Krerët institucional, politik, partiak të Kosovës si bashkëpjesëmarrës apo si faktor vendimtar në Kuvendin e Kosovës për mos kalimin e dy amendamenteve për lejimin e shamisë dhe edukatës fetare në shkolla publike, natën e Fitër Bajramit ia vunë ”thikën pas shpine” shqiptarëve musliman në përgjithësi e Myftiut të Kosovës në veçanti, ndërsa të nesërmen në ditën e Fitër Bajramit pa fije turpi e morali ia uruan Fitër Bajramin shqiptarëve musliman në përgjithësi e Myftiut të Kosovës në veçanti, sikurse të mos kishte ndodhur kurrgjë.
E tëra nisi me propozimin e dy amendamenteve nga Koalicioni Kosova e Re, të përkrahur edhe nga deputetë të komuniteteve dhe tjerë, lidhur me lejimin e shamisë dhe edukatës fetare në shkollat publike. Pas kësaj pasoi prononcimi i Ipeshkvisë së Kosovës (Dioqezës Shkup- Prizren) kundër lejimit të Edukatës Fetare në shkolla publike të Kosovës, edhe pse kjo ka qenë e ditur dhe nuk ishte risi një veprim i tillë i pamatur prej saj, por diç tjetër në prononcim të saj, që është shumë i rrezikshëm dhe tepër negativ për momentin në të cilin gjendemi. E para është, në të cilin thuhet:
“ Lypet që shtetësia e Kosovës të” piqet” dhe të njihet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare”, pikërisht është edhe Vatikani që kontribuon që akoma shtetësia e Kosovës nuk po “piqet” pasi që nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Kosovën e konsideron si pjesë përbërëse e Serbisë, e për t’u njohur nga institucionet ndërkombëtare, duhet patjetër pajtimi i Serbisë, sipas tyre, pasi që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pa pajtimin e Serbisë, nuk mund të kalojë pavarësia e Kosovës, për shkak të vetos së Rusisë dhe të Kinës, ndërsa në Bashkimin Evropian për shkak të vetos së 5 shteteve anëtare të saj (Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros) që akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pa pajtimin paraprak të Serbisë.
E dyta është, në të cilin thuhet:
”Të arrihet, nëpërmjet arsimimit, një qytetërim i mirëfilltë europian dhe Kosova të jetë e aftë për të menaxhuar një çështje kaq madhore”, që do të thotë se Kosova nuk është e aftë të menagjojë, merreni me mend, një lëndë shtesë në shkolla publike të Kosovës, dhe atë fakultative, zgjedhore, sipas dëshirës së prindërit dhe nxënësit, e lere më të menaxhojë diç tjetër kruciale, sipas saj. E treta është, “ dhe nuk do ta bartë përgjegjësinë mbi pasojat e mundshme për kombin” me ç’rast përcjell mesazhe kërcënuese për kombin, pa i cekur se cilat janë ato pasojat për kombin dhe çfarë do të thotë me këtë.
Pas këtij prononcimi ka qenë e ditur që nuk ka pas gjasa as teorike e lere më praktike që këto dy amendamente të kalojnë në Kuvendin e Kosovës, duke ditur se Kuvendi i Kosovës ashtu siç është i përbërë ka akoma nostalgji për sistemin e dikurshëm monist, çoftë ai “titist” apo “ enverist” e bile ka të tillë që vuajnë akoma edhe për teorinë e Darvinit, ndërsa tani kamuflohen nën petkun e laicitetit, pasi më nuk mund të quajnë veten komunist, pa marrë parasysh i çfarëdo modeli çoftë,”titist” apo “enverist” edhe pse jetojnë në një shoqëri demokratike veprojnë akoma me mendimet e të kaluarës moniste.
Edukata Fetare për momentin, aplikohet dhe mësohet në shkolla publike në Evropë që nga Norvegjia e gjer në Greqi, përveç 5 shteteve në të cilin nuk mësohet lënda e Edukatës Fetare, Francë, Slloveni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë, dhe se sipas “laikëve” tanë shqiptar, të gjitha shtetet e Evropës në të cilin mësohet Edukata Fetare automatikisht qenkan shtete fetare e assesi laike. Dua t’i përmendi vetëm dy raste, e kush nuk beson është i lirë që të hulumtojë, rastin e Kroacisë dhe Finlandës. Në Kroaci në një shkollë publike në rast se janë vetëm 7 nxënës të konfesionit musliman qeveria kroate ia siguron mësimdhënësin (hoxhën) për të mësuar lëndën e Edukatës Fetare një herë në javë, merreni me mend, ndërsa në Finlandë, në një qytet 400 km larg Helsinkit, në të cilin jetojnë vetëm 7 nxënës të konfesionit musliman, në mesin e tyre 3 nxënës janë shqiptar nga Kosova, qeveria finlandeze një herë në muaj ia dërgon mësimdhënësin (hoxhën) për t’i mësuar për fenë e tyre islame, ndërsa çdo 6 muaj qeveria organizon ardhjen e tyre në Helsinki, në xhami, për të parë dhe mësuar, në mënyrë praktike, se si merret abdesti, se si kryhet namazi e kështu me rrallë. E dihet që Finlanda gjendet në Evropë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian kaherë, ndërsa me Kroacinë kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë në ish Jugosllavi si pjesë përbërëse e saj, e tani, ajo prej vitit 2013 do të jetë anëtare fuqiplotë e Bashkimit Evropian. Por neve shqiptarëve jemi mësuar të jemi “yrnek” mostër për të gjithë të tjerët në botë për së keqi, duke përkujtuar historinë jo të largët, që nëna Shqipëri me diktatorin e saj Enver Hoxha në vitin 1967 ishte e vetme në botë që me ligj e ndaloi veprimin e feve, e tani, çoftë edhe në tërë Evropë e lejuar mësimi i Edukatës Fetare,si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, prapë do të jemi “yrnek” mostër për së keqi, në rast se jo për botën, bile për Evropën, duke mos lejuar mësimin e Edukatës Fetare në shkolla publike.
Para kësaj, refuzimi i parë erdhi nga kryetari i Prishtinës z.Isa Mustafa i cili nuk ofroi lokacionin e kërkuar për Xhaminë e Madhe në Ulpianë, përball Institutit Albanologjik, që ishte kërkesa e Bashkësisë Islame të Kosovës, por te Posta, larg qendrës, dhe se në rast” nuk pranimit nga ana e BIK-ut, atëherë mund ta ndërtojnë në periferi të qytetit”, iu sugjeroi Isa Mustafa. Po qoftë kjo edhe prej Isës, e tepërt është! T’ia përkujtojë Isa Mustafës, se kur kërkoi Ipeshkvia e Kosovës (Dioqeza Shkup-Prizren) hapësirën e Gjimnazit për ndërtimin e Katedralës, jo që askush nuk ia mohoi, por edhe pa lejen paraprake të Komunës së Prishtinës, e nisi dhe e bitisi Katedralen.
Fajtori kryesor për mos kalimin e dy amendamenteve të propozuara në Ligjin për arsim parauniversitar nga ortaku i tij qeverisës, Koalicioni për Kosovën e Re, pikërisht është z. Hashim Thaçi, pasi që ai fjalët dhe premtimet e dhëna nuk i mban, por vepron të kundërtën, ashtu siç ishte fjalimi i tij në iftarin e shtruar nga Partia e Drejtësisë në Hotel Victory para vetëm ca ditësh, në të cilin e “akuzoi oponentin e tij kryesor opozitar z.Isa Mustafën për zvarritjen e vendimit për caktimin e lokacionit për Xhaminë e Madhe në Prishtinë” pasi që është në kompetencë të pushtetit komunal, por që ja tani, çështja e shamisë dhe Edukatës Fetare në të cilin do të mësohej për ”Islamin tradicional denbabaden” siç e ceku në fjalimin e tij përshëndetës në Hotel Victory” z.Hashim Thaqi, ishte pikërisht në kompetencën e tij, të pushtetit qendror, e tradhtoi ortakun e tij qeveritar, me arsyetimin “kinse” nuk paska arrit t’i bind deputetët e tij për të votuar. Do t’ia përkujtojë z. Hashim Thaçit vetëm takimin sekret, pa praninë e medieve elektronike dhe të shkruara, që e ka mbajt në restorantin Villa Park afër Prizrenit, gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2010, me imamët (hoxhallarët) e Prizrenit dhe rrethinës, ku i ka garantuar se” në rast se loboni dhe votoni për PDK-në, po ju premtoj tri gjëra që do ju përmbushi, lejimin e shamisë, lejimin e Edukatës Fetare në shkolla publike si dhe financimin e Bashkësisë Islame të Kosovës” nga buxheti i Kosovës. Kryeministër i Kosovës, premtimin e dhënë e keni shkelë me të dyja këmbë, pirolla ju qoftë!
Koalicioni për Kosovën e Re, tani pikërisht duhet të braktisë qeverinë, AKR-ja me z. Behgjet Pacollin në krye në rast se vazhdon të jetë edhe më tutje pjesëmarrës i qeverisë , atëherë në vitin 2013 në zgjedhjet e ardhshme do të përfundojë sikurse LDD-ja e z.Nexhat Dacit, pasi nuk ka gjasa as teorike lere më praktike të kalojë pragun e 5%. Për Partinë e Drejtësisë tani është momenti ” to be, or not to be – të jesh apo mos të jesh”, sa më parë të braktisë qeverinë, dhe të fillojë konsolidimin e gjithëmbarshëm të saj duke i rikthyer të gjithë anëtarët që e kanë braktisë apo janë larguar nga PD-ja, që nga themelimi i saj, dhe të bëj një riorganizim të tërësishëm dhe të mirëfilltë, dhe që prej tani të nis përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2013, në të cilin jo që do të kalojë pragun e 5%, por do të jetë një force respektabile në skenën politike kosovare, në të kundërtën, në rast se vazhdon të jetë në bashkëqeverisje me partnerin e saj PDK-në, ajo definitivisht do të ishte”vetëvrasje politike” dhe fundi i saj politik. Do t’ia përkujtojë Koalicionit për Kosovën e Re, gjegjësisht z. Ferid Aganit dhe z. Muhamed Mustafës, takimin që kanë pas me imamët (hoxhallarët) e Prizrenit dhe rrethinës, në Prizren, gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2010, se” po qese nuk i realizojmë këto dy premtime, lejimin e shamisë dhe Edukatës Fetare në shkolla publike, as një ditë e vetme nuk do të qëndrojmë në qeveri”. Premtimi është borxh për ta mbajtur, topi është në anën e juaj tani zotërinj të nderuar! Poashtu edhe komunitetet, si turke ashtu edhe boshnjake, duhet të lëshojnë qeverinë, pasi që edhe ata do të jenë bashkëfajtor që për fëmijët e tyre të komuniteteve, qofshin turke apo boshnjake , iu kanë pamundësuar që të mësojnë Edukatën Fetare, e cila mësohet si në Turqi, ashtu edhe Bosnjë. Nga partitë opozitare, ka qenë e pritshme që LDK-ja dhe AAK-ja të votojnë kundër, por më ka befasuar veprimi i pamatur politik i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila me braktisjen e sallës, ka treguar papjekuri politike, e cila në të ardhme do t’ kushtojë shumë, pasi që e ka pas rastin ideal që me votimin pro amendamenteve të propozuara, të ngrite rejtingun e saj politik, dhe të zgjeron forcën e saj elektorale apo votuese.
Fajin e kemi vet neve shqiptarët musliman, qoftë besimtarë, xhemat, imamë (hoxhallarë), Bashkësi Islame në përgjithësi, që bimë pre e premtimeve të kota të cilido subjekt politik shqiptar, ata për të përfituar vota, e neve për të mos përfituar asgjë, dhe se tani e tutje kjo le të na shërbej si mësim i duhur për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë që do të mbahen në vitin 2013, të mos votohet më asnjë subjekt aktual politik shqiptar në Kosovë, por të lobohet, dhe të bëhet thirrje për bojkotim të përgjithshëm, nga neve shqiptarëve mysliman, të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 në Kosovë, si alternativë e vetme e mbetur e shqiptarëve musliman të Kosovës.
Në përmbyllje të këtij vështrimi, nuk i mbetet gjë tjetër, myftiut të Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnavës, i cili qe plot 8 vite u angazhua që në mënyrë institucionale, me durim dhe bisedime të zgjidh këto tri objektiva themelore të garantuara me të gjitha Konventat ndërkombëtare, xhaminë, shaminë dhe Edukatën Fetare, qenë të kota, pas verdiktit të dhënë të Parlamentit të Kosovës, si organ më i lartë përfaqësues i Kosovës, për mos lejimin e shamisë dhe Edukatës Fetare në Kosovë në shkolla publike, si dhe mos lejimin e ndërtimit të xhamisë në lokacionin e kërkuar në Prishtinë, që tani premtimin e dhënë të realizojë” pasi që janë shterur të gjitha mundësitë institucionale për realizimin e këtyre tri kërkesave elementare, atëherë nuk i mbetet tjetër veç t’i tubojë 200.000 shqiptarë musliman ditën e xhumasë, në Prishtinë, nga të gjitha viset e Kosovës, dhe të mos zmbrapset gjer në realizimin e kërkesave ” ka qenë premtimi i dhënë i Myftiut të Kosovës Naim ef.Tërnavës. Premtimin e dhënë e keni borxh ta realizoni, pasi që e keni marrë përsipër emanetin që të udhëhiqni muslimanët në Kosovë dhe të jeni përgjegjës për plotësimin dhe realizimin e nevojave themelore elementare të besimtarëve musliman, në të kundërtën në rast se premtimin e dhënë nuk e mbani dot, atëherë do të ballafaqoheni para Krijuesit fuqiplotë për mos realizimin e të drejtave themelore muslimane të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare, në ditën e dhënies së llogarive të secilit prej nesh.
P.S. Edhe ky shkrim (opinion) i im sikurse edhe të tjerat, në shumicën e medieve të shkruara dhe ueb portaleve në internet do të censurohet dhe nuk do të jepet hapësirë, në kohën e shoqërisë moniste në të cilin kemi jetuar ka qenë normale një gjë e tillë, por kur nuk kisha paramenduar që një censurë e tillë do të jetë e pranishme edhe në një shoqëri të lirë demokratike.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Ky artikull eshte komentuar 3 hereZoti te ruajt Zoti te dasht Zoti jone Allahu te nderofte.
Allahu te shperbleft per kete artikull, pershkrim mjaft konciz dhe i drejt.
Zoti tshperblefte per kete shkrim. I papershkrueshem!