Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Xhamia, institucion edukimi dhe adhurimi

Autor: Adem Avdiu E enjte 4 Gusht 2011 14:53 PM

 

Të flitet dhe të shkruhet për xhaminë si institucion është shumë e vështirë. Vetëm pena e një akademiku apo e një shkrimtari me famë botërore mund ta shprehë bukur dhe me ide të fuqishme pozitën madhështore që meriton faltorja e vetme ku adhurohet drejt Mbreti absolut i mbarë krijimit. Për këtë arsye artikulimi ynë është shumë i varfër në shprehje për të shfaqur realitetin e xhamisë. Zoti i Lartësuar na informon se që ky institucion të arrijë gradën e merituar dhe madhështore duhet që veprimtaria e saj të burojë e dëlirë, e motivuar nga fuqia e besimit të kristalizuar monoteist. I Gjithëpushtetshmi thotë: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!”[1] Kjo veçori e dallon xhaminë nga faltoret e tjera. Disa njerëz pretendojnë se reflektojnë monoteizmin, por kjo është një deklaratë e shoqëruar me të pavërtetën ngase konceptet e tyre religjioze e fraksioniste nuk i përkasin besimit të vërtetë, në një të vetmin Krijues. I Lartësuari Allah i bën thirrje çdo njeriu që të besojë drejt dhe ta formojë jetën e tij nga nektari i besimit islam. Ai thotë në Librin e Tij të bekuar: “Kur atyre u thuhet: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit e tjerë!...”[2] Kush janë këta njerëz që Zoti i Madhërishëm po merr si shembull për hipokritët, që edhe këta të besojnë ashtu si besuan ata? Nuk ka dyshim se shembujt janë shoqëruesit besnikë të Profetit Muhamed, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Zoti i Gjithëditur me këtë mesazh po na informon se sahabët, qoftë i kënaqur me ta Krijuesi i fuqishëm, ishin besimtarë të drejtë dhe shembulli i tyre duhet ndjekur. Kulturën dhe qytetërimin e tyre ata e mbështetën fuqishëm dhe drejt mbi këtë besim të lavdëruar nga revelata e fundit hyjnore. Civilizimi i tyre ishte aq madhështor, saqë gjunjëzoi dy perandori të fuqishme, të cilat e humbën krenarinë e tyre, që deri atëherë rrugëtonte në errësirat e paudhësive djallëzore. Qytetërimi persian dhe ai bizantin nuk arritën t’i ndalnin rrezet e drejtësisë dhe paqes që buronin nga xhamia e Medinës. Këto rreze ndriçuan zemrat e shumë popujve duke larguar errësirën djallëzore. Sahabët u edukuan në xhaminë e Profetit të dashur Muhamed, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Civilizimi i gjeneratës së parë të kombit musliman e shfaqi mrekullueshëm Islamin dhe ky është reflektimi i vetëm i Islamit të cilin Zoti dëshiron që njerëzit ta implementojnë sepse është metodologjia e vetme e pranuar në drejtësinë hyjnore. Ky nuk është Islami i shkretëtirës, por feja e vërtetë e natyrshmërisë njerëzore, e faktuar dhe e normuar me argumentet e pakontestuara që mbështeten në mesazhin qiellor të finalizuar me Kur’anin dhe Traditën Profetike. Akuzat që shpërthejnë nga erupsioni i karakterit hipokrit drejt civilizimit hyjnor, të cilin padrejtësisht e cilësojnë si religjion i shkretëtirës, tregojnë logjikën pragmatike dhe mesjetare. Zoti i Madhërishëm na sqaron realitetin e këtij fenomeni djallëzor me fjalët: “Kur atyre u thuhet: Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit e tjerë! Ata thonë: Vallë, a të besojmë edhe ne ashtu siç besojnë mendjelehtët?! Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë.”[3]

Muslimanët çdo herë janë përballur me akuza, shpifje e padrejtësi, por në fillim mileniumin e ri akuzat dhe padrejtësitë janë bërë edhe më dinamike. Të përballesh me to kërkohet që qytetërimi islamik në shoqërinë muslimane të jetë i orientuar nga bazat e religjionit nën dritën e elaborimeve shkencore, larg fanatizmave dhe pasioneve të zhbalancuara. Ky qytetërim për t’u realizuar kërkon përkushtim plot dashuri dhe respekt ndaj parimeve dhe mesazheve që shpërthejnë nga mrekullia e përsosur kur’anore dhe porositë dritësuese të Profetit të dashur Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Institucioni i cili i ka përçuar dhe vazhdon t’i përcjellë udhëzimet hyjnore të qytetërimit islamik në formimin e personaliteteve është xhamia, vendi ku fitohet edukata dhe ku adhurohet drejt Krijuesi. Në trojet shqiptare institucioni i xhamisë në jetën e besimtarëve dhe afetarëve që nga fillet e saj e deri sot ka shfaqur mesazhet e paqes dhe ndikimi i saj në ngritjen e vetëdijes kulturore e qytetare në jetën e shoqërisë shqiptare ka qenë shumëdimensional. Por këtë institucion janë munduar dhe po mundohen ta largojnë nga ndjenjat e popullit tonë njerëz të cilët me çdo kusht mundohen që përhapjen e fesë islame në trojet ilire ta paraqesin si një proces të realizuar në mënyrë të dhunshme nga Perandoria Osmane. Nuk ka dyshim se diplomacia dhe politika shtetërore e Perandorisë Osmane dëshmon të kundërtën e akuzave të tilla të vullkanizuara nga urrejtja patologjike. Sistemi shtetëror i Perandorisë Osmane jo vetëm që reflekton një civilizim të ngritur, por është model për Bashkimin Evropian dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-Sekretari i shtetit të SHBA-ve, Henry Kissinger[4], thotë: "Në Ballkan, Shtetet e Bashkuara po kryejnë, në thelb, të njëjtat funksione që patën kryer perandoritë austriake dhe osmane në prag të shekullit të kaluar, të ruajtjes së paqes, duke ngritur protektorate që ndërmjetësojnë midis grupeve etnike që janë në luftë[5]. Kjo gjithashtu argumenton të kundërtën e pretendimeve bogdaniane, të cilat dhunën dhe gjenocidin që u ushtrua mbi muslimanët andaluzianë (në Spanjë e Portugali) nga inkuizicionistët mundohen ta zhdukin nga faqet e historisë duke e akuzuar Perandorinë Osmane për shpifje e trillime. Mashtrimet nuk kanë të ndalur, ato vazhdojnë të përhapin viruset e urrejtjes e përçarjes, por pasuesit e vërtetë të Islamit do të mundohen t’i shërojnë plagët e shkaktuara nga inkuizicionistët ideologjikë përmes gjuhës së argumentit sepse përdorin armën më të fuqishme - penën. Nëse përdoret drejt, ajo largon errësirat dhe përhap dritën e dashurisë, paqes dhe mirëqenies. Për këtë armë u betua edhe Zoti i Madhërishëm[6] dhe e filloi zbritjen e revelatës së fundit për mbarë njerëzimin me fjalën lexo. Institucioni i xhamisë tek ne ka qenë faktor kyç në përhapjen e dijes dhe shkencës. Populli ynë në të kaluarën ka mësuar shkrim e lexim nëpër xhami. Nga ky institucion lindën intelektualë e patriotë të shquar, të cilët kontribuuan fuqishëm për mbrojtjen e kombit shqiptar nga shovinizmi sllavo-grek. Nëpër xhami u kultivua morali dhe u fuqizua nderi, i cili gjendej në damarët e popullit tonë. Në këto ndërtesa të bekuara u organizuan kongrese e seminare për çështjen kombëtare. Objektet e xhamive u shndërruan në shkolla publike në të kaluarën, sidomos në dekadën e fundit të shekullit 20, kur regjimi serb nën udhëheqjen e kriminelit Slobodan Milosheviç e ndaloi shkollimin në objektet shkollore dhe universitare. Xhamitë ishin vende ku u arrit pajtimi i gjaqeve, u strehuan luftëtarët e lirisë dhe refugjatët. Në letërsinë shqiptare kullat simbolizojnë qëndresën shqiptare, por institucioni i xhamisë, me gjithë këtë mirësi dhe dhunti të gjithanshme, jo vetëm që është simbol i qëndresës shqiptare, por është simbol i identitetit, vlerave kulturore dhe i qytetërimit tonë. Vendi ku fitohet edukata e mirëfilltë dhe ku adhurohet drejt Krijuesi, Mbreti i gjithësisë. Tani institucionet vendore të Republikës së Kosovës po i shoqëron turpi, sidomos Komunën e Prishtinës, e cila nuk dëshiron që kryeqyteti ynë të zbukurohet me xhaminë e madhe për të cilën kanë nevojë besimtarët prishtinas. Ndërtimi i saj do të reflektonte mesazhet e dashurisë dhe paqes. Objekti i saj do të na ekranizonte në kujtesën tonë luftën çlirimtare të shoqëruar me emocione e sakrifica. Do të na kujtonte agjërimin, namazin dhe sakrificën madhështore për këtë tokë që realizoi familja e Shaban Jasharit, Zoti i mëshiroftë të gjithë! Do të na kujtonte hoxhën Jonuz Zejnullahu, që ra heroikisht në Kosharen legjendare, e shumë heronj të tjerë. Turpi edhe më i madh u tregua nga institucionet vendore kur lejuan ndërtimin e katedrales politike dhe jo religjioze në Prishtinë, katedrale e cila shëmbëllen me një kalë Troje.

 

________________________________________

[1] Kur'an, El Xhinn: 18.

[2] Kur'an, El Bekare: 13.

[3] Kur'an, El Bekare: 13.

[4] E mbajti këtë post nga 22 shtatori 1973 deri më 20 janar 1977.

[5] Shiko librin "A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme? Drejt një diplomacie për shekullin e njëzetë e një", faqe 12, nga Henry Kissinger.

[6] Njeriut nuk i lejohet të betohet në krijesa ngase konsiderohet pjesë e mosbesimit. Atij i lejohet të betuarit vetëm në Zot. Krijuesi betohet në krijesa për të treguar rëndësinë e tyre dhe ky lloj betimi është i veçantë vetëm për Allahun e Madhëruar.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve