Zgjerohet hendeku i pabarazisë, 2153 miliarderë fitojnë sa 4.6 miliard njerëz

Dyfishimi i miliarderëve në dekadën e fundit ka përkeqësuar pabarazinë mes të pasurve dhe të varfërve. Sipas shoqatës ndërkombëtare Oksfam ky hendek po rezulton veçanërisht i vështirë për gratë.

Pabarazia ekonomike dhe gjinore nëpër botë po del jashtë kontrollit, ndërsa pushteti i përqendruar te burrat po cenon kontributin e grave në shoqëri.

Në raportin “Koha për përkujdesje” të publikuar të hënën nga Komiteti i Oksfordit për të Ndihmuar të Uriturit, mësohet se mbi 2,100 multimiliarderët e botës në vitin 2019 zotëruan pasuri sa 60 për qind e planetit apo sa 4,6 miliardë njerëz.

Sipas drejtuesit të Oxfam-it, Amitab Behar, puna që gratë kryen vitin e kaluar e rriti me 10,8 trilionë dollarë vlerën e ekonomisë globale.

Nga ana tjetër, hendeku mes gjinive u zgjerua.

Vetëm në Afrikë, të gjitha gratë e kontinentit akumuluan një pasuri sa ajo e 22 miliarderëve burra.

Për të treguar pabarazinë ekstreme të shoqërisë, Behar mori shembullin e jetesës superluksoze të miliarderëve, dhe të një gruaje të thjeshtë indiane e cila shpenzon deri 17 orë në ditë për të mbushur ujë, për t’u gatuar dhe çuar fëmijët në shkollë, dhe për të punuar kundrejt një rroge shumë të ulët.

Ai tha se kësaj pabarazie po i vjen fundi.

“Unë në Indi i takoj këto gra përditë dhe historia përsëritet gjithandej nëpër botë. Ky bum miliarderësh duhet të marrë fund patjetër. Po të shohësh, në më shumë se 30 shtete ka protesta antiqeveritare. Njerëzit nëpër rrugë po thonë se nuk e pranojnë më këtë pabarazi, se nuk jetohet më në këto kushte,” deklaron drejtuesi i Oxfam-it.

Shoqata bamirëse e themeluar afro 8 dekada më parë u bën apel qeverive të botës të krijojnë një ekonomi më feministe që nuk ka për shtysë fitimin dhe pasurinë, si edhe të rritin me 0,5 për qind taksën e miliarderëve për 10 vitet e ardhshme, që do mund të krijonin mbi 100 milionë vende të reja pune./Ora News