OKB dënon Mianmarin për shkeljet e të drejtave të njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që dënon fuqishëm Mianmarin për shkeljen e të drejtave të njeriut të muslimanëve Rohingya, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta 134-9 e miratuar të premten, i bën thirrje qeverisë së Mianmarit që të marrë masa urgjente për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturën, përdhunimit dhe arrestimet arbitrare të minoriteteve në rajon, veçanërisht muslimanëve Rohingya.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë juridikisht të detyrueshme, por ato pasqyrojnë pikëpamjet e saj mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Mianmar.

Përpos kësaj, Zyra e Prokurorisë Ndërkombëtare e Gjykatës Penale në Hagë javën e kaluar njoftoi se një hetim paraprak që filloi vitin e kaluar në lidhje me krimet kundër njerëzimit të kryera nga Mianmari kishte përfunduar dhe se do të fillonte një hetim i plotë.

– Populli i persekutuar

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.