​Çka po i shtyn të miturit drejt krimit

692 të mitur në Kosovë, janë duke vuajtur dënimin për veprat penale që kanë kryer. Veprat me të cilat ngarkohen u takojnë natyrave nga më të ndryshmet, përfshirë vjedhjet e jo rrallëherë edhe vrasjet.

Nuk janë të vogla rastet kur me dënime ngarkohen edhe vajzat. Sipas të dhënave të publikuara në vjetarin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëhet e ditur se nga 692 të mitur të dënuar 666 janë meshkuj, derisa 26 vajza, shkruan Indeksonline.

Rruga që i shpie të miturit drejt krimit, del të ketë mbrapa vetës shumë faktorë.
Sipas sociologëve, mungesa e komunikimit mes prindërve e fëmijëve, e mungesa e vëmendjes ndaj tyre, janë disa prej arsyeve që i detyron të miturit të devijojnë sjelljet e tyre.

“Disa nga faktorët e shpërfaqjes së sjelljeve devijante në shoqërinë kosovare janë: mungesa e komunikimit në mes të prindërve dhe fëmijëve, sidomos mungesa e vëmendjes më të madhe ndaj tyre, mungesa e fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet këshillave prindërore, shkollave dhe fëmijëve, mungesa e psikologëve nëpër shkolla dhe trajtimi i personalitetit të fëmijëve sikurse që ndodh në shkollat simotra në shtetet perëndimore’’, tregon sociologu Ferdi Kamberi.

Më tej ai tregon edhe një sërë arsyesh tjera që të miturit marrin drejtim tjetër në jetë.

“Shpërfaqja e një sadizmi në moshë të re, mungesa e bashkëpunimit me institucionet e policisë për të patrulluar më shumë jo vetëm në shkolla, por edhe në lagje, konfliktet e gjeneratave, shpërfaqja e agresivitetit në këtë moshë, përdorimi i narkotikëve, alkoolit dhe mungesa e ndalimit nën moshën 21 vjeçare për përdorim të alkoolit, ndikimi i mediave sociale, sidomos shfaqja e dhunës e cila ndikon dukshëm që kjo moshë të ketë sjellje devijante’’, ka sqaruar për Indeksonline Kamberi.

Sipas tij konfliktet në familje i shtyjnë të miturit drejt vendimeve të tilla. Mirëpo në këtë mes nuk i lë pa i përmendur edhe faktorët socio-ekonomik, ku ata kanë nevojë për mjete materiale. Mungesa e familjes që t’ua plotësoj nevojat sipas Kamberit, i detyron të miturit drejt vjedhjeve

“Pasojat mund të jenë shumë të mëdha, sidomos kur kemi parasysh faktin që kemi të bëjmë me një moshë e cila ka një tranzicion në mes të pavarësimit dhe varësimit për të qenë i rritur. Prandaj, disa nga pasojat mund të jenë: prirje për dukuri kriminale, zhvillim i vonshëm i personalitetit, ndalim të shkollimit, probleme me ligjin si rezultat i dukurive negative, probleme në familje, mungesë të kohezionit social dhe integrim shoqëror, mungesë të punësimit në të ardhmen, pastaj pasojat fetale si rezultati i konflikteve me grupet tjera që mund të rezultojnë me vrasje apo vetëvrasje”, tregon sociologu Ferdi Kamberi.

Ndryshe në vitin 2015, të dënuar kanë qenë 563 të mitur. Nga ta 15 vajza, e 548 meshkuj. Pra nëse e krahasojmë sipas të dhënave të publikuara, po del se numri i dënimeve për të miturit ka shënuar rritje