Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vjenës sot u pezulluan përkohësisht për shkak të motit të ashpër dimëror, transmeton Anadolu.
“Nga vlerësimi aktual, nisjet individuale pritet të jenë sërish të mundshme nga ora 12:00, ndërsa uljet nga ora 13:00”, tha për mediat lokale zëdhënësi i aeroportit, Peter Kleemann.
Moti i rëndë dimëror po shkakton ndërprerje të mëdha edhe në pjesë të tjera të vendit. Në provincën Styria, sipas autoriteteve lokale, rreth 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike sot në mëngjes,.
Pjesa jugore, lindore dhe perëndimore e provincës sipas autoriteteve lokale, si edhe zona Graz rezultojnë më të prekurat nga moti dimëror.
Për shkak të reshjeve të dëborës, Hekurudhat Federale Austriake (OBB), njoftoi se trafiku hekurudhor në të gjithë Austrinë mund të përballet me vonesa dhe anulime.
Në autostradën Westautobahn (A1) në Austrinë e Poshtme u raportuan disa aksidente dhe mbyllje segmentesh.
Në qytetin Linz ndodhi një aksident fatal ku u përfshi një borëpastruese në rrethin Ebelsberg. Autoritetet nuk kanë publikuar ende detaje.
Në mbarë vendin, automjete të rënda mbetën të bllokuara në rrugët e mbuluara nga dëbora, duke penguar qarkullimin.
“Nuk kemi parë diçka të tillë në shkurt vitet e fundit”, tha meteorologu Marcus Wadsak për transmetuesin publik ZiB.
Sipas Wadsak, ka kaluar edhe më shumë kohë që kur Vjena ka përjetuar reshje kaq të dendura dëbore në një periudhë kaq të shkurtër. Hera e fundit me një situatë të ngjashme dimërore në kryeqytet ishte “më shumë se 20 vjet më parë”.
