Rama: Haradinaj e vuri taksën por mbeti si “gjel maje plehu”

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, taksën e pagoi politikisht Kosova ndërsa financiarisht Serbia.

“Kosova e pagoi shtrenjtë tarifën 100 %. E pagoi më shtrenjtë se Serbia. Serbia e pagoi pjesën e vetë që ishte financiare, por politikisht Serbia fitoi nga tarifa, sepse u shit si viktimë”, është shprehur Rama të enjten.

Sipas Ramës tarifa ishte një instrument shumë i mirë për të fituar diçka, por jo për të bllokuar procese dhe siç thotë ai “ për të kënduar si gjel maje plehu në Prishtinë”

“Ndërkohë tarifa ishte fantastike si instrument për të fituar diçka, por jo si qëllim për të bllokuar gjithë planetin, dhe për të kënduar si gjeli maje plehut në Prishtinë”, ka shtuar tutje ai.

Kreu i PS’së, ka thënë se nëse Haradinaj do të pranonte ofertën e Macronit për të pezulluar taksën, sot kosovarët do të lëviznin të lirë nëpër Schengen.

“Ishte një mundësi e artë në Berlin. Kur Macron i tha Ramushit më jep katër muaj dhe kësaj (Merkelit). Mos e hiq tarifën, suspendoje katër muaj, dhe nëse nuk ndodh asgjë. Dhe sot ti e suspendon tarifën, unë e heq veton për katër muaj për vizat. E ku kishte më mirë. Sot do lëviznit të lirë në gjithë Evropën, nëse tarifa do të ishte përdorur si instrument dhe jo si qellim”, ka shtuar tutje kryetari i qeverisë shqiptare.

Rama ka vazhduar akuzat në drejtim të Haradinajt, duke thënë se taksën e ka përdorur për vota dhe për të treguar se kush është më patriot se tjetri.