Erdoğan: Izraeli është shtet terrorist

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dënoi “tragjedinë humanitare” në Gaza, duke e përshkruar dhunën izraelite kundër protestave palestineze si “gjenocid”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ajo që po bën Izraeli është gjenocid…Izraeli po ushtron terror shtetëror. Izraeli është shtet terrorist”, tha Erdoğan, duke folur para studentëve me bursa në Londër.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin palestinez me vendosmëri”, shtoi presidenti turk.

“Ne nuk do të lejojmë që sot të jetë dita kur bota muslimane humb Kudsin”, tha ai.

Presidenti turk shtoi se një tubim i madh do të mbahet në sheshin Yenikapi të Stambollit të premten lidhur me dhunën në Gaza.

“Të premten pas dite, në sheshin Yenikapi do të realizojmë tubim masiv kundër mizorisë”, njoftoi Erdoğan.

Erdoğan bëri thirrje që të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësinë fetare, të ngrisin zërin kundër padrejtësisë në Gaza.

Po ashtu, presidenti i Turqisë njoftoi se duke filluar nga nesër, Turqia ka shpallur tri ditë zie kombëtare në solidaritet me vëllezërit palestinezë.

Ai u shpreh se në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, përgjatë Ramazanit do të organizojnë fushatë ndihme për palestinezët, së bashku me vendet anëtare të kësaj organizate.

Erdoğan njoftoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka kryer blerje emergjente me një vlerë prej 100 mijë dollarëve dhe ka nisur t’i dërgojë këto ndihma nëpër spitalet në Gaza.

“Me koordinimin e AFAD-it dhe Shtabit të Përgjithshëm, kemi nisur punimet e nevojshme për evakuimin e të plagosurve në Gaza”, shtoi Erdoğan.

Ndryshe, palestinezët, të cilët kanë ngritur tenda në kufirin e Gazës me Izraelin, po zhvillojnë protesta gjithëpërfshirëse nën moton “marshimi milionësh” të cilin e zhvillojnë për të protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe me rastin e 70 vjetorit të Nakbas (Fatkeqësia e madhe), e cila paraqet përvjetorin e themelimit të Izraelit.

Që nga orët e mëngjesit, 55 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe 2.771 të tjerë janë plagosur si pasojë e hapjes zjarr nga ushtarët izraelitë ndaj pjesëmarrësve në protestat në kufirin e Gazës.