Ballina Lajmet Kosovë 15 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit, shtatë prej tyre...

15 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit, shtatë prej tyre me djegie të fytyrës dhe duarve

Nga shpërthimi i një bombole të gazit në rrugën Prishtinë-Ferizaj, 15 persona kanë marrë lëndime trupore, ndërsa prej tyre shtatë janë me djegie të fytyrës dhe duarve.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të gjithë të lënduarit nga ky shpërthim janë duke u trajtuar në këtë Klinikë.

Lenjani tregoi se pesë prej tyre kanë marrë lëndime në kokë, njëra nga të lënduarat ka marr lëndime në shpinë dhe një tjetër lëndime në duar dhe gishta.

“Sot rreth orës 12:40 në Klinikën Emergjente janë sjellë 13 persona të lënduar, ku dy të tjerë janë sjellë më vonë, gjithsej 15 persona. Shtatë janë me djegie të fytyrës dhe duarve, pesë janë më lëndime të kokës, njëra me lëndime të shpinës dhe tjetra lëndime në duar dhe gishta”, ka thënë Lenjani.

Ndërkaq, edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës rajoni i Prishtinë, Flora Ahmeti për Telegrafin tha se 12 persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një shpërthimi të një bombole gazi, i cili ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

Lexo po ashtu:
Lëndohen 12 persona nga shpërthimi i një bombole gazi në rrugën Prishtinë-Ferizaj
Lëndohen 12 persona nga shpërthimi i një bombole gazi në rrugën Prishtinë-Ferizaj
Sipas saj, personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor.

Ndërkaq, siç tha ajo menjëherë në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit si dhe të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes

“Sot rreth orës 12:00 brenda një objekti në rrugën Prishtinë –Ferizaj, ka ndodhur një shpërthim( dyshohet bombolë gasi). Bazuar në të dhënat e deritanishme dyshohet se në këtë rast janë lënduar 12 persona, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit si dhe të gjitha njësitë e nevojshme policore për ekzaminimin e vendit të ngjarjes të cilët aktualisht po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Exit mobile version