Ballina Lajmet Rajon dhe Botë A e pyesin qeverinë shqiptare muxhahedinët në Manzë?

A e pyesin qeverinë shqiptare muxhahedinët në Manzë?

Foto ilustrim

MEK shpall qeverinë në mërgim si pjesë e skemës së Izraelit, ndërsa Shqipëria rrezikon ta pësojë në një konflikt që nuk i përket

Historia e qëndrimit të anëtarëve të organizatës MEK (Muxhahedinët e Popullit Iranian) në Shqipëri po kalon nga një kapitull humanitar në një fushë të rrezikshme “minash” gjeopolitike. Ajo që nisi në vitin 2014 si një akt solidariteti dhe përgjigje ndaj kërkesës së aleatëve tanë amerikanë, sot po kthehet në një sfidë të hapur ndaj sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë.

Pyetja që shtrohet sot me urgjencë është: A ka ende kontroll qeveria shqiptare mbi aktivitetin e këtij grupimi, apo Manza është kthyer në një shtet brenda shtetit? Pakti fillestar ishte i qartë: Shqipëria ofronte strehë për qëllime thjesht humanitare, me kushtin e prerë që grupimi të mos përfshihej në aktivitete politike apo ushtarake nga territori ynë.

Ky ekuilibër i brishtë u thye në qershor të vitit 2023. Ndërhyrja e ashpër e policisë në kampin “Ashraf 3”, zbuloi se marrëveshja ishte shkelur. Dyshimet për sulme kibernetike ndaj vendeve të treta, e detyruan shtetin shqiptar të përdorte forcën për të rikthyer ligjshmërinë.

Reagimi i SHBA-së në atë kohë ishte i prerë: e drejta për të vendosur mbi qëndrimin e tyre i takon Tiranës, duke ia lënë “pataten e nxehtë” në dorë qeverisë sonë. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë kapërcyer çdo parashikim.

Akti i kësaj të hëne, ku Maryam Rajavi shpalli nga Shqipëria formimin e një “qeverie të përkohshme në mërgim” pas vrasjes së Ali Khameneit, është një provokim i hapur. Ky veprim nuk është më një aktivitet humanitar, por një deklaratë lufte politike që e vendos Shqipërinë në vijën e parë të zjarrit.

Në këtë kontekst, lëvizja e Rajavit duket më shumë si një përpjekje dëshpëruese për të mbajtur rëndësinë, pasi vitet e fundit MEK e ka humbur ndjeshëm peshën në sytë e Perëndimit. Ndërsa dikur shiheshin si opozita kryesore, sot SHBA-ja dhe Izraeli po sponsorizojnë – kryesisht për diversion – djalin e ish-Shahut, Reza Pahlavi, i cili edhe ai mbetet shumë i kontestuar nga një pjesë e mirë e iranianëve.

Aktivizimi i “qeverisë në mërgim” nga Manza ka gjasa të jetë pjesë e lojës së Tel Avivit për të mbjellë akoma më shumë kaos, por duke e përdorur Shqipërinë si platformë goditëse. Dhe në këto kushte, nëse deri dje kërcënimi kufizohej në hapësirën virtuale, sot rreziku është fizik dhe i prekshëm.

Arsenali balistik i Iranit, me raketa si Khorramshahr-4, Sejjil apo Ghadr, ka një rreze veprimi deri në 2.000 kilometra. Harta e ekspertëve të CSIS e tregon qartë: Shqipëria është brenda perimetrit të goditjes. Këtu nis edhe shqetësimi ynë më i madh. Vendi ynë është anëtar i NATO-s, por në aspektin e e mbrojtjes ajrore ne jemi thjesht “konsumatorë” dhe jo garantues të saj.

Hapësira jonë monitorohet dhe mbrohet nga sistemet e fqinjëve tanë, Italisë dhe Greqisë. Vetë Shqipëria nuk zotëron asnjë sistem mbrojtës që të mund të neutralizojë në kohë një sulm raketor të mundshëm. Duke lejuar shpalljen e një qeverie paralele iraniane nga Manza, ne rrezikojmë të bëhemi shënjestër pa pasur mjetet tona për t’u mbrojtur.

Ajo që e bën situatën edhe më alarmante, është mungesa totale e transparencës nga ana e qeverisë shqiptare. A ka marrë kjo lëvizje e Rajavit dakordësinë paraprake të Tiranës? A është konsultuar NATO për pasojat e këtij akti? A ka marrë Shqipëria garanci të forta nga Aleanca se në rastin e një sulmi balistik, mbrojtja do të jetë e menjëhershme dhe e garantuar?

Deri tani, qytetarët shqiptarë ndodhen në errësirë. Solidariteti me viktimat dhe të perndjekurit nga regjimi i Ajatollahëve, është një vlerë njerëzore që Shqipëria e ka dëshmuar me bujari. Por duhet të jemi realistë: Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe i dobët për t’u bërë pjesë e “lojërave të mëdha” të fuqive globale.

Nëse deri dje sulmet kibernetike na paralizuan shërbimet publike, sot skenarët që po vizatohen mbi Manzë janë shumë më të rrezikshëm. Qeveria nuk mund të jetë thjesht një spektatore e lëvizjeve të MEK-ut në territorin tonë. Siguria e jetës së shqiptarëve duhet të jetë prioriteti i parë, përpara çdo detyrimi tjetër humanitar apo politik. /tesheshi

Exit mobile version