Sot, më 14 dhjetor, shënohen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi, dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit 1998, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin duke transportuar armë për të forcuar qëndresën në Kosovë, kur ranë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia serbe në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.
Përballë luftimeve të pabarabarta në borën e dhjetorit, përveç dëshmorëve që ranë, dhjetëra luftëtarë të tjerë u plagosën, ndërsa disa u zunë rob lufte.
Pas një aksioni të guximshëm të luftëtarëve të UÇK-së, 8 ushtarë të ushtrisë serbe u kapën dhe u bë një këmbim i ushtarëve të të dyja palëve, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës më 21 dhjetor 1998, ku u nderuan me ceremoni të larta ushtarake.
