Mohoi ‘masakrën e Reçakut’, Cakaj i kthehet Vuçiçit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve serbë se Masakra e Reçakut në Kosovë ishte një fabrikim dhe gënjeshtër.

Joseph Goebbels të Millosheviçit e ka cilësuar Cakaj, Presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kërkoi nga aktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë përbuzje që po iu bëhen viktimave të kësaj masakre.

“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviqit tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe talljes me krimeve të luftës. Skandaloze! Aktorët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!”, ka shkruar Cakaj në Twitter.

Krahësimi i Vuçiçit me ministrin e Propagandës së Gjermanisë naziste, një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Adof Hitlerit, vjen pasi dje ai tha se ajo çka ndodhi në Reçak ishte “një krim i trilluar”.

Këto deklarata erdhën pas vendimit për dënimin me dy vite burg të ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Po ashtu, drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha: “Ne jemi të gjithë Ivan Todosijeviqa”. Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin ka thënë mbrëmë se Reçaku ishte përgatitur për të justifikuar bombardimet e NATO-s.

Më 15 janar 1999, trupat serbe rrethuan fshatin Reçak në Ferizaj dhe vranë 44 burra dhe një grua duke i masakruar. Shefi i OSBE në atë kohë William Wallker vizitoi vendngjarjen një ditë më vonë dhe tha  “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit…kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. /Opinion.al