen e shtrembër: “Edhe masën plotësojeni dhe kur të peshoni në litër, madje peshoni drejt edhe me terezi…” (El Isra, 35).

Përdorimi i pijeve alkoolike, është një vepër e ndaluar, për të cilin, në Kur’an, nuk është përcaktuar ndonjë dënim i veçantë: “O besimtarë, nuk ka dyshim se alkooli, edhe loja me para, edhe idiolatria, edhe shigjetat për fall janë të ndyra, nga punët e djallit, prandaj largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (El Maidetu, 90).

Dallueshmëria në mendime ka rezultuar si rezultat i përpjekjeve për të caktuar dënimin për përdorimin e alkoolit, dhe është zgjeruar meqenëse juristët nuk arritën të pajtohen në aspekt të dënimit, të cilin e kishte shqiptuar i Dërguari a.s. për këtë vepër. Disa mendojnë se i dehuri duhet të ndëshkohet me dyzet goditje, ndërkaq pjesa dërmuese e juristëve islam kanë pranuar se duhet të ndëshkohet me tetëdhjetë goditje, sipas fjalëve të Aliut r.a. që i tha për të dehurin: “Ai kur pi – dehet, e kur dehet – e kalon kufirin, dhe kur e kalon kufirin – shpif, kurse për shpifësin ndëshkimi është tetëdhjetë goditje.”[11]

Ndërkaq, kundërvajtje kundër të drejtave të individit, konsiderohet çdo shkelje e të drejtave të tjetrit. Shkelësi i të drejtave të tjerëve, ndëshkohet me ‘ta’zir’, madje ai mund të privohet nga të drejtat e tij.[12] Juristët islamë, kanë sjellë një rregull, në bazë të hadithit të Muhammedit a.s.: “Mos zbatoni dënime, në rastet kur nuk jeni plotësisht të sigurt për fajtorin!” [13]. Prandaj, më mirë është të mos ndëshkohet delikuenti, dhe për këtë pajtohen të gjithë dijetarët muslimanë, se sa të ndëshkohet dikush pa të drejtë, në bazë të akuzave të pa bazë.

 

Ashpërsia e Ligjeve Islamike

Armiqtë e Islamit, kanë shkruar se, dispozitat e Sheriatit janë tejet të ashpra*. Madje ka edhe të atillë që me deklaratat e tyre skizofrene shkojnë aq larg, sa që pohojnë se, ligjet islame janë ‘të ashpra’ sepse origjinën e kanë prej arabëve, prandaj në ‘ashpërsinë’ e ligjit islam reflektohet ‘ashpërsia’ e vetë arabëve.

Padyshim se, njeriu, nën hijen e së drejtës islame, ndihet jo i frikësuar, por i sigurt dhe i qetë, për jetën dhe pasurinë e tij. Këtë e di secili, që ka pasur rastin të jetojë në këto vende, për një kohë të caktuar. Këtë e kam ndier edhe unë gjatë viteve që i kam kaluar atje. Ndërkaq, njeriu nuk mund të jetë edhe aq i sigurt në një vend, ku aplikohen ligjet sekulariste.

Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se masat ndëshkimore në Islam kanë për qëllim mbrojtjen e shoqërisë nga shkatërrimi dhe zvetënimi i saj. Lirisht mund të themi se këto masa ndëshkimore kanë pasur ndikim në çrrënjosjen e veprave penale me vetë normimin e dënimeve dhe sanksionimin e ndëshkimeve.

Dënimet e parapara në islam kanë arritur të kenë sukses, më shumë me normimin e tyre, se sa me aplikim praktik. Ato, më shumë, kanë ndikuar përmes aspektit teorik, se sa atij praktik. Këto dënime të rrepta, para së gjithash, kanë pasur për qëllim shërimin psikologjik të të sëmurëve nga këto sëmundje shoqërore, se sa që kanë rekomanduar (kanë pasur për qëllim) dënimin trupor. Në këtë mënyrë, e drejta islame, me mbështetje të fortë në bazat e fesë dhe të moralit islam, arrin të çrrënjosë dukuritë negative dhe e pastron shoqërinë nga e gjithë ajo që anon nga negativitetet, në raport me sigurinë e shoqërisë, me qetësinë familjare dhe dinjitetin e femrës.[14]

 

* Dënimet e quajtura “hudud” në Ligjin Islamik, janë më pak të ashpër se sa tek Ligji Hebraik, sipas të cilit 36 vepra kriminale, sikurse janë: kurorë-shkelja, sodomia, idhujtaria, magjia dhe vrasja, ndëshkohen me varje deri në vdekje, këputje koke, djegie ose mbytje (zënie fryme), shih: Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 195.

 

---------------------------------------

[1] Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 242.

[2] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, Takvim, Sarajevë, 1985, f. 67.

[3] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 51.

[4] Dijalog Islamski i Evropskih Ucenjaka, op. cit., f. 25.

[5] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 51.

[6] Sejid Husein Nasr, Srce islama, El kalem, Sarajevë, 1423/2002, f. 197.

[7] Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 257.

[8] Ahmed Abdul Kader Muabi, Dënimet në Islam, op. cit., f. 55.

[9] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, op. cit., f. 67.

[10] Mr. Ibrahim Dzananovic, Hudud i Tazir- Krivicna Djela i Prekersaju u seriatskom Pravu, op. cit., f. 120.

[11] Dr. Muhammed Beker Ismail, El Fikhul Vadih, vëllimi 2, op. cit., f. 290.

[12] Rijad Mejdani, Ukubat- Serijatsko Krivicno Pravo, op. cit., f. 68-69.

[13] Muhammed Kutub, Sa jemi Muslimanë, op. cit., f. 24.

[14] Dijalog Islamskih i Evropskih, op. cit., f. 127.

 

* Dënimet e quajtura “hudud” në Ligjin Islamik, janë më pak të ashpër se sa tek Ligji Hebraik, sipas të cilit 36 vepra kriminale, sikurse janë: kurorë-shkelja, sodomia, idhujtaria, magjia dhe vrasja, ndëshkohen me varje deri në vdekje, këputje koke, djegie ose mbytje (zënie fryme), shih: Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 195.* Dënimet e quajtura “hudud” në Ligjin Islamik, janë më pak të ashpër se sa tek Ligji Hebraik, sipas të cilit 36 vepra kriminale, sikurse janë: kurorë-shkelja, sodomia, idhujtaria, magjia dhe vrasja, ndëshkohen me varje deri në vdekje, këputje koke, djegie ose mbytje (zënie fryme), shih: Sejid Husein Nasr, Srce islama, op. cit., f. 195.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 1 here
  • Besmir Y. E diel 26 Shkurt 2012 11:10

    Prof. tė lumtė dora pėr shkrimin.

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve