Procesi kundër Trump nis më 21 janar

Me 228 vota pro dhe 193 kundër, ligjvënësit demokratë i kanë transmetuar Senatit amerikan akuzat formale për shkarkimin e presidentit Trump. Argumentet për dhe kundër parashtrohen të martën para senatorëve në një proces që zhvillohet për herë të tretë në historinë e Amerikës.

Ligjvënësit në dhomën e ulët të Kongresit amerikan votuan të mërkurën t’i përcjellin Senatit akuzat për shkarkimin e presidentit Donald Trump.

Nisma u miratua me votat e opozitës dhe i hap rrugën gjykimit të Kreut të Shtetit nga dita e martë.

Trump akuzohet për abuzim me pushtetin pasi i kërkoi Ukrainës të hetonte rivalin politik, Xho Bajdën, si edhe për pengim të procedurave hetimore të Kongresit.

“Presidenti Trump vuri interesat personale para atyre kombëtarë, para sigurisë kombëtare dhe po nuk e ndalëm, do veprojë njësoj. Për këtë arsye po procedohet për t’u shkarkuar, dhe për këtë arsye mjeti i vetëm juridik është dënimi dhe largimi i presidentit Donald Trump nga posti,” deklaroi kreu i komisionit të Inteligjencës, Adam Shif.

Shtatë persona të zgjedhur nga opozita do e parashtrojnë çështjen penale në Senat.

“Ta keni të qartë se presidenti do të mbajë përgjegjësi, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë president nuk duhet t’i shkojë në mendje ta keqpërdorë nenin 1 të kushtetutës për të bërë çfarë të dojë,” deklaroi kryedemokratja Nensi Pelozi.

Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi në Twitter, duke e konsideruar objektin e hetimeve kundër tij një tjetër marifet të demokratëve.

Presidenti Trump është presidenti i tretë në historinë e Amerikës që i nënshtrohet procedimit penal ende në detyrë.

Senati ka njoftuar se argumentet pro dhe kundër procesit do i paraqiten senatorëve javën e ardhshme./Ora News