Irani rrëzon një mjet ajror pa pilot të SHBA-ve

Forcat Ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit njoftuan se kanë rrëzuar një mjet ajror pa pilot të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në provincën jugore të vendit, Hormozgan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Gardës Revolucionare thuhet se në bregdetin e qytetit Kuhmubarek të provincës Hormozgan, në Gjirin e Omanit është rrëzuar një mjet ajror pa pilot i llojit Global Hawk të forcave ajrore amerikane.

– Me rrëzimin e dronit i dërguam mesazh SHBA-ve

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, deklaroi se me rrëzimin e sotëm në mëngjes të fluturakes amerikane pa pilot Irani i dërgoi mesazh të fuqishëm dhe të qartë SHBA-ve.

“Irani nuk ka për qëllim të luftojë me cilin do vend, por jemi të gatshëm për luftë nëse vjen deri te ajo”, tha Salami në adresimin para kombit të cilin drejtpërdrejt e transmetoi Televizioni Shtetëror Iranian.

Teherani pohon se mjeti është rrëzuar pasi ka hyrë në hapësirën ajrore iraniane në jug të vendit. Nga ana tjetër, zyrtarë të paemëruar të SHBA-ve njoftuan se një dron është rrëzuar derisa ka qenë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë në rritje të vazhdueshme që nga maji i vitit 2018 kur presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja ndërkombëtare për vendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Trump veproi pavarësisht paralajmërimeve nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjermania dhe BE-ja) se një gjë e tillë do të rrit tensionet me Iranin dhe mund të çonte në një konflikt të panevojshëm.

SHBA-të kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit që ta detyrojnë atë të rinegociojë marrëveshjen dhe me sjellje të tjera që nuk mbulohet nga marrëveshja origjinale që administrata i sheh si sjellje destabilizuese.

Pjesë të fushatës së saj ka përfshirë ri-imponimin e sanksioneve amerikane mbi eksportet e naftës iraniane, e cila ka bërë që ekonomia iraniane të pësojë rënie të madhe.