Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Qoftë lartësuar Ai i Cili dërgoi Muhammedin për ta përkryer dritën dhe fenë e vërtetë, i udhëzoi përmes tij njerëzit, ua hapi atyre syrin e shpirtit dhe horizontin e dijes, i bashkoi pasi kishin qenë të përçarë, i bëri miq pasi kishin qenë armiq. Qoftë madhëruar Ai që na urdhëroi ta duam njëri tjetrin si vëllezër besimtarë, Ai që kërkoi prej nesh të ndërtojmë ura-lidhëse të dashurisë dhe të unitetit vëllazëror.
Urat e dashurisë
S’ka dyshim se dashuria në emër të All-llahut (xh. sh.) paraqet njërin nga postulatet më të rëndësishme të themelit të besimit, sikurse na ka bërë të ditur për këtë Pejgamberi ynë i dashur Muhammedi (s).
Kjo dashuri ka urat e veta lidhëse të cilat Zoti ynë i Lartësuar dhe i Madhëruar i ka vendosur mes njerëzve dhe me të cilat i ka lidhur zemrat e tyre. All-llahu i lartësuar i ka përmendur këto ura në shumë vende në Librin e Tij madhështor – Kuranin (a. sh.). T’i shohim disa shembuj të ajeteve të tilla, të cilat emocionojnë çdo zemër të shëndosh njerëzore.
All-llahu (xh. sh.) thotë:
“O njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat - 49:13).
“Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe po ta shpenzoje gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, e i urtë.” ( El-Enfal, 63)
Definitivisht, Kur’ani konfirmon se muslimanët janë vëllezër:
“S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (Huxhurat- 49:10).
Në një hadith kudsij, All-llahu (xh. thotë:
“Dashuria Ime është e siguruar për ata të cilët shoqërohen mes vete, ndihmohen dhe duhen. Unë jam treti midis dy miqve (shokëve) gjithnjë derisa njëri nuk e tradhton tjetrin. Unë atëherë i braktisi.”
Edhe Pejgamberi (s) i ka përmendur urat-lidhëse të dashurisë, madje ai është i cili i themeloi, i ndërtoi dhe i vazhdoi lidhjet e dashurisë ne zemrat dhe shpirtrat e pasueseve të tij dreri në ditën e Gjykimit të madh. Pejgamberi (s ) në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre thotë:
“Muslimani te myslimani i ka gjashtë të drejta.” Cilat janë ato të drejta, o Pejgamberi i All-llahut, e pyeten. Ai tha: “Kur ta takosh ti japësh selam, kur të thërret, t’i përgjigjesh thirrjes, kur kërkon prej teje ndonjë këshillë, ta këshillosh, kur teshtitë dhe ta falënderojë All-llahun të thuash:”jerhamukell-llah” (All-llahu të mëshiroftë), kur sëmuret, ta vizitosh dhe kur vdes, t’ia përcjellësh xhenazen.” (Muslimi)
Vlerën e dashurisë në emër të All-llahut (xh. sh) e vërteton edhe ky hadith i Pejgamberit (s):
“Ka disa robër të All-llahut, të cilët nuk janë as pejgamber, as shehid, e do t’ua kenë lakmi edhe pejgamberet edhe shehidët në ditën e Gjykimit për shkak të pozitës së tyre tek All-llahu.” E pyeten as’habët: “Na trego, o Pejgamber i All-llahut kush janë ata?”
Pejgamberi i All-llahut (s) tha:
“Ata janë njerëzit të cilët e duan njëri tjetrin në emër të All-llahut (xh. sh.), e nuk janë farefis, as nuk kanë ndonjë përfitim prej saj. Fytyrat e tyre do të jenë dritë, dhe ata do të jenë në dritë. Nuk do të kenë frikë atë ditë kur njerëzit do të frikësohen, as nuk do të dëshpërohen kur të tjerët do të jenë të dëshpëruar.” (Omer ibnu-l-Hattab r.a.)
Dhe pastaj, lexoi ajetin kur’anor:
“Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje“? ( Junus - 10:62.)
Arti i afrimit të shpirtrave
Të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit. Zoti (x. sh.) e dhuron jetën dhe e ruan atë. Kush e shpëton një jetë njerëzore është sikur ta ketë shpëtuar gjithë njerëzimin. Kush e shkatërron një jetë njerëzore është sikur ta ketë shkatërruar gjithë njerëzimin. Kjo botë ekziston mbi besimin dhe solidaritetin mes njerëzve. Zoti e do që njerëzit të ndihmohen në bamirësi dhe ndershmëri. Zoti nuk e do që njerëzit të ndihmojnë njëri tjetrin në gjynah dhe armiqësi
Njeriu është krijesa më e shkëlqyer, më e përkryer dhe më e kompletuar që ekziston në Tokë. Është kurora e të gjitha krijesave në këtë botë. Zoti atë e ngriti në shkallë të larta dhe e bëri zëvendës të Vetin në Tokë.
Prandaj, All-llahu është mbrojtësi i dinjitetit dhe i nderit njerëzor. Ai është mbrojtësi i të drejtave themelore njerëzore. Muhammedi (a.s.) ka thënë:
“Njeriu është vepër madhështore e All-llahut dhe shkatërrim për atë që njollos nderin dhe dinjitetin e veprave të All-llahut. O njerëz, nderoni dhe çmoni vlerën e personalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.” (Nga fjalimi i Resulull-llahut (a. s.) në Arefat).
Prandaj, ne si mysliman, duhet të nderojmë njeriun dhe dinjitetin e tij. Të nderojmë njeriun si vepër të Zotit, si krijesë të Zotit, si vëlla të familjes nga babi i përbashkët Ademi (a. s.) dhe nëna e përbashkët Havva.
Është interesante se si Kur’ani përdor fjalë nga jeta familjare në mënyrë që sa më fuqishëm të pasqyrojë unitetin që kërkohet prej muslimanëve. Muslimanët janë vellezër - kjo do të thotë se ata duhet të kenë në konsideratë njëri tjetrin, të jenë sentimental (të ndjeshëm) ndaj njëri tjetrit, të ndihmojnë dhe të kujdesën për njëri tjetrin në të gjitha situatat jetësore sikurse e bëjnë këtë vëllezërit prej një nëne dhe një babe. Por edhe emri ummet që tregon për gjithë muslimanët e botës, vjen nga i njëjti rreth: nga fjala umm- që do të thotë: nënë, themel, bazë, kështu që të gjithë muslimanët e botës duhet të duhen mes vete siç i do nëna fëmijët e vet dhe të lidhen për themelin dhe bazën e njëjtë.
Muslimanët janë vëllezër. Vëllezërit e ndihmojnë njëri tjetrin në punë të mira dhe të dobishme. Vëllezërit nuk e sabotojnë njëri tjetrin. Është obligim i çdo myslimani dhe myslimaneje që t’i ndihmojë vëllait të vet dhe motrës së vet. Nëse nuk i ndihmon, le të mos e sabotojë (pengojë). Edhe ajo është ndihmë.
As vuajtjet e agonisë së vdekjes nuk munden ta pengojnë Pejgamberin (s) që në momentin e ndarjes nga kjo botë, në fundin e jetës së tij, t’u lente as-habëve këto këshilla të shkëlqyeshme:
“Jini të mëshirshëm ndaj njëri tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra në mes vete. Ju mbështetni njëri tjetrin sikur tullat dhe ashtu mbani fortë ndërtesën e bashkësisë suaj. Ruajuni dyshimeve, sepse të dyshuarit është dukuria më e keqe. Mos lejoni që në prezencën tuaj të flitet keq për personat që nuk janë të pranishëm, mos spiunoni njëri –tjetrin, mos e urreni dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos bëni gara me të keqën, mos e qoni zili njëri tjetrin, mos e urreni dhe mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit. Bëhuni të drejtë dhe ruani shpirtin tuaj nga padrejtësia e zullumi. Mos mbillni urrejtje, veç dashuri...
Bëhuni robër të All-lahut, vëllezër të vërtetë, ashtu si ju ka urdhëruar Ai...
Në qoftë se dikujt i kam mbetur borxh, i lutem të ma thotë këtu, sepse dua të turpërohem këtu para juve, se sa në ditën e Gjykimit para All-llahut (xh. sh.).
Ma pastroni shpirtin tim nga të gjitha padrejtësitë, që të mund të dal faqebardhë para All-llahut (xh. sh.), etj., etj. (Muslimi nga Ebu Hurejre)
Ja kështu foli Resulullahu edhe në momentin e vdekjes ashtu sikur kishte folur gjatë gjithë jetës. Paqja dhe dashuria ndërmjet njerëzve qenë preokupimi më i madh i tij. Kjo qe kështu, sepse ai e dinte që “smira dhe urrejtja, përpijnë dhe djegin çdo vlerë njerëzore sikurse zjarri drutë e thata, siç thoshte vetë ai.
Muslimanët patjetër duhet të jenë në harmoni në mes vete dhe të bashkuar e unikë në të gjitha çështjet e jetës së Bashkësisë dhe të mbledhur të gjithë rreth parimit kur’anor:
“Dhe kapuni për litarin e All-llahut dhe mos u përçani. Përkujtoni begatinë (nimeitn) e All-llahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij u zgjuat si vëllezër. Madje ishit buzë greminës së xhehhennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij...” (Ali Imran, 103).
“Respektoni Allahun dhe Pejgamberin e Tij, e mos u përçani në mes vete, që të mos dobësoheni e ta humbni fuqinë... (Enfal, 46)
Xhemati dhe qëllimi i ibadetit
Islami erdhi që të lartësojë njeriun në shkallën më të lartë të moralit. Muhammedi (s) tërë jetën ia kushtoi këtij misioni. Ai ishte i pa lodhshëm në afrimin, bashkimin dhe miqësimin e njerëzve. Ai shkëlqente në dashuri, ishte i këndshëm dhe i dashur për të gjithë. Shkonte vazhdimisht në vizita, i vizitonte të sëmurët, familjet e dëshmorëve dhe as’habët e varfër, bënte humor dhe i këshillonte të rinjtë, bënte marrëveshje me të rriturit, u ofronte mbrojtje të pambrojturve dhe të shkelurve, i inspironte të gjithë njerëzit rreth vetes me besnikëri dhe siguri. Pejgamberi kultivoi miqësinë e pashembullt midis mekasve dhe medinasve (muhaxhirëve dhe ensrave). Dhe në fund vendosi vëllazërinë reciproke, e lidhja e vetme midis tyre ishte besimi i fuqishëm në All-llahun (xh. sh.).
Meqë jemi te ibadeti e shoh të arsyeshme të theksoj për njerëzit e xhamisë se ibadetet që ata i bëjnë qoftë individualisht, apo në xhemat nuk janë qëllim në vetvete.
Ibadetet janë bërë obligim për nevojat e njerëzve, e jo për nevojat e Zotit, sepse Zoti nuk ka nevojë për asgjë. All.llahu (xh. sh.) nuk shpërblen drejtpërsëdrejti për ibadetet, siç mendojnë shumë njerëz gabim, por vetëm për ndikimin shpëtimtar të ibadetit në natyrën njerëzorë. Mëshira e Zotit nuk fitohet me vetë ibadetin. Mëshira e Zotit fitohet vetëm nëse ai ibadet e ka arritur qëllimin e vet – dhe në mënyrë të dobishme ka ndikuar në shpirtin e njeriut. Ibadetet, pra nuk janë qëllim në vetvete, por ato janë instrumente dhe mjete të inspirimit shpirtëror, kurajës dhe pendesës, stimulimit shpirtëror dhe disiplinës, një paralajmërim i vazhdueshëm që të mendojmë dhe të punojmë ndershëm dhe si është më mirë. Shenja e jashtme, që iabdetet e kanë arritur qëllimin e vet, është braktisja definitive e gjynahut. Njeriu në rastet më shumta dhe më të shpeshta gabon në marrëdhëniet e tija me njerëzit tjerë. Pasqyra e vlerësimit të secilit njeri janë njerëzit tjerë në mesin e të cilëve ai jeton, dhe aty ( në marrëdhëniet reciproke) shikohet figura morale e secilit njeri.
Kush jeton me mëshirë dhe dashuri ndaj njerëzve, ai tashmë i është afruar edhe mëshirës së Zotit, sepse dashuria mes njerëzve është rreze e dashurisë së Zotit, e cila shpie te burimi vet. Mirëpo, ne e shohim që në mesin e njerëzve ka edhe anomali të tilla që disa pak i kushtojnë rëndësi harmonizimit të drejtë të marrëdhënieve të tyre me të tjerët dhe atë pikërisht për arsye se mendojnë që me ibadet tashmë e kanë harmonizuar raportin e tyre me Zotin (xh. sh.) dhe me këtë kanë merituar mëshirën e Tij. Jo, me të menduarit dhe vepruarit e këtillë nuk fitohet mëshira e Zotit, sepse të menduarit e tillë është larg të vërtetës po aq sa janë ibadetet larg qëllimit të tyre.
Qëllimi i parë, qëllimi kryesor, qëllimi më i madh i ibadetit, xhamisë dhe xhematit është harmonia e plotë dhe dashuria reciproke e xhematlinjve. Gabon rëndë ai xhematli i cili duke vepruar në mënyrë përçarëse në xhemat, punon kundër atij qëllimi të lartë. Një fatkeq i tillë dhe një mistrec moral nuk është në gjendje që egoizmin e vet të ultë t’ia nënshtrojë altruizmit të lartë, sepse e mbyll zemrën dhe shpirtin e vet para ndikimit rilindës dhe inspirues të namazit dhe ibadetit. Duke iu përgjigjur thirrjes së myezinit dhe duke qëndruar pas imamit, shkojmë në namaz që All-llahut të lartësuar t’i japim zotimin solemn që do t’ju përmbahemi fuqishëm të gjitha parimeve dhe udhëzimeve që i marrim në xhemat dhe xhami. Do të ishte guxim i madh dhe paturpësi që dikush me veprimet e tija të panjerëzishme dhe përçarëse në xhemat të shkel mbi ato premtime dhe zotime të shenjta.
Xhemati nuk është çështje private e individit; xhemati është e mirë e të gjithëve. Askush nuk ka të drejtë të identifikojë xhematin me vetveten, por secili ka të drejtë veten e tij ta identifikojë me xhematin në kuptimin e njëjtësisë së tij, d.m.th. të dinjitetit të tij në besimin e bashkësisë së vet apo popullit të cilit i takon.
Prandaj, ne si diasporë që është një dukuri jo-natyrore e një populli, mund t’i lehtësojmë vështirësitë tona nëse i pranojmë tri vlera:
- vlerën e besimit në Zotin si çështje e lirisë personale,
- vlerën e familjes si çështje e vetëdijes së lartë shpirtërore,
- vlerën e xhematit si çështje e pjekurisë së thellë kolektive.
Përmbyllje
Islami na mëson se bota është krijuar për të gjithë njerëzit. Mëshira e All-llahut i ka ofruar të gjitha të mirat e dynjasë tërë fisit njerëzor. Mu’mini nuk është egoistë, nuk është vetjak. Zemra e tij është e madhe dhe në mirësinë e vet përfshin gjithçka që është e mirë dhe fisnike. Mu’mini nuk guxon të jetë vetjak. Nuk guxon të jetojë vetëm për vete. Kjo nuk është fisnike. Gjithmonë duhet të jesh vëlla dhe shok- vëlla dhe shok i njeriut të mirë. Dora jonë gjithmonë duhet të jetë e shtrirë për njeriun e mirë dhe me qëllime të mira. Kur gëzohet vëllai, gëzohemi edhe ne. Kur hidhërohet duhet të marrim pjesë në hidhërimin e tij, duhet ta ndihmojmë dhe ta ngushëllojmë. Ky është obligim i vërtetë. Duhet t’i ofrojmë ndihmë kur ka nevojë. Nganjëherë edhe vetëm fjala e mirë dhe e ngrohtë ia kthen fuqinë dhe vetëbesimin. Prandaj sa të mjerë janë ata njerëz që mendojnë se e gjithë kjo që është krijuar rreth tyre, është krijuar vetëm për ta.
Si nuk e sheh njeriu se e pret vdekja, vdekja e sigurt dhe se një ditë do të gjendet në tabut i verdhë si dylli? Si nuk mendon se në këtë botë është për një kohë të shkurtër ....
Gjithmonë duhet ta kemi parasysh që harmonia dhe uniteti në xhemat është farz për çdo musliman e muslimane, në mënyrë te veçantë në diasporën tonë shqiptare, sepse ai është kushti më i rëndësishëm që të jetojmë në lirinë e kohës dhe hapësirës sonë.
Nga shumë ajete të Kur’anit dhe hadithe të Pejgamberit (s) , lidhur me temën në fjalë, mufessiret me ixhtihadin e lejuar kanë konkluduar që muslimanët për ta realizuar unitetin e tyre, pasi t’i jenë dorëzuar vullnetit të Krijuesit të tyre dhe pejgamberit Muhammedit (s), duhet t’ju nënshtrohen atyre, të cilët i kanë zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe legale si udhëheqës për veten e tyre.
Ata, udhëheqësit e tillë në jetën e tyre publike, janë halife, apo trashëgimtarë të Pejgamberit të All-llahut, por ata nuk janë njerëz të shenjtë, të paprekshëm, hije të Zotit në tokë etj.
“O ju që besuat, binduni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit tuaj. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (En-Nisa, 59)
Në lidhje me këtë Pejgamberi (s) ka thënë:
“Muslimani është i obliguar të dëgjojë dhe të bindet, pavarësisht se e do një gjë apo e urren atë, gjithnjë derisa të mos urdhërohet të bëjë diçka që e shpie në gjynah, atëherë nuk ka as dëgjueshmëri as bindshmëri.” (Buhariu dhe Muslimi nga Ibni Umeri)
“Obligimi juaj është të qëndroni me bashkësinë e bashkuar dhe me shumicën!” (Ahmet ibni Hanbeli nga Muadh ibn Xhebeli)
“Dora e All-llahut është mbi xhematin (bashkësinë), e kush ndahet prej xhematit, është ndarë për në xhehennem!” (Et-Termidhiu prej Abdullah ibn Umerit)
Pikërisht për arsyet për të cilat po flasim, namazi i përbashkët me xhemat ka vlerën e 27 namazeve individuale. Gati secili akt, element i namazit me xhemat i shërben dashurisë dhe unitetit vëllazëror. Nuk mund të imagjinohet ndonjë grindje, a konflikt midis atyre të cilët falen bashkërisht në xhemat. Të cilët, me të gjitha pjesët e namazit: duke u lidhur pas imamit, duke u kthyer të gjithë drejtë në pikë, një kibleje dhe orientimi, drejtë Qabesë, duke rënë në ruku e në sexhde, shkurt me të gjitha veprimet e tyre në namazin me xhemat, i japin besën Zotit (xh. sh.) dhe zotohen se do të jenë robër të dashur të All-llahut (xh.sh.). Do të ruajnë dhe mbrojnë nderin dhe dinjitetin e njëri tjetrit si nën kupolën e xhamisë ashtu edhe nën kupolën qiellore jashtë faltores. Nëse ndodh e kundërta e kësaj, atëherë, xhamia do të jetë jashtë funksionit të saj, nuk do ta luajë rolin për të cilin është ndërtuar. Prandaj, po ju them se nuk është vështirë të ndërtojmë xhami, por është vështirë të ndërtojmë xhemat dhe njeri me plotë kuptimi e këtyre fjalëve.
Falësi i namazit është roje e fytyrës së tjetrit, sepse në namaz sa herë e përsërit : Es-selamu alejna ve ala ibadihil-salihin. Me këtë garantojmë sigurinë e tjetrit, në kuptimin që nuk e përgojojmë, nuk e shpifim (iftira), nuk ia uzurpojmë pasurinë, nuk e ofendojmë, nuk e poshtërojmë. Por edhe nëse ndodhin raste të tilla, sepse jemi qenie njerëzore, atëherë duhet të kërkojmë falje dhe t’i falim njëri tjetrit gabimin e bërë në momentet e dobësisë njerëzore. Ja një rast i tillë nga jeta e as’habëve të Pejgamberit (s).
Ebu Dherre (r. a.) me një rast i tha Bilal ibën Rebahut (r. a.) që është djali i zi i skllaves, në çka Bilali (r. a.) u ankua te Pejgamberi (s), i cili e qortoi Ebu Dherrin dhe i tha: “Me të vërtetë te ti ekzistojnë gjurmë të xhahilijetit.” Pas qortimit nga ana e Pejgamberit të All-llahut (s), Ebu Dherri shkoi te Bilali (r. a.), i doli përpara dhe e shtriu fytyrën e tij për toke duke thënë: “Pasha All-llahun nuk do të çoj kryet nga toka, derisa nuk shkel, o Bilal, me këmbën tënde mbi fytyrën time, sepse këmba jote është me e vlefshme se fytyra ime”. Nga këto fjalë Bilali nisi të qajë dhe i tha: “Pasha All-llahun nuk do ta bëj këtë. Ne jemi vëllezër dhe unë të dua ty në emër të All-llahut dhe ta fal ofendimin që ma ke bërë.”
Ky është një shembull që ne duhet të marrim mësim në marrëdhëniet tona me të tjerët. A ka kënaqësi më të madhe shpirtërore se kur dëgjon shembuj të tillë të akteve të larta të njerëzishmërisë dhe humanitetit që aq shumë na mungojnë në ditët tona. Pikërisht janë këta njerëz me Resulullahun në krye, të cilët bënë bashkësinë unike të vëllezërve të shpirtit dhe të besimit, te cilët edhe All-llahu (xh. sh.) i quajti si gjenerata më mirë e parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit.
Dhe së fundi islami, si fe universale, me mësimin e vet, dispozitat dhe institucionet e veta, synon për qëllimin dhe idealin më të lartë – të ndërtojë njeriun e kompletuar pa urrejtje, mendjemadhësi dhe egoizëm, i cili në dritën e dashurisë së Zotit do t’i dojë të gjitha krijesat e Tij, e do të urrente vetëm urrejtjen dhe të keqën.
Literatura:
1. Aid El-Karni, Mostovi ljubavi medju ljudima, N. Pazar, 2005.
2. Ibrahim Hodzic, o inetelektualnom i primitvnom shavtanju vjere i vjerskih propisa, Sarajevë, 1971)
3. Vjeronauka za osmi raszred osnovne skole, Sarajevë, 1998
4. Mustafa Ceric, Vjera, narod i domovina, Sarajevo, 2002
5. I. Shehibrahimoviq, Besimi në Zotin Persosmëri shpirtërore, ...
6. Muharem Omerdiq, Zivjeti u Islamu, Istanbul, 1995
7. www.Bosnjakinja.net
8. www.minber.ba
9. www.islamski.net
10. www.loge-arst.de/
11. www.way-to-allah.com/
Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.comReklama 229 x 170.png)
Sali Shasivari
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)