Ballina Lajmet Kosovë 18 vrasje brenda një viti në Kosovë, ekspertët alarmojnë për krimin e...

18 vrasje brenda një viti në Kosovë, ekspertët alarmojnë për krimin e organizuar dhe armët ilegale

Vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje. Ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin për motivet e këtyre rasteve që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme.

Katër persona ishin vrarë brenda një dite në gusht të vitit të kaluar. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren, kanë qenë rastet që tronditën tërë vendin.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde. Rasti ndodhi në një kafene afër Komunës së Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir dhe pak më vonë edhe një person tjetër, i cili u plagos rëndë.

Rasti tjetër i vrasjes që ndodhi brenda 24 orëve në gusht të vitit 2025, ishte vrasja me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit.

Gjatë gushtit u shënua edhe një vrasje tjetër në Hajvali të Prishtinës. Në po të njëjtin muaj, në fshatin Baicë të Lipjanit, një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

Një tjetër vrasje që tronditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, ishte vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Pak ditë më parë është ngritur edhe aktakuzë për vrasjen e Likës kundër gjashtë të pandehurve.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha i ka thënë KosovaPress-it, në një intervistë se Mefail Shkodra me djemtë kanë qenë me të kaluar të dyshimtë kriminale.

“Te rasti i vrasjes së fundit e kemi serioze, për shembull, atë që po flasim për rastin e Gjilanit, ku u vranë tre persona. Persona me të kaluar kriminale të dyshimtë, të cilët ne i kemi pasur në procedim, i kemi pasur arrestuar për raste të fajdesë, edhe pastaj në ndërkohë janë liruar për shkak të procedurave të limituara që aktualisht Kosova e ka këtë ligj. Po kemi qenë duke hetuar, duke trajtuar rastin dhe kemi pasur të arrestuar personin e dyshimtë kryesor, ka qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës gjashtë muaj më herët. Ndodh nganjëherë që krijohet përshtypja që për një javë po ndodhin nja tre katër raste të vrasjes”, shprehet Hoxha.

Ai më tej kishte thënë se është e pamundur që të parandalohen tërë këto raste të vrasjeve.

Shqetësuese i konsideron motivet e vrasjeve në Kosovë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli.

“Kryesisht, ka pasur motive të ndryshme të vrasjeve. Ato që kanë qenë ndoshta më shqetësuese se një numër i caktuar i vrasjeve kanë qenë të ndërlidhura me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme e që fatkeqësisht edhe më tutje po ballafaqohemi me probleme të tilla, sidomos këto fajdet, janë një ndër problemet e theksuara që janë raportuar dhe një vrasje që ka pasur më së tepërmi bujë gjatë këtij viti [2025]”, shprehet ai.

Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të cilët u garantojnë qytetarëve që mund të raportojnë pa u identifikuar nga kryerësit e veprave.

“Mendoj që duhet të shikohet ku është problemi që rastet e këtyre fajdeve nuk raportohen në masën që duhet të raportohen. A ekziston problemi që mbase brenda strukturave të institucioneve të sigurisë ka elemente të përfshira në këto aktivitete apo të afërta me persona që merren me këto veprimtari e që i bën që këta persona të cilët janë viktima të këtyre krimeve të mos guxojnë t’i raportojnë në institucionet e rendit dhe të ligjit”, shton ndër tjera Vrajolli.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami ngrit shqetësimin edhe për posedimin e një numri të madh të armëve ilegale nga ana e qytetarëve.

“Numri i armëve është jashtëzakonisht i madh tek duart e qytetarëve, pra, qoftë armëve të cilat mund të licencohen dhe të jepet leja për to, qoftë edhe armë luftarake siç janë kallashnikov e të tjera, pra armë të cilat vrasin, mund të vrasin në masë njerëz. Prandaj, sikurse vitet e kaluara, është mirë, do të ishte e rrugës që institucionet e shtetit të fillojnë edhe njëherë dhe unë besoj çdo vit ishte dashur që të ketë një amnisti”, përfundon ai.

Kujtojmë se, gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 17 vrasje në Kosovë.

Exit mobile version