Afganët e ardhur ilegalisht në Turqi: Ushtarët iranianë na rrahën dhe na lanë pranë kufirit turk

Disa migrantë të parregullt afganë kanë pohuar se janë rrahur në arrest nga ushtarët iranianë përpara se të liroheshin në kufirin turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Gulab Jemili, një afgan që hyri ilegalisht në provincën Van të Turqisë lindore, tha se ai së bashku me të tjerët emigruan në Iran për shkak të konfliktit të armatosur në vendin e tyre. Por ata u kapën dhe iu nënshtruan keqtrajtimit nga ushtarët iranianë.

Qindra emigrantë të parregullt afganë, pakistanezë dhe nga Bangladeshi mbërrijnë në Turqi ilegalisht përmes Iranit, ose me automjete ose në këmbë në distanca të gjata. Gjatë udhëtimit të tyre të rrezikshëm për në Evropë në kërkim të një jete më të mirë, ata komunikojnë me njëri-tjetrin duke përdorur aplikacione për telefona të mençur.

Megjithatë, shumica e tyre bllokohen nga kriminelë përgjatë rrugës, ku disa humbin jetën dhe të tjerët ndalohen, sipas këtyre migrantëve të parregullt.

Jemili pohon se ushtarët iranianë torturuan të gjithë të arrestuarit dhe vranë disa nga shokët e tij para se të hidheshin në kufirin turk pasi u kishin vjedhur rrobat dhe paratë.

“Pasi kaluam në Turqi, ramë në duart e kontrabandistëve të njerëzve. Ata na morën 1.000 dollarë. Udhëtuam në këmbë në disa vende dhe me automjete në vende të tjera. Kontrabandistët na dërguan lokacionet dhe ne duhej të navigonim nëpër to”, deklaroi ai.

Jemili tha se ata janë në rrugë për më shumë se një muaj e gjysmë.

“Të gjithë janë rraskapitur … Ne nuk dimë çfarë të bëjmë. Në Afganistan ka luftë. Shkollat ​​tona bombardohen. Nëse qëndrojmë dhe luftojmë, nuk do ta dimë kundër kujt do të luftojmë; vëllezërit po vrasin njëri-tjetrin. Ne u detyruam të udhëtonim për në Iran, por ata na rrahën dhe na thanë se ky nuk ishte vendi ynë dhe se në vend të kësaj, ne duhet të shkonim në Turqi”, tha ai.

– 220 persona në një kamion

Mohammed Tenha, një afgan i cili arriti në zonën Tatvan në bregun perëndimor të Liqenit Van, tha se vendi i tij po përjeton probleme të rënda pasi shumë nga të afërmit e tij kanë vdekur gjatë konfliktit të armatosur që po vazhdon.

“Unë nuk kam ngrënë bukë për katër ditët e fundit. Kemi ecur për 45 ditë tani. Na mbajtën në Iran dhe unë kalova tre deri në katër ditë në stacionin e policisë. Pastaj na dhanë një dokument dhe na thanë të shkonim në Turqi, ose mbrapa në Afganistan. Më kërcënuan të më dëmtonin nëse do të më shihnin brenda pesë ditësh. Pas kësaj, ata na lanë të shkojmë”, tha ai.

Ai pretendoi se ai dhe afganët e tjerë hynë në Turqi në mënyrë të paligjshme dhe u dhanë para iranianëve që transportojnë emigrantë.

“Unë dhashë 1.200 dollarë dhe një mik pagoi 1.500 dollarë”, pohoi ai.

“Ne bisedonim në telefon me miqtë, por policia iraniane na mori paratë dhe telefonat dhe u vuri flakën”

“Ata na lanë në kufi”, tha ai, duke shtuar se “Ne erdhëm këtu nga Vani me një kamion me 220 persona (migrantë të parregullt) që flinin në të”.