Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Abdul Mohammed El-Sayed, ky yll i ri demokrat që pëlqehet edhe nga...

Abdul Mohammed El-Sayed, ky yll i ri demokrat që pëlqehet edhe nga MAGA dhe po shqetëson Trump-in

Përballë tij, rivali republikan Rogers që nuk ka ngjallur aspak entuziazëm

Një sondazh tregon se një pjesë e bazës republikane në Michigan po i kthen shpinën kandidatit të mbështetur nga Trump, për t’u afruar me demokrati Abdul Mohammed El-Sayed.

Mjeku me origjinë egjiptiane mund të bëhet senatori i parë musliman i SHBA-së, ndërsa fitorja e tij mund të jetë vendimtare për kontrollin e Senatit.

Frika duket se po i jep energji fushatës. Donald Trump ka shpërthyer publikisht kundër kandidatit demokrat për Senatin në Michigan, Abdul Mohammed El-Sayed, duke e sulmuar ashpër në rrjetet sociale.

Trump e ka cilësuar atë si “një ekstremist radikal”, duke pretenduar se simpatizon xhihadin dhe terroristët, ndërsa e ka akuzuar se është i afërt me influencuesin e majtë Hasan Piker, të cilin presidenti amerikan e përshkruan si një person që “e urren Amerikën”.

Në të njëjtën deklaratë, Trump ka bërë thirrje për votën ndaj rivalit republikan Mike Rogers, të cilin ai e ka mbështetur publikisht, duke e cilësuar si një kandidat “të shkëlqyer” që gëzon “mbështetjen e tij të plotë”.

Për ta përforcuar sulmin, Trump ka përmendur edhe Francën, duke argumentuar se vlerat e El-Sayed nuk përfaqësojnë ato të banorëve të Michiganit dhe as të Shteteve të Bashkuara.

Por prapa këtij sulmi qëndron një zhvillim që duket se ka shqetësuar republikanët: një fokus-grup me votues të MAGA-s në Michigan, ka treguar mbështetje të konsiderueshme për El-Sayed.

Bëhet fjalë për votues që në zgjedhjet e fundit kishin mbështetur bindshëm Trumpin. Në të kundërt, kandidati republikan Rogers nuk ka ngjallur pothuajse aspak entuziazëm.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të peshës së Michiganit në garën për Senatin. Shteti ka një nga komunitetet më të mëdha arabe në SHBA dhe në vitin 2024 një pjesë e madhe e këtij elektorati votoi për Trumpin, si mënyrë për të ndëshkuar administratën Biden për politikën e saj ndaj luftës në Gaza.

Por tani dinamika duket se po ndryshon. Sondazhet i paraqesin El-Sayed dhe Rogers në një garë tepër të ngushtë, me kandidatin demokrat në një avantazh të lehtë: 48 për qind kundrejt 47 për qind për republikanin.

Nëse demokrati arrin të fitojë këtë garë, rezultati mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kontrollin e Senatit. Pikërisht për këtë arsye, fushatës së El-Sayed do t’i bashkohet më 24 tetor edhe Barack Obama.

Ish-presidenti amerikan ishte ndër figurat e para të rëndësishme demokrate që e përgëzuan kandidatin në gusht dhe i dhanë këshilla publike. Tani Obama do të mbajë një tubim në Detroit në mbështetje të mjekut progresist, i cili ka shprehur gjithashtu mbështetje për Palestinën.

Djali i dy emigrantëve egjiptianë, El-Sayed ka lindur në Shtetet e Bashkuara dhe ka kaluar një histori jo gjithmonë të lehtë integrimi. Nëse fiton zgjedhjet e nëntorit, ai do të bëhet senatori i parë musliman në historinë e SHBA-së.

Por mbështetja e Obamës ka sjellë në sipërfaqe edhe një ironi politike. El-Sayed e kishte kritikuar ashpër ish-presidentin gjatë viteve të para të karrierës së tij. Rreth vitit 2015, kur në moshën vetëm 30-vjeçare u emërua drejtues ekzekutiv i Departamentit të Shëndetësisë së Detroitit, ai e kishte përshkruar presidencën Obama si një “dështim”.

Sipas deklaratave të analizuara nga KFile, ekipi investigativ i CNN, El-Sayed e kishte akuzuar Obamën për vazhdimin e luftërave, kufizimin e lirive civile, një numër rekord dëbimesh të emigrantëve dhe ruajtjen e sistemeve ekonomike e shëndetësore që, sipas tij, favorizonin korporatat në dëm të qytetarëve.

Ai kishte kritikuar edhe Obamacare, duke e konsideruar të pamjaftueshme, dhe kishte argumentuar se qasja graduale e Obamës kishte ndihmuar në krijimin e kushteve që më pas mundësuan ngritjen politike të Donald Trumpit.

Por duket se Obama nuk do të lejojë që kritikat e së kaluarës të pengojnë një aleancë të sotme. Fitorja e El-Sayed në Michigan është shumë e rëndësishme për demokratët dhe ish-presidenti është i gatshëm të bëjë fushatë për të.

Tani mbetet vetëm pyetja më interesante: çfarë do t’i thonë njëri-tjetrit Obama dhe El-Sayed kur kamerat të fiken dhe të mbeten vetëm në prapaskenë? \tesheshi