Vetëvendosje e quan skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore për rastin “Pronto”

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ka shpallur sot aktgjykimin lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin “Pronto”.

Në reagimin e bërë nga LVV thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është skandaloz, dhe se kjo është dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian, transmeton Telegrafi.

“Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pa-shqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin lirues për rastin më flagrant e më të mediatizuar kriminal e korruptiv në Kosovën e pasluftës, të njohur si ”Afera Pronto”. Ky rast përfshinte elementë të rëndësishëm të partive në pushtet, si dhe zyrtarë me pozita të larta në ekzekutiv, ndërmarrje publike, e prokurori. Vendimi i sotëm është skandaloz. Dëshmi se gjykatat janë kapur nga ekzekutivi, dhe ekzekutivi është kapur nga një rrjet korruptiv i ngjashëm me mafian.

Vendimi i sotëm i Gjykatës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës së qytetarëve për drejtësi e për institucione ligjore të paanshme. Për më keq dhe si për ironi arsyetimi i Gjykatës ishte se nuk kishte prova të mjaftueshme çka çoi në lirimin e protagonistëve të “Aferës Pronto”, mirëpo vetëm bisedat telefonike të publikuara, emrat e atyre që flasin, dhe temat e bisedave, janë dëshmi të pakontestueshme e prova të qarta se krimi e klientela po qeveris, dhe janë aty përbrenda institucioneve të drejtësisë.

Aty ku padrejtësia shpallet publikisht, nevoja për ndryshim është më e madhe se kurrë. Aty ku krimi sundon i pashqetësuar, zemrat e viktimave të padrejtësisë vlojnë. Lirimi i këtyre personave është dëshmia më e lartë se institucionet tona janë të kapura dhe është nevojë urgjente që të çlirohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka prioritet të saj luftën kundër kapjes së shtetit, gjë që do të zbatohet e do të jetë angazhim kryesor gjatë qeverisjes Kurti. Çlirimi i shtetit dhe institucioneve, dënimi i fajtorëve të pushtetshëm, do të sjellin në Kosovë drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e besim tek shteti e tek e ardhmja.

Raste të tilla shumë të rënda për vendin dhe shoqërinë po tregojnë ngutjen e kapësve të shtetit për t’i mbyllur çështjet me gjykatat para se të krijohen institucionet e reja. Por njëkohësisht këto raste gjykime skandaloze bëjnë edhe më e ngutshme konstituimin e qeverisë në mënyrë që shteti i së drejtës të fillojë së funksionuari dhe gjyqësori të çkapet, e jo të mbetët vetëm legjitimues i kriminelëve të cilët po vazhdon t’i certifikojë me vulën e pafajësisë si njerëzit më të ndershëm”.

Në rastin “Pronto”  ishin të përfshirë zyrtarë të lart të PDK-së, si Adem Grabovci, Zenun Pajaziti dhe Besim Beqaj dhe të tjerë.