Shqipëria në takimin e mini-Shengenit fton presidentin Thaçi

Zyra e Kryeministrisë së Shqipërisë ka njoftuar se në takimin e nismës së ashtuquajtur “mini-Schengen” ftesë për të përfaqësuar Kosovën i është dërguar presidentit Hashim Thaçi për shkak se në këtë vend “ende nuk është formuar qeveria e re”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi vjen pas komenteve të kryeministrit kosovar në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili më herët deklaroi se Kosova nuk është ftuar nga Shqipëria për të marrë pjesë në takim.

“Nisur nga një deklaratë e bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale, si edhe faktin që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, tha Zyra e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Të shtunën, më 21 dhjetor, është planifikuar të mbahet në Durrës takimi i radhës për të diskutuar idenë e nismës së “mini-Schengenit” të vendeve të Ballkanit. Më herët, takime të kësaj nisme janë zhvilluar dy, në Novi Sad dhe në Ohër, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Pas takimit në Ohër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut informoi se baza e deklaratës së përbashkët të miratuar nga shtetet rajonale është bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si kontribut për qytetarët e shteteve të rajonit në realizimin e qëllimit final, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian (BE).

Shteti i Kosovës nuk njihet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Pothuajse 1 vit marrëdhëniet e tensionuara politike dhe ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që edhe bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të ndalen. Ndërkohë, së fundmi mohimi i masakrës së Reçakut nga Serbia ka bërë që partitë politike në Kosovë të kërkojnë qasje tjetër në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.