Haradinaj nderon humanistin Halil Kastrati, e vlerëson punën e “Jetimave të Ballkanit”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati.

Duke e quajtur njeri me vlera të mëdha që gjithë angazhimin e tij po ia dedikon njerëzve në nevojë, kryeministri Haradinaj shprehu respektin për punën e tij dhe gjithë organizatës që ai drejton në shërbim të familjeve dhe njerëzve në nevojë.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar në vazhdimësi që qytetarëve të vendit t’iu ofrojë një jetë të dinjitetshme, megjithatë gatishmëria e njerëzve të vullnetit të mirë dhe puna humanitare sikurse e z. Kastrati është gjithmonë e mirëseardhur”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar angazhimin dhe humanitetin e tij për t’iu dal në ndihmë familjeve dhe njerëzve në nevojë.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu shprehu gatishmërinë e Qeverisë së vendit për mbështetjen në projektet e kësaj organizate, me theks të veçantë mbështetjen për ndërtimin e një jetimoreje për fëmijët e braktisur.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj në emër të Qeverisë së Kosovës, në shenjë falënderimi për punën e madhe humanitare, si një vlerë komplementare, ka nderuar me dekoratën e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, humanistin dhe themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, z.Halil Kastrati.

Ndërkaq, themeluesi i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati u shpreh mirënjohës për pritjen dhe dekoratën e dhënë nga kryeministri Haradinaj për të cilën tha se ia dedikon të gjithë shqiptarëve të vullnetit të mirë të cilat janë kontribuesit kryesor dhe i vetmi burim i financimit të shoqatës, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.